Tuesday, May 27, 2008

(PARA)KAMPANJË E RREZIKSHME

(PARA)KAMPANJË E RREZIKSHME


Shkruar nga Milazim Mustafa
Edhe pse akoma ka kohë për fillimin zyrtarë të kampanjës parazgjedhore, partitë tona më veç janë në valën e kampanjës parazgjedhore. Takimet, filluan më veç edhe para shpalljes së zgjedhjeve, sepse ato më veç e patëm nuhatur se do të ketë zgjedhje jo të rregullta pas bllokimit grek ne Samitin e Bukureshtit për marrjen e ftesës për në NATO.
Simptomat e para të këtij fillimi, dëshmojnë se do të kemi kampanjë të nxehtë, bile shumë më të nxehtë seç kemi pritur. Hedhja e bombës në oborrin e dikujt, djegia e shtabit të njërës parti, sulmi i shtabit zgjedhor të partisë tjetër mjaftë donë të thonë.
Ajo që më shtyri të shkruaj ishin lajmet që i morën dy ditët e kaluara, ku në të gjitha mediat si ato elektronike edhe ato të shkruara, u paraqitën incidentet e shkaktuara në pjesën shqiptare të elektoratin.
Deri kur do të përsëritet ky skenar?
Deri kur përkatësia partiake do të jetë shkak për marrjen e jetës së dikujt tjetër?
Deri kur ne që thirremi në demokraci dhe vlera të larta civilizuese, pamundësinë e oponencës politike dhe demokratike do ta manifestojmë me bomba, revole, thika, zjarr e të ngjashme???
Deri kur jeta e një vëllait tënd nga kombi e nga feja, do të jetë më e lirë se një, dhjetë, njëqind vota, apo edhe një mandat i një deputeti apo edhe fitorja e partisë tënde që nesër pas zgjedhjeve nuk të njeh bile se kush je???
Deri kur ne do të shkojmë me metoda të tilla, ku duartrokitjet më të mëdha do t’ia japim folësit kur do ta shajë e ofendojë oponentin e tij partiak???
Kur do të mbushemi mend???

Ishte kjo ndoshta një hyrje pak si jo e këndshme, por ma merr mendja se secili do të ndihet ashtu kur merr lajme të tilla. Lajme këto që në të shumtën e rasteve nxjerrin fytyrën e vërtetë të demagogëve dhe demagogjive të tyre partiake. Se ata që ia duan të mirën kombit, shqiptarisë njerëzimit por edhe ata që i frikohen Zotit nuk bëjnë gjëra të tilla. Nuk iniciojnë konflikte që fundi i të cilëve është varri për vikend, e nxirja e jetës së dikujt tjetër. Prandaj ata që i bëjnë punët e tilla, besoni se nuk e meritojnë që të votohen e as që të na përfaqësojnë. Ne shumë mirë e dimë se “përfaqësuesit” tanë, “elita” jonë që na përfaqëson nuk janë ekzekutorët e këtyre akteve qyqare dhe të fëlliqura, por ka informata se disa prej tyre janë ata që porosisin të ndërmerren aksione dhe hapa të tillë. Unë për vete ndihem i ofenduar të më përfaqësojë dikush që porosit një aktivist të partisë që të djeg shtabin e partisë oponente apo edhe të partisë së vet që ta akuzojë tjetrin për një hap të tillë.
Por si do që të jetë, për hajr na qoftë. Partitë e tona të nderuara, i pret një periudhë e ngjeshur dhe shumë e rëndësishme për ta dhe për ne. Ndoshta për neve pjesëmarrësit në zgjedhje si zgjedhës e jo si të zgjedhur, do të jetë edhe shumë monotone dhe e mërzitshme.

Ajo që më së shumti i urrej zgjedhjet është kampanja parazgjedhore dhe dita e votimeve.
E para pse e urrej kampanjën është retorika e fëlliqur dhe aktet e dhunës që gjithmonë u paraprijnë dhe në masë të madhe i fusin nën hije programet zgjedhore të partive kandidate në zgjedhje, kurse shkaku tjetër pse nuk më pëlqen kampanja është monotonia propagandistike që e përcjellin kampanjën nëpër media. Të merr malli me përcjell ndonjë ndeshje futbollistike, ndonjë film artistik, dokumentar apo diçka tjetër. Ndërsa ajo pse e urrej ditën e votimeve është dyshimi im se kujt me ja dhënë votën, kur dihet se në asnjë rast si ja bën populli “nuk më flenë zemra” me ja dhënë votën ndonjë prej opsioneve të ofruar, duke e ditur, se shumë pak apo asgjë nuk i dallon nga njëra tjetër përveç ngjyrave partiake. Deri sa më mungon opsioni për të cilin më flenë zemra unë duhet të zgjedh njërin nga opsionet që janë të ofruara për të kryer obligimi tim qytetarë, moral dhe kombëtarë.
Edhe pse kisha idenë edhe më herët për ta bërë një shkrim të tillë, por edhe unë isha i shtyrë që ta bëj më herët, shkaku i fillimit më herët të këtyre incidenteve dhe kampanjës parazgjedhore.
Mendoj se nuk kemi shumë kohë për të humbur. Mendoj se nënshkrimi i kodekseve për mirësjellje parazgjedhore, nuk do ta ketë efektin e duhur. Këtë po e them duke u nisur prej përvojës së zgjedhjeve të kaluara, ku rregullisht ka pasur nënshkrime të kodekseve të tilla, por gjithmonë ka pasur probleme dhe incidente që domethënë shkelje të fjalës së dhënë dhe thyerje të besës.
Prandaj, me atë të këtij shkrimi dëshiroj të them se kampanja më e mirë dhe më e suksesshme do të jetë ajo ku ju do t’i prezantoni programet e juaja partiake, kampanjë e suksesshme do të jetë, kur ti mua do të më bindësh me programin tënd partiak, me platformën tënde partiake me të cilën planifikon të bësh ndryshime pas zgjedhjeve. Përndryshe, vota ime, dhe vota e shumicës së elektoratit shqiptarë nuk do të rrethojë numrin para emrit të partisë suaj.
Besoj se është koha e fundit ku do t’u bëhet me dije dhunuesve të shprehjes së lirë se popullata shqiptare e Maqedonisë është në nivelin e duhur që të vlerësojë se kujt do t’ia jap votën se kështu nuk shkojnë punët.
E kalofshim shëndosh, mirë e gjallë këtë kampanjë

Saturday, May 10, 2008

Lojërat e cekëta të diplomacisë maqedone

Lojërat e cekëta të diplomacisë maqedone


Shkruar nga Milazim Mustafa
Lajmi për çështjen e vizave që fatmirësisht sipas të gjitha gjasave do të ketë fundin e mirë, me shpejtësi të madhe mori jehonë dhe arriti deri te çdo shqiptarë pamarrë parasysh shtetit dhe vendit ku jeton. Më të zëshëm ishin mediat në Shqipëri pasi se bashkatdhetarët tanë atje në mënyrë direkte ishin të prekur nga ky vendin i qeverisë së Maqedonisë, sepse në masë të madhe vështirësohej lëvizja e tyre me Maqedoninë. Deri para pak kohe edhe ajo përvoja jo fer dhe jo e ndershme që dikush të paguajë vizë, apo për dikend të duhet viza e për dikend jo u duk opsion i mirë, por ata që dinë pak t’i shohin gjërat në mes gishtërinjve apo që i njohin trendet e politikës dhe diplomacisë së mirëfilltë, prej fillimit e panë se fundi i kësaj loje jo të ndershme nga ana Maqedoni do të thotë dështim për vet inicuesit. Ashtu edhe ndodhi.
Para pak kohe edhe zyrtarisht nga funksionarët e lartë të Ministrisë së punëve të jashtme u mor vesh se kjo krizë, është tejkaluar, por pritet që të përfundojë me nënshkrimin zyrtarë të aktit nga ana e instancave më të larta shtetërore me të cilin do të hiqet tërësisht vizat për qytetarët e të dy shteteve fqinje. Ky lajm normalisht se edhe na gëzoi, sepse ishte dhe do të jetë mundësia më e mirë e mundshme për momentin, ku secili qytetarë pa marrë parasysh, nacionalitetin e tij apo shtetin se prej cili vjen, pa pasur nevojë vize, apo pagese të ndonjë depoziti mund të kaloj kufirin vetëm me pasaportë valide, e pastaj normalisht vlejnë standardet e përgjithshme evropiane për qëndrimin e të huajve. Kjo gjë edhe u arrit falë Zotit.
Ajo që po dua ta cek në këtë shkrim është dështimi i diplomacisë maqedone dhe jo serioziteti i konsiderueshëm që i dëshmua në këtë rast. Për këtë faji duhet të vihet mbi gjithë qeverinë e Republikës së Maqedonisë, të cilët ia lejuan vetes një luks të tillë që të bëjnë një gafë të tillë që mund edhe të binte në përkeqësimin e marrëdhënieve shumë të mira me Republikën e Shqipërisë. Mendimi i diplomacisë se kanë arritur në nivel i cili ia obligon vendosjen e vizave për vendet të cilat janë më ulët në nivelin e integrimeve në Unionin Evropian u demantua edhe nga përfaqësuesit e zyrës së UE-së në Shkup duke thënë se ky ndryshim në sistemin e vizave për qytetarët shqiptarë të Republikës së Shqipërisë nuk është kusht i kërkuar nga Unioni Evropian, me këtë edhe iu bë me dije se diplomacia maqedone kishte bërë një hop para se të kërcente kështu që erdhi edhe te dështimi i tyre në aspekt diplomatik, por edhe në zbehje të marrëdhënieve ndër fqinjësore.
Moment tjetër që meriton të ceket në këtë rast është edhe fajësimet e partive politike shqiptare në Maqedoni duke e akuzuar njëra tjetrën se jo ju e keni sjell ligjin, jo në kohën e juaj ka hyrë në fuqi, e kështu me radhë, sikur që edhe jemi mësuar me zhvendosjen e fajit gjithmonë të oponenti politik, sipas të gjitha gjasave ishte një ngritje pluhuri nga partia shqiptare në pushtet me qëllim të përmirësimit të rejtingut të tyre edhe ashtu të dobët. Mirëpo zgjedhja e metodave të tilla për përmirësim të rejtingut nuk është e hijshme të bëhet kur dihet se ishte në pyetje fati dhe vështirësimi i lëvizjes për miliona e miliona njerëz.
Por sidoqoftë “fundi ishte i hajrit” si thotë populli, sepse u arrit që të bëhet ashtu sikur që të gjithë do të dëshironim për momentin e ajo është lëvizja e lirë dhe pa viza për qytetarët e të dy shteteve.
Ajo që mbetet pas gjithë kësaj situate është loja jo e hijshme dhe shumë e cekët diplomatike e Republikës së Maqedonisë e cila totalisht doli e nënçmuar dhe dështuar nga mediat dhe publiku në të dy vendet. Kjo edhe njëherë dëshmon jo seriozitetin dhe kapacitetin e cekët diplomatik të Republikës së Maqedonisë që dëshmojnë edhe me përgjigjet dhe supozimet e fundit në lidhje me pranimin e ftesës për anëtarësim në NATO si rezultat i problemit me fqiun jugor për çështjen më veç të njohur të emrit.
Hapat e tillë diletante për një vend me status kandidati për anëtarësim të plotë në Union Evropian nuk guxojnë të tolerohen.