Wednesday, June 3, 2009

KRENARIA E HUMBUR

Viti 2001 ishte shumë i rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Ishte vit ky që solli ndryshime në rrjedhat historike të këtij vendi. Vit që bëri ndryshime rrënjësore në raportet në mes qytetarëve të shtetit, i cili deri atëherë vetëquhej “oazë e paqes”. Vit kur shqiptarët dolën fitimtarë, vit kur kërkesat legjitime për barazi dhe dinjitet kombëtar dhe fetar erdhën në shprehje. Ajo që na bëri të njihemi si fitimtarë dhe të ndjehemi triumfalisht, ishte se këto kërkesa i arritëm me rezistencë të armatosur. Në anën tjetër, popullata maqedonase e këtij vendi, e cila gjithmonë e llogariste veten si “pronarë” i këtij shteti, kurse të gjithë qytetarët tjerë jo maqedonas i konsideronte qytetarë të rendit të dytë, përjetoi një goditje të rëndë në megalomaninë e vet artificialisht të krijuar. Viti 2001 ua “uli veshët” atyre dhe ata e llogaritën këtë si humbje të krenarisë kombëtare. Kështu e llogaritën, sepse filozofia e tyre e ligë thotë se “rritja e të drejtave të tjetrit, automatikisht nënkupton humbje apo zvogëlim të drejtave tona”, gjë që aspak nuk korrespon me teorinë juridike, e as me logjikën e pastër. Të shtyrë nga kjo ide, “pleqësia maqedonase” hartoi një “plan” për kthimin e krenarisë kombëtare. Qarqet akademike të këtij shteti u “zien e përzien” për gjetjen e formulës më të suksesshme për kthimin e krenarisë kombëtare maqedonase, të humbur në vitin 2001.
Por, kush do ta bënte këtë? Normalisht, kjo do të kërkohej nga aktorët politik maqedonas, të cilët do të merrnin fatin e popullit në duart e veta. Megjithatë, për këtë do të duheshin edhe ndihmës shqiptarë, të cilët do ta dërgonin ujin në mulli të tyre. Dhe, për fat të keq, shqiptarët sërish u kapën për grepi, për kushedi të satën herë me radhë, dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nuk do të kisha dashur t’i detaizoj me këtë rast të gjitha gjërat dhe sqaroj detajet, sepse besoj që ato janë shumë të njohura për secilin prej nesh. Shumë qartë definohen bartësit e projektit për “kthimin e krenarisë maqedonase”. Por, dihen shumë mirë edhe ndihmuesit e këtij projekti, të cilët e luajtën rolin e tyre për ardhjen e kësaj situate në të cilën aktualisht gjendemi. E keqja e gjithë kësaj ishte se, krejt kjo do të bëhej në dëm tonin dhe do të ndikon në uljen e kredibilitetit tonë ushtarak e politik, si dhe në kthimin tonë, sërish, prej faktorit të rëndësishëm në vend, në qytetarë të pa rëndësishëm dhe të rendit të dytë. Po, ne vërtetë e fituam luftën e vitit 2001, por e humbëm paqen pastaj. Humbëm në materializimin e kërkesave tona dhe kredinë e fituar me gjak e “shitëm” për pesë pare. Ishte marrëveshja e Ohrit që në mënyrë indirekte vendosi për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, e që, fatkeqësisht, u bënë dhe po bëhen interpretime e interpretime të panumërta të saj. Kujt po i teket po jep koment për të dhe po sjell vendime kinse në favor të implementimit të drejtë të kësaj marrëveshje me karakter ndërkombëtar. Andaj, pasi gjërat nuk po funksionojnë, është e logjikshme që të kërkohet zgjidhje e re. Më të zëshëm, sikur që edhe duhet të jetë, janë opozita. Ata po kërkojnë marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase. Fillimisht prefekti i Gostivarit elaboroi kërkesën për ndryshimin e kushtetutës dhe vendosjen e raporteve të reja, të barabarta, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, e pastaj edhe PDSH-ja doli me propozim për një “marrëveshje të re” shqiptaro-maqedonase. Të gjithë jemi dakord se marrëveshja e Ohrit nuk e dha efektin e pritur. Edhe pse “në letër” ishte krejt në rregull. Madje, ndoshta edhe në praktikë do të ishte e tillë, sikur ne shqiptarët të dinim t’i shfrytëzonim favoret e kësaj marrëveshje, e cila kishte garanci ndërkombëtare.
Me siguri të plotë e them se, as Gruevski, as Branki, nuk do të mundnin ta sjellin pozitën shqiptare këtu ku është sot. Por, pasi kjo nuk u arrit, pasi këtë nuk ditëm ta bëjmë apo ta realizojmë, tash po kërkojmë “marrëveshje të re”. Dikur moti një mik imi më dha një definicion shumë praktik për politikën. Tha: “Politika është ‘pazar’ (treg)”. Fillimisht më habiti, mirëpo kur vazhdoi më tutje me sqarimin e tij dhe tha se, “në politikë, aq sa ke para, aq mund të blesh, sikur në treg”, gjë që plotësisht është në pajtim me funksionimin praktikë të politikës. Ndërsa ne, kam përshtypjen, po thërrasim për marrëveshje të re, pa menduar fare se sa e kemi “pazarin”, sa mund të shitet “malli jonë” (oferta jonë), e pse jo, edhe sa është disponuar pala tjetër për një “pazarllëk” të tillë?
Në vitin 2001 ishim shumë të fortë dhe i detyruam bashkëqytetarët tanë maqedonas ta bëjnë atë që më së paku donin ta bëjnë. “Duke iu dridhur dora”, ata nënshkruan ndryshimet kushtetuese dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Atëherë i ulëm në bisedime, se ishin kohëra tjera. Por, sa do të arrijmë t’i ulim “sot”, kjo është një pikëpyetje e madhe. Apo, ndoshta edhe do t’i ulim, por kush më garanton mua, si qytetar i këtij shteti, se ata që do ta arrij në një marrëveshje të re, do të jenë të aftë ta materializojnë të njëjtën dhe nuk do të dështojnë për interesa të ngushta partiake, sikur herën e parë? Pastaj, lehtë do të mund të vinte deri te marrëveshja e tillë me maqedonasit, por, para marrëveshjes shqiptaromaqedonase, ju lutem, do të na duhej fillimisht një marrëveshje shqiptaro-shqiptare. “Të ulemi në sofrën kombëtare njëherë, para se të dalim në atë ndërkombëtare”.