Wednesday, October 28, 2009

Qasje pas Raportit të Komisionit Evropian

Me raportin e 14 tetorit të këtij viti, “shteti i brishtë” në Ballkan mori sinjalin më të fortë, pas marrjes së statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me këtë raport të Komisionit Evropian, Republika e Maqedonisë mori garanci të madhe për ekzistimin e saj. Derisa para këtij raporti akoma ekzistonin shpresa e frika për shpërbërjen e këtij shteti, dyshim ky që u rrit edhe më shumë me bllokimin e anëtarësimit të këtij shteti për anëtarësim në NATO, me këtë pëlqim shpresat e këtij shteti nisën të rriten.
Gjithë e kemi të qartë se bëhet fjalë për raportin e parë pozitiv (dhe u llogarit zyrtarisht si i tillë) për këtë garniturë qeveritare, përkundër gjitha pozitiviteteve për qeverinë aktuale paraqet një barrë relativisht të rëndë. Është rast që përfundimisht Gruevski të dëshmojë vendosmërinë e vet për proceset evro-integruese. Mendojmë se kësaj radhe, ky i fundit e ka marrur mësimin e duhur duke kuptuar rrezikun që pason me mosplotësimin e obligimeve të shkruara dhe të pashkruara që dalin nga ky raport. Ofensiva që ndërmorën organet e pushtetit, pas publikimit të këtij raporti me kufirin me Republikën e Kosovës, pastaj intensifikimi i tentativave dhe sensibilizimi i opinionit publik në RM për zgjidhjen e problemit të emrit me Republikën Greke, jep shenja të mira për ardhmërinë dhe perspektivën e këtij shteti si në marrëdhëniet e brendshme, në sferën e integrimeve, por edhe në lidhje me marrëdhëniet e deritanishme ndërfqinjësore.
Shenjë e parë pozitive pas raportit është çështja e “mbyllur” e kufirit me Kosovën, edhe pse me shumë probleme të lëna si mollë sherri nga ish marrëveshja ndërkufitare mes RM-së dhe “Jugosllavisë së fundit”, konflikt ky që arriti të mbyllet disi, ndonëse me pakënaqësi tek të dyja palët. Përkundër këtyre pakënaqësive jemi mjaftë mirë në dijeni për rrjedhën e këtij konflikti ndërkufitar, por edhe nga rezultatet e dalura nga bisedimet e ngjashme që asnjëherë nuk mund të jenë qind për qind të kënaqshme për të dyja palët.
Rast tjetër pozitiv për Maqedoninë janë ndryshimet që ndodhën në Greqi me rastin e zgjedhjeve të fundit. Ardhja në pushtet e PASOK-ut të Jorgos Papandreut ishte një “fat i madh” për politikën e Gruevskit, fakt ky që tash nuk do të ballafaqohet me politikat e forta dhe konservative të Karamanlisit dhe Bakojanit. Tash Gruevski ka gjasa të shpëtojë vetëm me ndërrimin e emrit, pa prekur gjuhën, kombin dhe pjesët tjera të identitetit maqedon.
Përkundër gjitha tjerave, ky raport ia ka vënë kokën në thes Gruevskit dhe politikës së tij duke e prurë në pozitë hamletiane, duke e detyruar t’i gëlltisë fjalët dhe premtimet e veta për qëndrimin e fortë në konfliktin për emrin me Greqinë, gjë që sigurisht do të sjellë reperkusione dhe ndryshime në realitetin politik në Maqedoni. Sepse shikuar realisht, raporti i fundit ishte një fitore e madhe e diplomacisë greke që arriti problemin me emrin prej konfliktit bilateral ta shndërrojë në kusht themelor për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Padyshim se këtë pozitë fqiut tonë jugor ia mundësoi politika e gabuar e Shkupit zyrtar.
Për këtë raport u fol shumë. U lëvdua e u kritikua ashtu edhe siç pritej. Me këtë raport, ndër humbësit, ishin edhe shqiptarët e Maqedonisë. Shkaku se implementimi i marrëveshjes së Ohrit, prej kushtit themelor që duhej të kihej parasysh, siç paraqitej në disa prej raporteve të kaluara është përmendur vetëm kalimthi në raportin e prezantuar nga Komisioneri për zgjerim Oli Rehn. A do të thotë se Evropa e humbi durimin duke insistuar për këtë kusht, apo politika maqedone arriti që duke e nëpërkëmbur këtë marrëveshje afër 8 vite ta largojë nga rendi i ditës, mbetet të shihet.
Ajo që më mbeti si përshtypje nga reagimet e këtij raporti ishin edhe reagimet e pabaza dhe të paditura të disa “analistëve” shqiptarë në RM që fare pa e lexuar dhe analizuar raportin nisën me vlerësimet, deklaratat dhe shkrimet e tyre për raportin në fjalë. Me të vërtetë edhe kjo është një gjë që duhet pasur parasysh, se më të vërtetë deklaratat qesharake janë vetëm poshtërim për ata që i japin por edhe prezantim i cekët i qëndrimeve tona para opinionit publik, kombëtar e ndërkombëtar. Kisha kërkuar që mos ta ndjekin shembullin e “opinionistave të Shqipërisë” që për çdo çështje a problematikë ata janë të gjithëdijshëm, universalë dhe eruditë të pashembullt.
Rast tjetër që dua ta cek pas këtij raporti është se politika shqiptare, pa dallim vendi ku vepron, duhet t’i përvjelë mëngët dhe të mësohet të veprojë e pavarur gjatë tentativave për avancimin e çështjeve tona. Veçanërisht duke e pasur parasysh situatën aktuale mendoj se duhet të kalohet në sulm duke bërë hapjen e problemeve që neve na interesojnë e jo kthimin në mbrojtje e të reagojmë veç kur jemi të sulmuar. Pastaj, jo të rrimë gjithmonë të varur nga faktori i jashtëm, sepse një gjendje e tillë, sidomos në Maqedoni, sjell në mosavancim të faktorit politik dhe pasivizimin e tij, respektivisht një gjendje ku gjithmonë presim që punët tona të na i udhëheqin të tjerët, kurse ne gjithmonë thirremi në partnerët (lexo: padronët) tanë perëndimorë sikur ne të jemi hasreti i tyre i shtatë shpive. Jemi dëshmitarë të ndryshimeve të shpeshta si ato shoqërore po ashtu edhe ato politike, andaj askush nuk mund të na garantojë se ne edhe nesër do të mbesim miku i vetëm i perëndimit në Ballkan. Andaj, thërrasim për veprim të koordinuar, të unifikuar, preciz dhe shumë të shpejtë.