Tuesday, July 29, 2008

VIZA EDHE PËR NË PRESHEVË


Arrestimi i njërit nga kriminelët e Bosnjës dhe Ballkanit ishte top lajm gati se në të gjitha mediumet botërore. Misteri i mbijetesës së Karaxhiqit, u bë më se i qartë. U zbulua se pas tij qëndron shërbimi sekret serb e pas tij edhe i gjithë shteti serb, por normalisht edhe aleatët e saj, gjë që dëshmon se sa Serbia ka bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës deri tani. Për të qenë edhe më i habitshëm ky rast, njëri ndër kriminelët më të kërkuar në botë kishte shëtitur gati se gjithë botën me misionin e tij të famshëm të mjekut alternativ me identitetin e ri të tij të krijuar dhe ndërtuar mjaft mirë.

Pazari i mirë që po e bën Serbia edhe njëherë dëshmon për diplomacinë e fortë serbo-ruse, në nxjerrjen e këtij shteti nga kriza e thellë që gjendej. Serbia përjetoi disa lufta brenda më pak se 10 viteve, ku të gjitha i humbi, por sot prap se prap ka arritur të mbaj një stabilitet ekonomik por edhe një avancim të shpejtë në aspektin diplomatik dhe politik.

Liderët serb në krye me akademinë e shkencave serbe dhe kishën ortodokse serbe mjaft mirë po i menaxhojnë punët e tyre. Po i bëjnë hapat e duhur në momentin duhur. Normalisht me nacionalizmin dhe shovinizmin e tyre, po arrisin që dalëngadalë t’i realizojnë qëllimet e tyre. Arrestimi dhe dorëzimi i Karaxhiqit ishte një përgjegjësi e madhe për partinë e presidentit Tadiq i cili mori kërcënime edhe nga më të rëndat si ajo se do ta pësojë fatin e ish kryeministrit Zoran Gjingjiq. Por, me siguri vetëdija e lartë kombëtarë dhe fetare si dhe vënia e interesave të shtetit në rend të parë po i bëjnë që këta liderë të vazhdojnë me proceset politike edhe përkundër kërcënimeve me jetërat e tyre.

Normalisht këtu rol të madh luan edhe “zonja e vjetër” e cila për interesat e veta gjeostrategjike po i shkel parimet e saja dhe gjithnjë e më shpesh po vien në shprehje standardet e saja të dyfishta. Në këtë rast, interesi më i madh i Evropës është zbutja dhe dobësimi i faktorit radikal dhe nacionalist në Serbi i cili vite me radhë ka pasur fuqinë dominonte në këtë vend të Ballkanit.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, popullit serb iu premtua statusi i kandidatit për në Unionin Evropian nëse heq dorë nga partia radikale e si stimulim për këtë ishte nënshkrimi i marrëveshjes për stabilizim asocim. Arrestimi i Karaxhiqit solli përgëzime të qarta nga Brukseli, duke e përgëzuar Serbinë për të arriturat e saja demokratike, si dhe përparimin e saj në plotësimin e standardeve për integrim në UE, bile edhe duke e krahasuar në nivel të njëjtë me Kroacinë si vend me status të kandidatit për në UE, duke i lënë mbrapa Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Normalisht, stimulimi i popullit serb për ta kthyer kah Evropa është dashur të jetë më i madh, mirëpo jo edhe në atë masë, sa për t’i kaluar fazat e paracaktuara që duhet t’i kaloj një shtet në procesin e integrimit të plotë për në UE si dhe për t’i harruar masakrat dhe gjenocidet e kryera brenda periudhës së shformimit të ish Jugosllavisë. Këto edhe pse ishin të kryera në kohën e fashistit Millosheviq, ishte po ky lider që me bekimin e kishës së tij dhe popullit të tij i kreu ato dhe vazhdon akoma të mbetet hero i këtij populli. Populli serb dhe Republika e Serbisë duhet të kërkojë falje për aktet e kryera në Ballkan në dekadën e fundit të shekullit të kaluar e pastaj të fillojnë proceset euroaltantike.

Ajo që vlen të mirret si shembull në gjithë këtë është loja e fortë diplomatike e Serbisë, që për momentin vlerësohet me notë maksimale. Kjo dëshmon për vetëdije të lartë të udhëheqësisë serbe në menaxhimin e shtetit të tyre, të cilët çdo hap të bërë po e shpaguajnë me çmim shumë të lartë për vendin e tyre. Fitore në zgjedhjet për demokratët, nënshkrim i marrëveshjes për stabilizim asocim, dorëzim i Karaxhiqit, status të kandidatit për në UE, pastaj me siguri dorëzim edhe të Ratko Mlladiqit për anëtarësim të plotë në UE, e krejt për në fund edhe pranim dhe njohja e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO.

Kjo ndoshta ishte e thënë me ironi të tepruar, por vlen pak të analizohet nga liderët e vendeve për rreth Serbisë, se në diplomaci poltronizmi rrallë herë ka kryer punë.

Ajo që më së shumti po më tangon për momentin është ngecja e Maqedonisë në proceset e lartcekura, ku Republikës së Maqedonisë çdo ditë e më shumë po i zgjatet rruga për në UE. Problemet e mëdha, e që janë gjithnjë në rritje me Greqinë në lidhje me emrin dhe identitetin maqedon, pastaj mos funksionimi i një opozite konstruktive si dhe ngecja e dialogut politik në proceset vendimtare për shtetin me dhjetëra herë janë të cekura si vërejtje nga Brukseli, raste këto për të cilat blloku maqedon bëhet shurdh.

Shqiptarët e Maqedonisë deri para pak kohe llogariteshin si të parët nga pjesa tjetër e kombit, që do ta shijojnë anëtarësimin e plotë në UE, por me ngjarjet e fundit që po rrjedhin në këtë vend e veçanërisht pas Samitit të Bukureshtit, ku politika maqedone u bind se ajo që bënte Greqia në lidhje me emrin nuk ishte një blef por një problem shumë serioz. Në këtë rast, politikanët shqiptarë në Maqedoni, si dhe faktorët tjerë relevant në vend si ata të sektorit qeveritarë dhe joqeveritarë duhet t’ia bëjnë me dije Gruevskit dhe lidershipit maqedonas se shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të jenë peng i çështjeve të tyre historike dhe problemeve të identitetit me Greqinë, problem ky që po e shpie Maqedoninë drejt një izolimi total. Duhet të kërkohet një afat për zgjidhjen e problemit me Greqinë, pasi se sipas asaj që po ndodh, as era zgjidhje nuk është duke ardhur, pas të cilit afat, normalisht nëse nuk ka zgjidhje duhet të ndërrohet kahja e politikës shqiptare në Maqedoni.

Tuesday, July 15, 2008

A...i dhe “Nëna Tereze”

Shumë çka është shkruar. Libra të autorizuar e të paautorizuar, shkrime, ekspozita, simpoziume shkencore letrare etj. Besoj shumë si shkak i famës së saj dhe misionit që ajo barte mbi supet se veta e më pak si rezultat i personalitetit të saj.

Para se të thotë njeriu diçka mirë është ta peshojë “fjalën” e tij, se siç thotë populli, tri herë mate e njëherë preje, sepse po e prejte gabimisht mundësia për përmirësim është minimale. Apo, edhe një fjali tjetër nga thesari jonë i pasur popullor ku thuhet, nëse fjala është argjend, heshtja është ar. Nganjëherë është shumë më mirë të heshtësh.

Me këtë kisha dashur fillimisht ti replikoj autorit të tekstit, mikut tim shumë të çmuar A.I.-t duke aluduar në hamendjet e tij për të bërë një tekst të tillë si ai me titull “Nënë Tereza, nëna jonë” të botuar në gazetën Koha më 15 korrik 2008.

Kohëve të fundit, gjithnjë e më të shpeshta janë bërë shkrimet dhe debatet e ndryshme që po zhvillohen në lidhje me identitetin e shqiptarëve. Edhe pse këto tema kanë qenë të zhvilluara edhe më herët, por kulminacionin e vet e zhvilluan me debatet e kolosëve të letërsisë shqiptare, Rexhep Qosjës dhe Ismail Kadaresë.

Çështja e “Nënë Terezës” normalisht se ka qenë është dhe prapë do të mbetet pjesë e këtyre debateve, duke e ditur, edhe njëherë po e cek, famën e saj dhe misionit që ajo barte mbi supe edhe normalisht se edhe gjatë historisë së civilizimeve, gjithmonë popujt janë identifikuar me personalitete të njohura duke i llogaritur si “baba i kombit”, i “shenjti i kombit” “prijësi i popullit” etj.

Te shqiptarët çështja e “Nënë Terezës” u aktualizua më tepër pas vdekjes së saj, konkretisht pas iniciativës së popullatës maqedone dhe shtetit të Republikës së Maqedonisë për ngritjen e monumenteve që përkujtonin jetën dhe veprën e saj. Realisht të shprehem nuk jam mjaft i informuar për veprat që janë bërë nga maqedonët për “shkupjanen Gonxhe Bojaxhiu” që më vonë mori titullin “Nëna Tereze”, por e di se kanë bërë diçka të tillë. Ndoshta jo edhe aq sa kërkojnë përkrahësit e saj, por kanë bërë diçka më tepër se sa duan mohuesit apo kundërshtarët e misionit të saj.

Derisa autorit të tekstit të publikuar në fjalë, po i duket e paqartë dhe kontradiktore pse maqedonët po marrin iniciativa për ndërtimin e shtëpisë së “Nënës Terezë” mua kjo gjë më duket shumë normale dhe hap i pritur prej tyre. Sa e dimë të gjithë, se Gonxhe Bojaxhiu ka qenë e lindur në Shkup edhe sipas informacioneve që janë zyrtare shtëpia e saj ka qenë diku në qendrën e Shkupit, respektivisht në sheshin kryesorë të kryeqytetit maqedonas, ku sot po zhvillohet luftë për çdo pëllëmbë të këtij sheshi si për ndërtimin e një kishe, apo katedrale ortodokse objekt ky që kurrë nuk ka ekzistuar në këtë vend, rindërtimin e xhamisë Burmali, objekt ky i rrënuar dhe i çrrënjuar nga ky vend, por edhe ndërtimi i shtëpisë muze të “Nënë Terezës”.

Në shumicën e debateve të zhvilluara, shumë të zëshëm ishin kundërshtarët e misionit të “Nënës Terezë” (po e ceki misionit, për shkak se personalisht me Gonxhe Bojaxhiun besoj se nuk ka të bëjë askush), duke treguar shkaqet dhe arsyet e famës së saj. Besoj se është një gjë e qartë në historinë dhe veprimtarinë e “Nënës Terezë”. “Nëna Terezë” famën e vet e fitoi si murgeshë katolike e jo si patriote, humaniste apo pacificte shqiptare. Gabim të madh bën autori i tekstit në fjalë kur “Nënën Terezë” e quan nënë shqiptare, gjë që edhe sikur ta dëgjonte vet “Nëna Terezë”do të revoltohej. Plus edhe një gjë shumë të rëndësishme, që vlen të theksohet këtu është shprehja se po të mbetej në Maqedoni do ta përjetonte fatin e dhjetëra apo qindra mijëra shqiptarëve që u detyruar në shpërngulen falë dhunës komuniste për në Turqi, me ç’rast dua të bindi autorin se një gjë e tillë kurrë nuk do të ndodhte falë besimit katoliko-krishterë të Gonxhe Bojaxhiut sepse asnjë shqiptarë katolikë nuk ka emigruar në Turqi, e pasoja që më shumë do të kishte mundësi të ndodhte do të ishte, humbja e identitetit kombëtarë si shumica e shqiptarëve të besimit krishterë që kanë jetuar në pjesën e djathtë të Vardarit.

Plus edhe një gjë shumë absurde, të jetë e njoftuar me fatin e popullit të vetë, ta dijë se në çfarë pozite është, edhe t’i shkëpusë të gjitha lidhjet, kjo me të vërtetë është shumë absurde, apo jo Amir i nderuar?

Mendoj se koha e romantizmit xhaferian ka kaluar A..r vëllau, edhe atë shumë moti saqë vështirë është të gjesh të gjallë ndonjë përfaqësues të romantizmit (përveç A. Xhaferit). Mendoj se duhet të jemi më realist në shqyrtimin e gjërave e sidomos të personaliteteve të njohura historike. Pastaj, nëse maqedonët duan ta nderojnë dhe ngrisin personalitetin dhe autoritetin e “Nënës Terezë” në bazë të asaj se ka qenë qytetare e Maqedonisë dhe personalitet i njohur, pse jo. Pastaj një gjë duhet ta dimë se maqedonasit dhe “Nënën Terezë” i lidh diçka shumë e shtrenjtë edhe për maqedonët edhe për “Nënën Tereze”.

Jam duke e vërejtur një gjë të rrezikshme tek shkruesit e rinj. Një se po i japin kosës aq shumë, saqë po u dalin zot shumë punëve që nuk janë kompetent, edhe një tjetër, se shpesh po i përziejnë emocionet me interesat. A..r i nderuar, të kesh kujdes në këtë të dytën. Me plot respekt dhe miqësisht.

Friday, July 11, 2008

A ERDHI DREJTËSIA NGA HAGA?



Derisa pjesa më e madhe e popullatës në Maqedonisë ishte e koncentruar rreth themelimit të qeverisë së re, çmimeve të larta të naftës, inflacionit dhe problemeve tjera, një pjesë e konsiderueshme e popullatës si asaj maqedone ashtu edhe asaj shqiptare në ankth e prisnin verdiktin përfundimtar të Gjykatës së Hagës në lidhje me gjykimin e dy të akuzuarve për krime lufte mbi popullatën shqiptare të Maqedonisë me rastin e Lubotenit.

Atë botë më 12 gusht të vitit 2001 ndodhi një masakër i vërtetë mbi popullatën shqiptare. Lubetenasit po edhe gjithë shqiptarët e Maqedonisë gjithmonë do t’i kujtojnë dhjetë të vrarët e kësaj ditë, por edhe mbi 100 të tjerë të malltretuar e të rrahur që edhe sot e kësaj dite i vuajnë pasojat.

Lajmi për ngritjen e akt padisë nga ana e Gjykatës së Hagës ishte një lehtësim për ata që më së tepërmi e ndjejnë dhimbjen e kësaj dite. Të gjithë ne, por në veçanti familjarët e atyre burrave që sot më nuk janë në mesin tonë, prisnin me padurim, gati shtatë vite të plota, që drejtësia të vij në vend, e së paku ata që shkaktuan këto dhimbje, ata që i bënë dhe i urdhëruan ato masakra ta marrin dënimin e merituar.

Shtatë vite shpresë dhe më në fund arriti edhe aktgjykimi. Gjykata e Hagës më 10.07.2008 në orët e pasdites solli vendimin e shumë pritur. Por ky vendim edhe më tepër ua shtoi dhimbjet shqiptarëve, e posaçërisht familjarëve të dëshmorëve të Lubetenit.

Ishim dëshmitarë të transmetimeve televizive të mediave në Maqedoni. Te të gjithë ata vëreheshin shenjat e mërzisë dhe pikëllimit dhe me lot në sy e komentonin vendimin e Gjykatës dhe ditën e paharruar të vrasjes së 10 bashkëfshatarëve të tyre, por edhe lirimin e kriminelit të luftës Lube Boshkovski, i cili si ministër i punëve të brendshme të Republikës së Maqedonisë e kishte urdhëruar aksionin policor në Lubeten më 12 gusht të vitit 2001, duke lënë pas dhjetë të vrarë dhe mbi njëqind të malltretuar.

Për tua lënë gëzimin në gjysmë palës maqedone, e njëjta Gjykatë vetëm disa sekonda më vonë shqiptoi aktgjykimin dënues për të akuzuarin e dytë në rastin “Luboten”, udhëheqësin e aksionit policor në Lubeten, Johan Tarçullovskin edhe atë me dënim prej 12 vjet burg, për vepër penale vrasje dhe maltretim sipas nenit 3 të Statutit të Gjykatës së Hagës.

Edhe pas kësaj publiku maqedonas kishte akoma fytyrë e të thirret në luftën e drejtë të popullit maqedon të 2001-shit. Sikur donin t’i bëjnë qejf vetes së tyre dhe para opinionit të fshehin të vërtetën e kësaj lufte.

Normalisht, nuk besoj se ka shqiptarë në Maqedoni apo edhe në të gjitha trojet që është gëzuar me lirimin e Boshkovskit. Por edhe nuk besoj se dikush është gëzuar me dënimin e Tarçullovksit. Sepse për njohësit e ligjit, akuza për vrasje të dhjetë vetave dhe maltretimit të njëqind të tjerëve dhe dënimi me 12 vjet burg është tepër i butë.

Kritikuesit e Gjykatës së Hagës do të kenë edhe një mundësi plus për të hedhur gurë mbi këtë institucion ndërkombëtar të themeluar në vitin 1993 enkas për t’i nxjerr në dritë krimet e bëra në luftërat që u zhvilluan në territorin e ish-Jugosllavisë. Mos nxjerrja para drejtësisë e kriminelëve të tjerë të luftërave në ish-Jugosllavi si: Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, mos arritja e shqiptimit të dënimit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit, por edhe lirimi i Boshkovskit janë edhe një dëshmi plus që kjo Gjykatë nuk e ka kryer punën si duhet.

Ana pozitive e këtij gjykimi, respektivisht sjellja e aktgjykimit dënues për njërin nga të akuzuarit dëshmon se në lutën e 2001-shit ka pasur vrasje të civilëve dhe personave të paarmatosur nga ana e “forcave të sigurisë” të RM-së dhe ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut rregullave të luftës, me ç’rast shihet edhe përgjegjësia e Republikës së Maqedonisë në këtë rast. Mundësi kjo që iu jep rast familjeve të të rënëve të asaj dite, por edhe atyre që kanë përjetuar maltretime të llojit të ndryshëm që para organeve kompetente gjyqësore të Maqedonisë të kërkojnë kompensim material dhe jomaterial.

Boshkovski edhe pse kaloi i padënuar nga Haga, për të dalë drejtësia në vend, duhet të përgjigjet edhe për një krim tjetër, konkretisht për rastin “Vreshtat e Rashtakut” për vrasjen e shtatë emigrantëve pakistanezë, rast ky i cili duhet të fillojë në gjykatat kompetente të Kroacisë, por pas amin-it të prokurorisë së Maqedonisë.

Shpresojmë drejtësia të vij në vend dhe kriminelët do të marrin dënimin e merituar për veprat e bëra.

Dënimi i Gjykatës së Hagës edhe njëherë dëshmon luftën dhe rezistencën e drejtë të shqiptarë të Maqedonisë në vitin 2001...