Friday, December 26, 2014

Nuk të panë, por ti ishe



Nuk të panë por ishe
Ishe ne hazreti Ademin. Nuri  yt ishte aty kur Zoti ia fali mëkatin.
Nuk ishe aty, por ishe me hazreti Nuhin. Drita yte ishte kur ai ndërtoi anijen e shpëtimit.
E derisa vërshimi i ujit barte gjithçka me vete dhe toka bashkohej me qiellin, edhe vërshimi të dërgonte selame.
Nuk ishe aty, por ishe me Ibrahimin a.s., kur i vetmuar në shkeretëtirë e luste Allahun për ty...
Amin thonin tetëmbëdhjetë mijë botëra... duke ngritur duart që ndriçoheshin me nurin tënd.
Amin tha edhe Ismaili.
Edhe kodra e ndritur – Hira
Edhe Uhudi
Edhe Medineja, të gjithë thonin AMIN
Nuk ishe aty, por ishe me Hazreti Isën, kur me të prekur shëronte të sëmurët dhe i ringjallte të vdekurit.
Nuk ishe aty, por ti ishe kur ai njoftoi ardhjen tënde o Ahmed!

Ti ishe gjithmonë, se momentin kur ti mungoje të prisnin nënat e përlotura.
Ato duke qarë i përkëdhelnin vajzat e tyre, e duke  qarë i veshnin dhe përcjellnin për vdekje...
Kur ti nuk ishe, të gjalla dhe të pafajshme i varrosnin nën dhe.
Duke qarë, ardhjen tënde e prisnin zemrat e nënave...
E gjithë Meka të priste, të priste e gjithë bota... Toka e Rabbit lutej, e yjet dhe hëna të përjetonin, gjithçka ishe në pritjen tënde, ja Resululallah...
Edhe Eminja e ndershe të priste
Edhe robërit e jetimët e prisnin ardhjen tënde, për sigurinë që do ta sjellësh, për dashurinë që do të vijë me ty

Për moment gjithçka u qetësua...
Dhe.... ti erdhe ja Resulallah, erdhe në mesin tonë, Ja Habibullah.
Afër teje Xhibrili a.s. nga ushtria e dritës...ngriti zërin e të tha:
“O Muhamed, kurorë e qiellit, Kuranit dhe ummetit,
O Muhamed, mëshira e botrave dhe gjithë njerëzimit”
Falënderit Halikut që ty të krijoi,
Falënderim Rrahmanin që me këtë emër të emëroi...
Me ty zbriti edhe mëshira, sepse ti je mëshira e të Gjithmëshirshmit.
Dhe të kishe pyetur: “Kush jam unë”
Edhe shkëmbinjtë edhe malet e bile edhe fëmijët e posalindur, po edhe të vdekurit do të shqiptonin: ”Ente Resulullah” Ti je i dërguari i Allahut.

Kur erdhe kishe heronjtë e tu, heronj që të shoqëruan në rrugën e Allahut.
Kishe Ebu Bekrin, që pranoi kafshmin e akrepëve helmues, vetëm për mos ta prishur gjumin, ja Resulallah. Sa të donte ty o i Dërguar i Allahut. A do të ketë dashuri më të madhe në këtë botë?
Kishe Enesin i cili në Uhud, kur u hap lajmi për vrasjen tënde, i pyeste ashabët e hutuar: “Pse po rrini”? E ata i thanë: “I dërguari i Allahut është vrarë”
Pas kësaj ai u kishte thënë:
“Ç’na duhet jeta neve pa të, vazhdoni e luftoni sikur ai”.
Dhe kur beteja mbaroi, ai kishte rënë shehid. Edhe atë çfarë shehidi, o Nebijj!!!
Nga plagët askush nuk e njihte përveç motrës së tij e cila e njohu nga gishtrinjët.
Kishe edhe Hubejbin kur mekasit e tërbuar e malltretuan dhe e pyetën
A do të doje që tani në vendin tënd të ishte Muhamedi?
Ai me plot mburrje tha: “Për Zotin,  më parë do të pranoja të sakrifikohesha me gjithë familjen time, sesa Muhamedit t’i hinte vetëm një therrë”.
E kishe Musab bin Umejrin i cili në Uhud barte flamurin tënd...Të tillët me shpirt të donin ...
Kishe edhe shumë të tillë....
Dhe ti shkove, dhe mbeti mërzia...
Mbeti edhe Bilali që nga dhembja as ezanin më s’mund ta thirrte...
Që kur vinte radha të thotë: Muhammed Resulullah”, binte në gjunjë nga mërzia dhe humbte vetëdijen...
Ti shkove, e ne vinim...
Vinim në botën ku ti më nuk ishe
Erdhëm në botën, që ty nuk të ka, por ti je këtu...
Sepse ti do të jesh këtu, derisa sa të ekzistojë edhe shehidi i fundit
Se ti do të jesh këtu derisa edhe jetimi i fundit të jetë në këtë botë
Ti këtu je e do të jesh...
Se kur Ebu Talibi bëhej gati të nisej për Sham,  ti u ule para deves të tij duke i thënë: “Ku po më le mua? Ti po shkon, me kë të rri unë kur nuk kam as nënë e as baba”?? Dhe Ebu Talibi nuk të la...
Ashtu edhe ti nuk na le neve Ja Resulullah!
Nuk e le këtë ummet të munduar që nuk e ka askënd, Ja Shefijallah!
Nuk na le vetëm neve ja Habiballah, se kur ti je në mesin tonë, është ndihma e Allahut, pa ty na pret dënimi i ashpërt, o Rahmetul Alemin!
Dhe kur Hazreti Omeri erdhi të kërkojë leje për ta bërë umre-n, ti i the: “A dëshiron që në lutjet tua të gjesh vend edhe për mua?”
O Resulallah, ne nuk jemi Omeri, por të gjitha lutjet tona qofshin për ty...
O Allah, përcjellja Resulullahit, se e kemi përkujtuar!
O Zoti ynë, le të jenë, mijëra salate e mijëra selame për të!
O Allah, shpërbleje me vendin më të lartë në Xhenet, e neve na tako me të o Mëshirues, o Falës i Pafund.
Shpërbleje atë dhe shpërblena ne që sonte po e përkujtojmë.
Na fal neve o Zoti ynë

Na fal...

(Tekst i përgatitur për Manifstimin me rastin e Ditëlindjes së Muhamedit a.s. në Kumanovë (29 janar 2013)

Tuesday, December 16, 2014

“Fshehja e migrantëve dhe tregtia me njerëz si vepra penale në rritje – statistika dhe analiza për personat që vuajnë dënimin me burg në Institucionet Penalo-përmirësuese në Republikën e Maqedonisë”

M-r Milazim Mustafa[1]

„Smuggling of migrants and trafficking in human beings as increasing criminal acts –statistics and analyze of imprisoned persons in the penal-corrective institutions in the Republic of Macedonia”

Changes happening around the world and especially with braking apart of the big federations and states, as well as it were in the different regions, led to increasing of the number of migrants and the persons who transfer the borders illegally. These illegal activities induced changes of the criminal codes of many countries in the world. In the Republic of Macedonia, as transit country in the trafficking of migrants, several amendments to the Criminal Code were made with aim to sanction these criminal activities which progress rapidly.

This article presents statistical data and researches for the persons imprisoned for the criminal acts of trafficking of human beings, smuggling of migrants, organizing of a group and urging for commitment of the crimes trafficking of human beings, trafficking of juveniles and smuggling of migrants, trafficking of juveniles and misuse of the visa-free regime with the member-countries of the European Union  and the Schengen Agreement, stipulated in the articles 418-a, 418-b, 418-c, 418-d and 418-e of the Criminal Code.
The data will be presented according to the period of sentence, nationality, citizenship, the prison where serving the sentence, period in prison on serving the sentence and similar. 
______________________________________________________________________








“Fshehja e migrantëve dhe tregtia me njerëz si vepra penale në rritje – statistika dhe analiza për personat që vuajnë dënimin me burg në Institucionet Penalo-përmirësuese në Republikën e Maqedonisë”

Tregtia me njerëz dhe fshehja e migrantëve janë ndër veprat penale me përhapje më të madhe në botë. Këto vepra janë të sanksionuara nëpër Kodet penale të thuajse të gjitha vendeve të botës dhe bien në kategorinë e veprave penale kundër nderit dhe të drejtës ndërkombëtare.
Dekadave të fundit, sidomos pas rënies së shteteve të mëdha të bllokut të lindjes, por edhe vatrave të krizës nëpër rajone të ndryshme të botës, në masë të madhe u rrit edhe kriminaliteti i tregtisë me njerëz dhe fshehjes së migrantëve.
Nisma fillestare për rregullimin penalo-juridik të kësaj çështje ishte Konventa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar, respektivisht me sjelljen e Protokolli për Parandalimin, Shtypjen dhe Ndëshkimin e Trafikimit të Personave, veçanërisht Grave dhe Fëmijëve, që ishte një plotësim i kësaj Konvente[2], me të cilin u arrit një konsnezus  ndërkombëtar për përkufizimin e trafikimit të personave dhe fshehjes së migrantëve. Ky protokol hyri në fuqi më 25 dhjetor 2003[3].
Krimet e trafikimit të qenieve njerëzove dhe fshehjes së migranëtve kanë marrë përmasa masive nëpër vende të ndryshme të botës dhe me përqindje të madhe rritet numri i personave të dënuar në bazë të këtyre veprave penal.  E gjithë kjo arrihet duke e pasur parasysh levërdinë përfituese që vjen nga kjo vepër joligjore[4]. Respektivisht, sipas OKB-së, (UNODC - Uyra e OKB-së për Drogë dhe Krime), trafikimi me qenie njezërore dhe migrantë është burimi i tretë më i madh sa i përket të ardhurave, menjëherë pas krimit të organizuar për drogë dhe trafikim me armë[5].
Sipas Protokollit në fjalë, fsheja e migrantëve definohet si “prokurimi në drejtim të marrjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të përfitmit financiar ose të mirave tjera materijale nga hyjra ilegale e një personi në një shtet në të cilin shtet i njëjti person nuk është shtetas apo rezident”.

Format e kryerjes si dhe dallimi mes trafikimit me qenie njerëzore dhe fshehjes së migrantëve
Edhe përkundër shtrëngimit të dënimeve për këto vepra penale, numri i personave të akuzuar për këto vepra është gjithnjë e në rritje. Akoma me mijëra migrantë i ekpozohen kushteve dhe rreziqeve të paimagjinueshme dhe kërcënojnë integritetin e kufijve ndërkombtëar.
Veç kësaj, numër i madh i kësaj katagorie njerëzish pa vetëdije bien pre e krimit të organizuar që mashtrojnë njerëzit për t'i dërguar në vendet e ëndrrave për shuma të majme parash. Këta përjetojmë edhe fatkeqësi të ndryshme nëpër udhëtime të rrezikshme me mjete jo adekuate, por edhe dënime të rënda me burg, për thyerjen e të drejtës ndërkombëtare.
Edhe pse kanë shumë ngjashmëri dhe shpesh hasen së bashku, fshehja e migratëve ka dallime nga trafikimi me qeniet njerëzore, pasi se fshehja e migrantëve është vepër që mundëson futjen e personave pa dokumente adekuate në shtetet përkatëse për përfitime materijale, kurse nga ana tjetër, trafikimi me qenie njerëzore ka për qëllim eksploatimin, shpeshherë edhe detyrimin me forcë në punë të ndryshme apo prostitucion. Veç kësaj në rastin e fshehjes së migrantëve, burimi i profitit vie si provizion që merret prej shërbimit që bëhet për tejkalimin e paligjshëm të kufijve, kurse te trafikimi me qeniet njerëzore qëllimi është te eksploatimi i personit.
Distinkcioni mes këtyre veprave mund të bëhet gjithashtu edhe nga aspekti i qasjes së “viktimës”. Në rastin e migrantëve, personat vullnetarisht pajtohen që të hyjnë në shtet ilegalisht, kurse në rastin e trafikimit, trafikantët përdorin forcën për eksploatim. Për dallim nga trafikimi, fshehja e migrantëve nuk përmban elemente të eksploatimit, detyrim apo thyerje të të drejtave të njeriut, por kjo nuk do të thotë se migrantët nuk janë pjesë e abuzimit para, gjatë apo pas “rrugëtimit” të tyre. Këto dy vepra shpeshherë edhe janë të lidhura mes vete, apo kryhen së bashku, por edhe gjithashtu janë të shoqëruara edhe me vepra tjera si falsifikim dokumentesht, korrupcion, shpërlarje të parave, dhe forma të tjera të thyerjes së sistemit të sundimit të së drejtës.

Tregtia me njerëz dhe fshehja e migrantëve sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë (Gazeta Zyrtare e RM-së (nr. 37/96, 80/99, 4/2002, 43/2003, 19/2004, 60/2006, 73/2006, 7/2008, 139/2008, 114/2009, 51/2011, 135/2011, 185/2011, 142/2012, 166/2012, 55/2013, 82/2013, 14/2014, 27/2014, 28/2014, 115/2014 dhe 132/2014)

Në Republikën e Maqedonisë, këto vepra penale janë të parapara në Kodin penal, ku si rezultat i kësaj janë realizuar disa ndryshime në këtë Kod, me qëllim të plotësimit të aspektit juridik të kësaj problematike. Në Kodin bazë të sjellë në vitin 1996, ishte e paraparë vetëm vepra penale e “Lidhjes së raportit robërues dhe transport të personave në raportin robërues” (neni 418)[6], ku parashihen dënim për persona që thyejnë rregullat e të drejtës ndërkombtëare, duke vënë në raport robi dikë apo duke mbajtur në pozitë të tillë, duke blerë, shitur apo duke ia dorëzuar dikujt me ndërmjetësim në blerje, shitje apo dorëzim të këtij personi ose duke nxitur tjetrin që ta shes lirinë e tij ose lirinë e personit që e mbanë apo përkujdeset për të. Dënime ishim paraparë edhe për personat që bartin, apo transportojnë persona të tillë.
Si rezultat i nevojës, por edhe kërkesës ndërkombëtare për precizimin të mëtejshëm por edhe përfshirjen më të gjërë edhe të veprave që kryhen me trafikimin e qenieve njerëzore apo fshehjen e migrantëve në ndryshimet dhe plotësimet e ardhshme u sanksionuan edhe disa vepra penale si “Tregtia me njerëz”[7], “Fshehja e migrantëve”[8], “Organizimi i grupit dhe nxitja e kryerjes së verpave tregti me njerëz me persona minorenë dhe fshehje të migrantëve”[9], “Tregtia me fëmijë”[10] dhe së fundit “Keqpërdorimi i regjimit pa viza me vendet e Bashkimit Evropian dhe Marrëveshjes së Shengenit”[11].
Viteve të fundit, në Republikën e Maqedonisë, gati se çdo ditë nëpër media lexojmë, dëgjojmë apo shohim për arrestime të reja të personave që akuzohen për kryerjen e këtyre veprave penale. Si rezultat i kësaj lindi edhe ideja e kryerjes së një analize të detajuar duke përpunuar të dhënat nga institucionet penalo përmirësuese të Republikës së Maqedonisë për personat e dënuar për vepra penale në bazë të neneve 418, 418-a, 418-b, 418-v, 418-g dhe 418-d të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.

Analiza statistikore të personave që vuajnë dëminin me burg në Institucionet Penalo-Përmirësuese (IPP) të Maqedonisë të dënuar për veprat penale të neneve 418, 418-a, 418-b, 418-v, 418-g dhe 418-d

Organizimi dhe funksionimi i institucionet penalo përmirësuese të Republikës së Maqedonisë, ku vuajnë dënimin me burg personat për vepra penale sipas këtyre neneve,  janë të rregulluar sipas Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve[12]. Në nenin 19 të këtij ligji janë paraparë këto institucione penalo përmirësuese (IPP): IIP – Idrizovë, IIP në Shtip, IIP në Strugë, Burgu në Manastir, Burgu në Gjevgjeli, Burgu në Kumanovë (me njësi të hapur në Kriva Pallankë), Burgu i Ohrit, Burgu i Prilepit, Burgu i Shkupit, Burgu i Strumicës dhe Burgu i Tetovës.
Në vijim do të paraqesim situatën reale në burgjet e RM-së sa i përket numrit të përgjithshëm të personave të burgosur dhe numrin e personave që vuajnë dënimin sipas këtyre neneve të KP, pastaj, përqindja e tyre sipas aspektit etnik, sipas shtetësisë, shpërndarjes nëpër IPP, kohës së dënimit, neneve përkatëse e kështu me radhë.
Në bazë të analizave të bëra[13], në periudhën prej datës 1 deri më 15 nëntor të vitit 2014 nëpër IPP të Republikës së Maqedonisë dënimin me burg e vuajnë 2563 persona[14]. Sa i përket shpërndarjes nëpër IPP, numri më i madh i tyre janë të vendosur në IPP të Idrizovës ku dënimin me burg e vujanë mbi 60% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve. Në vijim edhe figurativisht do të paraqesim situatën nëpër burgjet e RM-së.
                    Figura 1 – Shpërndarja e të burgosurve nëpër IPP të RM-së sipas përqindjes

Figura 2 – Shpërndarja e të burgosurve nëpër IPP të RM-së numerikisht
Prej numrit të përgjithshëm të të burgosurve 2564, persona të dënuar  në bazë të neneve 418, 418-a, 418-b, 418-v, 418-g dhe 418-d janë gjithsej 144 sosh, që në përqindje i bie 5,61% nga numri i përgjithshëm i personave të dënuar, kurse numri më i madh i tyre janë të vendosur në burgun e Idrizovës. Ky numër edhe pse në shikim të parë duket i vogël, po që se kihet parasysh periudha e dënimit, respektivisht periudha kur iu është shqiptuar dënimi me burg, do të kuptohet hovi i madh që po merr kjo vepër penale në Republikën e Maqedonisë.

Figura 3: Shpërndarja e të dënuarve në bazë të neneve 418,a,b,v,d, g sipas IPP  


Figura 4 – Perosna të dënuar sipas kohës së fillimit të vuajtjes së dënimit – treguar sipas përqindjes

Figura 5 – Persona të dënuar sipas kohës së fillimit të vuajtjes së dënimit – treguar sipas përqindjes
Në bazë të figurave të paraqitura më lart shihet se 49% të personave apo 71 të burgosur që janë duke e vuajtur dënimin për veprat penale të cekuara më lart janë dënuar vitin 2014, një vit më parë ishin 34 persona apo 24%, vitin 2012, ishin dënuar 15 persona (10%) që shihet të ketë një trend rritës prej afër 50%.
Në bazë të aspektit etnik, duke e pasur parasysh strukturën e popullsisë së Republikës së Maqedonisë në bazë të regjistrimit të fundit të vitit 2002[15], (64,2% maqedonas, 25,2% shqiptarë, 3,9% turq, 2,7% romë, 1,8% serb dhe 2,2% të tjerë), përqindjen më të madhe të burgosurve e bëjnë qytetarët e përkatësisë rome ku dënimin me burg për këto vepra e vuajnë gjithsej 34 romë, apo 24% nga të burgosurit për këto vepra penale, ndërsa numerikisht me numër më të madh janë shqiptarët, përkatësisht 37 të burgosur shqiptarë. Ndërsa sa i përket shtetësisë, mbi 93% të të burgsurve janë shtetas të Maqedonisë, në mesin e të tjerëve ka edhe të shtetësisë së Serbisë, Shqiptarisë, Pakistanit, Afganistanit, Palestinës e kështu me radhë.

Figura 6- Persona që vuajnë dënimin me burg për vepra penale sipas neneve të cekuara më lartë sipas përkatësisë etnike (treguar sipas përqindjes)

Figura 7- Persona që vuajnë dënimin me burg për vepra penale sipas neneve të cekuara më lartë sipas përkatësisë etnike (treguar numerikisht).

Sa i përket, dënimit të shqiptuar, kjo është varësisht faktorëve të ndryshëm si karakterizimit të veprës, nenit përkatës e kështu me radhë. Dënimi maksimal një personi që vuan dënimin me burg e që ka ndërlidhje me veprat e neneve përkatëse është 14 vite, kurse dënimi më i vogël është gjashtë muaj.
Në bazë të neneve, më së shumti të dënuar kemi sipas nenit 418-b, “Fshehje të migrantëve”, gjithsej sipas kësaj vepre janë dënuar 85 persona apo 52% të të dënuarve. Këtu duhet ta kemi parasysh faktin se, disa prej të dënuarve kanë marrë dënime në bazë të dy apo më shumë neneve.

Figura 8- Persona që vuajnë dënimin me burg për vepra penale sipas neneve (treguar sipas përqindjes)

Figura 9- Persona që vuajnë dënimin me burg për vepra penale sipas neneve (treguar numerikisht)

Përfundim
Në bazë të rezultateve të treguara, por edhe sipas parashikimeve veprat e tilla penale pritet të kenë treng rritës, respektivisht parashihet rritje të numrit të personave të dënuar për vepra të tilla penale. Thjeshtë thënë, qytetarët e Republikës së Maqedonisë edhe pse janë të informuar për dënimet e rënda që i presin, shumat e majme materijale që sigurohen nga këto vepra joligjore, janë shkaktarët kryesorë që i nxisin për të ndërmarrë rreziqe të tilla. Faktor tjetër që ndikon relativisht shumë në rritjen e këtyre veprave penale është gjendja socio-ekonomike e qytetarëve të Maqedonisë, ku shihet se për vepra të tilla më së shumti kapen qytetarët me gjendje të dobët finansiare, pastaj edhe ata me nivel të ulët të arsimimit.
Edhe përkundër kësaj, organet kompetente duhet të ndërmarrin fushata të ndryshme edukative dhe informuese për vetëdijësimin e qytetarëve si dhe mbrojtjen e tyre nga rënia pre e këtyre fenomeneve.
Si mjet efikas për parandalimin e këtyre veprave mund të llogaritet edhe kontrolli më adekuat i kufijve, por edhe efikasiteti më i madh policisë, sidomos nëpër zonat kufitare që janë potenciale për hyrjen e migrantëve të paligjshëm në Republikën e Maqedonisë me qëllim që mos të lejohet që kategoritë e tilla të njerëzve të bien në kontakt me qytetarët e vendit. Poashtu, e rëndësisë vendimtare është edhe bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, sidomos nëse kemi të bëjmë me fenomenin e krimit të organizuar.


[1] Ministria e drejtësisë - Këshilltar shtetëror, jurist dhe magjistër i studimeve evropiane për integrim
[2]  12 .a Protocol to Prevent, Suppress and Punish Trafficking in Persons, Especially Women and Children, supplementing the United Nations Convention against Transnational Organized Crime
New York, 15 November 2000, hyri në fuqi më 25 December 2003, No. 39574
[3] Republika e Maqedonisë e nënshkroi më 12 dhjetor të vitit 2000, kurse e aprovoi më 12 janar 2005
[4] Sipas Organizatës Botërore për Migrantë, krimi i organizuar nga Fshehja e migrantëve përfiton prej 3 deri në 10 miliardë dollarë në vit.( IOM’s Immigration & Border Management Programmes – People Smuggling -2011
[5] UN.GIFT (n.d.)
[6] Кривичен Законик на Република Македонија („Службен Весник бр. 37/96“)
[7] neni 418-a Kodit penal të Repbulikës së Maqedonisë
[8] Neni 418-b Kodit penal të Repbulikës së Maqedonisë
[9] Neni 418-v Kodit penal të Repbulikës së Maqedonisë
[10] Член 418-g fillimisht i definiuar si “Tregti me persona minorenë me (Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Kodit Penal (Gazeta zyrtare e RM nr7 e 15.01.2008 që më pas me ndryshimet e radhës të ndryshohet si “Tregti më fëmijë”.
[11] Закон за изменување и дополнување на Кривичниот Законик (Сл. Весник на Р. Mакедонија, бр.135 од 03.10.2011)
[12] Gazeta zyrtare e RM nr 2/2006, 57/10,170/2013, 43/2014 dhe 166/2014)
[13] Studimi është bërë nga autori i këtij teksti duke përpunuar  të dhënat e mbledhura nga të gjithë IPP të Republikës së Maqedonisë.
[14] Këtu nuk janë të përfshirë personat në paraburgim, personat e arratisur, personave që u janë shqiptuar masa të arrestit shtëpiak dhe masa tjera alternative.
[15] Попис на населението, домаќинствата и становите во Република Македонија, 2002, Државен Завод за Статистика, 2005, Скопје



PUNIM I BOTUAR NË REVISTËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE CENTRUM 2