Thursday, May 20, 2010

A duhet të ekzistojë koordinim mbarëshqiptar

Në Ballkanin e trazuar, mjafton një incident i vetëm dhe sado i vogël për të plasur një sherr i madh. Para së gjithash kjo vjen si pasojë e mos zgjidhjes së çështjeve kombëtare në këtë pjesë të Evropës. Përveç kësaj, jemi në dijeni për pretendimet territoriale të disa shteteve ndaj fqinjëve të tyre, qofshin këto publikisht, apo fshehurazi. Se sa është e volitshme situata në Ballkan, mjafton vetëm të përcjellim procesin e integrimeve, si në NATO ashtu edhe në BE. Greqia i bën problem Maqedonisë e Turqisë, Sllovenia - Kroacisë, nesër mund të vijë, Serbia - Kosovës apo anasjelltas. Këto raste janë vetëm një dëshmi e situatës reale që mbizotëron në Ballkan.
Ajo që më së shumti na intereson është pozita jonë si shqiptarë, e normalisht pastaj edhe paqja dhe siguria në Ballkan e më gjerë. Falë Zotit, prej ardhjes së demokracisë në këto troje, kemi një avancim të dukshëm të çështjes sonë kombëtare. Dalja e Shqipërisë nga terri komunist, prishja e krijesës së quajtur Jugosllavi, avancimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, pavarësimi i Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e kështu me radhë, janë këto rezultate që nuk duhet mohuar aktorëve dhe arkitektëve të çështjes shqiptare. Mirëpo, askush nuk duhet të na gënjejë se me pavarësinë e Kosovës dhe me të arriturat tjera, çështja shqiptare është mbyllur. Kemi edhe shumë çështje të nxehta që dita ditës po dalin në shesh.
Javëve që shkuan, pati disa tronditje reale në Maqedoni. Nuk do të ndalemi për të shtuar asgjë, sepse gjithçka u pa dhe u tha. Ajo që më së shumti më ka habitur ka qenë reagimi i faktorit shqiptarë nga jashtë kufijve të Maqedonisë (në Shqipëri dhe Kosovë). Deri sa ne shqiptarët e Maqedonisë, vazhdimisht sytë i kemi të kthyer kah këto dy shtete tona, në reagimet zyrtare dhe gjysmëzyrtare, më së shumti u përmend ruajtja e interesave të shteti të Maqedonisë sesa interesat e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Kjo po duket sikur Berisha më shumë të brengoset për Maqedoninë sesa vet Gruevski. Kjo ishte një nga vërejtjet e mia në lidhje me situatën e para disa ditëve.
Problem real, të cilën edhe para disa kohëve e pata potencuar në një shkrim është mungesa e koordinimit shqiptarë brenda në Maqedoni. Pas prishjes së këshillit koordinativ, që u themelua me mbarimin e luftës së 2001-shit, jemi dëshmitarë të ekzistimit të një nevoje të madhe për një koordinim të mirëfilltë brenda faktorit shqiptarë në Maqedoni. Po të bëhej fjalë për një koordinim për çështje dytësore apo diçka të ngjashme, do ua bënim hallall, por nga situata faktike shihet se mungon koordinimi për çështjet jetike. Mungesa e një koordinimi të tillë, e bie në pozitë popullatën shqiptare që mos të dijë se çka dëshiron dhe çka synon. Njëra forcë tërheq litarin këndej e tjetra andej. Ose një hap para e një apo dy hapa mbrapa. Si rezultat i kësaj neve na paraqiten 2001-tat, 2006-tat e.....
Për ta përshëndetur është edhe iniciativa, apo thirrja për koordinim mbarë shqiptarë. Ekzistimi i një trupi të tillë, duhej të ekzistonte prej shumë kohësh. Edhe pse jemi të vetëdijshëm për ekzistimin e diçka të ngjashme në forma dhe koordinime jozyrtare, ku janë gatuar e diskutuar çështjet kombëtare, mendoj se edhe kurorëzimi zyrtar i një trupi të tillë nuk do të ishte përzierje në çështjet e brendshme të shteteve fqinje, apo diçka të ngjashme. Një vërejtje të madhe për kundërshtarët e një iniciative të tillë. Fatkeqësisht, nuk po shohin më larg se interesat partiake, duke shfrytëzuar çdo moment dhe mundësi për ngritjen e rejtingut partiak, apo duke prezantuar justifikime banale, që nuk kanë asnjë bazë.
Një trup i tillë normalisht, nuk do të përbëhej vetëm nga përfaqësuesit e pozitës, por nga të gjithë faktorët relevant që veprojnë në mbarë trojet shqiptare. Gjithashtu do të ndihmonte në avancimin dhe mbarëvajtjen e agjendës kombëtare. Dobi tjetër do të ishte koordinimi dhe tërheqja e veshit, aventurierëve që për interesa të ngushta kthejnë prapa proceset e fituara me gjak. A është kjo që po i frikon udhëheqësit e partive politike në Maqedoni, apo sindromi “nëse ti e prezanton një ide, për inati unë jam kundërt”, mbetet të shihet.

(Ky shkrim eshte botuar ne gazeten Koha te dates 20 maj 2010)