Monday, April 15, 2013

Ku ishit kur e bëri Serbia?


Debati për rishikimin e historisë ka prekur si djalli disa intelektual dhe historianë shqiptarë. Disi krejt i çuditshëm më duket i gjithë ky pluhur që po ngritet nga kjo iniciatëve që mendoj se bile do të duhej të mirëpritet. Nuk shoh hapësirë frike apo tjetërisimi të historisë sonë kombëtare. Derisa ne pretentojmë dhe mendojmë se jemi në të drejtë, atëherë, t'ua hedhin për fytyre të gjitha ato "pseudofakte" historianëve turq edhe t'u themi njëherë e përgjithmonë që kjo temë të mbyllet.
Por, këtu synohet diçka tjetër përveç shkencës. I gjithë ky pezmatim i historianëve shqiptarë dhe disa intelektualëve tjerë që bile edhe lëshuan një peticion kundër rishkimit të historisë apo më mirë të themi ballafaqimit të fakteve shkencore në historinë tonë kombëtare, dëshmon për bagazhin e tyre shkencor dhe objektivitetin në profesionin e tyre.
Pasi se në këtë debat u kyçën intelektual dhe personalitete të lëmenjëve të ndryshme, vendosa edhe unë të paraqes një fakt që nuk e kam dëgjuar/lexuar deri më tani. Kërkesa për “rishikimin e historisë” që po bëhet nga ana e Turqisë në lidhje me periudhën osmane, nuk është e para. Në vitin 2003, ishte Serbia, po bash kjo Serbia më të cilën gjatë gjithë shekullit 20 kemi pasur luftëra dhe gjitha të këqijat, që kishte kërkuar që të hiqen fjalë e fjali dhe çka është më e keqja edhe ndryshim të fakteve, të cilat të bëjnë të ndihesh i tradhëtuar.
Ndaj kësaj kërkese kishte intevenuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës dhe pa u ngitur aspak pluhur u bëri intervenime në librat e historisë. U hoqën gjërat që nuk i dëshironin serbët dhe Serbia. U hoq dhe tjetërsua fakti i pushtimit serb të Kosovës. Tanimë fëmijët tanë do të mësojnë se Serbia nuk e ka pushtuar Kosovën. Nuk di çfarë komenti kanë nënshkruesit e peticionit ndaj këtij fakti?
Ku ishin atëherë këta historianë dhe intelektualët e peticionit kur u bë kjo tradhëti e madhe ndaj kombit dhe të vërtetës?? Apo ndoshta nuk e keni ditur këtë fakt!? Sikur që shumë gjëra tjera ia keni lënë “shkencës” së harresës!? Ku ishte Kadareja që prej “skajit të dunjasë” deponoi nënshkrimin e tij për peticionin kundër rishikimit të historisë. Nëse do të duhej ngurtësi në qëndrime duhej të bëheshin në vitin 2003 të nderuar, sepse edhe vet me sytë tuaj keni parë se ç’na ka bërë Serbia, hiç më larg se katër vite para “heshtjes suaj”. Nuk është dashur të heshtni para agresorit të vërtetë që përpos masakrave dhe gjenocidit, na detyroi që edhe “historinë ta ndryshojmë” dhe ju atëherë heshtët.
Por, si duket historianët tanë e kanë bezdi që të dalin nga shabllonet e tyre sllavo-komuniste, me të cilat përralla kanë ndërtuar studimet dhe karrierën e tyre. Studjues që shumë lehtë e kanë pasur t’i mbushin punimet e tyre duke përdorë terminologjinë që gjuha e shkencës nuk e toleron. Këtë e them me përgjegjësinë më të madhe, normalisht me shumë përjashtime për studjues të guximshëm dhe objektiv, që përkundër gjitha sakrficave u munduan që faktet qofshin edhe të hidhura të dalin në shesh. Kjo është detyrë e një studjuesi të mirëfilltë. Fatkeqësisht, shtresa e këtyre të fundit akoma janë larg institucioneve dhe qendrave relevante si në trojet tona ashtu edhe jashtë tyre. Nëpër institucionet tona të gjithë jemi duke e parë se ç’po ndodhë. Për historinë dhe gjithë gjërat tjera vendosin “studjues të internetit” që për mësues kanë “Prof Wikipedia-n” dhe “Akademik Google-n”. Ata që kur lexon shkrimet dhe analizat e tyre të duken si ato të përrallave të gjysheve, pa asnjë referencë, pa asnjë citim edhe pse ndoshta bëhet fjalë edhe për histori ku akoma janë gjallë burimet e dorës së parë.
Një dritë në fund të tunelit na e paraqet shtresa e re e historianëve dhe studjuesve që kanë nisur t’i rreken shkencës ashtu siç e kërkon vet ajo. Fatmirësisht edhe studjues të huaj që njohin mirë çështjet e Ballkanit, me studimet e tyre mos më shumë t’i këndjellin këta tanët, që përkundër titullit magjistër e profesor të historisë, nuk dinë çka është arkivi dhe çfarë thesari fshihet në to.
Për mua rishikimi i historisë është një hap tepër i rëndësishëm për kombin tonë, për shkencën e historisë dhe në rend të parë për të vërtetën. Turqit kanë në dorë një minierë ari që për ne është thuajse e paprekur. Pse po ngurrojmë që edhe ne të marrim hisen tonë aty?