Thursday, December 11, 2014

SITUATA ME EMIGRANTËT NË KONTEKST TË DREJTAVE TË NJERIUT – MAQEDONIA SI DESTINACION


Abstract
Recently, Macedonia and the region, too, more and more are being transformed as a destination of immigrants from different countries. The great number of immigrants coming is not decreasing, especially in border habitats of Macedonia, and partly to the Greek ones, too.In the Macedonian-Serbian border, currently there are above 500 immigrants from different countries, such as Afghanistan, Pakistan, Algeria, Libya and so forth. These immigrants are experiencing difficult moments in the cornfields of the border habitats – Llojane and Vaksince.Those immigrants are surviving in non-human conditions, sleeping in animal pens, attics, basements, whereas some of them even in open space.No habitant can offer help to them, due to the fear of being accused of “illegal immigration”. No more does the state get interested about, save the times when it imprisons people who for an amount of money offer driving services to those immigrants.In this presentation we will outline the rights of the immigrants, human rights, the penal code, issues dealing with illegal migration, and situation of immigrants as well as the history of this phenomenon in Macedonia.


Fenomeni i migrimeve apo lëvizjeve të ndryshme të popullsisë është i njohur prej kohërave më të lashta e deri më sot. Gjithmonë njerëzit kanë qenë në lëvizje, në kërkim të hapësirave dhe vendeve më të përshtatshme për jetë, për vete dhe familjet, por edhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre.Njerëzit kanë lëvizur drejt vendeve me kushte me të volitshme për jetë, luginat pjellore, vendbanimet afër lumenjve, por edhe ato më të sigurta, në afërsi të fiseve dhe grupeve të ndryshme të njerëzve pranë të cilëve janë ndjerë më sigurt. Por edhe gjatë këtyre lëvizjeve gjithmonë janë marrë parasysh disa faktorë të cilët i kanë përcaktuar rregullat e lëvizjes. Edhe në kohërat më të hershme ka pasur raporte antagoniste në mes grupeve vendasve dhe të ardhurve. Njëri grup është thirrur në të drejtën e “kush i pari në kohë, i pari në të drejtë”, kurse i dyti në faktin se çdokush ka të drejtë të jetojë aty edhe ku ndjehet më mirë për të jetuar, kjo ka ndodhur në kohërat antike.Në periudhën e globalizimit, kur mjetet e komunikimit dhe transportit janë në nivel tepër të lartë lëvizja e njerëzve në një farë mënyrë është bërë edhe diçka e zakonshme. Veçanërisht ku kihet parasysh fakti i lirive dhe të drejtave të njerëzve për lëvizje dhe qarkullim.Por, këto liri dhe këto zhvendosje shpeshherë tejkalojnë kufijtë e të lejuarës dhe lëvizja e lirë e njerëzve shndërrohet në lëvizje apo migrim ilegal, respektivisht fakti dhe mënyra kur një individ apo grup futet apo lëviz nëpër një shtet apo territor të caktuar pa pasur leje për ta bërë këtë.Migrimi ilegal nënkupton futjen ilegale të njerëzve në vendin e huaj, të bazuar në bazë vullnetare. Migrimi ilegal nuk nënkupton eksploatimin, mashtrimi, detyrimit ose dhunën mbi migruesit. Qëllimi i tyre është "vendi i premtuar", ku besohet se do të jetë më mirë, kështu që për të arritur këtë ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Rrugës për këtë qëllim ata ballafaqohen me politikën restriktive të vendeve të ndryshme. Por migruesit ilegal janë kategori relativisht e rrezikshme për arsye se shumë lehtë mund të shndërrohen në viktima të eksploatimit. Migrimi praqet lëvizjen fizike, të përkohshme ose zhven­dosjen e përhershme të banorëve prej një ambienti socio-kulturor (emigrimi) në ambientin tjetër (imigrimi) respektivisht prej një vendi në tjetrin. Emigrimi është formë e migrimit që nënkupton shkuarjen prej një hapësire socio-kulturore në tjetrën, kurse imigrimi nënkupton ardhjen në një hapësirë të tillë[1]. Nëse e gjithë kjo kryhet në bazë të dispozitave të vendeve përkatëse atëherë kemi të bëjmë me migrimi legal. Por, nëse gjatë migrimit vjen deri te lëndimi i rregulloreve të migrimit, qofshin të vendit origjinës, apo të destinacionit, atëherë kemi të bëjmë me migrimin ilegal.
Të gjitha këto forma të lëvizjes së individëve apo grupeve janë të rregulluara me akte juridike të ndryshme juridike si Konventa, Protokolle, Deklarata, Ligje dhe akte të ndryshme nënligjore.Determinantet kryesore të rritjes së madhe të numrit të migrue­sve duhet të kërkohet në dallimet në zhvillimin socio-ekonomik dhe nivelin e standardit jetësorë në mes vendeve të cak­tuara, transformimit shoqëroro-ekonomik të vendeve postso­cia­liste, jostabiliteti ekonomik në rajone të ndryshme të botës e kështu me radhë. Statistikat tregojnë se mbi 210 milion persona jetojnë jashtë vendit të tyre të lidhjes ose vendit të shtetësisë, që paraqet 3 %[2]nga numri i përgjithshëm i popullatës.
Veç kësaj rritje të  madhe ka edhe numri i refugjatëve që në fund të vitit 2007 vetëm në Evropë arrinte 11,4 milionë persona, kurse personat e zhvendosur brenda shteteve kapin shifrën prej 26 milionë[3], në nivel botërorë shifra e migruesve kap numrin deri më 200 milionë[4].
Dy dekadat e fundit, rajoni i Evropës jug lindore ka qenë në qendër të vëmendjes sa i përket lëvizjes së popullsisë. Me dhjetëra e qindra mijëra persona janë larguar nga shtetet e tyre pas shpërbërjes së shteteve federative socialiste, si ish-BRSS, Çekosllovakia dhe ish-RSFJ.Me fillimin e transformimeve politiko-ekonomike në këto rajone migruese të shumtë synuan perëndimin në kërkesë për mundësi më të mira. Gjithmonë kjo e shoqëruar si pasojë e mungesës së stabilitetit politik dhe pamundësisë së shtetit ligjorë për t’u përballur me këto mekanizma, shumica e shteteve të Evropës u bënë vende tranzite që “lejuan” valë të tëra të migruesve ilegal drejt vendeve të zhvilluara perëndimore.Zakonisht, ndryshimet e shumta që ndodhin nëpër botë, sidomos në shoqëritë pas revolucioneve, sjellin me vete edhe procese të migracionit. Ndryshimet e reja që paraqiten nëpër këto shoqëri në njëfarë mënyre imponojnë largimin e njerëzve nga vendlindjet për të synuar jetesën më të mirë dhe më të sigurt.Tentimet dhe dëshirat janë aq të mëdha, saqë kemi raste të shumta ku njerëz, familje apo grupe të tëra rrezikojnë edhe jetën e tyre vetëm e vetëm të arrijnë qëllimet e tyre. Kemi raste të shumta të tilla edhe të historisë pak më të vjetër, por edhe raste që ndodhin sot e kësaj dite. Veç kësaj nuk duhet të mohohet edhe fakti i zinxhi­rëve të organizuara për realizimin e këtij fenomeni, që jorastësisht bie në grupin e krimit të organizuar. Qëllimi kryesor në gjithë këtë çështje është profiti, pasi se migrimi i paligjshëm i sjell të ardhura marramendëse (sjell të ardhura më të shumta se biznesi i mjeteve narkotike)[5].Republika e Maqedonisë historikisht ka qenë vend i përfshirjes së migrimeve. Veçanërisht në shekullin 20, kurse ky fenomen po vazhdon edhe më tej në këtë fillim shekulli. Në katër dekadat e kaluara shkalla e migrimit për Republikën e Maqedonisë vazhdimisht është në rritje. Veçanti në dekadën e fundit, lëvizjet migruese kapën nivelin e të ashtuquajturës migrimi potencial[6] , që përdoret si term kur ky fenomen kap dimensionet shqetësuese. Brengos fakti kur një numër i madh i kuadrit të kualifikuar gjithnjë e më shumë tenton të largohet nga vendi, por edhe i kategorive tjera që shfrytëzojnë çdo mundësi për ta lëshuar vendin.
Në sferën e ballafaqimit me migrimin e paligjshëm Republika e Maqedonisë ka sjellë Rezolutën për politikën migruesve[7]ku gjithashtu parashihen të gjitha hapat dhe masat për parandalimin dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm.  Në lidhje me balla­faqimin me këtë fenomen, si mjete për luftë efikase kundër migrimit ilegal, ka ndërmarrë masa në: aspektin e politikave të vizave, kon­tro­llin e kufijve (nëpër gjithë vijën kufitare); shkëmbimi i infor­matave, bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve me ven­det tjera; politika e kthimit, riatdhesimit dhe vënies së standardeve të përbashkëta për procedurat e kthimit; shtrëngimi i masave për transportuesit; san­k­sione për punëdhënësit, rritjen e dënimeve për fshehjen e nje­rëzve; formimin e Qendrës nacionale koordinuese për administrimin e kufijve me qëllim të shkëmbimit të të dhënave dhe informatave; formimin e qendrave tranzitore për të huajt ku do të vendosen të huajat – migruesit ilegalë deri në përcaktimin e identitetit të tyre dhe kthimin e tyre në vendet amë si dhe marrëveshjet për riatdhetësim[8].Edhe përkundër gjitha këtyre masave, migrimi ilegal është një problem që po zvarritet me vite të tëra, por gjithmonë duke e pasur parasysh faktin se me këtë problem ballafaqohen gati se të gjitha vendet e botës, duke u nisur edhe nga ato me demokraci më të theksuar, si Kanadaja, vendet e BE-së, SHBA-të e kështu me radhë.Deri para disa vitesh, Republika e Maqedonisë ishte vend origjinë e procesit të migruesve, respektivisht, një numër i madh i qytetarëve të këtij vendi ishin aktorët kryesorë të procesit të emigrimit, respektivisht të orientimit për kalim të paligjshëm drejt vende tjera të botës. Po ashtu për dekada me radhë, por edhe tash aktualisht RM, si rezultat i pozitës gjeografike po përdoret si vendi tranzitor kryesor për kalimin ilegal të migruesve drejt vendeve të ndryshme të botës e posaçërisht drejt vendeve të BE-së.Viteve të fundit, sidomos me procesin e liberalizimit të vizave për në BE, Republika e Maqedonisë është bërë një nga destinacionet rajonale të migruesve të vendeve të ndryshme të botës. Kryesisht kemi të bëjmë me grupe migruesish që vijnë nga vatrat e krizës dhe luftërave të ndryshme si Afganistani, pjesë të Pakistanit, Sudani, Somalisë, Etiopia, Eritrea dhe disa vendeve të Afrikës Veriore. Këta migrues, ilegalisht depërtojnë në RM, kryesisht nga kufiri jugor me Greqinë, nëpërmjet një rrjeti të organizuar ndërkombëtarë që nis nga Afganistani, Iraku, Turqia e më pastaj në Greqi[9]. Depërtimi në Maqedoni është shtuar pas krizës financiare që kaploi fqinjin jugor, ku interesimi i migruesve të paligjshëm ka rënë sa i përket qëndrimit në Greqi.
Por, për një vend me status të kandidatit për në BE, vend që ka nënshkruar të gjitha Konventat dhe Protokollet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjen e migracionit të paligjshëm, si dhe ka sjellë të gjitha aktet dhe procedurat e nevojshme për sjellje adekuate me migruesit e paligjshëm nuk guxon të sillet ashtu me personat apo grupet e personave që kalojnë nëpër shtet. Konkretisht, me rastin e fundit, kur fluksi i migruesve të paligjshëm që kaploi botën pas “Pranverës arabe” dhe luftës në Afganistan dhe trazirave në Pakistan, preku edhe Maqedoninë. Gjatë gjithë pjesës së dytë të vitit 2012 në pjesën veriore të Maqedonisë, respektivisht në kufirin Maqedoni – Serbi[10], rregullisht kanë qëndruar midis 100 e deri më 300 migrues nga vende të ndryshme, e posaçërisht nga vendet e lartpërmendura. Qëllimi i tyre, siç edhe vet deklaronin është që të depërtojnë në Serbi, prej ku më pas në Hungari dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Për këtë grup kaq të madh janë të njoftuara të gjitha institu­cionet përgjegjëse, të cilët përveç aksioneve të herëpashershme që ndërmarrin njësitet për luftimin e “krimit të organizuar” nuk ka diçka më konkretet për të zgjidhur këtë problem.Problemi më i madh është i vet qytetarëve të RM-së që jetojnë nëpër këto zona. Ata janë viktimë direkte e këtij fenomeni. Si rezultat i gjoja “fshehjes së migruesve” dhe “kontrabandës me njerëz” janë arrestuar me dhjetëra qytetarë e po aq edhe vuajnë dënime të larta me burgje.Në kontekstin e të drejtave të njeriut, këta migrues, pa marrë parasysh se prej nga vijnë, duhet të kenë trajtim më adekuat duke u llogaritur si qenie njerëzore si nga organet shtetërore ashtu edhe nga vet individët. Me të njëjtët duhet të veprohet konform ligjeve dhe dokumenteve ndërkombëtare e jo të lihen në (pa) mëshirë të fatit që nëpër këto temperatura të ulëta ata qëndrojnë nëpër bodrume të pangrohura, garazha të ndryshme, shtëpi dytësore, tavane të shtëpive, e disa edhe në qiell të hapur. Por edhe kjo është ndihma që po e bëjnë qytetarët e këtyre vendeve, edhe përkundër rrezikut që iu kanoset po u gjendën të njëjtit nëpër shtëpitë e tyre. Fatmirësisht në këtë pjesë kanë gjetur edhe terren të përshtatshëm, pasi se banorët e kësaj ane nuk janë të dhunshëm ndaj tyre, për dallim në pjesën jugore të vendit dhe atë greke, ku disa prej tyre rrëfejnë se kanë qenë të rrahur mizorisht dhe u janë marrë paratë[11].Gjithashtu, nga biseda me disa prej këtyre migruesve, njoftohet se të njëjtit, në disa raste kanë qenë të rrahur barbarisht nga disa qytetarë të Maqedonisë në afërsi të kufirit me Greqinë, që pa kurrfarë preteksti kanë ushtruar dhunë mbi ta, duke treguar një egërsi të paparë dhe dhunë jonjerëzore, duke shfrytëzuar mundësinë se viktimat nuk kanë guxuar të paraqesin këtë lloj të dhunës. Siç rrëfen personi me emrin “Kiko”, në hulumtimin e revistës zvicerane “Le Temps”, rrugëtimi i tij nga Gjevgjelia (qytet në jug të Maqedo­nisë) deri në fshatin Llojan ka zgjatur afër 10 ditë (distancë afër 200 km). I gjithë udhëtimi është kryer në këmbë dhe gjatë natës, pasi se askush nuk ka guximin që t’u ofroj transport, qoftë edhe kjo falas. Ai tregon rastin kur është ndalur për të kërkuar ujë në një fermë në një fshat, pronari i fermës ka njoftuar policinë[12], që dëshmon se këta persona ballafaqohen edhe me nevojat elementare për jetë.
Në disa raste, banorët e kësaj zone, kanë shprehur edhe shqetësimin e tyre duke njoftuar institucionet për rrezikun që iu kanoset. Ata kanë frikë se në radhët e këtyre migruesve ka edhe kriminel apo edhe persona të kategorive tjera të cilët mund të rrezikojnë popullatën. Thirrja e tyre deri te institucionet,[13]hasi në vesh të shurdhët, përpos kur policia ndërmerr ndonjë aksion për të arrestuar migruesit, të cilët sipas deklaratave të vet migruesve dërgohen deri në kufirin me Greqinë. Disa prej tyre, siç njoftojnë banorët e fshatit Llojan, përsëri kthehen pas një periudhe të caktuar. Kjo shkakton nivel të pasigurisë te banorët vendas, pasi se mund të sjellë deri në inkriminimin e popullatës vendase, kryesisht nga “të marrit me ta[14]”, apo edhe nga tendenca ksenofobe.
Rreziku tjetër është edhe ai shëndetësorë, pasi se si vend që pretendon anëtarësinë në BE, Maqedonia është e detyruar të respektojë rregullat dhe aktet përkatëse të BE-së në çështjen e migruesve të paligjshëm. Veç kësaj duhet të kihet parasysh edhe sigurimi i përkujdesjes mjekësore e në veçanti “trajtimit të domos­do­shëm mjekësorë”.[15]Kjo në rend të parë duhet të bëhet për mbrojtjen e qytetarëve vendas nga epidemitë dhe sëmundjet e ndryshme përçuese që mund të sillen nga migruesit e ndryshëm, si HIV-i, tuberkulozi, hepatiti e kështu me radhë.
Në gjithë këtë tollovi, dikush edhe përfiton. Janë disa qytetarë të cilët këtë rast e shohin si mundësi përfitimi. Zakonisht shitoret me produktet ushqimore, por edhe pronarët e shtëpive që ofrojnë bujti për “klandestinët”. Në shumicën e rasteve mungon sinqeriteti dhe çmimet me të cilat shërbehen migruesit janë për disa herë më të larta. Ata për një natë në një bodrum, pullaz, apo të ngjashme, vetëm me kulm mbi kokë paguajnë prej 5 deri në 20 euro nata, kurse disa që nuk kanë mjete kalojnë natën nëpër fusha, ferma të kafshëve, e kështu me radhë. Këtë gjë e bënin edhe gjatë verës, por edhe kur temperaturat natën binin deri në zero.Siç njoftojnë banorët e kësaj ane, bëhet fjalë për njerëz të kategorive të ndryshme, por dominojnë kategoria e personave me arsim të lartë dhe të profilizuar profesionalisht. Disa kanë kërkuar edhe të punojnë nëpër ndërmarrjet private, sidomos ato ndërtimore dhe bujqësi duke dëshmuar profesionalizmin e tyre në këtë drejtim, por ka edhe të tillë që interesohen edhe për qëndrim të përhershëm në RM.  Por, njoftohet se disa prej tyre janë edhe persona delikuent dhe problematik që paraqesin edhe rrezik për banorët e kësaj zone.E gjithë kjo ndodh në vendin ku, siç e cekëm më lart, ka nënshkruar të gjitha protokollet ndërkombëtare, vend kushtetuta e të cilit garanton të drejtën e azilit të huajve dhe apatridëve të përndjekurve për shkak të bindjeve dhe veprimeve demokratike dhe politike.Por nuk bën asgjë që të ndërmerr për të zgjidhur këtë pro­blem. Në pyetjen deri te Qendra strehimore në Shkup, na njoftuan se ata momentalisht nuk përkujdesen për migrues të kategorive të tilla.  Kurse nga IOM (International Organization for Migration) njoftojnë se janë të informuar për këtë fenomen, kanë reaguar deri te institucionet përgjegjëse, por nuk kanë asnjë raport kthyes për tentim zgjidhjeve.Banorët lokal njoftojnë se disa që kanë depërtuar në Serbi, më pas edhe janë kthyer në Maqedoni, kurse policia maqedonase të njëjtit prapë i ka përcjellë drejt Serbisë, që në njëfarë mënyrë ndodh një proces ping-pongu me ta dhe vë në pah mungesën e bashkë­punimit dhe koordinimit në mes të vendeve ballkanike. Në Serbi, burgu i Vrajës është i mbushur me migrues[16], ata mbahen në burg, ju shqiptohet dënimi dhe më pas përsëri kthehen në Maqedoni për të pritur rastin e volitshëm për të tentuar përsëri kalimin në shtetin verior.  Veç kësaj nëse shteti nuk interesohet në parandalimin dhe respektimin e procedurës për riatdhesimin e migruesve të paligjshëm nga ata mund të shndërrohen në kriminel dhe faktikisht edhe në kriminalizimin e procesit të migrimit[17].
Maqedonia në veçanti duhet ta ketë parasysh Konventën e OKB-së për Migruesit[18]ku  parashihen të drejtat dhe detyrimet themelore të subjektit të kësaj marrëveshje, në këtë rast shtetit për "parandalimin e kushteve jonjerëzore për jetesë të migruesve, kushtet e punës, por edhe mbrojtje nga abuzimin psikik dhe seksual si dhe trajtimin degradues (neni 10-11, 25, 54); t'u garantohet migruesve qasja deri te informacioni për të drejtat e tyre (nenet 33 dhe 37); sigurimin e të drejtave për mbrojtje ligjore, duke ua siguruar rolin e subjektit në procedura gjyqësore (nenet 16-20 dhe 22); si dhe sigurimin e të drejtës për pjesëmarrje në marrëdhëniet tregtare (nenet 26 dhe 40), si masë më se e nevojshme për kategorinë e tillë.
Veç kësaj shtetet e rajonit nuk respektojnë aspak edhe procedurat tjera, kryesisht procedurat e përkujdesjes apo të riat­dhe­simit[19] të një migruesi. Kjo kryesisht bëhet për harxhimet[20]e tepërta që i kërkon kjo procedurë, por edhe ikjen e procedurave burokratike.
Në lidhje me këtë, nevojitet një bashkëpunim rajonal dhe menaxhim më i mirë i kufijve me qëllim që në raste të tilla të apli­ko­hen dispozitat e BE-së për të cilat edhe vendi ynë është nënsh­krues, por edhe që të merren parasysh vërejtjet e njëpasnjëshme që vijnë nga BE-ja në drejtim të Maqedonisë e që kanë si temë rrezikun e kthimit të procesit të vizave, por edhe hap negativ në ecurinë euroatlantike të vendit. 342.7-054.72 (497-7)

[1]Illegally Resident Third Country Nationals in EU Member States: state approaches towards them, their profile and social situation, European Migration Network,January 2007, pg 21.[2] http:/www.unhcr.org/admin/ADMIN/475fb70f4.html
[3]ibid
[4]International Migration Report, UNESCO, 2007
[5]ENPI SPECIAL: Fighting Illegal Immigration, nr, 6, september,2008
[6]Резолуција за миграционата политика на Република Македонија 2009-2014, Службен весник на РМ. Бр. 6 2009
[7]ibid
[8]ibid
[9]Kanali kryesor që funksionon prej Egjiptit si vend tranzitor Egjipt, Jordania, Siria, Libani dhe Turqi e më pas Evropës (ENPI SPECIAL: Fighting Illegal Immigration, nr, 6, september,2008)
[10]Fshatrat Vaksincë dhe Llojan
[11] Le  Temps, 17 août 2012, Lojane, porte de l’Europe pour les clandestins[12]http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/15514.html[13]http://llojani.info/mjaft-m%D1%91-klithmave-trishtuese-n%D1%91-llojan/[14] Dhjetë persona janë arrestuar vetëm në periudhën qershor – nëntor 2012 nën dyshimin e “tregtisë me njerëz” dhe “fshehjen e migruesve”, shumica prej tyre janë banorë të kësaj ane.
[15]Illegally Resident Third Country Nationals in EU Member States:
state approaches towards them, their profile and social situation, European Migration Network, January 2007, pg 21.[16]http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/15514.html[17]Chatherine Dauvergne, Making people illegal: What globalization means for migration and law, Cambridge University Press, 2008, pg 27
[18] United Nations Convetion on Migrant's Rights (ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2003)[19] Protokolli për parandalimin, shkatërrimi dhe dënimin e tregtisë me njerëz, në veçanti gra dhe fëmijë me të cilin plotësohet Konventa e OKB-së kundër krimit të organizuar transnacional, neni 18.

[20]Varësisht nga vendi i riatdhesimit, por mesatarisht riatdhesimi i një personi mund të kushtojë deri më 10 mijë euro. 

No comments: