Tuesday, February 24, 2009

Dëshmia

Dëshmia
më vlon barku nga gëzimi
emocionet kaplojnë trupin e shpirtin

djaloshi belbëzon me gojë
deklaron dëshminë
beson të vërtetën

mirë se erdhe në grupin e të shpëtuarve
vëllau im i ri

Wednesday, February 18, 2009

GARA MES KONCEPTEVE DHE GARA MES INATEVE

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe ato lokale në Maqedoni janë një sfidë e radhës. Kësaj radhe, qytetarët e Maqedonisë do t’ia japin mandatin presidentit të katërt me radhë. Qytetarët nëpërmjet zgjedhjeve të drejtpërdrejta dhe demokratike do të vendosin se cili nga kandidatët e mundshëm për herë të parë do t’a ushtrojë postin e burrit të shtetit të RM-së për pesë vitet e ardhshme.

Në të njëjtën kohë do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, që edhe përkundër rëndësisë së madhe që kanë këto zgjedhje, si rezultat i decentralizimit të pushtetit në Maqedoni, për momentin janë në plan të dytë nga mediumet dhe publiku i gjërë i RM-së.

Në këto zgjedhje lokale, secila parti si ato më të mëdha, por edhe ato më të voglat kanë nxjerrur listat për këshilltarë komunal, e më pak për kryetarë komune (duke qenë në dijeni me kapacitetin e tyre politik). Blloku i partive shqiptare pritet të dal fitues në komunat me shumicë shqiptare, me kusht që ndarja e votave të shqiptarëve të mos kontribuojë në fitoren e ndonjë kandidati maqedon apo të ndonjë nacionaliteti tjetër. Shpresojmë që deri te kjo e fundit të mos vijë.

Zgjedhjet presidenciale paraqesin një fenomen në vete, sa ju përket risive që do t’i sjellin. Edhe pse RM-ja është një shtet relativisht i ri, i dalur nga shpërbërja e RFS të Jugosllavisë, ka një traditë të hidhur sa i përket presidentit të shtetit. Presidenti i parë Kiro Gligorov, gjatë ushtrimit të mandatit të tij të dytë në vitin 1995 përjetoi një atentat ku, pak mungoi që ta humb jetën. Fatkeqësinë më të madhe e përjetoi presidenti i dytë Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në fatkeqësinë ajrore me aeroplanin e tij presidencial në vitin 2004. Për t’u theksuar është “mbijetesa” e presidenti aktual Branko Çërvenkovski që e kaloi mandatin e tij pa një “therrë në këmbë” (kjo vlen deri në kohën kur po punohet ky shkrim, sepse nuk e dimë se çka do të ndodh deri në zgjedhjen e presidentit të ri), por edhe ky u diskreditua nga sulmet e mëdha që i koncentroi partia oponente VMRO-DPMNE (e ndihmuar shumë në këtë rast nga disa parti shqiptare) kështu që, duke qenë në dijeni për rejtingun e tij të dobët nuk u kandidua për rizgjedhje.

Në zgjedhjet presidenciale në RM-së rregullisht janë kandiduar edhe kandidatë shqiptarë, të cilën deri më sot asnjëherë nuk kanë arritur ta kalojnë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Në këto zgjedhje, për herë të parë do të kandidojnë tre kandidat shqiptarë (kishte edhe disa tjerë që paraqitën kandidaturat, por nuk arritën të bëjnë mbledhjen e nevojshme të nënshkrimeve për t’a legjitimuar kandidimin e tyre), përballë katër kandidatëve maqedon. Gjithashtu në këto zgjedhje, për herë të parë një femër kandidohet për kryetar(e) të shtetit. Bëhet fjalë për Mirushe Hoxha-n e propozuar nga PDSH-ja, e cila do të garojë për t’i marrë votat e elektoratit shqiptarë së bashku me Agron Buxhakun e BDI-së dhe Imer Selmanin e DR-së.

Risitë e këtyre zgjedhjeve nuk mbarojnë këtu. Sa i përket bllokut maqedon, për herë të parë do të kemi ballafaqim konceptesh. Kryesisht këtë konfrontim do t’a bëjmë dy kandidatët të cilët sipas anketave kanë gjasa më të mëdha të fitojnë. Për herë të parë në Maqedoni do të konfrontohen jo vetëm kandidati i VMRO-DPMNE-së me atë të LSDM-së, por edhe identitetit maqedon. Në këto zgjedhje, në garë është vënë edhe ideja e indetitetit maqedon, edhe atë, nga njëra anë ajo e maqedonasve antikë, kurse nga tjetra ajo sllave. Më saktësisht, njëri nga kandidatët mbron origjinën antike të maqedonëve të RM-së, kurse tjetri thirret dhe e mbështet origjinën sllave të maqedonëve të këtij shteti.

Deri sa maqedonët kanë dy opsione për të zgjedhur, shqiptarët nuk kanë asnjë. Sepse asnjëri prej kandidatëve tanë nuk paraqet ndonjë koncept apo ide të caktuar politike, përveç retorikës më veç mirë të njohur me akuzat e ndërsjella dhe për problemet e vjetra dhe të pazgjidhura që po na ndjekin prej mëvetësimit të këtij shteti.

Fillimisht u prezantua ideja për një kandidat të vetëm shqiptarë në zgjedhjet presidenciale, që do të paraqiste një pamje krejt tjetër të këtyre zgjedhjeve dhe që zgjoi një interes të veçantë tek popullata shqiptare në RM. Koncentrimi i gjithë elektoratit shqiptarë në një vend, do të linte hapur mundësinë e kalimit të kandidatin shqiptarë në rrethin e dytë duke e pasur parasysh faktin se dalja e elektoratit maqedon në zgjedhjet presidenciale është në rënie të vazhdueshme, por në të njëjtën kohë edhe ndarjen e votave të trupit votues maqedon në disa kandidatë do të rriste shanset e kandidatit shqiptarë për të arritur kalimin në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Përveç këtij lajmi, kishte edhe propozime dhe oferta për pazarllëqe të shumta politike, mes tjerash edhe përkrahja e shqiptarëve për kandidatin e VMRO-DPMNE-s qysh në raundin e parë të zgjedhjeve e si kompensim në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2014 këta të fundit të përkrahin kandidatin shqiptarë për president të shtetit. Kjo ishte një matematikë vështirë e arritshme, por, sipas gjitha gjasave ishte vetëm një “balon provues” për të matur disponimin dhe pulsin e faktorëve relevant në RM.

Kjo ashtu sikur edhe pritej, nuk u arrit. Tash mbetet që partitë politike ta acarojnë sa të jetë e mundur më shumë elektorati shqiptarë, ku secila parti të mbledh sa më shumë vota që në raundin e dytë të bëj pazar me ndonjërin nga dy kandidatët maqedon. Përveç kësaj normalisht do të matet edhe rejtingu që partitë shqiptare gëzojnë në elektoratin e RM-së.

Duke e shikuar dhe analizuar realisht situatën aktuale që po mbizotëron në taborin politik shqiptarë në Maqedoni, kryetar shqiptarë të RM-së jo që mund të kemi në vitin 2014 po as në 2040 e ndoshta edhe në vitin 2400... Me inate dhe mungesë të koncepteve të qarta për interesat e shqiptarëve në Maqedoni do të mbesim edhe gjatë kohë vetëm makineri votuese dhe mjet për t’ia (pa)mundësuar kryetarllëkun dhe beneficionet tjera njërit nga blloqet maqedone. Vallë, a veç për këtë të gjë jemi në këtë shtet, apo kemi edhe interesa më të mëdha?

Tuesday, February 10, 2009

PËRJETIMI

ZVARRITEM GJURMËVE TË HISTORISË
ATJE KU EDHE U BË
PËRPIQEM TË SHIJOJ ÇDO THËRMI
TË ASAJ LAVDIE ABSOLUTE
QË VAZHDON TË SHËNDRRIT BOTËN
DERI NË AMSHIM

06.12.2008 ora 19:33