Tuesday, October 24, 2017

Recenzion i librit "Hotla nëpër kohë" - Një digë e fuqishme ndaj atyre që deri dje e shkruan historinë tonë

Mr.sc. MILAZIM MUSTAFA

Një digë e fuqishme ndaj atyre që deri dje e shkruan historinë tonë

“Mënyra më efektive për të shkatërruar një popull është t’ua mohosh dhe t’ua dëmtosh njohjen dhe të kuptuarit e kaluarës së tyre”. Kjo thënie e Orvellit më së miri kuptohet nga ne shqiptarët në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore. Këtë e dimë më së miri duke i njohur përpjekjet e shumta të fqinjëve tanë për të na mohuar pjesë të tëra të historisë, tentimet për të na tjetërsuar dhe instalimet e ngjarjeve të falsifikuara në indin tonë kombëtar. Përpos sulmeve ushtarake, edhe më të rrezikshme kanë qenë sulmet e akademikëve duke u munduar për ta mbuluar të vërtetën dhe duke i mohuar faktet historike të prezencës tonë në këto troje. Në rrethana të tilla, lufta për të vërtetën dhe dokumentimi i saj duhet të jetë imperativi kryesor për akademikët e çfarëdo fushe studimore qofshin. Historianët, por edhe studiuesit e lëmive tjera, asnjëherë nuk duhet të pushojnë së interesuari dhe së dokumentuari fatin tonë, origjinën tonë, rrugëtimin historik, për të vendosur themele të shëndosha për të ardhmen.
Shumë herë ua kam zënë për të madhe historianëve dhe studiuesve të ndryshëm të këtyre trojeve që nuk merren me ngjarjet e rëndësishme të karakterit lokal, e sidomos për të kaluarën e afërme të shqiptarëve të këtyre anëve. Jo që historia jonë mbarëkombëtare është më pak e rëndësishme, por ajo në asnjë moment nuk mund të jetë e ndritur nëse në mozaikun e saj mungojnë margaritarët e të gjitha trojeve, pra edhe ato të Kumanovës dhe vendbanimeve për rreth.
Një thënie e urtë thotë: “Nëse e njeh veten nuk duhet të frikohesh për rezultatin e qindra betejave të ardhshme!” Ky libër që po mbajmë në duar është një armë e fuqishme për shqiptarët e kësaj ane. Dëshmon autoktoninë tonë dhe të paraardhësve tanë, e me këtë edhe prezencën tonë shekullore në këto troje. Me punime dhe dëshmi të tilla ne dhe gjeneratat që vijnë do të jemi më të armatosur me dituri dhe informata për të kaluarën tonë dhe më të sigurtë do të hapërojmë në të  ardhmen që vjen.
Nga profesor Miniri kisha rastin të dëgjoj mësimet e para të historisë, duke qenë arsimtari im i parë i kësaj lënde. Më pastaj, me të na kanë lidhur edhe bashkëpunime të shumta, qofshin ato profesionale apo aktivitete tjera, në të mirën e kësaj ane dhe këtyre trojeve. Te profesor Miniri kemi vërejtur vullnetin e tij të pashoq, dëshirën e tij për punë, formimin e tij moral, kombëtar e fetar dhe korrektësinë e tij në çdo hap të ndërmarrë.
Me këtë libër, dr.Minir Ademi ka vënë një margaritar të rëndësishëm në kurorën e historisë kombëtare shqiptare, duke lënë në analet e përjetësisë një dëshmi të kohës për fshatin e tij të lindjes, për një vend me histori të bujshme pa të cilën edhe vetë historia mbarëkombëtare shqiptare do të ishte e mangët. Me këtë ai radhitet në mesin e ushtarëve të denjë të kombit dhe vendit të tij duke mbrojtur dhe ndërtuar atë me penën e tij, me diturinë e tij, me punën e tij të palodhshme dhe moralin e tij të treguar gjatë gjurmimit të së vërtetës, zbardhjes së saj dhe përcjelljen e saj për gjeneratat që vijnë. 
Libri “Hotla nëpër kohë” brenda kopertinave të saj ngërthen gjenerata të tëra që kanë frymuar në nënqiellin e këtij fshati rrëzë Karadakut. Aty pos banorëve të saj aktual e gjejnë veten edhe të gjithë të shpërngulurit nga ky fshat e që janë të shumtë. Këtu i gjejmë edhe gjyshërit e stërgjyshërit që nuk janë më, i gjejmë mëhallat e këtij fshati, karakteristikat e veçanta të Hotlës, e gjejmë Sulë Hotlën - flakadanin e Karadakut, e gjejmë rininë shumë vitale dhe shumë të përkushtuar të këtij fshati, i gjejmë edhe dëshmorët e gjitha gjeneratave, e në veçanti ata të luftës së fundit, UÇK-së, i gjejmë edhe studiuesit që dokumentojnë namin e Hotlës ndër kohë. Gjithë këtë nder dhe këtë panoramë historike për fshatin Hotël, na e sjell prof. Miniri.
Me këtë libër historik, autori me seriozitetin më të madh e ka marrë fatin e të ardhmes tonë në duart tona. Me këtë libër autori u ka vënë digë të fuqishme atyre që deri dje e kanë shkruar historinë tonë, e nuk kanë qenë prej nesh, ai shkencëtarisht ua ka parandaluar të tjerëve të na tregojnë kush jemi e kush kemi qenë.
Ky libër është një thirrje, që emër për emër, na drejtohet të gjithëve, për të dokumentuar punët tona dhe për të nxjerrë në dritë të kaluarën tonë të lavdishme.
Shembulli i profesor Minir Ademit duhet të ndiqet, se shumë ngjarje historike presin hulumtusit për t’i nxjerrë nga pluhuri i harresës, shumëçka pret për t’u  dokumentuar dhe shumë të vërteta presin ta zënë vendin e vet që padrejtësisht u është mohuar.

                                                                           Kumanovë, shtator 2017

Recenzion i librit "Qasja ime" të autorit Bajram Ramadani

Në kohën kur gjithçka po ngutet, bota ka nevojë për gjëra të shkruta të qarta dhe të dobishme. Një “qasje” e tillë e prezantuar nga autori Bajram Ramadani është më se e nevojshme për t’u thënë, shkruar dhe bartur me vete në çdo çast. Me plot bindje e them se lexuesi brenda këtyre kopertinave do të arrij të gjej thesare shumë të çmuara që kanë nevojë për lexim e rilexim të vazhdueshëm me qëllim që të vihet në praktikë edhe mesazhi që gjendet i formuluar me anë të këtyre shkronjave.
Veç kësaj, për fat të keq, koha kur po jetojmë po theksohet me mungesë të leximit, pamundësi për të gjetur kohën për t’u ulur dhe zhytur në thellësitë e dijes dhe librit. Ndoshta këto forma të tilla të të shprehurit të urtësisë, dijes dhe nxitjes do të jenë motiv për përthellim dhe gjetje të rrugës për kah libri dhe dituria e nepërmjet kësaj edhe deri te suksesi.Me këtë përmbledhje me thënieve të shkurta, të thella dhe praktike, autori Bajram Ramadani kësaj radhe na paraqitet me diçka që është shumë e përafërt me karakterin e tij. Për këtë ata që e njohin personalisht, besoj se ndajnë të njëjtin mendim me mua dhe veçmë e kanë parasysh se e kam fjalën për thellësinë e mendimeve të tij, ngrohtësinë që rrezaton në fjalët e tij, metaforën dhe humorin e tij të këndshëm, si dhe tentativat për zgjidhjet e problemeve dhe çështjeve të rëndësishme që tangojnë shoqërinë. Andaj kësaj radhe autori para nesh shfaq një pjesë nga thesari i tij i çmuar, e që besojmë se nuk do të shterret kurr në ofrimin e margaritarëve të çmuar në dobi të lexuesve dhe njerëzimit në përgjithësi.Ajo që vlen të theksohet gjatë shfletimit të këtij libri janë fjalët e urta që thirrin në moral, në dije, në mirësi, në ndalimin e së keqes e kështu me radhë. Këto pjesë përmbajtësore ia rrisin edhe më tepër peshën këtij libri duke e bërë edhe më të dashur, por edhe shumë të nevojshëm për të qenë pjesë e pandashme e secilit prej neve në rrugëtimit tonë. Ky libër është i mbushur me fjalë që meritojnë të merren si moto jetësore, meritojnë që të jenë statuset e përdithsme të jetës sonë dhe pikë orientuese për t’i drejtuar veprimet tona. Librat e tillë arrijnë të tejkalojnë kohën kur janë bërë. Ato tejkalojnë kornizat kohore dhe gjeografike duke mos njohur për asnjëfarë lloj barrierash.Eruditi i madh shqiptar, rilindasi i njohur Sami Frashëri thotë “Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtra”, andaj urojmë që këto fjalë të shkurtëra të marrin edhe vendin e lartë për atje ku janë synuar, ashtu siç janë të mbushura me mendime të larta dhe në të njëjtën kohë edhe me mendime të thella, mendime nxitëse, mendime që stimulojnë dhe hapin shtigje dhe dyer të reja për të gjithë ata që dëshirojnë të sfidojnë veten e tyre me gjëra të reja si dhe për ata të cilët dëshirojnë që e nesërmja e tyre të jetë më e mirë se e sotmja.