Wednesday, August 7, 2013

Nesër është Bajram!


Muslimanët i kanë dy festa. Të dy këto festa na vijnë pas dy obligimeve kryesore që i kanë besimtarët muslimanë. Festa e parë, ajo e Fitër Bajramit vjen pas mbarimit të muajit të agjërimit, muajit të bekuar të Ramazanit, kurse Kurban Bajrami, vjen menjëherë pas mbarimit të obligimit të pestë për muslimanët që është kryerja e haxhillëkut në vendet e shenjta në Mekke dhe Medine.
Bajramet janë padyshim, ditët më të gjata për besimtarët. Nuk besojmë se ka ndonjë ditë më të mbushur me emocione, gëzime, gjëra të mira, vizita, bëmirësi e kështu me radhë. Është e gjatë edhe në kohë, sepse si asnjë ditë më parë, i madh e i vogël, të gjithë ngritemi për të falur namazin e Bajramit që është në orët e hershme të mëngjesit. Më pas vijojnë aktivitetet e shumëta që mbushin plotësisht këtë ditë.
Veç elementeve festive, Bajramet ndërthejnë në vete edhe mesazhe të larta dhe tepër fisnike. Bajrami është festë e shtrirjes së dorës dhe përqafimit vëllazërorë. Besimtarët gjatë kësaj feste, shtrijnë dorën e pajtimit me vëllezërit e tyre me të cilët më parë nuk kanë pasur marëdhënie të mira. Në të kaluarën bajramet kanë qenë ditë ku janë falur gjaqet, janë shuar hasmëritë dhe i është dhënë rast vazhdimit të jetës. Le të kujtojmë edhe këtë mesazh që nesër të hapim derën e vëllait tonë me të cilin kemi pasur ndonjë ngatërresë apo nuk kemi pasur komunikim të mirë.
Nesër është Bajram dhe ne po i mbushin çantat tona me ushqime për të bërë gati drekën e bajramit. Por, është mirë që secili prej nesh ne të ndalet e të mendojë se, vallë fqiu i tij a ka pasur mundësi që ta bëj të njëjtën për fëmijët dhe familjen e vet. A ka pasur mundësi edhe ai që jeton pranë nesh që fëmijëve të vet t’u sigurojë një drekë pak më të begatshme se drekat dhe darkat tjera të zakonshme që i kanë për çdo ditë. Përkudedja e tillë të jemi të sigurtë se nuk do ta pakësojë atmosferën dhe gëzimin në familjen tonë, por vetëm do ta shtojë atë. E  nuk dua të ndalem te shpërbilmet e panumërta nga ana e Zotit Mëshirëplotë nëse kujdesemi për rastet e tilla.
Nesër është Bajram dhe si kurrë më parë besimtarët vizitojnë njëri tjetrin. Jemi dëshmitar të një largimi dhe ftohjeje kolektive të marëdhënieve ndërnjerëzore. Dinamizmi dhe teknologjizimi i jetës kanë bërë që me vëllezërit, me të afërmit tonë të komunikojmë vetëm përmes internetit apo telefonit. Festa e Bajramit na e kujton nevojën për hapjen e derës, për vizitën te tjetri qoftë komshi, familjar apo farefis. Fatkeqësisht ditëve të sotme, kanë mbetur vetëm Bajramet kur hyjmë në shtëpinë e vëllait, fqiut apo të afërmit tjetër. Po themi fatkeqësisht sepse një apo dy ditë në vit janë shumë pak për t’ia çelur derën vëllaut tonë. Le të jetë Bajrami rast për shpeshtimin e hyrje-daljeve tona, se me këtë do të hapen edhe zemrat tona, do të shtohet dhe rritet dashuria e ndërsjelltë, besimi reciprok dhe forcimi i lidhjeve familjare/shoqërore, që janë parakushte kryesore për një shoqëri dhe të ardhme të shëndoshë.
Nesër është Bajram dhe asesi nuk duhet harruar fëmijët. Edhe po deshte nuk mund t’i harrosh. Është festa që e presin me gëzim gjatë gjithë vitit. Në lagjen time po i shoh të organizuar duke bërë planet që sonte në mbrëmje pasi të qetësohet komunikacioni të dalin ta pastojnë lagjen. Dikush me fshesë, dikush të lagë tokën që mos të ngritet pluhuri e dikush llopatat e karrocat për mbledhjen e bërlogut. Është kjo një traditë që më të vegjlit e lagjes e bëjnë zakonisht. “Fatmirësisht” që këtë punë nuk e kryejnë institucionet komunale e kjo traditë akoma po mbetet gjallë. Vazhdimisht i dëgjon se kush çka ka blerë, çfarë pantollona, këmisha, këpucë, atlete e kështu me radhë. Unë i bleva në filan vendin, tjetri në filan dyqanin. Të gjithë janë të hareshëm dhe ju pëlcet zemra nga gëzimi edhe kur ngrisin tonin e lavdrimit apo të treguarit për çmimin dhe kualitetin e veshjeve të tilla. Mos të flasim për të bëmurit gati në shtëpi. Rrobat e reja janë në krye të dhomës. Ato janë të hekurosura, të varura në “shtagë” dhe gjithçka është gati për momentin e duhur, që së bashku me babain apo vëllain e madh të mësyejnë dyer e xhamive apo sallave të sportit për të falur namazin e Bajramit. O Zot, mos e privo asnjë fëmijë nga gëzimi i tillë i Bajramit. As mos e privo asnjë prind nga mundësia që fëmijës së tij t’i sjellë gëzim së paku për këtë ditë. As mos na privo nga bamirës që pa fije interesi të kësaj bote sjellin gëzim në zemrat e fëmijëve dhe prindërve që nuk kanë mundësi ta realizojnë këtë.
Nesër është Bajram dhe ju që akoma nuk keni blerë sheqerka mos harroni t’i bleni, se nesër fëmijet e lagjes, qytetit apo fshatit do t’ua “thyejnë derën” duke trokitur për të ardhur e uruar Bajramit. Mundësisht zgjedhni më të mirat, sepse sa më të mira t’i keni sheqerkat, aq më shumë mysafirë të vegjël do të keni, se lajmi i mirë përhapet shpejt. Disa ndoshta do t’i keni edhe nga dy apo tre herë, por edhe kjo është mirësi.
Nesër është Bajram dhe gëzimi e mërzia janë së bashku. Janë një. Lotët janë prezent gati se në çdo familje, kur kujtohen ata që nuk janë në mesin tonë. Ata që kanë marrë amshimin, apo ata që janë larg, qofshin në kurbet apo gjetiu. Por, për nesër, t’i lëm pak më tepër vend gëzimit, t’i japim mundësinë buzëqeshjes para lotit dhe haresë para mërzisë.
Andaj, të gjithë lexuesve dhe besimtarëve kudo që gjenden, urime e për shumë vjet festa e Fitër  Bajramit, dashtë Zoti që Bajramet tjera t’i presim në gjendje dhe kushte shumë më të mira.   

(Ky shkrim fillimisht është botuar në Gazetën Koha të datës 07 gusht 2013)