Friday, October 14, 2011

Dëshitimi i regjistrimit 2011- një qasje më ndryshe

Regjistrim në vitin 2011 sigurisht nuk do të kemi. Përgatitja e këtij regjistrimi ishte e zymtë qysh prej nisjes. Me kërcënime për bojkot, me paqartësi të shumta si organizative ashtu edhe ato ligjore, me debate të shumta dhe insistime që me çdo kusht ky proces madhor statistikor të kalojë (qoftë edhe me mangësi të pritura). Regjistrimi dështoi para pak ditëve, por brenda kësaj pak kohe shumëçka u tha. Unë dua të them diçka që nuk është thënë e që mendoj se janë gjëra relevante, por që me shumë mjeshtri fshihen nga opinioni publik maqedonas dhe mediat në tërësi. Ndoshta edhe nuk jam i saktë, por thjeshtë le të jetë kjo një nxitje për mendimin dhe opinionin publik. Përgatitja e këtij regjistrimi nisi me shumë vështirësi, polemika, debate të ashpra edhe në mes vet partnerëve të koalicionit. Por edhe me standarde të dyfishta në lidhje me interpretimin e rregullave të regjistrimit. Ligji ishte i qartë por pas vete linte mundësi të shumta për interpretime të ndryshme. Fillimi i regjistrimit nisi me dorëheqjen e anëtarëve shqiptarë dhe turq nga komisioni republikan i regjistrimit e më pas edhe pasoi dorëheqja e kryetares së këtij komisioni. Për të mos mbetur faji te shqiptarët menjëherë komisioni u plotësua me anëtarë të rinj, e më pas u zgjodh edhe kryetari i ri i këtij komisioni. Regjistrimi filloi me shumë probleme. Por përkundër gjithë këtyre problemeve kur punët ranë në binarë edhe kur të gjithë mendonim se regjistrimi do të mbaronte disi, pasoi dorëheqja kolektive e Komisionit republikan të regjistrimit. Pse? Mediat çdo ditë na përcjellin lajme për probleme me regjistrimin në fshatrat e Tetovës, në Kumanovë, disa pjesë të Shkupit e kështu me radhë. Me të vërtetë këtu kishte një problem serioz se, regjistruesit maqedonas kishin presin të madh nga partia e tyre në pushtet që insistonte me çdo kusht kurbetçinjtë shqiptarë të mos regjistrohen. Duhet të përmendim faktin se pala maqedonase përkundër faktit se nuk ishte shumë e interesuar që regjistrimi të kalojë me sukses, ata shumë më seriozisht i kishin marrë punët në rrjedhën e tyre. Informata nga terreni vinin se këshillet vendore të VMRO-së nëpër degët përkatëse, çdo natë mbanin takime për rrjedhën e regjistrimit dhe marrjen e informatave për mënyrën, formën dhe intensitetin e regjistrimit. Pala shqiptare disi ishte më e qetë në gjithë këtë proces. Ndoshta ky regjistrim do të kalonte qoftë edhe me mangësi të shumta nëse rezultatet fillestare do të ishin pak më ndryshe nga ato që dolën. Sikur të ishte problemi vetëm te shqiptarët kujt po duan maqedonasit t’ia lënë fajin, ky problem do të zgjidhej sikur që edhe nisi të zgjidhej sepse nga presioni i regjistruesve maqedonas e disa edhe nga frika e dënimeve të rënda të parapara me ligjin për regjistrim nuk e merrnin guximin të regjistronin një numër të kurbetçinjve që nuk ishin prezent në vend në momentin e regjistrimit. Por mendoj se këtu nuk ishte problemi kryesor. Para se t’i numëroj disa nga arsyet se pse dështoi regjistrimi, po e përmendi edhe faktin se dorëheqja kolektive pasoi pas mbarimit të regjistrimit në disa qarqeve regjistruese të disa komunave. Dështimi i këtij regjistrimi mua nuk ma mundësoi t’i kuptoj disa fakte të cilat kisha shumë dëshirë t’i dija. Me interesonte fakti se pas përpunimit të rezultateve të regjistrimit sa do të jetë numri i qytetarëve bullgarë në Republikën e Maqedonisë. Kisha një bindje se do të jetë një numër goxha i madh dhe një përqindje që do të habiste lidershipin maqedonas, sidomos duke e pasur parasysh faktin se qindra mijëra qytetarë maqedonas janë pajisur me pasaporta dhe nënshtetësi bullgare. Gjithashtu me padurim prisja të shoh edhe përqindjen e torbeshëve në Republikën e Maqedonisë. Kur dihet se një numër i madh i qytetarëve që në regjistrimin e kaluar ishin të regjistruar si maqedonas mysliman, në këto zgjedhje thirrja e tyre ishte që ata të deklarohen si torbeshë, pasi që ky regjistrim ua mundësonte këtë. Të dyja këto grupe etnike nuk i kemi pasur në grafikonet e rezultateve të regjistrimit të kaluar e që në masë goxha të madhe prisja që ta ulin përqindjen e popullatës maqedonase. Kjo shkoi, e unë shpresoj që të jemi gjallë e shëndosh e të shohim në të ardhmen sa çfarë rezultatesh do të na dalin për këto dy grupe etnike në Maqedoni. Ajo që i shtyu maqedonasit që shumë seriozisht të merren me këtë regjistrim ishte edhe gjendja faktike në terren. Unë po e përmendi vetëm një rast për të cilin më njoftoi një regjistrues shqiptar që regjistronte në disa fshatra kryesisht të banuara me maqedonas. Ai më tha se kishte mbaruar regjistrimin dhe se në gjithë ato fshatra nuk kishte regjistruar akoma asnjë person nën moshën 18 vjeçare. Në njërin prej atyre fshatrave me mbi 80 shtëpi, kishin regjistruar vetëm 23 persona. Unë jam i sigurt se e gjithë Maqedonia lindore (kryesisht fshatrat) janë në një gjendje të tillë. Kurse sa i përket shqiptarëve, ka pasur raste që vetëm në një shtëpi shqiptare të regjistrohen mbi 20 persona (raste të tilla ka shumë). Nuk u shkoi për shtati regjistruesve maqedonas edhe tentimet për regjistrimin e romëve si maqedonas dhe me fe ortodokse. Nëpër popull flitej se në mesin e popullatës rome paguanin 1000 denarë për person që ata të regjistrohen si maqedonas dhe feja e tyre të jetë ortodokse. Duke i pasur parasysh këto fakte, por edhe faktet se ky regjistrim mbikëqyrej nga institucione statistikore ndërkombëtare, kisha njëfarë sigurie se maqedonasit nuk do të kishin mundësi të bënin lojëra me numra sikur që ishin mësuar t’i bënin herave tjera. Andaj Gruevskit dhe kompanisë së tij nuk i konvenonin shok-shifra që do t’ia ulnin rejtingun e ndoshta edhe do t’i lëviznin themelet e këtij shteti. Andaj, shumë më mirë për ta ishte që kjo të dështojë edhe çështjen e regjistrimit ta bartin zvarrë sikur që po i bartin edhe shumë probleme tjera, sepse prognozat më reale ishin që numri i maqedonasve në Republikën e Maqedonisë të jetë nën 1 milion (në vitin 2002 ishin regjistruar 1 297 981). Kjo shifër do të ishte infarkt për gjithë maqedonasit, paramendoni, në shtetin e tyre të vetëm në botë me 2 milion banorë ata të mos jenë as gjysma e popullatës së përgjithshme. Këto prognoza bazohet në rritjen negative të popullsisë në RM, disa dhjetëra mijëra torbeshë që nuk do të deklarohen si maqedonas, por edhe pak më shumë bullgarë që me padurim presin të shprehin identitetin e tyre të ri në Maqedoni. Të gjithë këtë nuk patëm rastin ta marrim vesh me regjistrimin e 2011, shpresojmë në të ardhmen më të afërt të mësojmë edhe këto dilema të cilat bashkëqytetarët tanë me mjeshtri të madhe po i mbulojnë. (Ky shkrim u botua në gazetën Koha të datës 14 tetor 2011)