Wednesday, September 14, 2011

DRITA E DIELLIT NUK NDALET ME DUAR!

Qoftë si komb, qoftë si popull, kemi pasur shumë sfida e shumë beteja. Të humbura e të fituara. Sido të kenë qenë, çdonjëra ka lënë gjurmë në kodin tonë gjenetik. Fatkeqësisht, asnjëherë gjatë historisë sonë mijëvjeçare, nuk kemi qenë të zotët e vetes që ta mbrojmë pragun tonë. Këtë e kanë shfrytëzuar fqinjtë, që zakonisht kanë qenë të disponuar negativisht ndaj ekzistencës sonë në këto troje me vlerë e peshë për nga pozita e rëndësia. Kjo ka rezultuar që kurrë të mos jemi ata që kemi dashur të jemi. Si rezultat i ruajtjes së ekzistencës sonë, jo rrallë herë kemi pranuar edhe elemente që si kemi pasur prej fillimi, që sot janë bërë si tonat. Janë bërë pjesë e identitetit tonë kombëtar. Ky është një fakt nëpër të cilin janë zhvilluar popujt, janë krijuar kombe, shtete e unione. Është një realitet historik e faktik. Problemi që dua ta shtjelloj është një nga problemet shoqërore që hasen në shoqëritë njerëzore. Këto probleme delikate nuk na amnistojnë as ne. Jo rrallë herë kemi mendime të shumta për një çështje të vetme. Ngrihen grupe të tëra, për të mbrojtur një tezë e grupe të tjera për ta sulmuar. Dalin trima, heronj e “tradhtarë” për t’i shprehur mendimet dhe qëndrimet e veta. Nxirret tym e zjarr. Janë këto momente, kur miqtë e deridjeshëm bëhen armiq, kur dashuria shndërrohet në urrejtje, kur përkrahja shndërrohet në pengesë e toleranca, morali, solidariteti e njerëzorja vdesin. Në këto raste, vija e frontit vihet në mes nesh, na ndan në dysh e në tresh. Nis një betejë shumë e ashpër e fundi mund të jetë edhe më katastrofal. Të zbresim në tokë. Në Kosovën tonë të lirë, në ferishten që ka nisur të belbëzojë, disave nuk iu dolën hesapet siç i kishin planifikuar. Zhveshjet identitare që na i imponuan me shumë intriga disa “pseudopatriotë”, “baballarë të kombit”, “ideologë” (lexo: intrigantë, poltronë e naivë), shumë shpejt u zbuluan. Lidhja e gjeneratës së re, me rrënjët e vjetra çeli e po lulëzon. Përkundër largësisë, me zbrazëtirë një gjeneratë të plotë, po ndërtohet gjenerata e re, e mirë, e fortë, e shëndoshë dhe e formuar. Krejt kjo si rezultat i vigjilencës, shkallës së arsimimit, sistemit të vlerave dhe ruajtjes së vlerave kombëtare e fetare. Sot kemi të rinj shumë të formuar intelektualisht, kombëtarisht, njerëzisht e fetarisht. Kjo dikujt po i pengon. Disa që “hanë bukën e popullit e i bëjnë punë shkaut”, apo që kanë lënë personalitetin e vet në hipotekë shërbimeve të zymta (të jashtme e të brendshme) si rezultat i gishtit me mjaltë, që dikush ua ka lyer buzët, e tash për ta dëshmuar veten para padronëve të tyre që i mbajnë me të holla dhe avancojnë karrierën e tyre, në çdo dështim të idesë së tyre, apo në çdo hap tonin përpara, janë të parët që ndezin zjarrin e reagojnë me tone të ashpra duke akuzuar, sharë, fyer e ofenduar, pa asnjë bazë, përkrahësit e ideve dhe mendimeve që janë ndryshe nga të tyret. Rasti i shamisë është një problem i ngjashëm me atë që potencuam më lartë. Është një dukuri që disa vite me radhë po e dëmton shoqërinë shqiptare. Diçka që as në ankthin më të tmerrshëm nuk kisha mundur ta paramendoj se në vendin tim kjo gjë mund të ndodhë. Askush as në imagjinatat më të tmerrshme nuk e kishte menduar se në shtetin në për të cilin flijoi vëllain, iu djeg shpija e fshati të cilin e mbrojti në ditët më të vështira, sot, po ky shtet i ëndrrave të tij ia mohon vajzës së tij shkuarjen në shkollë, e veshur siç ia parashkruan feja e saj dhe Zoti i saj, të cilit ajo, babai i vet dhe dëshmorët e Kosovës dhe shqiptarisë i besojnë dhe i besuan. Ky fakt vjen si rezultat i “mbulesës” së realitetit që vjen nga disa persona të vetëshpallur si intelektualë që keqpërdorin pozitat e tyre si gazetarë, pronarë të mediumeve, redaktorë, analistë, shkrimtarë.... Si rezultat i injorancës së tyre, në publik lansojnë teza që aspak nuk kanë të bëjnë me realitetin as shoqëror, as historik e as faktik. Frikojnë popullin me teza se kinse po na rrezikohet qenia jonë kombëtare, pastaj dalin në mbrojtje edhe të Islamit “tradicional” (që as erë nuk kanë se çka do të thotë kjo), brengosen për Islamin evropian, për të cilin as ide nuk kanë se çka është, e keqinterpretojnë tezat dhe faktet historike duke menduar se populli po ha kashtë e me të do t’ua hajë edhe idetë e tyre të sëmura. Janë edhe disa persona të besimit të krishterë që flasin gjuhën tonë e të shtyrë nga situata momentale, ngritin zërin e urrejtjes duke hedhur benzinë në këtë flakë të vogël. Janë këta disa zëdhënës të disa klerikëve katolikë që fatmirësisht shumë herët u zbuluan. Ata të dështuarit dhe këta që janë rrugës së tyre janë atdhetarë falso. Veprat e tyre janë tërësisht të kundërta me ato që i shprehin nëpër mediume. Atdhetaria e tyre ishte dhe është vetëm maskë e mjet për të arritur synimin e tyre, largimin e shqiptarëve nga feja e tyre – Islami. Ata, si minoritet fetar në mesin e shqiptarisë, e si mikropakicë në Kosovë, keqpërdorin besimin dhe tolerancën e shumicës muslimane, që i ka privilegjuar, përkrahur dhe ruajtur pa ndjerë dallimin në besim që e kanë pasur deri dje. Po flas në të kaluarën se me këtë që po bëjnë, ata po ia bëjnë sherrin vetes dhe së ardhmes së tyre, në këtë troje dhe së bashku me ne. Kjo luftë që më së shumti po i godet disa motra tona, që kanë vendosur të mbrojnë trupin e tyre, në përputhje me normat e besimit të tyre. Është kjo një luftë e padrejtë dhe me fitore të sigurt për popullin dhe ato motra tona të ndershme. Për këtë jam shumë i sigurtë. - Do të jetë një fitore e sigurt, se motrat tona janë në të drejtë dhe po na bëhet padrejtësi. - Do të jetë një fitore e jona sepse jemi shumicë e në lojërat e demokracisë, sado që të vonohet, shumica prapë do të fitojë. Majorizuesit do të përfundojnë si diktatorët që dita ditës po bien si kulla prej letre. Vullnetin e popullit nuk mund ta ndalë askush. - Do të jetë një fitore se sulmuesit dhe provokuesit, janë duke i bërë tentativat e fundit për t’i shpëtuar idetë që moti i ka shkeluar koha. Sistemi i tyre që nëpërmjet frikës, gënjeshtrës, vjedhjes e mashtrimit, ta sundojnë popullitn, dalngadalë po tretet. - Do të jetë një fitore, sepse jemi shqiptarë, e shqiptari gjithmonë për çështje nderi, nëne, motre e grua, ka sakrifikuar me jetë, me mall e gjithçka. - Do të jetë një fitore, sepse ne jetojmë për fytyrë e për nder, e në këtë rast, nuk do të lejojmë që nderi i motrave tona e në të njëjtën kohë edhe nderi ynë dhe i familjeve tona të nëpërkëmbet. U japim shpresë motrave tona, se ditëve të tyre larg bankave të shkollës u ka ardhur fundi. Se këto ditë mërzie për to, dhëntë Zoti që të kompensohen me të mira të pafundme në këtë botë dhe botën e përtejme. Këto motra e dinë se janë duke sakrifikuar që e vërteta të dalë në shesh. Janë duke sakrifikuar që të mos mohohet një obligim i Allahut, e Allahu nuk e vështirëson gjendjen e askujt, sidomos kur bëhet fjalë për diçka që Ai e obligon nëpërmjet Fjalës së Tij, Kuranit Famëmadh. - Do të jetë kjo një fitore, sepse Zoti është në anën tonë. E kur Zoti është në anën tonë, gjithçka tjetër përballë nesh është shumë e vogël. Andaj, ne të ecim qetë në rrugën tonë, duke u mburrur me këtë që jemi. Duke e mbajtur ballin lart për fenë së cilës i përkasim dhe duke qenë krenarë që jemi muslimanë, siç thotë ilahia: “Do të gëzojë ky din merita/Ku hyn nata edhe dita/Se kjo fe nuk mposhtet kurrë/Drita e diellit nuk zihet me duar!” Do ta përfundoj me fjalët e poetit ku thotë: “Islami është sikur dielli, Me të fryrë nuk shuhet, Me të mbyllur sytë nuk bëhet natë, Ai që i mbyll sytë vetëm vetes i bën terr.”