Wednesday, April 21, 2010

Të uritur përballë (pa)drejtësisë

Greva e urisë është një nga metodat më të dhimbshme nëpërmjet së cilës një individ apo një grup i caktuar shprehë revoltën e vet, për ndonjë çështje apo për ndonjë gjë të caktuar. Historia njeh shumë raste të tilla, ku popuj dhe grupe të ndryshëm kanë aplikuar këtë metodë për tërheqjen e vëmendjes së pushtetit, opinionit publik, faktorit ndërkombëtarë e kështu me radhë, në lidhje me pakënaqësinë për ndonjë vendin, veprim, heshtje, apo ndonjë akt tjetër. Edhe historia jonë si shqiptarë në këto troje njeh raste të tilla. Bile, bile, kur përmendet greva gjëja e parë që më bie ndërmend është rezistenca e vëllezërve tanë në Kosovë në kohën e represalieve të papara serbe. Më kujtohet rezistenca e paparë e minatorëve, arsimtarëve, nxënësve punëtorëve etj. Kjo kishte një jehonë shumë pozitive për procesin në të cilin ishte përcaktuar të ec popullata e Kosovës. Ishte një tullë shumë e fortë dhe e madhe në “murin” e pavarësisë.
Nëpërmjet këtij shkrimi dëshiroj që unë si shkrues i këtyre rreshtave, gazeta që e boton dhe ju si lexues, të gjithë të kontribuojmë e të solidarizohemi me ata vëllezër tanë nga i njëjti gjak, gjuhë, komb e fe. Me ata që, kur ne sot i mbushim barqet tona me ushqime të llojllojshme, ata në qelitë e burgjeve me grevë urie shprehin revoltën kundër padrejtësisë që u bëhet. Zaten, këtë e kanë mjetin e fundit, që mund ta aplikojnë prapa grilave të burgut. Vëllezërit tanë, zgjodhën këtë rrugëtim të rëndë, për t’i treguar popullatës dhe udhëheqësisë së këtij shteti se dikush është duke vuajtur pa faj, dikush është bërë viktimë e lojërave të fëlliqura të një politike të papjekur dhe mediokre, dikush është bërë lodër e marketingjeve politike para dhe pas zgjedhore, dikush vuan nga drejtësia e “killavt”, dikush vuan si rezultat se dikush tjetër është qyqe dhe shikon ta ruan veç prapanicën e vet. Pra, dikush po vuan me të vërtetë.....
Ata po vuajnë, se edhe të gjithë ne, nuk jemi si duhet. Ata po vuajnë jo vetëm se politika dhe institucionet nuk dëshirojnë të kenë ndjenjë për drejtësi, por ata po vuajnë se edhe ne si qytetarë jemi bërë njëjtë, sikur institucionet, të “killavt”. Kam një bindje se ne si shoqëri kemi mungesë të vetëdijes kolektive. Këtë po e them pa përjashtuar as veten si pjesë e kësaj shoqërie.
Nuk e di deri kur do të zgjasë kështu? Ku mbeti “burrëria” jonë? Ku mbeti solidarizimi që me shekuj jemi krenuar se e kemi? A po e provojmë që ditën e nesërme ta bojkotojmë ushqimin tonë, e ta shohim sa e vështirë qenka një rrugë e tillë? Si do të ndiheshim kur baballarët tanë t’i kishim nëpër burgje, të sëmurë dhe të molisur? Si do të ndiheshim, kur fëmijët tanë, mos t’i kishim pranë? Realisht, si do të ndiheshim, po të ishim në një rast të tillë, qoftë brenda apo jashtë burgut?
Janë këto veç disa përkujtime që dua t’ia bëj vetes dhe gjithë juve, se gjërat po nuk i përjetuam në lëkurën tonë, vështirë është tua dish të tjerëve.
Për pushtetin, nuk kemi çka të flasim. Është folur e përfolur. Gjithçka që thuhet më është bërë bajate. Gjitha atributet e këqija që do t’ua ngjisim u përshtaten për mrekulli. Ajo që ka mbetur akoma pa e dhënë kontributin e vet është shoqëria civile. Besoni se, nëse vërtetë e ngrit zërin do të ketë jehonë të paparë. Për këtë, duhet të kemi vetëm vendosmëri dhe durim. Vetëm duhet të vendosim që ta arsyetojmë emrin që e bartim. Vetëm duhet të sakrifikojmë pak dhe ju garantoj se qëllimi do të arrihet. Kuptojeni këtë shkrim si të doni, vetëm se u kisha lutur që të kuptohet edhe si thirrje për sektorin civil që t’i jap hakun fushës së vet të veprimit. Për momentin sektori civil duhet të jetë arma më e fortë e veprimit. Duhet që shoqatat civile, lëvizjet qytetare, organizatat e ndryshme, të dalin prej petkut politik, së paku kësaj here, por edhe prej faqeve të internetit, të bëhen një zë i përbashkët, e t’i mbushim plot e përplot rrugët e Shkupit. Të mblidhmi të gjithë para Gjyqit Suprem edhe aty, së bashku me familjarët e viktimave të “Rastit të Sopotit” t’i vendosim tendat e të përgatitemi të qëndrojmë deri në sjelljen e vendimit pozitiv për lirimin e të burgosurve të pafajshëm dhe gjetjen e fajtorit të vërtetë.
Si individ, përshëndes zërat e disa subjekteve që paralajmëruan ngritjen e një iniciative të tillë. Lus Zotin të ketë jehonë dhe sa më parë iniciativa e tillë të dalë në veprim konkret. Kisha lutur që kësaj radhe të heqim dorë nga bajraktarizmi dhe afirmimi personal. T’u bëhet ftesë të gjitha subjekteve civile. Të formohet një grup koordinues dhe punët të menaxhohet me gjakftohtësi dhe maturi. Mos të bëjmë sikur për shumë punë tjera deri tash. Një protestë sado e madhe të jetë dhe puna të mbarojë me kaq. Të bëhet një front i përbashkët qytetar, për t’i thënë një NDAL të madhe të gjitha vendimeve ksenofobe dhe antinjerëzore që i bën “drejtësia” maqedonase e zhytur deri në fyt në fëlliqësinë politike.

(Ky shkrim u botua në Gazetën Koha të datës 22 prill 2010)

No comments: