Wednesday, April 21, 2010

Të uritur përballë (pa)drejtësisë

Greva e urisë është një nga metodat më të dhimbshme nëpërmjet së cilës një individ apo një grup i caktuar shprehë revoltën e vet, për ndonjë çështje apo për ndonjë gjë të caktuar. Historia njeh shumë raste të tilla, ku popuj dhe grupe të ndryshëm kanë aplikuar këtë metodë për tërheqjen e vëmendjes së pushtetit, opinionit publik, faktorit ndërkombëtarë e kështu me radhë, në lidhje me pakënaqësinë për ndonjë vendin, veprim, heshtje, apo ndonjë akt tjetër. Edhe historia jonë si shqiptarë në këto troje njeh raste të tilla. Bile, bile, kur përmendet greva gjëja e parë që më bie ndërmend është rezistenca e vëllezërve tanë në Kosovë në kohën e represalieve të papara serbe. Më kujtohet rezistenca e paparë e minatorëve, arsimtarëve, nxënësve punëtorëve etj. Kjo kishte një jehonë shumë pozitive për procesin në të cilin ishte përcaktuar të ec popullata e Kosovës. Ishte një tullë shumë e fortë dhe e madhe në “murin” e pavarësisë.
Nëpërmjet këtij shkrimi dëshiroj që unë si shkrues i këtyre rreshtave, gazeta që e boton dhe ju si lexues, të gjithë të kontribuojmë e të solidarizohemi me ata vëllezër tanë nga i njëjti gjak, gjuhë, komb e fe. Me ata që, kur ne sot i mbushim barqet tona me ushqime të llojllojshme, ata në qelitë e burgjeve me grevë urie shprehin revoltën kundër padrejtësisë që u bëhet. Zaten, këtë e kanë mjetin e fundit, që mund ta aplikojnë prapa grilave të burgut. Vëllezërit tanë, zgjodhën këtë rrugëtim të rëndë, për t’i treguar popullatës dhe udhëheqësisë së këtij shteti se dikush është duke vuajtur pa faj, dikush është bërë viktimë e lojërave të fëlliqura të një politike të papjekur dhe mediokre, dikush është bërë lodër e marketingjeve politike para dhe pas zgjedhore, dikush vuan nga drejtësia e “killavt”, dikush vuan si rezultat se dikush tjetër është qyqe dhe shikon ta ruan veç prapanicën e vet. Pra, dikush po vuan me të vërtetë.....
Ata po vuajnë, se edhe të gjithë ne, nuk jemi si duhet. Ata po vuajnë jo vetëm se politika dhe institucionet nuk dëshirojnë të kenë ndjenjë për drejtësi, por ata po vuajnë se edhe ne si qytetarë jemi bërë njëjtë, sikur institucionet, të “killavt”. Kam një bindje se ne si shoqëri kemi mungesë të vetëdijes kolektive. Këtë po e them pa përjashtuar as veten si pjesë e kësaj shoqërie.
Nuk e di deri kur do të zgjasë kështu? Ku mbeti “burrëria” jonë? Ku mbeti solidarizimi që me shekuj jemi krenuar se e kemi? A po e provojmë që ditën e nesërme ta bojkotojmë ushqimin tonë, e ta shohim sa e vështirë qenka një rrugë e tillë? Si do të ndiheshim kur baballarët tanë t’i kishim nëpër burgje, të sëmurë dhe të molisur? Si do të ndiheshim, kur fëmijët tanë, mos t’i kishim pranë? Realisht, si do të ndiheshim, po të ishim në një rast të tillë, qoftë brenda apo jashtë burgut?
Janë këto veç disa përkujtime që dua t’ia bëj vetes dhe gjithë juve, se gjërat po nuk i përjetuam në lëkurën tonë, vështirë është tua dish të tjerëve.
Për pushtetin, nuk kemi çka të flasim. Është folur e përfolur. Gjithçka që thuhet më është bërë bajate. Gjitha atributet e këqija që do t’ua ngjisim u përshtaten për mrekulli. Ajo që ka mbetur akoma pa e dhënë kontributin e vet është shoqëria civile. Besoni se, nëse vërtetë e ngrit zërin do të ketë jehonë të paparë. Për këtë, duhet të kemi vetëm vendosmëri dhe durim. Vetëm duhet të vendosim që ta arsyetojmë emrin që e bartim. Vetëm duhet të sakrifikojmë pak dhe ju garantoj se qëllimi do të arrihet. Kuptojeni këtë shkrim si të doni, vetëm se u kisha lutur që të kuptohet edhe si thirrje për sektorin civil që t’i jap hakun fushës së vet të veprimit. Për momentin sektori civil duhet të jetë arma më e fortë e veprimit. Duhet që shoqatat civile, lëvizjet qytetare, organizatat e ndryshme, të dalin prej petkut politik, së paku kësaj here, por edhe prej faqeve të internetit, të bëhen një zë i përbashkët, e t’i mbushim plot e përplot rrugët e Shkupit. Të mblidhmi të gjithë para Gjyqit Suprem edhe aty, së bashku me familjarët e viktimave të “Rastit të Sopotit” t’i vendosim tendat e të përgatitemi të qëndrojmë deri në sjelljen e vendimit pozitiv për lirimin e të burgosurve të pafajshëm dhe gjetjen e fajtorit të vërtetë.
Si individ, përshëndes zërat e disa subjekteve që paralajmëruan ngritjen e një iniciative të tillë. Lus Zotin të ketë jehonë dhe sa më parë iniciativa e tillë të dalë në veprim konkret. Kisha lutur që kësaj radhe të heqim dorë nga bajraktarizmi dhe afirmimi personal. T’u bëhet ftesë të gjitha subjekteve civile. Të formohet një grup koordinues dhe punët të menaxhohet me gjakftohtësi dhe maturi. Mos të bëjmë sikur për shumë punë tjera deri tash. Një protestë sado e madhe të jetë dhe puna të mbarojë me kaq. Të bëhet një front i përbashkët qytetar, për t’i thënë një NDAL të madhe të gjitha vendimeve ksenofobe dhe antinjerëzore që i bën “drejtësia” maqedonase e zhytur deri në fyt në fëlliqësinë politike.

(Ky shkrim u botua në Gazetën Koha të datës 22 prill 2010)

Tuesday, April 6, 2010

A ka opozitë në këtë vend?

Republika e Maqedonisë u pavarësua nga RSF e Jugosllavisë në vitin 1991. Për herë të parë në histori, populli me origjinë sllave, që mori emrin nga krahina antike e Maqedonisë, fi toi shtetin e vet. Për këtë, falënderim I veçantë i takon ish liderit socialist të RSFJ-së Titos, pasi se Maqedonia e Vardarit, që pas Luftërave Ballkanike i takoi Serbisë, arriti të marrë statusin e Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave në vitin 1945, që me shpërbërjen e Jugosllavisë, populli maqedonas nëpërmjet referendumit, shprehu vullnetin e tij për shtet të pavarur dhe sovran. Procesin e mëvetësimit kryesisht e udhëhoqën liderët ishkomunistë të “kthyer” në socialdemokratë, me në krye kryetarin e parë të Maqedonisë së pavarur Kiro Gligorovin, që në sistemin shumëpartiak garonin nëpërmjet Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM-së). Edhe përkundër faktit, se kjo parti i ka humbur gati të gjitha zgjedhjet direkte me partinë nacionaliste maqedonase VMRO–DPMNE (Organizata e brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar Maqedonas), mirëpo nëpërmjet koalicioneve të gjëra me partitë më të vogla majtiste dhe të qendrës, kjo parti, ka arritur që në proceset vendimtare të ecjes së Maqedonisë, të jetë bartës i proceseve.

Situata politike në bllokun maqedonas

Me Maqedoninë, gati se dy mandate po udhëheqin nacionalistët e djathtë. Fillimisht si bashkëpjesëmarrës në qeveri e kishin Partinë Demokratike Shqiptare, e më pas edhe Bashkimin Demokratik për Integrim. VMRO-DPMNE-ja, besimin e popullatës maqedonase e fi toi duke ofruar një platformë ekonomike të titulluar si “Rilindja në 100 hapa”. Për ta ngritur rejtingun dhe besimin e vet te popullata, padyshim se ishte edhe zhargitja dhe ngadalësimi i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe tentimet e pandërprera për anashkalimin e saj. Kjo shumë qartë u pa me marrjen në pushtet Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, pas zgjedhjeve të vitit 2006 edhe pse kjo parti nuk i kishte fi tuar zgjedhjet në bllokun shqiptar. Pas reagimeve të ashpra të faktorit shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar, erdhi deri te zgjedhjet e parakohshme, ku VMRO-DPMNE-ja e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, arriti jo vetëm të fitojë, por edhe ta rrisë pushtetin e vet, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë edhe pa ndonjë parti shqiptare. Por, duke u nisur nga rregulli i pashkruar, se në qeveri duhet të ketë edhe një parti shqiptare, kësaj radhe, Gruevski u detyrua, që si partner koalicioni ta marrë BDI-në e Ali Ahmetit.

A ka shpresë për bllokun opozitar në Maqedoni

Opozita maqedonase sot është e tkurrur më shumë se çdo here tjetër. Tentativat e liderit të LSDM-së, për formimin e një blloku të vetëm opozitar, hasi në mospajtim me partnerin strategjik të kësaj partie, Partinë Liberal Demokrate të drejtuar nga Jovan Manasievski. Sipas këtij të fundit, opsioni i të pozicionuarit të gjithë nën ombrellën e Cërvenkovskit, është i dëmshëm sepse me këtë hap, do t’i jepet rasti Gruevskit të gjithë t’i sulmojë njëherazi. Përveç kësaj, një numër i madh i partive që më parë ishin të afërta me bllokun e majtë, veçse kanë krijuar marrëdhënie të ngushta me kryeministrin aktual. Fakt tjetër janë edhe partitë e grupeve tjera etnike në Maqedoni, si romët, turqit, boshnjakët dhe serbët, të cilët, të gjithë veçmas po i jetojnë privilegjet e të qenit në qeveri. Kështu që disa mijëra vota të sigurta që blloku opozitar i kishte paramenduar t’i marrë nga këto bashkësi, ato vështirë se do t’i ketë. Për momentin, blloku opozitar maqedonas, shpresën më të madhe për kthimin në pushtet e ka tek partitë shqiptare, që gjithnjë e më shumë po dëshprohen nga politika që po udhëheq kryeministri aktual. Partitë shqiptare, mund të llogariten si kontribuuesit më të mëdhenj për rënien e rejtingut të partisë kryesore opozitare maqedonase, duke ia hedhur fajin për gjithë fatkeqësitë që u kishin ndodhur shqiptarëve prej mëvetësimit të Maqedonisë. Në të shumtën e rasteve, drejtimi i akuzave kah krerët e LSDM-së, ishin më tepër për interesa partiake, sesa kombëtare. Qëllimi i disa nga partive shqiptare që vepronin kështu, ishte që të afrohen më tepër me liderët nacionalistë si Lubço Georgievski dhe më vonë Nikolla Gruevski, me qëllim të bashkëqeverisjes me ta. Kjo në njëfarë mënyre ndikoi në dobësimin e opozitës së sotme dhe arritjen e pushtetit gati se absolut të forcave të djathta nacionaliste. Tentativa për afrimin e shqiptarëve, ka bërë që kohëve të fundit disa nga udhëheqësit e vjetër të shtetit, të po kësaj partie, që karrierën e tyre politike e ndërtuan duke keqtrajtuar shqiptarë, sidomos në rastet e Bit Pazarit, Ladorishtës, Gostivarit, Universitetit të Tetovës e kështu me radhë, sot janë kthyer në shqiptarofilët më të mëdhenj, duke kërkuar të drejta për shqiptarët, në disa raste edhe më shumë se vet partitë shqiptare. Aspak nuk na habit kjo retorikë e tyre. Këta të fundit, që në të shumtën e rasteve janë nga qarqet akademike, por edhe funksionarë të mëparshëm, akoma nuk i kanë pastruar duart e tyre nga “gjaku” shqiptar, e sot kërkojnë jetësimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit. Ajo që i bën të deklarohen në këtë mënyrë padyshim se është vizioni i tyre për shtetin, duke i kuptuar shqiptarët si faktorë në rritje në rajon, por në të njëjtën kohë edhe afrimi me faktorin politik shqiptar, si mundësi e vetme për të ardhur në pushtet.

Përkrahës i origjinës sllave për maqedonasit e sotëm

Për dallim nga partia aktuale në pushtet, LSDM-ja pranon realitetin sllav për Maqedoninë dhe maqedonasit. Bile, kohëve të fundit nga mediat pro-qeveritare u aktualizua edhe deklarata e kryetarit të parë të Maqedonisë, Gligorovit, se “ne jemi sllavë, dhe se ne nuk kemi asnjë farë lidhjeje me Aleksandërin e Madh”. Kjo deklaratë në esencë dallon nga koncepti që promovohet nga VMRO-ja se kinse, maqedonasit e sotëm janë trashëgimtarët e atyre antikë, në të njëjtën kohë edhe trashëgimtarët e Aleksandrit, të birit të Filipit të II. Koncept ky që është shkaktari kryesor për bllokimin e Maqedonisë në proceset euro-atlantike, si orientime strategjike të këtij vendi. Me rritjen e retorikës për origjinën antike të maqedonasve të sotëm, Greqia që disponon me të drejtën e vetos, gjithnjë e më ashpër po reagon duke bllokuar dy herë integrimin e Maqedonisë për në NATO dhe BE. Çështja e antikitetit për Greqinë është shumë e ndjeshme, sepse Greqia llogarit veten si trashëgimtari kryesorë i këtij civilizimi.

Maqedonia dhe proceset euroatlantike

Viteve të fundit Maqedonia gjendet në një pozitë teje të pavolitshme, sa i përket proceseve euroatlantike. Kjo sidomos vërehet pas vetos greke në Bukuresht, për pranimin në NATO dhe asaj për fi llimin e negociatave me BE-në. Kjo erdhi si rezultat i acarimit të marrëdhënieve me Greqinë për problemin me emrin. Për këto dështime, si zakonisht faji u hodh mbi partinë qeveritare dhe liderin e saj Gruevski, kinse për aktualizimin e procesit të antikitetit, por edhe mos-shprehjen e interesimit të nevojshëm për zgjidhjen e problemit me fqinjin jugor, sa i përket emrit të shtetit, por edhe mos angazhimin e nevojshëm për proceset euroatlantike si orientime strategjike për Maqedoninë. Përveç kësaj, edhe për kokëfortësinë dhe mos lëshimin pe, për këto tema kaq të rëndësishme për vendin.Garnitura qeveritare, frikohet se kompromisi eventual për emrin me Greqinë, do të sjellë edhe rënien e popullaritetit të kryeministrit aktual dhe parties së tij, kështu që, si rezultat i kësaj po mbahet peng i gjithë shteti. Opozitarët e sotëm janë dëshmuar si më të vendosur dhe më të pjekur në aspektin diplomatik, sa u përket marrëdhënieve me Greqinë. Edhe pse paralelisht udhëhiqnin bisedimet për emrin, me mjaft mjeshtri avanconin proceset integruese, ku si rezultat i kësaj Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për në BE.

Pozita e shqiptarëve në gjithë këtë lëmsh

Shqiptarët tradicionalisht kanë qenë partner të njërës apo tjetrës parti maqedonase. Gjendja aktuale në bllokun maqedonas, ku njëra parti disponon shumicën absolute, dhe tjetra qëndron shumë dobët, kërkon një strategji më të mençur të faktorit politik shqiptar. Momentalisht, kur VMRO-ja disponon me shumicë absolute në të gjitha sferat e pushtetit (63 deputetë prej 120 sa ka i gjithë parlamenti i RM-së, qeverinë edhe kryetarin e shtetit), fuqia e faktorit shqiptar është gati se e pandikueshme. Për shqiptarët e Maqedonisë, është më se i dobishëm kur në bllokun maqedonas kemi një raport më të balancuar të forcave politike. Sepse në raste të tilla, faktori politik shqiptar do të jetë vendimtar për themelimin e qeverisë, si në njërin, ashtu edhe në bllokun tjetër. Vetëm për këtë arsye shqiptarët duhet të kontribuojnë për balancimin e forcave në bllokun politik maqedonas, sepse, në raste të tilla, pazari politik për ne shqiptarët do të jetë më i volitshëm. Kurse, sa i përket dallimeve ndërmjet ideve të Cërvenkovskit dhe Gruevskit në raport me shqiptarët,këta i dallojnë vetëm ngjyrat partiake.

(Ky shkrim është botuar në numrin 9 të Gazetës Impakt - Tiranë)