Tuesday, November 10, 2009

MURI

Evropa festoi shembjen e murit të Berlinit, akt ky përfundimtar që çoi botën perëndimore drejt bashkimit, por edhe drejt ekspansionit të mëtejmë drejt lindjes, nëpërmjet zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian drejt republikave ish sovjetike.
Evropa festoi njëzet vjetorin e shembjes së barrierës ndarëse të trungut të saj, me këtë festonte edhe vulosjen fatit të bashkimit të saj.
Në Berlin ishin mbledhur gati se të gjithë liderët botërorë për të përkujtuar shembjen e ndarjes së botës, ku mes tjerash edhe duke përcjellë disa pamje prekëse të 9 nëtorit të vitit 1989, kur edhe përfundimisht ra, “perdja e hekurt”, ashtu siç edhe quhej muri i Berlinit.
Deri sa Evropa festonte, njerëzit nëpër botë akoma vuajnë prej mureve ndarëse. Deri sa dikush festonte shembjen e mureve, dikush vajtonte pasojat e mureve që ndërtohen. Evropa festoi shembjen e murit, po kjo Evropë akoma nuk e ka shembur murin e vënë vet për një pjesë goxha të madhe të tokës së saj.
Akti i 9 nëntori është akt me vlerë të madhe për Evropën dhe botën. Pesha e këtij akti së paku duhet të bëjë një përkujtim nëpër kokat tona. Së paku kalimthi t’i përkujtojmë kohërat që i mbjellën këtë krijesa famoze në mes njerëzve. Të përkujtojmë kreaturat famëkeqe të komunizmit që përveç mureve të hekurt e betonit mes njerëzve vendosën edhe muret ideologjike. Të përkujtojmë sot ata që me apo pa mure ndajnë botën, në “ne dhe të tjerët”. Kjo ditë edhe për neve si shqiptarë duhet të jetë ditë feste. Shembja e murit të Berlinit, është fitore edhe për ne. Edhe ne ishim të ndarë mes vete, me një “mur”, shumë më të madh dhe më të fortë se ai i Berlinit. Ishim të ndarë me një mur, që dekada me radhë na bëri që atdheun tonë vetëm ta imagjinojmë dhe të vuajmë për të. “Mur” ky që edhe pas rënies la pasojat e veta, duke lënë pas vete ndarje ideologjike midis gjakut dhe trungut të njëjtë.
Evropa që më së miri e di pasojën e mureve, me shumë mjeshtri heshtë dhe me sehir shikon se si ndërtohen mure ndarëse nëpër botë. Në këtë ditë të madhe për botën, ne me dhimbje përkujtojmë muret që po ndërtohen në shekullin 21. Me dhimbje të madhe përkujtomë murin e ndërtuar para pak kohësh nga kolonët izraelit në tokën Palestineze.
Ashtu siç Evropa festoi dje shembjen e mureve ndarëve, e siç feston sot bashkimin e saj, dëshirojmë dhe shpresojmë të shemben gjitha muret që bëjnë ndarje nëpër botë.
Dëshirojmë sa më shpejtë zhdukjen e kreaturave qëllimkeqe që vënë mure mes njerëzve. Dëshirojmë sa më shpejtë nga mendjet e njerëzve të zhduken idetë se me mure duhet ta ndajnë botën. Ashtu siç shkuan atë kreatura të dëmshme të komunizmit, të shkojnë edhe këto sajesa tjera moderne, që vendojnë mure të trasha e të larta mes krijesave njerëzore. Shpresoj që koha që vjen të zhduk gjitha “muret” e ndërtuar nëpër mendjet tona, e pastaj edhe ato të ndërtuar nëpër zemrat tona, e nëse këto i shembim, atëherë muret e hekurt dhe të gurtë vet do të shemben.
Me shumë simbolikë, dje, disa të rinj palestinez, të shtyrë nga akti i shembjes së murit të Berlinit, shembën një pjesë të këtij muri famëkeq, shembën një pjesë të atij muri që i ndan nga pjesa tjetër e botës. Me disa litarë dhe kamion rrënuan një pjesë të murit të vendosur nga okupatorët izraelit. Brohoritjet e tyre të gëzimit ishin shumë më të larta se zhurma e rënies së panelit të betonit gjashtë metra e lartë.
Këtë gëzim të shkurtër ua prishën plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës nga ata që e ndërtuan murin, nga ata që edhe më tej mendojnë se njerëzit duhet të ndahen me mure.