Tuesday, November 4, 2008

Shqiptarët dhe konflikti maqedono-grek

Proceset integruese të Republikës së Maqedonisë gjithnjë e më shumë po vështirësohen.

Ne si shqiptarë që jetojmë në Maqedoni jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e këtij problemi, në rend të parë e kuptojmë lidhjen emocionale të bashkëqytetarëve tanë maqedon me identitetin e tyre, gjuhën, kombin e kështu me radhë, sepse jemi edhe ne një komb që kemi pasur dhe akoma kemi sfida të shumta në lidhje me çështjet tona kombëtare, por fatmirësisht jo me identitetin.

Republika e Maqedonisë, si njëra nga shtetet e reja të Ballkanit që lindën si rezultat i shpërbërjes së RSFJ-së, me referendum shpalli pavarësinë e saj në vitin 1991. Me shpalljen e pavarësisë filluan edhe problemet, Bullgaria nuk e njihte kombin maqedonas, Serbia nuk e pranonte autoqefalitetin e kishës ortodokse maqedone dhe Greqia kishte problem me emrin e Maqedonisë dhe emrin maqedon, duke aluduar në trashëgiminë antike të këtij emri.

Prej pavarësisë së Maqedonisë e deri më sot kanë kaluar 17 vite të plota dhe pa ndonjë zgjidhje të ndonjërit prej problemeve të lartpërmendura me fqinjët.

Kulminacioni i problemit arriti këto 2-3 vitet e fundit. Kur në pushtet në Maqedoni erdhën forca të reja politike që ia ndryshuan tërësisht kursin këtij problemi. Deri sa kursi i mëparshëm i diplomacisë së Republikës së Maqedonisë ishte i bazuar kryekëput në blerjen e kohës dhe shtyrjen e këtyre problemeve deri në një afat të kompletimit të proceseve euro-atlantike, që realisht kishte rezultat (si psh. marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE), por politika e re nacionaliste e Maqedonisë solli deri në acarimin e këtyre problemeve në një situatë pa zgjidhje, që njëherit paraqet edhe rrezikun potencial të izolimit të vendit.

Sipas mendimit tim gabimi më i madh që u bë nga RM-ja ishte mos njohja e kapacitetit të saj diplomatik dhe shtetërorë, por edhe mos njohja e fuqisë së palës tjetër (Greqisë). Ishin hapa të gabuara provokimet që i filloj Qeveria e RM-së me rastin e vënies së statujave antike para Qeverisë së Maqedonisë, pastaj emërimi i aeroportit të Maqedonisë në “Aleksandri i Madh” (Aleksandar Makedonski), tentativat gjithnjë e në rritje për origjinën antike maqedone e jo asaj sllave maqedonasve, ishin një futje e therës në këmbë të shëndoshë. Situatë kjo që çështjen “problemi me emrin” e solli në “problem me identitetin” që paraqet një fazë më të rëndë në këtë proces, pasi se provokimeve të tillë Greqia iu kundërpërgjigj ashpër duke i shtrënguar pozicionet e veta dhe duke vendosur kushte edhe më të rënda për palën tjetër. Tanimë Greqia nuk kërkon vetëm heqje dorë nga ndryshimi i emrit (gjë me të cilën dakordohet pala maqedone), por kërkon që mos të figurojë askund, gjuha maqedone dhe populli maqedon. Këtu normalisht se asnjëra palë, apo asnjëri faktor politik në Maqedoni nuk do të lëshojë pe.

Problemi i emrit tash më ka marr edhe përmasa ndërkombëtare, pasi se përbën edhe temën qendrore në mediat e RM-së, bile shumë më shumë se çështja e përgjigjes së BE-së dhënien e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, implementimin e tërësishëm të marrëveshjes së Ohrit, problemet tjera ekonomike, kulturore, kriminalitetin, problemin e gjyqësisë etj

Për këtë shkak unë do të ndalem dhe publikisht do t’i pyes faktorin politik shqiptarë në Maqedoni, se cili është roli i tij dhe çfarë pozite apo çfarë hapash ka ndërmend të merr në lidhje me ardhmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë.

Çka nëse problemi me emrin, sjell deri te bllokimi total i procese integruese (që ka gjasa reale të jetë i tillë). Besoj se nuk jam i vetmi që e bëj këtë pyetje, se a ia vlen që të gjithë të bëhemi kurban i gabimit politik të partive maqedone?

Pastaj, një gjë tjetër që dua ta shprehi është njëherit edhe vërejtja më e madhe drejtuar partive tona për përkrahjen e parezervë dhënë kryeministrit Gruevski në çështjen me emrin, duke e ditur qëndrimin e tij konzervativ dhe thuaj se të pashpresë në këtë konflikt. Ndoshta jo në masë të kryeministrit Gruevski dhe partisë së tij, por përgjegjësi të konsiderueshme do të marrin edhe partitë shqiptare që kontribuuan në ardhjen në këtë pozitë. Fillimisht kontributin që e bënë për forcimin e krahut të djathtë nacionalist maqedon, ku përveç se i dhanë gati se fuqi absolute Gruevskit, në të njëjtën kohë edhe e dobësuan pozitën dhe ndikimin politik të shqiptarëve në Maqedoni si asnjëherë më parë.

Kërkoj nga faktori politik shqiptarë që të marrin guximin dhe t’ia bëjnë me dije Gruevskit se, pa marrë parasysh se a do të jemi në kabinetin e tij qeveritarë ose jo, ne nuk kemi hesap që të bëhemi peng i gabimeve të tij politike. Nuk flas këtu që t’i bëhet tradhti në interes të Greqisë, por të qartësohen gjërat, edhe mos t’i jepet përkrahje symbyllurazi këtij opsioni duke e ditur se ekziston një opsion tjetër që realisht neve na konvenon më shumë. Sepse realisht shikuar gjërat, për neve si shqiptarë që si pjesë përbërëse e këtij shteti shumë më i shtrenjtë është çmimi i anëtarësimit në NATO dhe BE, sesa çështja e identitetit të bashkëqytetarëve tanë.

Shpresoj se ky shkrim të jetë një nxitje për të gjetur guximin dhe për t’u shprehur lirisht për atë që e ndjejmë dhe që mendojmë se duhet të debatohet publikisht. T’i bëhet me dije popullatës shqiptare në Maqedoni se çfarë rruge dhe plani ka në strategji veprimi faktori politik shqiptar, nëse ka një strategji të tillë, pastaj çka nëse bisedimet rreth emrit dhe identitetit me Greqinë nuk sjellin zgjidhje me ç’rast do të vij deri në bllokimin e Maqedonisë në proceset integruese dhe shumë çështje tjera që ia vlen t’u bëhen me dije popullatës shqiptare.