Monday, October 27, 2008

VALË E RE E RACIZMIT NË EVROPË

Milazim Mustafa

Historia e Evropës është e përmbushur me shembuj të racizmit. Bile ndoshta edhe këto raste zënë pjesën kryesore në historinë e “kontinentit të vjetër”. Prej periudhës së Romës së Lashtë që llogaritet edhe si një nga themelet e civilizimit Evropian që është në ndërtim e sipër e deri te periudha e sotme ku rritja e zërave dhe lëvizjeve neo- naciste vie gjithnjë e më shumë në shprehje.

Dallimet racore janë ndër diskriminimet më të rënda dhe më të ndjeshme. Racizmi si term, sipas Fjalorit të Oksfordit paraqet një besim ose ideologji ku të gjithë anëtarët e ndonjë race posedojnë karakteristika ose aftësi specifike të asaj race dhe kanë disponim diskriminues ose antagonizëm kundër racave tjera[1] këtu posaçërisht duke veçuar ndjenjën e të qenurit superior ndaj racës apo racave tjera, që domethënë sipas kësaj teorie apo definimi karakteristikat dhe aftësitë njerëzore janë të determinuara në bazë të racës.

Sipas Konventës së OKB-së për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor (Nju Jork 7 mars 1966), termi diskriminim racor mund të nënkuptojë çdo dallim apo përjashtim, restrikcion ose ndonjë përparësi të bazuar në racë, ngjyrë, prejardhje ose origjinë nacionale apo etnike, e cila ka për qëllim ose efekt anulimin apo dëmtimin e identifikimit, zotërimit apo shfrytëzimit në pikëpamje të barabartë të të drejtave njerëzore dhe lirive elementare në aspektin politik, ekonomik, social, kulturorë ose ndonjë fushe tjetër të jetës publike.[2]

Shkaqet e paraqitjes së racizmit në Evropë mund të trajtohen nga dy burime kryesore. Si rezultat i konflikteve për toka të reja, resurse natyrore, interesa etnike dhe nacionale, por edhe dallimet religjioze. Në periudhën e kolonializmit racizmi lulëzoi si rezultat i kërkimit dhe eksploatimit të resurseve dhe tokave të reja. Një prej shkaqeve që zakonisht antropologët e ndërlidhin me paraqitjen e racizmit është edhe ndikimi i teorisë së evolucionit e cila i bëri njerëzit të besojnë se dallimet gjenetike paraqesin edhe pozita të ndryshme në shkallën e zhvillimit evolutiv. Kjo shpie në të bërit dallime në bazë të pamjes apo racës dhe kontribuon në inferioritetin apo superioritetin e një race ndaj tjetrës. Në përgjithësi manifestimet e racizmit varen edhe nga situata socio-ekonomike, religjioze dhe kulturore të secilës shoqëri, ndërsa shembujt më të dukshëm të racizmit janë dallimet në bazë të ngjyrës së lëkurës.

Ndër shembujt e racizmit më të theksuar në Evropë është edhe dëbimi dhe persekutimi i hebrenjve në shekullin XV, si dhe torturat dhe gjenocidi kulturor mbi popullatën dhe çdo element të civilizimit arabo-islam të ndërtuar në Evropë gjatë tetë shekujve sundim të myslimanëve me Gadishullin Pirinej.

Gjatë Luftës së Parë dhe Dytë Botërore niveli i racizmit dhe dhunës racore arriti në kulminacion, sidomos periudha e Luftës së Dytë, periudhë kjo kur aktet e racizmit sollën dhjetëra miliona viktima.

Pas rënies së “Perdes së hekurt” akt ky që solli një frymë të re në politikën evropiane, e posaçërisht pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë dhe ish Jugosllavisë, por edhe të faktorëve tjerë që ndikuan në botë, sollën si rezultat flukse të mëdha të imigrantëve nga “bota e tretë” në vendet e Evropës Qendrore dhe Perëndimore.

Forcimi i bllokut të partive djathtiste në Evropë, në disa raste edhe ekstremit të djathtë, sjell një vale të re të mendimit racist në Evropë. Liderët si Jean- Marie Le Pen-i kryetari dhe themeluesi i partisë Fronti Nacional në Francë, pastaj Jorg Heider ( i cili vdiq para disa ditëve) si lider i Partisë së Lirisë dhe themelues i Aleancës për ardhmërinë e Austrisë në Austri, mbajnë lidhje të forta me lëvizjet neo-naciste në vendet e tyre, e posaçërisht ky i fundit i cili rrjedh edhe prej prindërve përfaqësues dhe anëtarë të grupeve naziste. Vitin e kaluar ndodhën një numër i madh i trazirave në paralagjet e Parisit ku një numër i madh i të rinjëve kryesisht afro-françezë, të cilëve pastaj iu bashkëngjitën edhe disa organizata studentore në shenjë përkrahje e që sollën deri në protesta të dhunshme duke e ngritur zërin e tyre kundër diskriminimit dhe kushteve jetësore johumane të cilat ia u ofronte shteti të cilin e llogarisim si djepi të drejtave të njeriut. E njëjta gjë hetohet edhe në shumicën e rasteve në Britaninë e Madhe, ku një numër i madh i emigrantëve ballafaqohen me shprehje dhe manifestim të racizmit, si dhe me diskriminim sistematik një gjetjen e strehës mbi kokë, punësimit, shkollimit etj. Kjo vlen kryesisht për zezakët dhe aziatikët. Në bazë të një statistike, probabiliteti i një zezaku të ndalohet nga policia është tetë herë më i madh sesa i një të bardhi[3]. Në Britani Partia Nacionale Britaneze llogaritet si zemër ushqyese e racizmit. Rast i tematikës së njëjtë është edhe në Itali, ku qeveria e qendrës së djathtë e Silvio Berluskonit, në masë të madhe po propanon ligje dhe politika diskriminuese ndaj imigrantëve dhe refugjatëve në Itali, hap ky i cili mori kritika të ashpërta nga Komisioni Evropian si dhe Komisariati i Lartë për refugjatë pranë OKB-së. Paketat ligjore të propozuara nga qeveria aktuale italiane përmbajnë thyerje drastike të së drejtës pozitive dhe natyrore, me çrast vihet në shprehje rreziku i njëshmërisë së palëve para ligjit, ku sipas komenteve të mediave në Itali, propozimet e qeverisë janë për masa dhe dënime më të rrepta për të huajt dhe imigrantët sesa për shtetasit e Italisë nëse bëhet fjalë për krime apo kundërvajtje të njëjta.

Shkaku kryesor i këtij fenomeni dhe animi i popullatës Evropiane në orientimin e skajshëm djathtistë sipas analistëve është kryesisht rreziku që ata e shohin nga të huajt, të cilët janë sistemuar në vendet Evropiane, pastaj shtimi i tyre që vazhdon të rritet, ku sipas statistikave parashihet disa prej qendrave kryesore të Evropës brenda 15 apo 20- viteve të jene me shumicë të popullatës joevropiane[4], që flet për një natalitet me rritje mesatarisht të shpejt në krahasim me popullatën “autoktone evropiane” që ballafaqohet me probleme të mëdha të rënies së natalitetit dhe plakjes së popullsisë, ku qeveritë djathtiste të vendeve të Evropës Perëndimore dhe Qendrore zgjidhjen e vetme e këtij problemi e shohin në vështirësimin e marrjes së shtetësisë së vendeve përkatëse, duke e mbajtur në status quo pozitën e tyre.

Përveç kësaj në Evropë kohëve të fundit si rezultat i rritjes së asaj që e cekëm pak më lartë kemi edhe rritje të islamofobisë[5] si fenomen apo formë e re e racizmit që paraqitet në Evropë. Ky fenomen edhe pse u paraqit më herët në Evropë theks të veçant mori pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, ku pasuan një radhë aktesh të ndryshme në disa shtete evropiane, si psh. sjellja e ligjit që ndalon bartjen e shamive për femrat myslimane në Francë, pastaj botimi i karikaturave të Muhammedit a.s. nga një revistë e Danimarkës, tribuna dhe deklarata e kreut të Vatikanit Benediktit të XVI në një universitet të Gjermanisë, pastaj edhe ndalesa për ngritjen e minareve të xhamive në disa shtete të Evropës, e posaçërisht sjellja e disa akteve juridike (lexo: ligje) në disa prej shteteve të Evropës ku sanksionohet ndërtimi i minareve dhe thirrja e ezanit nëpër xhamitë e myslimanëve (rast konkret disa kemi sjelljen e ligjeve të tilla në disa kantone të Zvicrës) e mos të flasim edhe për raste tjera të izoluara ku elementet raciste si në punësim, shkollim, tregti dhe sfera tjera të shoqërisë.

Kjo është një prej arsyeve që dëshmon se procesi i shumë alarmuar i integrimit në Evropë ka dobësi dhe zbrazëtira të mëdha që mundëson keqinterpretimin e parimeve bazë të projekti “BE”. E njëjta Evropë që thirret në integrim të plotë të pakicave që janë brenda kufijve të vet, është pengesa kryesore që bën getoizimin dhe cenimin e të drejtave elementare të po këtyre pjesëtareve të nacionaliteteve dhe feve tjera që kontribuan në ndërtimin e kontinentit e tash që synojnë në ngritjen e mëtutjeshme të po këtij entiteti.

Çështje e racizmit duhet automatikisht të analizohet dhe të ndërmerren masat e nevojshme, sepse pasojat janë katastrofale, pasoja këto që më së miri i din Evropa, sepse në shekullin e kaluar kemi pasur rastin e ardhjes në shprehje të kësaj dukurie jonjerëzore.

Tejkalimi i kësaj sprove është më se i domosdoshëm në tentativat për krijimin e identitetit evropian, proces ky që ka nisur me të madhe të diskutohet në kuzhinat e Brukselit. Besoj se as ideatorët e projektit “Evropa e bashkuar” e as ata që sot e bëjnë politikën e BE-së nuk dëshirojnë që ky fenomen i tmerrshëm t’i ngjitet “adn-së” së Evropës që ne të gjithë e dimë si promotorë të së drejtave dhe lirive të njeriut, lëvizjes së lirë të të mirave materiale, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit si dhe shumë e shumë proceseve pozitive që i ka prezantuar kjo ide.



[1] http://www.askoxford.com/results/?view=dev_dict&field-12668446=racism&branch=13842570&textsearchtype=exact&sortorder=score%2Cname

[2] http://www.hri.org/docs/ICERD66.html

[5] Islamofobia paraqet ekzistimin e paragjykimeve dhe diskriminimit kundër fesë Islame dhe myslimanëve.