Monday, March 30, 2009

Maqedonia, kishat dhe kryqet

Me kushtetutën e saj, Maqedonia definohet si shtet laik, shtet që pranon ekzistimin e bashkësive fetare, por si institucione të ndara prej shtetit.
Mirëpo edhe përkundër këtij orientimi dhe këtyre dispozitave, në masë të madhe është vërejtur favorizimi i kishës ortodokse maqedone, në krahasim me Bashkësinë islame të Maqedonisë dhe kishave tjera ekzistuese. Kjo është vërejtur edhe në aspekt të kthimit të pronave, por edhe me beneficione të tjera.
Kjo padrejtësi dhe ky mos konstruktivitet më tepër është vërejtur kur në pushtet kanë qenë djathtistët e VMRO-DPMNE-së të cilët edhe kanë orientim demokristian. Fati i tyre “i mirë” për ta avancuar idenë e tyre ortodokse- maqedone, ka qenë se gjithmonë gjatë qeverisjes së tyre, si partner qeveritar në bllokun shqiptar kanë pasur të bëjnë me parti me prapavijë laike. Parti këto to daluara dhe të bazuara në ideologët e tyre me bindje marksisto-leniniste e më vonë të transferuara në nacionaliste e integraliste ku aspak nuk është shprehur interesim për bindjet dhe interesin fetar të elektoratit të tyre edhe pse dihet shumë mirë se votat i kanë marrur prej një popullate 99,9 % myslimane, ku përveç kësaj për dallim prej bashkatdhetarëve në trojeve tjera etnike shqiptare si Shqipëri dhe Kosovë, dallohet për lidhje më të fortë me fenë.
Blloku maqedon aspak nuk heziton në projektet e tyre të qarta për ndërtimin e identitetit të tyre të ri, të bazuar në antikvitetin dhe fenë e tyre ortodokse. Sa i përket anës maqedone, kjo aspak nuk duhet të na brengosë, sepse sipas gjitha normave fetaro-morale dhe demokratike secili ka të drejtë ta ketë besimin dhe fenë e vet. Por kur kjo përdoret nga politika si mjet për të abuzuar dhe dëmtuar fatin e tjetërkujt atëherë situata ndryshon.
Shumë të freskëta i kemi rastet e vënies së kryqit gjigant në Vodno të Shkupit (i ndërtuar dhe i mirëmbajtur nga buxheti i shtetit), pastaj edhe shumë kryqe tjera nëpër gjithë Maqedoninë, vënien e kryqeve mbi objektet e arkitekturës islame në Maqedoni, si në sahat kullat e Manastirit dhe Prilepit, pastaj, zvarritja e procesit të kthyerjes së pronave të Bashkësisë Islame të Maqedonisë dhe kulmi ishte javën e kaluar ku u vë gurëthemeli i objektit të filarmonisë mbi themelet e xhamisë në Shkup. Kjo është një sulm i rënd për gjithë komunitetin mysliman në Maqedoni. Këto hapa të qeverisë vërtetojnë ekzistimin e një gjenocidi dhe fashizmi kulturorë dhe fetarë që zhvillohet ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Përkundër kësaj reagimet e shqiptarëve janë të shurdhëta. Ndoshta kjo është si rezultat i mungesës së kulturës demokratike, reagimit dhe protestave në vendin tonë, ku besoj se është një fenomen që duhet gradualisht të kultivohet, pastaj mos interesimi i partive politike me hallet dhe problemet reale të popullatës së tyre, e gjithashtu edhe terri informativ i krijuar nga qeveria duke futur nën ombrellë të saj shumicën e mediumeve më të mëdha.
Jemi dëshmitarë të vështirësive të mëdha për marrjen e lejeve të ndërtimit të objekteve islame nëpër qytetet e RM-së, ku nevoja është mjaftë e madhe, ku po e theksojmë kërkohet vetëm LEJE e jo edhe buxhet prej shtetit të cilin asnjëherë nuk e kemi pasur. Në rastin tjetër, qeveria çdo ditë vendos gurthemele, por edhe ngrit kisha dhe objekte të kultit ortodoks anë e kënd RM-së të cilat ndërtohen me buxhet të shtetit dhe komunave përkatëse.
“Kryqëzata” e nisur nga qeveria vikendin që shkoi solli edhe pasojat e para. Konflikti i shkaktuar në qendër të Shkupit, e si shkak ishte (mos)ndërtimi i kishës në qendër të kryeqytetit. Kjo protestë u zhvillua nga një grup studentësh maqedon, të cilët reagojnë kundër prishjes dhe abuzimit të planit urbanistik të kryeqytetit por në veçanti ngufatjes së sheshit më të madh në Maqedoni ku është në projekt ndërtimi i një kishe. Kjo edhe më tepër argumenton politikën dhe arrogancën kishtare të qeverisë në fjalë (ku dihet shumë mirë se në afërsi të sheshit të Shkupit, në distancë prej 500 metrave ekzistojnë më veç dy kisha tjera të ndërtuara, kjo do të jetë e treta nëse ndërtohet). Protestuesit u rrahën nga kundër protestuesit që sipas gjitha gjasave ishin organizuar nga partia maqedone në pushtet, edhe atë para syve të policisë. Përveç kësaj kundër studentëve të fakultetit arkitektonik do të ngritën edhe procedura disiplinore (sipas MPB-së)
Aspak dhe asgjë nuk shikohet kur është në pyetje ndërtimi i kishave dhe kryqeve, kurse për kërkesat e shqiptarëve qofshin ato edhe më të voglat paraqiten me qindra e mijëra probleme deri te realizimi i tyre. Kryeministri dhe qeveria janë bërë të shurdhërt në kërkesën e shqiptarëve dhe myslimanëve për një objekt shumë të rëndësishëm për historinë tonë, si xhamia e rrënuar e njohur me emrin Xhamia Burmali dhe e zhdukur nga po ai shesh ku sot duan të ndërtojnë kishë të pa ekzistueshme më parë, ndërsa kërkesa për xhaminë që ka qenë aty është ngatërruar në labirinthet burokratike të qeverisë, apo dikush dëshiron të aktrojë rolin të shurdhërit.
Mendojmë se si shkaktarë kryesorë të kësaj situate janë partitë politike shqiptare të cilat aspak nuk kanë shprehur interes për këto gjëra. Duke ia lënë hapur hapësirën bllokut maqedon për të vepruar në këtë fushë, duke mos kërkuar proporcionalitetin në veprim sikur se edhe në shumë fushat dhe lëmit tjera, por bile në disa raste edhe duke ndihmuar projektet e tilla të qeverisë maqedone. Shkaktar tjetër që vlen të përmendet është edhe mungesa e kulturës demokratike të popullata shqiptare në Maqedoni. Ne jemi dëshmitarë se askush nuk e ngrit zërin për gjëra të tilla. Deri sa maqedonët për një problem tepër banal, paralizojnë të gjithë Shkupin me protestat e tyre para qeverisë, një gjë e tillë për ne shqiptarët nuk ekziston. Shkaktar tjetër është edhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, ku e paralizuar nga problemet e saja të brendshme aspak nuk gjen kohë, mënyrë dhe arsye për ta ngritur zërin ashtu si duhet kur bëhet fjalë për interesat e myslimanëve në Maqedoni. Sepse me një deklaratë për shtyp apo protestë publike nuk mbarojnë punët, sidomos kur ke të bësh me një shtet ku nuk njeh demokraci, nuk njeh tolerancë fetare dhe është tepër arrogant në veprim. Kjo nuk duhet të kuptohet si mbjellje e urrejtjes ndërfetare, sepse kjo është në kundërshtim edhe me normat fetare islame të cilat i ndjekim, por jemi kundër ngritjes së fatit të një grupi në shpinë të grupit tjetër.
Ne shpresojmë që partitë politike të vetëdijesohen dhe të jenë aty ku janë edhe problemet e elektoratit të tyre sepse aty është edhe interesi i popullit, kuptohet nëse dëshirojnë të mbesin si të tilla dhe nëse duan që dikush t’i votojë. Gjithashtu kërkojmë edhe nga subjektet joqeveritare, të gjitha organizatat dhe shoqatat qytetare si ato vendore, por edhe ato të huaja që veprojnë me Maqedoni që të vetëdijesohen dhe të ngrisin zërin ndaj këtyre hapave dhe kësaj politike adoleshente të qeverisë. Lusim Zotin që edhe Bashkësia Islame në Maqedoni, t’i marrë këmbët e veta edhe njëherë e përgjithmonë të mësohet të mendojë dhe veprojë vet. Të dal nga pozita e inferioritetit dhe t’iu tregojë të gjithëve se nuk është qiraxhi në këtë shtet, por edhe të zhvishet nga këmishat partiake të cilat vetëm se e kanë vjelur, dëmtuar dhe shfrytëzuar për interesat e veta, sepse kapitali që posedon në vete është shumë i madh dhe me peshë por edhe atë se pas vete ka zërin e afërsisht gjysmës së popullatës së përgjithshme të Republikës së Maqedonisë.