Wednesday, June 30, 2010

Elegji për zonjën Alma

Dikur ishte shumë problematike çështja e shkollimit të femrës. Edukata patriarkale që mbretëronte në familjet shqiptare nuk e shihte të udhës që femra të shkollohet. Nuk është vendi, koha dhe tema që të hyhet në shkaqet pse ka qenë ashtu. Po e cekim vetëm faktin se ka qenë veprim jo i drejtë dhe shumë i dëmshëm. Disa koka gjeniale kanë thënë se femra është gjysma e shoqërisë. Edhe ashtu është, se pa shkollimin e femrës nuk mund të kemi një zhvillim cilësorë të shoqërisë.
U deshtë kohë që të bindet mendja shqiptare se femra duhet të shkollohet. U deshën sakrifica dhe munde. Sot, lum e shyqyr problemet e tilla janë e kaluar. Lum e shyqyr që janë pjekur kushtet që femra shqiptare të shkollohet edhe atë në gjuhën e vetë amtare, në kushte që mundësojnë zhvillimin normal dhe cilësorë të saj.
Kur të gjitha kushtet janë plotësuar për shkollim, dikush na nxjerr probleme të reja. Probleme këto që pamundësojnë vijimin e mësimit të rregullt të vajzave shqiptare. Deri sa dje ishte problematik patriarkalizmi, sot pengesë e radhës po na del diçka tjetër. Vendimet, rregulloret dhe dispozitat e ndryshme të të zgjedhurve tanë. Të njëjtat përkrahen dhe arsyetohen nga persona publik, edhe atë nga femra të kategorive të ndryshme. I tillë ishte edhe një shkrim i gazetares Alma Lama.
A ja vlen t’i dilet në krah pengesave që janë kundër arsimimit të femrës shqiptare, e nderuara zonja Alma? Në këtë rast po të drejtohem si femër, si motër, si nënë (e tashme apo e ardhshme). A e ke analizuar këtë fakt para se ta shkruash tekstin?
Shkrimet e tilla që mbështesin vendimet e shpejtuara dhe jo mirë të analizuara të institucioneve lokale, janë gjithashtu pamaturi që ndjell ksenofobi dhe nxit pakënaqësi në një pjesë të madhe të shoqërisë.
Autorja e nderuar, dëshiron të thirren në drejtat e njeriut, por të drejtat e njeriun nuk konceptohen ashtu siç duam ne, apo siç na konvenon t’i qasemi këtij fenomeni. Qasjet e saja janë të njëanshme, të bazuara në paragjykime dhe vërehet mungesë e njohurive elementare. Nuk e mohoj faktin se në të kaluarën ka pasur raste kur gruaja ka qenë e detyruar të mbajë shaminë si rezultat i rrethanave të ndryshme. Por, për ditët e sodit ajo kohë është e kaluar. Ne sot, aspak nuk po flasim për persona të imagjinuar nëpër kokat tona si personazhi i Almës në shkrimin e saj. Po flasim për një kategori tjetër të femrave të reja, inteligjente dhe të etura për njohuri dhe dituri të reja.
Ajo që duhet pasur parasysh në rend të parë është fakti se kjo lojë me zjarr, që e iniciuan disa kuvendarë lokal të Prishtinës, pa mos dashur të hy në mendimet e tyre se pse kanë sjellë një vendim, mund të sjell në ngjalljen dhe rritjen e faktorëve ekstrem në shoqërinë shqiptare, por edhe në faktin se shtresa që më së shumti do të pësojë do të jenë vajzat e reja shqiptare. Ato që duan të shkollohen.
Gjë tjetër që kur përmendet ndalimi i shamisë për femrat nëpër shkolla, më përkujton edhe kohën pas Luftës së Dytë Botërore. Regjimi i atëhershëm komunist në njërin nga planet e tyre famëkeqe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet etnike, përdorën çështjen e mbulesës së femrës. Këndej, kinse kërkonin që femra shqiptare të arsimohet, e në anën tjetër, me ngulm insistonin që ajo shkollimin ta ndjek e “zbuluar” (pa shami). Si rezultat i kësaj, shumë familje shqiptare u shpërngulën në Turqi e gjetiu, për të mos u kthyer më kurrë. Për ta shamia ishte çështje nderi, morali dhe identiteti. Sikur që është edhe për shumë familje të sotme shqiptare, por edhe për shumë motra tona shqiptare.

Pastaj, po të futemi dhe ta analizojmë çështjen e mbulesës edhe nga këndvështrimi fetar, mbulesa nuk është një simbol sikur që është kryqi, apo ndonjë simbol tjetër që mbahet nga ata që i përkasin feve tjera. Mbulesa është një obligim fetar për të gjithë femrat myslimane (në fenë islame femrës i obligohet mbulesa me hyrjen e saj në pubertet). Kjo gjë njëherë e përgjithmonë duhet sqaruar. Të bëhet dallim midis simbolit dhe obligimit.
Andaj, shpresojmë që institucionet kosovare sa më parë të abrogojnë këtë vendim dhe të vendosin në të mirë të qytetareve të tyre. Mos të bëhen pengesë e arsimimit dhe zhvillimit të shoqërisë, e në veçanti femrës shqiptare. Gjithashtu, kërkojmë nga Ministria e Arsimit të Kosovës, që të sjell një rregullore që do të sanksionojë të gjithë ata drejtorë të shkollave që ju bëjnë pengesë nxënëseve në ndjekjen e procesit edukativo arsimor. Në të kundërtën do të ballafaqohemi me ngecje në zhvillimin intelektual dhe arsimor të femrës shqiptare, do të ballafaqohemi me pakënaqësi të popullatës, si dhe cenim të drejtave dhe lirive elementare njerëzore. Në të njëjtën kohë do të kontribuojmë që shumë femra të reja ta ndërpresin shkollimin e tyre, si rezultat i qëndrimeve autoritare të drejtorëve në fjalë. Shpresojmë që një rregullore e tillë shumë shpejt do sillet, gjë që do t’ua hapte rrugën disa vajzave të reja që sot qëndrojnë në shtëpi në vend që të jenë të ulura nëpër bankat e shkollës.
Pastaj, çka i pengon mbulesa procesit edukativo arsimor, pash Zotin???