Friday, March 19, 2010

Nëpër mjegulla...

1.
Loja e futbollit ka marr një kohë shumë të madhe të jetës time. Tash këtë luks ia kam zvogëluar, por edhe përkundër kësaj, ndeshjet e Ligës së Kampionëve i përcjelli me vëmendjen më të madhe. Edhe pse parapëlqej që ndeshjet t’i përcjelli në ambient familjar, aty ku ndihem shumë më i lirë, kësaj radhe ndeshjen e të mërkurës në këtë nivel garues vendosa ta përcjelli në lokalin afër lagjes time. Atmosfera ishte shumë e mirë. Komentet, provokimet, “tifozllëqet”, për njërën dhe ekipin tjetër, ma kujtonin kohën e karrierës time si tifoz i klubit tim të zemrës Bashkimit, që fatkeqësisht, “fantazmat” e zhdukën nga skena e futbollit. Ajo që shumë më brengosi, ishin tiketat e shumta të basteve që i shihja nëpër duart e këtyre të rinjve. Shpresonin e shpresonin, se parashikimet e tyre, të dalin të sakta e të marrin ndonjë “pare”. Pasi mbaroi ndeshja, të shumtë ishin ata që, të revoltuar, hidhnin e shqyenin tiketat e tyre për tokë, duke sharë dhe fyer këto ekipe për “trukimin” e ndeshjeve e kështu me radhë. Fakt tjetër që hasa në këtë rreth ishin informatat e shumta që dispononin mbi ngjarjet dhe aktorët e futbollit. Dinin se me çfarë rezultati ka mbaruar edhe një ndeshje e ligës së dytë apo të tretë të Skocisë, apo Norvegjisë, sa vëllezër i ka filan lojtari, sa herë ka qenë e martuar nëna e vet e kështu me radhë... Sikur ta shfrytëzonin këtë kohë për gjëra tjera më të dobishme, me siguri se punët shumë më mirë do t’i kishin. Edhe këtë po ua bëjnë “bastoret” e shumta që janë hapur në çdo kënd të rrugës. Po i vjelin edhe ato pak para që gjinden nëpër xhepat e tyre, duke i mashtruar, nëpërmjet shpresës për të fituar diçka. Të nderuar, pronarët e këtyre lojërave të “fatkeqësisë”, këtë biznes e udhëheqin duke fituar para të majme. Po të ishit ju ata që fitoni nga këto “lojëra”, të gjitha lokalet e basteve do të mbylleshin, andaj, mos shpresoni të fitoni diçka që paraprakisht e keni humbur. Biznesi i tyre lulëzon duke ua marrë paratë juve, andaj, si mendoni, t’i fitoni, logjikë shumë e thjeshtë, apo?

2.
Iniciativa për “hapjen e kutisë së Pandorës”, apo për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni ishte ndër lajmet që më së shumti më tërhoqën. Kërkesa e shqiptarëve, për ndryshime në kodin zgjedhorë, gjithashtu ishte për t’u përshëndetur. Ndryshimi i sistemit zgjedhorë, sipas të mirinformuarve, do të jetë mundësi për daljen nga krimi zgjedhorë (nëse nuk futemi në ndonjë më të madh), por edhe dalje nga ky kurth në të cilin gjendemi ne shqiptarët. Ekzistimi i një zone të vetme, ku nuk do të humbet asnjë votë, është një opsion që në njëfarë mënyre i frikon bashkëqytetarët tanë maqedonas. Pastaj edhe ekzistimi i listave të hapura, do kontribuojë për forcimin e demokracisë në vend. Në këtë sistem proporcional, zvogëlohet e drejta e qytetarit për zgjedhjen e kandidatit për të cilin ai dëshiron të voton, kështu që listat e hapura do ta mundësojnë këtë. Më e mira e këtyre ndryshimeve do të jetë, se do të përmirësohet, kualiteti i të zgjedhurve tanë. Mendoj se në këtë rast, partitë do ta kthejnë besimin te elektorati, por edhe ne, votuesit do të kemi rastin të zgjedhim atë për të cilin mendojmë se ia vlen të na përfaqësojë në parlament. Jo të votojë listën ku paraprakisht dihet se kush fiton, që zakonisht janë “të fortit” e partisë, që shpesh herë nuk posedojnë kualitete për vende të tilla, e më vonë, të njëjtit kalojnë mandatin e tyre katërvjeçar si i zgjedhur i popullit, pa asnjë fjalë të thënë atë ku duhet. Mos të harroj edhe atë muhabetin e 200 mijë votave në pjesën lindore të Maqedonisë, që më është bërë varrë, që nëse nxirrej në dritë do të shëronte shumë gjëra. Nëse e bëni këtë, hallall ju qoftë.
3.
Kur përmenden shërbimet sekrete, neve na ngjallet frika. Me siguri se këtë e kemi nga përvoja jonë e hidhur e me këto organeve të sigurisë. Para disa ditëve, nga po këto shërbime, disa familjarëve të disa miqve të mi të rinj (minoren), nëpërmjet telefonave fiks u është lajmëruar, se fëmijët e tyre janë të ftuar në biseda informative. Paramendojeni se si do të reagonim ne, nëse diçka e ngjashme do të ndodhte me fëmijët tanë. Shkaku i thirrjes në biseda informative kishte qenë se këta shkollarë të mesëm, shqiptarë, kohëve të fundit kanë qenë aktiv në organizimet nëpër shkollat e tyre, sidomos me rastin e 7 marsit, por edhe pse janë aktivistë në organizata joqeveritare të regjistruara në shtet. Përfaqësuesit e këtyre organeve, fatkeqësisht i mbyllin sytë përballë kriminalitetit që ndodh në shtet, e merren me fëmijë që janë shembullor dhe dëshirojnë të kontribuojnë për shoqërinë. Pse e bëjnë këtë, veç ata e dinë.

4.
Javën që shkoi, në vendin tonë u mbajt manifestimi poetik i radhës “Takimet e Karadakut”. Ky manifestim i poezisë shqipe është një rast i mirë i takimit dhe kultivimit të fjalës së shkruar në këtë rajon. Fatkeqësisht, të rralla janë manifestimet e tilla. Përkundër vlerës së madhe, ky aktivitet duhet të shndërrohet në një eveniment të madh ashtu siç meriton të jetë. Me plot zemër i uroj organizatorët për vazhdimësinë e këtij takimi, duke sjell emra të poezisë nga të gjitha trojet shqiptare, por sot, besoj se janë të plotësuar kushtet që ky aktivitet të dalë prej “gjysmë legalitetit” dhe të bëhet një manifestim mbarëkombëtarë i poezisë shqipe. Si një poet në shpirt, me plot dëshirë do ta përcjellja këtë manifestim, sikur që e kam përcjellë edhe disa vite më parë në cilësinë e një vizitori, po të kisha informata për mbajtjen e këtij manifestimi. Besoj se zëri i këtij manifestimi duhet të jehojë më tepër, ashtu siç është edhe emri i organizatorit. Gjithçka ishte me qëllimin më të mirë të mundshëm.

(Botuar në Gazetën KOHA të 19 marsit 2010)

Thursday, March 18, 2010

BILETA NJËDREJTIMSHE DREJT EVROPËS PËR SHQIPTARËT E KARADAKUT TË KUMANOVËS

Migrimi është një proces i zakonshëm për vendet që paraprakisht kanë qenë nën regjim të vizave. Nga përvoja e vendeve fqinje, si Bulgaria dhe Rumania, kishim informata se bëhet fjalë për shifra tmerruese, mirëpo, deri sa nuk e përjetuam në lëkurën tonë, gjithçka na u dukej ëndërr. Ishim optimist, se leja e qëndrimit për në BE prej tre muajsh, shpejt do të kalojë, do të shkojnë të shohin se nuk mund të gjejnë punë dhe do të kthehen, për shkak se edhe në BE papunësia është në rritje. Por lajmi i kërkimit të azilit ishin diçka ndryshe. Edhe pse me kohë reaguan organet kompetente duke njoftuar se Belgjika, apo Franca nuk japin azil, ndoshta çmimi jo shumë i lartë i biletave të autobusit, që pas liberalizimit të vizave u ul për 50 %, ua lejonte këtyre “kërkimtarëve të fatit” që të shkojnë deri atje dhe të binden se një gjë është e vërtetë apo jo. Për t’i siguruar të hollat e udhëtimit, shitën gjithçka që kishin, bagëtinë nëpër ahur, arin e martesës dhe ato pak gjëra të vlefshme që i posedonin.
Askush nuk din të thotë, se ku ka dëgjuar se Belgjika po jep azil. Përpos disa raste pas luftës së 2001 që kishin fituan të drejtën e azilit në këtë vend. Ishin këto të gjithë kuadro të kualifikuar që kishin mësyer perëndimin dhe kishin rregulluar statusin e tyre, tashmë edhe si qytetarë të Belgjikës.
Edhe më parë kjo zonë ka qenë shumë e goditur nga migrimi. Por për dallim nga herët tjera, kur burrat mësynin kurbetin, që të përfitojnë ndonjë “dinarë” e të kthehen në familje, kësaj radhe, ata së bashku me gratë dhe fëmijët e vet, vërshuan autobusët e agjencive që ishin shtuar për t’iu dalë në ndihmë “azilantave të rinj”. Edhe pse nuk ekzistojnë të dhëna zyrtare për numrin e të ikurve, por supozohet që vetëm nga kjo zonë të jenë larguar diku mbi 6 mijë persona, ndërsa statusin e azilit vetëm në Belgjikë, brenda dy muajve të parë të këtij viti e kërkuan mbi 500 veta. Iknin persona të të gjitha kategorive, si të arsimuarit ashtu edhe të paarsimuarit, por dominonin ata të shtresës së ulët dhe të paarsimuar. Numri më i madh, ishin bujq sepse profesioni kryesorë në këtë komunë është bujqësia. Bujq që moti kohë kanë hequr dorë nga profesioni i tyre, duke i lënë tokat të djerra si rezultat i mungesës së plasmanit dhe stimulimit ekonomik nga ana e shtetit.

Po ikin si mungesë e perspektivës dhe kushteve të rënda socio – ekonomike

Më parë situata ka qenë ndryshe, thotë një banorë i fshatit Hotël, fshat i njohur për prodhimin e duhanit kualitativ. Nga duhani që prodhonim në fund të vitit me ato të holla jo vetëm që kalonim vitin, por edhe kishin mundësi investimi në tokë, apo edhe në rregullimin e kushteve jetësore. Tash kjo është pamundësuar, për shkak se kombinati që mblidhte duhanin nuk funksionon dhe subvencionet janë minimale që nuk ia vlen të merremi me këtë bimë industriale. Toka jonë i bën të gjitha produktet bujqësore, kështu që kemi provuar edhe me kopshtari por sado që të mundohemi e të prodhojmë, kur të vjen koha e produkteve tona për në treg, me atë çmim të shitjes, as harxhimet nuk mund t’i mbulojmë, shprehet i njëjti.

Përveç kësaj, produktet e kësaj zone, më parë plasmanin kryesor e kishin në Kosovë, si specat, domatet, preshtë, lakrat dhe produktet tjera bujqësore. Pas pavarësimit të Maqedonisë edhe kjo rrugë u mbyll. Është gati se i pamundur edhe shfrytëzimi i fondeve të huaja që janë të dedikuara për bujqësi dhe blegtori, (kryesisht IPARD fondet nga BE-ja) për arsye se ka probleme të shumta për pronësinë e tokës. Shqiptarët e kësaj anë janë të njohur për mos rregullimin e çështjeve pronësoro-juridike. Çdo i dyti banorë ka probleme të tilla. Si rezultat i mos posedimit të letër pronësisë nuk mund edhe të dëshmohen pronarët e vërtetë të tokës. Zakonisht tokat barten në emër të gjyshërve dhe stërgjyshërve të vdekur, ndërsa si dokument pronësie, akoma i llogarisin tapitë e lëna qysh nga “koha e turkut”.

Ekonomia në kolaps, kushtet jetësore në minimum

Në komunën e Likovës jetojnë mbi 30 mijë banorë, ndërsa nuk ekziston asnjë fabrikë funksionale. Janë vetëm dy-tre mullinj dhe disa restorante të vogël. Të gjitha ndërmarrjet e vogla që ekzistojnë janë “joligjore”. Asnjëra prej tyre nuk posedon dokumente për kryerjen e veprimtarisë në fjalë. Që do të thotë se mundësia më e mirë për pasurimin e arkës komunale është e pamundësuar. Shtëpitë të pa urbanizuara, të pa legalizuara, për shkak se nuk ekziston as plan urbanistik, po as legalizim të atyre ekzistuese. Edhe pse mbi fshatin Likovë janë të ngritura dy penda, nga uji i të cilave furnizohet e gjitha komuna e Kumanovës, por jo edhe ajo e Likovës. Me ujësjellësin kanë probleme të gjitha fshatrat e kësaj komune.
Të gjitha taksat që paguhet prej banorëve të kësaj komunë shkojnë dhe alokohen në komunën e Kumanovës, ku në pjesën maqedonase ke gjithçka duke filluar prej sallave sportive, parqe të ndryshme, fabrika, infrastrukturë moderne rrugore dhe gjëra tjera që i përkasin përparimtares, deklaroi ekonomisti Iljasa Salihu që vjen nga kjo komunë, të flasësh për çështje ekonomike në këtë komunë, është sikur të pohosh se në drurin e thatë ka ujë, ne jemi si ajo pema që na gjuajnë me gurë e ne u japim fryte, gjithmonë kemi qenë kurban, si duket i pa pranuar për pjesën tjetër të shqiptarisë tha ai.
Investime në këtë zonë nuk ka pasur kurrë, sidomos në Komunën e Likovës. Ndërsa Kumanova në kohën e ish Jugosllavisë është llogaritur si qytet industrial, me industri mjaft të zhvilluar. Ekzistonin disa fabrika të mëdha (për standardin e asaj kohe) si ajo e veshmbathjes, përpunimit të lëkurave, përpunimit të drurit, metalurgjisë gjysmë të rëndë, pajisjeve elektronike e kështu me radhë. Mirëpo, pas pavarësimit të shtetit dhe procesit të privatizimit, të njëjtat, u vodhën, zhvlerësuan që menjëherë më pas të blihen nga ish drejtorët e tyre. Sot disa prej tyre funksionojnë në reparte më të vogla ku gati se asnjë shqiptarë nuk është i punësuar aty.

Më mirë i pari në katund sesa i fundit në qytet

Arsye tjetër që bëri këta qytetarë të synojnë Belgjikën, ishte edhe tejngopja me premtimet boshe të liderëve partiak. Ishin të ngopur nga kampanjat plot premtime dhe të mbetura veç premtime në letër. Nuk dëshironin që fatkeqësinë që ata e kishin përjetuar ta përjetojnë edhe fëmijët e tyre. Nëpër shkolla gati se duke u rrënuar, pa nxehje, pa ujë të pijshëm, pa rrugë të asfaltuar, pa asnjëfarë kushti që i përket kohës në të cilën po jetojmë.
Rajoni i Likovës dhe Kumanovës gjendet në pjesën veriore të Republikës së Maqedonisë, e cila kufizohet në zonën kufitare me Republikën e Kosovës dhe me Serbinë. Më herët të dy komunat ishin nën juridiksionin e komunës së Kumanovës. Me procesin e decentralizimit komuna e Likovës u nda si komunë në veti. Dëshira për pushtet e liderëve lokal, bëri që kërkesa e tyre për komunë të Likovës të miratohet dhe përkrahet nga liderët partiak, të cilët, dorën në zemër, ishin që komuna e Likovës të mbetet e bashkuar me Kumanovën. Shkaqet ishin të shumta, sidomos ato ekonomike. Kjo komunë etnikisht e pastër me shqiptarë, nuk kishte asnjë të ardhur që i mundësonte vet ekzistimin. Pastaj të gjithë të dhënat dhe taksat e qytetarëve të komunës së Likovës shkojnë në komunën e Kumanovës.
Gjithashtu edhe në aspektin politik do të ishte ndryshe kjo komunë po të ishte e bashkuar me Kumanovën. Në qytetin e Kumanovës, si njëri ndër qytetet më të mëdha në Maqedoni (pas Shkupit) do të rritej përqindja e shqiptarëve, e bile edhe me gjasë të marrjes së kryesisë së kësaj komune, nëse hartohej ndonjë strategji i mirë.

Edhe më tej “zonë e krizës”

Kjo zonë e mbarti edhe barrën kryesore të vitit 2001. Mbi kokat e banorëve të kësaj zone ranë me dhjetëra mijëra granata. Deri sa dhuna me tanke e topa nuk arriti t’i largojë nga vatrat e tyre, sot situata ekonomike këtë po e bën në mënyrë shumë të heshtur dhe perfide. Që nga viti 2001, përveç shtëpive që ishin të rrënuara nga kjo luftë, asgjë tjetër nuk është investuar. Shkaktarë kryesorë mund ta llogarisim edhe epitetin e trashëguar nga kjo luftë si zonë e krizës, ku normalisht se askush nuk do t’i fusë investimet e veta në një vend jo të sigurt. Përveç kësaj, prej pas 2001 kjo zonë është lënë anësh dhe në njëfarë mënyre ka mbetur si “zorrë qorre” e këtij shteti. Lëre që nuk interesohet për investime, por gjithnjë më pak përkujdeset për mbajtjen e rendit dhe qetësisë, fakt ky që vërtetohet me rritjen e shkallës së kriminalitetit në këtë anë. Kohëve të fundit gjithnjë e më shpesh hasim në lajme aksione ku zihet droga të prodhuara dhe kultivuara në këtë zonë, por edhe në qytetin e Kumanovës që deri para ca kohe llogaritej si qytet ku komandojnë bandat.

(Ky shkrim u botua ne numrin 8 te Gazetes Impakt)