Friday, November 15, 2013

Fitoi Shqipëria, fituan shqiptarët





Ishin disa ditë shqetësimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Çështja e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri ishte problemi që nxorri në rrugë me dhjetëra mijëra shqiptarë në Shqipëri dhe anë e mbanë botës. Ishte kjo një JO e madhe për të gjithë ata që Shqipërinë e shohin si vend bërjen e eksperimenteve të tyre, që Shqipërinë e shohin si deponi dhe shqiptarët si minjë për eksperiment. Kjo ishte një përgjigje shumë e mirë për gjithë ata që prapa shpinës së popullit bëjnë marrëveshje djallëzore për të luajtur me fatin e popullin që ua dha të drejtën të vendosin në emër të tij. Kjo është një mësim për të gjithë ata, por edhe për të gjithë neve, se, vullneti dhe zëri i popullit është ajo që duhet të dëgjohet, pa marrë parasysh premtimet dhe beneficionet që ishin paraparë në këtë projekt.  Sepse, beneficioni dhe e mira më e madhe për neve si kolektiv është krenaria kombëtare dhe të thënit JO të gjithë atyre që në të ardhmen planifikojnë diçka të tillë të bëjnë në kurriz tonin.

Se kishte diçka të marrë vesh pas shpinës së popullit ishte më se e qartë, këtë mes rreshtave e shohin edhe në deklaratën e kryeministrit Edi Rama që pranon një gjë të tillë, por se çështja do të hidhej në parlament dhe se "kokë në veti" nuk do të vendosej, që është më se e qartë për rregullimin kushtetues që e ka Shqipëria. Por, po të heshtte populli një gjë e tillë me siguri do të ndodhte.

Në gjithë këtë lojë nuk rreshtën së provuari edhe gjitha letrat gjoja, ata që ishin kundër këtij veprimi të turshpën ushqejnë dozë anti-amerikanizmi, apo basharizmi e kështu me radhë. Edhe po të ishte ashtu, aspak nuk duhet të na brejë ndërgjegja, sepse interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve është mbi të gjitha.
Pse gjithmonë Shqipëria duhet ta bëj punën më të rëndë në proceset e tilla? Nëse nuk do të ishte rrezik, pse ky proces nuk do të bëhej në vendet që kanë kapacitete dhe mundësi më të mëdha për ty përfunduar këtë proces me sa më pak dhimbje?
Për atë ky mobilizim gjithpopullor ua hedhi poshtë gjitha dyshimet dhe planet e errëta që ata kërkojnë dhe këta tanët nuk kanë guximin t'u thonë jo. Ky ishte edhe një shërbim i mirë për qeveritarët dhe udhëheqësit e Shqipërisë, një lehtësim që pa ngurrim dhe me ballë hapur t'u thonë, JO edhe aleatëve që japin premtime madhore si kundërvlerë e këtij shërbimi jokorrekt. Nëse na doni kështu si jemi gëzojmë dashuri të ndërsjelltë, në të kundërtën, ju faleminderit.
Ditët e fundit do të mbahen mend, kur të gjithë I madh e I vogël, nxënës, student, besimtarë, ambientalistë, legalistë, anarkistë,  të gjithë ishin të mbuluar nën petkun e atdhetarisë dhe patriotizmit, ashtu siç e kërkon rendi dhe nevoja. Kjo është atdhedashuri, kjo është vetëdije. Bravo.

Saturday, September 14, 2013

Të ngrihen në ajër maunet që pengojnë qarkullimin e lirë të shqiptarëve


Tentimet e tilla të kujdoqofshin janë një mesazh që edhe pas gjithë ndryshmeve gjeo-politike në Ballkan, akoma ka “faktorë” që vendosin barikada në mes qarkullimit të lirë të shqiptarëve. Rasti i fundit ku në emër të asociacionit, apo të transportuesve maqedonas, është vënë bllokimi që pengon qarkullimin e lirë  mes qytetarëve shqiptar të të dy vendeve.
Fatkeqësisht ky hap po tolerohet edhe nga organet e rendit të cilët tentojnë të gjejnë interpretime të paqena të ligjeve për protesta dhe shprehje të revoltës. Një gjë e tillë askund të botë nuk ekziston. Vendkalimi kufitar në Bllacë është pika kufitare më e qarkullueshme ku pjesa dërmuese që kalojnë aty pari janë shqiptarë, për atë edhe zyrtarët maqedonas të Ministrisë për punë të brendshme “argumentojnë” se “absolutisht janë respektuar rregullativat ligjore”. Ky është një precedent që ndodh veç kur janë në pyetje punët me shqiptarët. Si do të ishte nëse e njëjta blokadë do të ndodhte me Serbinë?
Edhe pse hapi i tillë po tingëllon shumë radikal, ky duhet të jetë një mësim për të gjithë ata që tentojnë dhe ëndërrojnë që edhe më tej të vendosin pengesa në mes të shqiptarëve. Veç kësaj zyrtarët si ato kosovarë, ashtu edhe ato maqedonas e në veçanti faktori shqiptar në vend t’u bëj me dije bashkëqytetarëve maqedonas se pengesat ekonomiko-tregtare me dy shtetet shqiptare në rajon janë pjesë e së kaluarës. Nuk guxohet të vihet asnjë pengesë e llojit të fundit që pala maqedonase vendosi bllokadë për eksportin e miellit. Si duhet e kanë harruar këta të fundit, edhe pse para më pak se një muaj u përkujtua 50 vjetori i tërmetit fatkeqë të vitit 1963, kur ndihma e parë që u erdhi shkupjanëve ishte buka e nxehtë prej furrave të Kosovës. Pengesat e tilla dhe vendosja e barierave ekonomike ndaj vendeve që janë tregu më i madh për mallrat vendor është një politike e gabueshme ekonomike që sjell në rënien e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve, sepse pas veprimeve të tilla, sigurt pritet që të bie shkëmbimi, respektivisht importi i mallrave maqedonase në Kosovë. Pala maqedonase, akoma po e jeton ëndërrën serbe ndaj shqiptarëve. Akoma të gjorët nuk e kanë kuptuar se ajo ishte një ankth nga i cili duhet zgjuar menjëherë. Gruevski dhe kompania grindavece, kapeni vagonin e fundit të këtij treni, pas të cilit vështirë se do të ketë tjetër. Kuptojeni se shqiptarët janë të vetmit në rajon me të cilët nuk keni asnjë problem qoftë nacional apo fetar, kurse ju po silleni si të jetë e kundërta!

Wednesday, August 7, 2013

Nesër është Bajram!


Muslimanët i kanë dy festa. Të dy këto festa na vijnë pas dy obligimeve kryesore që i kanë besimtarët muslimanë. Festa e parë, ajo e Fitër Bajramit vjen pas mbarimit të muajit të agjërimit, muajit të bekuar të Ramazanit, kurse Kurban Bajrami, vjen menjëherë pas mbarimit të obligimit të pestë për muslimanët që është kryerja e haxhillëkut në vendet e shenjta në Mekke dhe Medine.
Bajramet janë padyshim, ditët më të gjata për besimtarët. Nuk besojmë se ka ndonjë ditë më të mbushur me emocione, gëzime, gjëra të mira, vizita, bëmirësi e kështu me radhë. Është e gjatë edhe në kohë, sepse si asnjë ditë më parë, i madh e i vogël, të gjithë ngritemi për të falur namazin e Bajramit që është në orët e hershme të mëngjesit. Më pas vijojnë aktivitetet e shumëta që mbushin plotësisht këtë ditë.
Veç elementeve festive, Bajramet ndërthejnë në vete edhe mesazhe të larta dhe tepër fisnike. Bajrami është festë e shtrirjes së dorës dhe përqafimit vëllazërorë. Besimtarët gjatë kësaj feste, shtrijnë dorën e pajtimit me vëllezërit e tyre me të cilët më parë nuk kanë pasur marëdhënie të mira. Në të kaluarën bajramet kanë qenë ditë ku janë falur gjaqet, janë shuar hasmëritë dhe i është dhënë rast vazhdimit të jetës. Le të kujtojmë edhe këtë mesazh që nesër të hapim derën e vëllait tonë me të cilin kemi pasur ndonjë ngatërresë apo nuk kemi pasur komunikim të mirë.
Nesër është Bajram dhe ne po i mbushin çantat tona me ushqime për të bërë gati drekën e bajramit. Por, është mirë që secili prej nesh ne të ndalet e të mendojë se, vallë fqiu i tij a ka pasur mundësi që ta bëj të njëjtën për fëmijët dhe familjen e vet. A ka pasur mundësi edhe ai që jeton pranë nesh që fëmijëve të vet t’u sigurojë një drekë pak më të begatshme se drekat dhe darkat tjera të zakonshme që i kanë për çdo ditë. Përkudedja e tillë të jemi të sigurtë se nuk do ta pakësojë atmosferën dhe gëzimin në familjen tonë, por vetëm do ta shtojë atë. E  nuk dua të ndalem te shpërbilmet e panumërta nga ana e Zotit Mëshirëplotë nëse kujdesemi për rastet e tilla.
Nesër është Bajram dhe si kurrë më parë besimtarët vizitojnë njëri tjetrin. Jemi dëshmitar të një largimi dhe ftohjeje kolektive të marëdhënieve ndërnjerëzore. Dinamizmi dhe teknologjizimi i jetës kanë bërë që me vëllezërit, me të afërmit tonë të komunikojmë vetëm përmes internetit apo telefonit. Festa e Bajramit na e kujton nevojën për hapjen e derës, për vizitën te tjetri qoftë komshi, familjar apo farefis. Fatkeqësisht ditëve të sotme, kanë mbetur vetëm Bajramet kur hyjmë në shtëpinë e vëllait, fqiut apo të afërmit tjetër. Po themi fatkeqësisht sepse një apo dy ditë në vit janë shumë pak për t’ia çelur derën vëllaut tonë. Le të jetë Bajrami rast për shpeshtimin e hyrje-daljeve tona, se me këtë do të hapen edhe zemrat tona, do të shtohet dhe rritet dashuria e ndërsjelltë, besimi reciprok dhe forcimi i lidhjeve familjare/shoqërore, që janë parakushte kryesore për një shoqëri dhe të ardhme të shëndoshë.
Nesër është Bajram dhe asesi nuk duhet harruar fëmijët. Edhe po deshte nuk mund t’i harrosh. Është festa që e presin me gëzim gjatë gjithë vitit. Në lagjen time po i shoh të organizuar duke bërë planet që sonte në mbrëmje pasi të qetësohet komunikacioni të dalin ta pastojnë lagjen. Dikush me fshesë, dikush të lagë tokën që mos të ngritet pluhuri e dikush llopatat e karrocat për mbledhjen e bërlogut. Është kjo një traditë që më të vegjlit e lagjes e bëjnë zakonisht. “Fatmirësisht” që këtë punë nuk e kryejnë institucionet komunale e kjo traditë akoma po mbetet gjallë. Vazhdimisht i dëgjon se kush çka ka blerë, çfarë pantollona, këmisha, këpucë, atlete e kështu me radhë. Unë i bleva në filan vendin, tjetri në filan dyqanin. Të gjithë janë të hareshëm dhe ju pëlcet zemra nga gëzimi edhe kur ngrisin tonin e lavdrimit apo të treguarit për çmimin dhe kualitetin e veshjeve të tilla. Mos të flasim për të bëmurit gati në shtëpi. Rrobat e reja janë në krye të dhomës. Ato janë të hekurosura, të varura në “shtagë” dhe gjithçka është gati për momentin e duhur, që së bashku me babain apo vëllain e madh të mësyejnë dyer e xhamive apo sallave të sportit për të falur namazin e Bajramit. O Zot, mos e privo asnjë fëmijë nga gëzimi i tillë i Bajramit. As mos e privo asnjë prind nga mundësia që fëmijës së tij t’i sjellë gëzim së paku për këtë ditë. As mos na privo nga bamirës që pa fije interesi të kësaj bote sjellin gëzim në zemrat e fëmijëve dhe prindërve që nuk kanë mundësi ta realizojnë këtë.
Nesër është Bajram dhe ju që akoma nuk keni blerë sheqerka mos harroni t’i bleni, se nesër fëmijet e lagjes, qytetit apo fshatit do t’ua “thyejnë derën” duke trokitur për të ardhur e uruar Bajramit. Mundësisht zgjedhni më të mirat, sepse sa më të mira t’i keni sheqerkat, aq më shumë mysafirë të vegjël do të keni, se lajmi i mirë përhapet shpejt. Disa ndoshta do t’i keni edhe nga dy apo tre herë, por edhe kjo është mirësi.
Nesër është Bajram dhe gëzimi e mërzia janë së bashku. Janë një. Lotët janë prezent gati se në çdo familje, kur kujtohen ata që nuk janë në mesin tonë. Ata që kanë marrë amshimin, apo ata që janë larg, qofshin në kurbet apo gjetiu. Por, për nesër, t’i lëm pak më tepër vend gëzimit, t’i japim mundësinë buzëqeshjes para lotit dhe haresë para mërzisë.
Andaj, të gjithë lexuesve dhe besimtarëve kudo që gjenden, urime e për shumë vjet festa e Fitër  Bajramit, dashtë Zoti që Bajramet tjera t’i presim në gjendje dhe kushte shumë më të mira.   

(Ky shkrim fillimisht është botuar në Gazetën Koha të datës 07 gusht 2013)

Monday, April 15, 2013

Ku ishit kur e bëri Serbia?


Debati për rishikimin e historisë ka prekur si djalli disa intelektual dhe historianë shqiptarë. Disi krejt i çuditshëm më duket i gjithë ky pluhur që po ngritet nga kjo iniciatëve që mendoj se bile do të duhej të mirëpritet. Nuk shoh hapësirë frike apo tjetërisimi të historisë sonë kombëtare. Derisa ne pretentojmë dhe mendojmë se jemi në të drejtë, atëherë, t'ua hedhin për fytyre të gjitha ato "pseudofakte" historianëve turq edhe t'u themi njëherë e përgjithmonë që kjo temë të mbyllet.
Por, këtu synohet diçka tjetër përveç shkencës. I gjithë ky pezmatim i historianëve shqiptarë dhe disa intelektualëve tjerë që bile edhe lëshuan një peticion kundër rishkimit të historisë apo më mirë të themi ballafaqimit të fakteve shkencore në historinë tonë kombëtare, dëshmon për bagazhin e tyre shkencor dhe objektivitetin në profesionin e tyre.
Pasi se në këtë debat u kyçën intelektual dhe personalitete të lëmenjëve të ndryshme, vendosa edhe unë të paraqes një fakt që nuk e kam dëgjuar/lexuar deri më tani. Kërkesa për “rishikimin e historisë” që po bëhet nga ana e Turqisë në lidhje me periudhën osmane, nuk është e para. Në vitin 2003, ishte Serbia, po bash kjo Serbia më të cilën gjatë gjithë shekullit 20 kemi pasur luftëra dhe gjitha të këqijat, që kishte kërkuar që të hiqen fjalë e fjali dhe çka është më e keqja edhe ndryshim të fakteve, të cilat të bëjnë të ndihesh i tradhëtuar.
Ndaj kësaj kërkese kishte intevenuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës dhe pa u ngitur aspak pluhur u bëri intervenime në librat e historisë. U hoqën gjërat që nuk i dëshironin serbët dhe Serbia. U hoq dhe tjetërsua fakti i pushtimit serb të Kosovës. Tanimë fëmijët tanë do të mësojnë se Serbia nuk e ka pushtuar Kosovën. Nuk di çfarë komenti kanë nënshkruesit e peticionit ndaj këtij fakti?
Ku ishin atëherë këta historianë dhe intelektualët e peticionit kur u bë kjo tradhëti e madhe ndaj kombit dhe të vërtetës?? Apo ndoshta nuk e keni ditur këtë fakt!? Sikur që shumë gjëra tjera ia keni lënë “shkencës” së harresës!? Ku ishte Kadareja që prej “skajit të dunjasë” deponoi nënshkrimin e tij për peticionin kundër rishikimit të historisë. Nëse do të duhej ngurtësi në qëndrime duhej të bëheshin në vitin 2003 të nderuar, sepse edhe vet me sytë tuaj keni parë se ç’na ka bërë Serbia, hiç më larg se katër vite para “heshtjes suaj”. Nuk është dashur të heshtni para agresorit të vërtetë që përpos masakrave dhe gjenocidit, na detyroi që edhe “historinë ta ndryshojmë” dhe ju atëherë heshtët.
Por, si duket historianët tanë e kanë bezdi që të dalin nga shabllonet e tyre sllavo-komuniste, me të cilat përralla kanë ndërtuar studimet dhe karrierën e tyre. Studjues që shumë lehtë e kanë pasur t’i mbushin punimet e tyre duke përdorë terminologjinë që gjuha e shkencës nuk e toleron. Këtë e them me përgjegjësinë më të madhe, normalisht me shumë përjashtime për studjues të guximshëm dhe objektiv, që përkundër gjitha sakrficave u munduan që faktet qofshin edhe të hidhura të dalin në shesh. Kjo është detyrë e një studjuesi të mirëfilltë. Fatkeqësisht, shtresa e këtyre të fundit akoma janë larg institucioneve dhe qendrave relevante si në trojet tona ashtu edhe jashtë tyre. Nëpër institucionet tona të gjithë jemi duke e parë se ç’po ndodhë. Për historinë dhe gjithë gjërat tjera vendosin “studjues të internetit” që për mësues kanë “Prof Wikipedia-n” dhe “Akademik Google-n”. Ata që kur lexon shkrimet dhe analizat e tyre të duken si ato të përrallave të gjysheve, pa asnjë referencë, pa asnjë citim edhe pse ndoshta bëhet fjalë edhe për histori ku akoma janë gjallë burimet e dorës së parë.
Një dritë në fund të tunelit na e paraqet shtresa e re e historianëve dhe studjuesve që kanë nisur t’i rreken shkencës ashtu siç e kërkon vet ajo. Fatmirësisht edhe studjues të huaj që njohin mirë çështjet e Ballkanit, me studimet e tyre mos më shumë t’i këndjellin këta tanët, që përkundër titullit magjistër e profesor të historisë, nuk dinë çka është arkivi dhe çfarë thesari fshihet në to.
Për mua rishikimi i historisë është një hap tepër i rëndësishëm për kombin tonë, për shkencën e historisë dhe në rend të parë për të vërtetën. Turqit kanë në dorë një minierë ari që për ne është thuajse e paprekur. Pse po ngurrojmë që edhe ne të marrim hisen tonë aty?