Friday, December 26, 2014

Nuk të panë, por ti ishe



Nuk të panë por ishe
Ishe ne hazreti Ademin. Nuri  yt ishte aty kur Zoti ia fali mëkatin.
Nuk ishe aty, por ishe me hazreti Nuhin. Drita yte ishte kur ai ndërtoi anijen e shpëtimit.
E derisa vërshimi i ujit barte gjithçka me vete dhe toka bashkohej me qiellin, edhe vërshimi të dërgonte selame.
Nuk ishe aty, por ishe me Ibrahimin a.s., kur i vetmuar në shkeretëtirë e luste Allahun për ty...
Amin thonin tetëmbëdhjetë mijë botëra... duke ngritur duart që ndriçoheshin me nurin tënd.
Amin tha edhe Ismaili.
Edhe kodra e ndritur – Hira
Edhe Uhudi
Edhe Medineja, të gjithë thonin AMIN
Nuk ishe aty, por ishe me Hazreti Isën, kur me të prekur shëronte të sëmurët dhe i ringjallte të vdekurit.
Nuk ishe aty, por ti ishe kur ai njoftoi ardhjen tënde o Ahmed!

Ti ishe gjithmonë, se momentin kur ti mungoje të prisnin nënat e përlotura.
Ato duke qarë i përkëdhelnin vajzat e tyre, e duke  qarë i veshnin dhe përcjellnin për vdekje...
Kur ti nuk ishe, të gjalla dhe të pafajshme i varrosnin nën dhe.
Duke qarë, ardhjen tënde e prisnin zemrat e nënave...
E gjithë Meka të priste, të priste e gjithë bota... Toka e Rabbit lutej, e yjet dhe hëna të përjetonin, gjithçka ishe në pritjen tënde, ja Resululallah...
Edhe Eminja e ndershe të priste
Edhe robërit e jetimët e prisnin ardhjen tënde, për sigurinë që do ta sjellësh, për dashurinë që do të vijë me ty

Për moment gjithçka u qetësua...
Dhe.... ti erdhe ja Resulallah, erdhe në mesin tonë, Ja Habibullah.
Afër teje Xhibrili a.s. nga ushtria e dritës...ngriti zërin e të tha:
“O Muhamed, kurorë e qiellit, Kuranit dhe ummetit,
O Muhamed, mëshira e botrave dhe gjithë njerëzimit”
Falënderit Halikut që ty të krijoi,
Falënderim Rrahmanin që me këtë emër të emëroi...
Me ty zbriti edhe mëshira, sepse ti je mëshira e të Gjithmëshirshmit.
Dhe të kishe pyetur: “Kush jam unë”
Edhe shkëmbinjtë edhe malet e bile edhe fëmijët e posalindur, po edhe të vdekurit do të shqiptonin: ”Ente Resulullah” Ti je i dërguari i Allahut.

Kur erdhe kishe heronjtë e tu, heronj që të shoqëruan në rrugën e Allahut.
Kishe Ebu Bekrin, që pranoi kafshmin e akrepëve helmues, vetëm për mos ta prishur gjumin, ja Resulallah. Sa të donte ty o i Dërguar i Allahut. A do të ketë dashuri më të madhe në këtë botë?
Kishe Enesin i cili në Uhud, kur u hap lajmi për vrasjen tënde, i pyeste ashabët e hutuar: “Pse po rrini”? E ata i thanë: “I dërguari i Allahut është vrarë”
Pas kësaj ai u kishte thënë:
“Ç’na duhet jeta neve pa të, vazhdoni e luftoni sikur ai”.
Dhe kur beteja mbaroi, ai kishte rënë shehid. Edhe atë çfarë shehidi, o Nebijj!!!
Nga plagët askush nuk e njihte përveç motrës së tij e cila e njohu nga gishtrinjët.
Kishe edhe Hubejbin kur mekasit e tërbuar e malltretuan dhe e pyetën
A do të doje që tani në vendin tënd të ishte Muhamedi?
Ai me plot mburrje tha: “Për Zotin,  më parë do të pranoja të sakrifikohesha me gjithë familjen time, sesa Muhamedit t’i hinte vetëm një therrë”.
E kishe Musab bin Umejrin i cili në Uhud barte flamurin tënd...Të tillët me shpirt të donin ...
Kishe edhe shumë të tillë....
Dhe ti shkove, dhe mbeti mërzia...
Mbeti edhe Bilali që nga dhembja as ezanin më s’mund ta thirrte...
Që kur vinte radha të thotë: Muhammed Resulullah”, binte në gjunjë nga mërzia dhe humbte vetëdijen...
Ti shkove, e ne vinim...
Vinim në botën ku ti më nuk ishe
Erdhëm në botën, që ty nuk të ka, por ti je këtu...
Sepse ti do të jesh këtu, derisa sa të ekzistojë edhe shehidi i fundit
Se ti do të jesh këtu derisa edhe jetimi i fundit të jetë në këtë botë
Ti këtu je e do të jesh...
Se kur Ebu Talibi bëhej gati të nisej për Sham,  ti u ule para deves të tij duke i thënë: “Ku po më le mua? Ti po shkon, me kë të rri unë kur nuk kam as nënë e as baba”?? Dhe Ebu Talibi nuk të la...
Ashtu edhe ti nuk na le neve Ja Resulullah!
Nuk e le këtë ummet të munduar që nuk e ka askënd, Ja Shefijallah!
Nuk na le vetëm neve ja Habiballah, se kur ti je në mesin tonë, është ndihma e Allahut, pa ty na pret dënimi i ashpërt, o Rahmetul Alemin!
Dhe kur Hazreti Omeri erdhi të kërkojë leje për ta bërë umre-n, ti i the: “A dëshiron që në lutjet tua të gjesh vend edhe për mua?”
O Resulallah, ne nuk jemi Omeri, por të gjitha lutjet tona qofshin për ty...
O Allah, përcjellja Resulullahit, se e kemi përkujtuar!
O Zoti ynë, le të jenë, mijëra salate e mijëra selame për të!
O Allah, shpërbleje me vendin më të lartë në Xhenet, e neve na tako me të o Mëshirues, o Falës i Pafund.
Shpërbleje atë dhe shpërblena ne që sonte po e përkujtojmë.
Na fal neve o Zoti ynë

Na fal...

(Tekst i përgatitur për Manifstimin me rastin e Ditëlindjes së Muhamedit a.s. në Kumanovë (29 janar 2013)

No comments: