Thursday, August 6, 2009

Bërrrrrrr për administratën shtetërore

Javëve të fundit filluan me punë disa nga kandidatët e pranuar në konkurset e shpallura nga Sekretariati për implementimin e marrëveshjes kornizë. Këta ishin me fat, shkaku se akoma kemi prej kolegëve të tyre që kanë statusin e rregulluar të punësimit, prej më shumë se një viti, por edhe më tej bredhin rrugëve me shpresë se një ditë do t’ia fillojnë punës.
Urime për gjithë ata që u punësuan. Me të vërtetë është një privilegj, të themi i madh, marrja e statusit të nëpunësit shtetërorë. Kjo në veçanti do të ishte një privilegj i veçantë nëse si i tillë prezantohesh para ndonjë të huaji, kurse në Maqedoni, kjo do të thotë, ke një rrogë me të cilën mbijeton. Por, populli thotë, më mirë pak se hiç. Ka keq e më keq. Ne jemi të vetëdijshëm, se punësimi në administratën shtetërore është e vetmja shpresë gati se për të gjithë qytetarët e këtij vendi, për shkak se degët tjetra të ekonomisë janë gati se në kolaps.
Problemi i administratës shtetërore është një prej kushteve që prej fillimit ka qenë në shënjestër të faktorëve relevantë ndërkombëtarë, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar dhe kërkojnë ndryshime brenda administratës, si psh. departizimin e saj, pastaj, përfaqësimin adekuat, por edhe zvogëlimin e numrit të administratës që paraqet një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit.
Sa i përket departizimit, apo zhveshjes së administratës nga përkatësia partiake, mendoj se jemi shumë larg, mos të jem i tepërt por më duket se asnjë shenjë përmirësimi në këtë aspekt nuk është bërë brenda këtyre viteve të kaluar. Edhe më tej deshëm apo nuk deshëm, diku 90 % e të punësuarve në administratën shtetërore dhe atë publike kanë ardhur nëpërmjet rrugëve partiake. Mos të flasim për avancimet brenda administratës, të cilat janë të pamundshme nëse brenda institucionit nuk keni njeri tëndit ministrin, zëvendësin, sekretarin shtetërorë, apo drejtorin, e të gjithë këta të ardhur nëpërmjet rrugëve të njohura nga të gjithë.
Çështja e përfaqësimit adekuat në institucionet shtetërore, edhe më tej ngelet një varrë e hapur. Sivjet do të shënohet edhe 8 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, akt ky që obligon institucionet kyçe të respektojnë përfaqësimin adekuat të të gjitha bashkësive që jetojnë në këtë shtet. Përveç përfaqësimit, mos të harrojmë se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nënkupton, përfaqësimin edhe në pozitat udhëheqëse. Ne sot kemi një përmirësim sa i përket numrit të të punësuarve në administratë shtetërore, por, sa i përket pozitave udhëheqëse, punët akoma janë katastrofale. Ne kemi ministri të tëra, ku prej 11 këshilltarëve shtetërore të gjithë janë maqedonas, asnjë shqiptarë apo të ndonjë etnie tjetër, e njëjta vlen edhe në rang sektorësh apo njësish. Shpresojmë që në këtë përvjetor të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, dikush të ndalet e të mendojë edhe për këtë punë.
Administrata shtetërore bie në grupin e shfrytëzuesve më të mëdhenj buxhetorë. Po të bëjmë një analizë të administratës brenda këtyre 18 viteve të mëvetsimit të Maqedonisë, do të shohim se secila parti që ka ardhur e ka mbushur administratën me kuadrot e tyre. Tani këtu kemi disa dallime. Njëri më i madhi është se, partitë maqedone, cila do të ketë ardhur ka futur kuadrot e veta, pastaj kur ka ardhur struktura tjetër udhëheqëse, e njëjta ka punësuar anëtarët e vet, pa ndonjë largim të theksuar të kuadrove të partisë oponente. Kurse te partitë shqiptare fatkeqësisht nuk ka qenë ashtu. Me të ardhur në pushtet, njëra prej partive tona, hapin e parë që e ka ndërmarrë ka qenë largimi i të punësuarve nga partia kundërshtare, apo në sistemin mjaftë mirë të njohur, “hjek shqiptarë e shtin shqiptarë”. Si rezultat i kësaj, numri i të punësuarve shqiptarë akoma mbetet nën përqindjen e nevojshme, kurse bashkëqytetarët tanë maqedon, kanë mbushur zyret e ministrive dhe institucioneve tjera. Një fakt i dhimbshëm sipas informatave jozyrtare, flet për një administratë paralele, partiake të VMRO-së ku flitet për një numër prej 40 mijë të punësuar me marrëveshje për punë, si rezultat i realizimit të premtimeve parazgjedhore e që realisht është një ngarkesë tepër e madhe. Bëhet fjalë për punësime të bëra pa ngritur shumë pluhur, kurse, për punësimin e 5 apo 10 shqiptarëve i gjithë shteti çohet në këmbë. Në këtë rast, numri i prezantuar paraqet strukturë pa status të rregulluar pune, apo siç e njohim ne, pa vendim pune, numër ky që ka okupuar zyret e këtyre institucioneve, kurse të punësuarit e tanë, që tani më veç kanë marrë vendimet e tyre për marrëdhënie të rregullta pune, shëtisin zyre më zyre, tavolinë e tavolinë për të gjetur një vend të lirë për të kaluar një ditë pune. Fat në këtë fatkeqësi është periudha e pushimeve ku po ka ndonjë vend ku mund të ulen dhe ta kalojnë ditën, çka do të bëhet prej shtatorit, kur administrata do të kompletohet, mbetet të shihet.
Disa këtu (brenda administratës) i ka kapur një dridhje. Të gjithë e kemi të qartë se numri është rritur së tepërmi dhe se dikush duhet të largohet. Andaj për të ardhur dikush i ri, duhet të lirohet ndonjë vend, kësaj radhe, kam një bindje se nuk do të jenë shqiptarë ata që duhet t’i lirojnë vendet e punës.Dhashtë Zoti të mos jem gabim.