Sunday, March 11, 2012

Pa titull*)


 Heshtja na i shurdhoj veshët
Se fjalë të mirë kush nuk thotë
E penat u thanë nga mërzia
Se zemër guximi nuk gjejnë

Trimëria u tret si shkuma
Durim u bë imponim
Në ditët kur jeta u bë bukë
E bota u shndërrua në  interes

Kjo kohë dashurinë po na e vret
E mallin fort na e zbehë
Dyshimin na e mbjell thellë në palcë
E të ardhmen na e frigon

Çdo ditë është një shakullinë
Që krenaritë nga zemra na i ngreh
Shpinën po na e kërrusë e kurrizin shtrembëron
E kryevepër tonën e bën heshtjen

Kjo jetë qoftë e mallkuar
Që shpresat tona na i vonon
Ditët tona natë na i bën
E mëngjesin na e vonon


©MilazimMustafa - 11.mars 2012

*) Me këtë poezi jam prezantuar në mbrëmjen e poezisë Takimet e Karadakut të vitit 2012 (11 mars 2012)

Friday, February 3, 2012

Ku është sporti shqiptar?

Sporti është pjesë e pandashme e kulturës së një populli. Një popull me sport të zhvilluar, tregon edhe vitalitetit e vet, por edhe përkujdesin që e tregon për kulturën e vet të gjithmbarshme, por në veçanti për rininë e vet. Gjithmonë e kemi ushqyer ndjenjat tona, se jemi një popull vital, një popull me rini të shëndoshë, teza këto që mbajnë shumë, mirëpo, sa i përket materializimit të këtij vitaliteti në sport, shumë pak kemi hise që të lavdërohemi. Ky mos sukses, nuk na bën që të dëshpërohemi, apo të mbjellim në veten tonë ndjenja inferioriteti, por, le të jetë një këndellje dhe prezantim real i një problemi që vërtetë duhet të na brengosë si komb. Gjatë kohës së monizimit, Shqipëria ishte e mbyllur dhe shumë pak kemi të dhëna mbi sportin e asaj kohe. Në ish Jugosllavi puna ishte ndryshe. Sistemi i atëhershëm jugosllav, ku bënin pjesë edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe trojeve tjera etnike, mjaftë i kushtonte rëndësi sportit dhe prezantimit të sportit të atëhershëm në arenën ndërkombëtare. Në këtë rast, një numër i madh i sportistëve shqiptarë arritën famë të lartë, duke fituar tituj në kampionate botërore, evropiane, e kampionate olimpike. Kryesisht ishin këto raste të sporteve individuale, apo më saktësisht në sporet luftarake, në ato të mundjes, boksit dhe karatesë. Për të dalë një sportist dhe për të arritur deri te titulli i kampionit olimpik, do të thotë se pas vete ka pasur një ekip të madh, që janë përkujdesur për të, por edhe një konkurrencë e madhe që e ka stimuluar të njëjtin të arrijë deri në nivel kampioni. Sa i përket gjendjes së sportit në ditët e sotme, duke i analizuar faktet në nivel mbarëkombëtarë, nuk jemi aspak në nivelin në të cilin mund dhe duhet të jemi. Në të shumtën e rasteve, përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, janë të ballafaquar me problemet e anëtarësimit nëpër federatat e ndryshme sportive botërore dhe kjo ndikon negativisht edhe në sportistët, edhe në punëtorët sportiv, por edhe në investitorët, por, çka i mungon sportistëve të Shqipërisë që të jenë në një nivel të tillë? Ku për sporte të tëra, as që kemi reprezentacion kombëtarë. Përveç futbollit që është deri diku i zhvilluar, në Shqipëri, për sportet tjera kryesore olimpike, as që bëhet fjalë. Dua të prezantoj një fakt, në listën e FIBA-s (Federata botërore e basketbollit) Shqipëria as që figuron në të njëjtën, në të cilën gjenden vende edhe si Ruanda, Sri Lanka, Madagaskari e të ngjashme. Kjo është një turp për basketbollin dhe për sportin shqiptarë në përgjithësi. Fakt tjetër që brengosë është edhe ikja e sportistëve me renome dhe garimi i tyre për kombëtare të ndryshme, bile edhe për kombëtare që sillen me nënçmim dhe urrejtje për çdo gjë që është shqiptare. Më të shumtë janë ata që karrierën e tyre e zhvillojnë në shtetin grek. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe sportistë që i kanë sjellë edhe medalje nga kampionate olimpike dhe botërore shtetit që edhe vet ata si sportistë nënçmon. Si të tillë i kemi Piro Dhima-n, kapmpion i trefishtë olimpik dhe botërorë, Luan Shabanin, Mirela dhe Agron Xhelilin, Mirela Manjanin e kështu me radhë, që bile i ndërruan edhe emrat e tyre dhe pranë çdo suksesi të tyre ngritet flamuri grek dhe këndohet himni i po të njëjtit shtet. Kemi edhe shumë raste të tilla, por edhe sportist që çdo ditë paralajmërojnë, që nëse shteti nuk përkujdeset do ta bartin fanellën e ndonjë shteti tjetër. E gjithë kjo vie si rezultat i mos investimit në sport dhe për mos krijimit të kushteve të volitshme që këta sportistë të garojnë në vendin e tyre. Sportistët shqiptarë në diasporë Rezultatet më të mira i kanë arritur sportistët që kanë pasur fatin të merren me sport jashtë trojeve tona etnike. Ne, sot kemi shumë sportistë si në sportet individuale ashtu edhe në ato kolektive që kanë arritur famë botërore, si Luan Krasniqi, Mirdi Limani, Enver Idrizi, Gjerdan Shaqiri, Valon Behrami, Roland Gërxhaliu, Artan Kuqo, Ardian Gashi e kështu me radhë. Të gjithë këta garojnë nën flamujt e shteteve në të cilët jetojnë. Me përjashtime në lojën e futbollit ku një numër i konsiderueshëm i futbollistëve shqiptarë, me pasaporta të dyfishta, kanë refuzuar kushtet shumë më të mira nga shtetet ndryshme, duke mos e ndërruar fanellën e kombëtares së tyre, raste këto që tregojnë vetëdije, por në rend të parë sakrificë dhe vetmohim nga ana e këtyre të fundit, e që meriton respektin më të lartë. Por, kemi edhe raste ku, shumica prej tyre, sot bartin fanellat e shteteve tjera, si Zvicrës, Finlandës, Gjermanisë, Turqisë, Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Norvegjisë e kështu me radhë. Shumica e këtyre të fundit janë nga Kosova dhe Maqedonia. Pa dyshim se kushtet ekonomike, sociale, familjare etj kanë bërë që këta të njëjtit të garojnë për shtetet e ndryshme e jo për kombëtaret shqiptare. Andaj, mbetet që federatat e sporteve shqiptare të jenë më aktive në kontaktet me sportistët tanë në diasporë. Duke rënë në kontakt me talentet e ndryshëm prej fillimit të karrierës së tyre, sigurimin e pasaportave, por edhe interesimin për avancimin e tyre në karrierën sportive, që të njëjtin ta ndjenjë më tepër lidhjen me shtetin e tyre amë. Strategji për zhvillim të sportit E gjithë kjo do të vjen në vend, kur shtetet tona do të ndërtojnë një strategji të vërtetë për avancimin e sportit, dhe të njëjtën ta realizojnë me përpikëri. Përveç kësaj, duhet sa më parë federatat e sporteve të depolitizohen dhe në krye të tyre të vijnë njerëz që me të vërtetë mendojnë për sportin dhe synojnë zhvillimin e gjithmbarshëm të tij. Të fillohet urgjentisht të investohet në licencimin e trajnerëve për sporte të ndryshme që është një prej kushteve kryesore për zhvillim dhe pranimin e sporteve përkatëse në federata të ndryshme. Pastaj, ndërtimin e objekteve të ndryshme sportive, sidomos sallave dhe fushave të sportit që do të jenë afër secilit të riu, me qëllim që talentët e ndryshëm t’i kenë më afër vendet që ofrojnë mundësi për marrje me sport. Në këtë rast, shembulli i qeverisë maqedonase ia vlen të kopjohet. Kur mundet në Maqedoni pse nuk mundet edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Qeveria aktuale e Maqedonisë, me qëllim të ngritjes së sportit, vetëm në këtë mandat jo të plotë qeveritar ka ndërtuar me qindra salla dhe fusha sportive. (Ky investim po u kthehet në mënyrën më të mirë të mundshme. Kampionatet e fundit evropiane dëshmuan se si po kthehet ky investim. Edhe çka është më e rëndësishmja, janë vetëm një milion popull!) E gjithë kjo duhet të fillojë qysh nga shkallët më të ulëta, konkretisht nga shkollat e sporteve përkatëse, pastaj edhe në klube e të rinjve e deri në ekipet profesionale. Kjo do të krijonte kapacitete të mjaftueshme për liga të ndryshme sportive që fatkeqësisht te ne akoma nuk ekzistojnë, por edhe konkurrencë të mjaftueshme për sportet të cilët janë në zhvillim. Vlen të ceket strategjia e Federatës së Basketbollit të Kosovës, që shumë qartë është detajizuar në plane operacionale dhe jo rastësisht basketbolli është sporti numër një në Kosovë. Ne sot kemi shumë të rinj me kapacitete të larta që bredhin rrugëve në mungesë të kushteve, pastaj është edhe një numër i madh i atyre që i ka shkelur koha si rezultat i mos ekzistimit të kushteve dhe përkrahjes elementare për t’u marrë me sport, kërkojmë dhe shpresojmë që e ardhmja gjeneratave që vijnë të mos jetë e njëjtë me këtë kategori sportistësh. Gjithashtu, shpresojmë që do të përjetojmë sa më shumë dhe sa më shpejtë emocione të fitoreve apo së paku edhe vetëm të pjesëmarrjes së kombëtareve tona nëpër kampionate evropiane, botërore apo olimpike, apo të presim ndonjë medalje nga ndonjë sportist nën fanellën kombëtare në ndonjë sport olimpik. E gjithë shqiptaria, e sidomos të rinj, e presin me padurim një emocion të tillë. Shpresojmë që shpejtë të vjen koha kur do të gëzohemi për fitoret tona dhe të sportistëve tanë e jo të gëzohemi për humbjet dhe fitore e të tjerëve. (Botuar në gazetën ditore Koha të 02.02.2012)