Sunday, September 26, 2010

Loja me numra

Historia e numrave është e lashtë sa edhe vet historia e njerëzimit. Llogaritjet dhe matjet e shumta qofshin ato të sotme apo më të lashta janë bërë me ndihmën e numrave. Në të njëjtën kohë edhe manipulimet dhe mashtrimet bëhen me numra. Numrat janë bërë mjete vlerësuese për gjërat.
Edhe në shtetin tonë të dashur dhe pa emër numri është masë e çdo gjëje. Aspak dhe askush nuk do t’i tejkalojë përqindjet e caktuara dhe numrat e caktuar. Në çdo sferë dhe pore të jetës gjithkujt i intereson vetëm numri pa marrë parasysh faktin se, a është i mirë, apo i keq. Në një deklaratë të tij kryeministrit thotë se asgjë dhe askush nuk do të mund të bëjë diçka më tepër sesa ajo që është e paraparë më marrëveshjen e Ohrit. Sikur të ishte kështu nuk do të ishte edhe aq keq puna. Mirëpo theksin dua ta vë në atë se, këtij zotëriu, aspak nuk i intereson avancimi i shtetit, avancimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, apo të mirat e një pjese të konsiderueshme të qytetarëve e kështu me radhë. Ky person, qëllimin e vet esencial e ka në shkeljen e një kategorie të caktuar të qytetarëve dhe ngritjen e një kategorie tjetër në interes të fatin të grupit të parë. Për arritjen e këtij qëllimi nuk zgjedhë mjete dhe mënyra, as nuk shikon çmime, pra zhvillon politikë të pastër makiaveliste.
Derisa fqinjët tanë që ishin shumë më larg nesh, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik e social, sot me hapa të shpejtë dhe të sigurt po marshojnë përpara, duke na tejkaluar me shpejtësi të madhe. Krejt kjo është si rezultat i caktimit të prioriteteve të veta shtetërore. Nëse bartësit e politikës maqedonase, vazhdimisht trumbetojnë se prioritete strategjike kanë anëtarësimin në BE dhe NATO, kjo është vetëm një mbulesë e asaj që në të vërtetë e kanë parësore, shkeljen e shqiptarëve, diskriminimin e shqiptarëve, ngadalësimin e implementimit të të drejtave dhe lirive me garanci ndërkombëtare, ikja nga përgjegjësia dhe bërja e planeve dhe llogarive në favor të këtyre prioriteteve.
Kohëve të fundit shumë aktuale dhe e një rëndësie esenciale është regjistrimi i popullsisë që parashihet të mbahet vitin e ardhshëm. Në vitin 2002 gjatë regjistrimit të popullsisë, me mjaft mjeshtri u paraqitën disa numra si masë psikologjike (parapërgatitore) për përgatitjen e popullatës shqiptare që të pajtohet me një përqindje të caktuar. Fillimisht nëpër media, u paraqitën disa numra shumë më të vogël sesa rezultatet zyrtare (nën 20%), që më vonë të dalin ato zyrtare me të cilët shqiptarët do të ishin të lumtur se dolëm mbi 20%.
Vitin e kaluar, pas zgjedhjeve të mbajtura, disa institucione ndërkombëtare paralajmëruan për faktin e 200 mijë votave fiktive maqedonase. Gjë që vazhdimisht më sillet nëpër mend dhe më vret. Kjo ishte vetëm një konfirmim i deklaratave dhe dëshmive të njohësve të mirë të numrave dhe politikës së fëlliqur sllave se “maqedonasit kanë diku mbi 200 mijë vota fiktive që vazhdimisht i ndajnë VMRO-ja dhe LSDM-ja, kjo është në nivelin e sekretit kombëtarë maqedonas. Për këtë nuk flitet kurrë”. Këto gati se 10 vite më parë i para dëgjuar nga një ish bartës i funksionit politik shqiptarë.
Dyshimi është i madh në rezultatet dhe paraqitjen reale të numrave në Maqedoni. Deri sa, ata që bëjnë përllogaritjet përfundimtare të rezultateve janë gati se të gjithë maqedonas, dihet se çka pritet. Në këtë rast, po përmendim rastin kur politika e dhunshme e Stalinit kishte arritur kulmin. Këshilltarët e tij paralajmëruan se pakënaqësia e popullatës është e madhe dhe se rrezikojmë t’i humbim zgjedhjet. Këtë fakt Stalini me buzëqeshje ua ktheu duke i pzetur, kush i organizon zgjedhjet? Ata i thanë: ne! Kush i numëron votat? I pyeti përsëri Stalini. Ata prapë i thanë, ne. Atëherë nuk kemi pse të bëhemi merak.
Kur e kemi parasysh disponimin e politikës dhe popullatës maqedonase ndaj shqiptarëve është shumë afër mendsh që mos t’u besojmë rezultateve që ata i numërojnë dhe i prezantojnë. Koha deri në fillim të regjistrimit po afrohet, gjithashtu është e mjaftueshme që në institucionin kompetent të bëhen ndryshime që shqiptarët të marrin pozita dhe poste ashtu siç e kërkon nevoja, sepse askush nuk mund të na shesë pallavra se nuk disponojmë me kuadro për një punë të tillë. Shqiptarët që punojnë në këtë institucion kanë krijuar përvojën e mjaftueshme për kryerjen e punëve për të cilën janë dërguar aty. Shpresojmë dhe lutemi që të bie edhe barriera dhe njëri nga bastionet e fundit të shovinizmit maqedonas të quajtur Enti shtetëror për statistikë, se prej kuzhinës së tyre edhe bakllava na është ithtuar.

(Ky shkrim është botuar në gazetën KOHA të datës 22.09.2010)