Friday, July 11, 2008

A ERDHI DREJTËSIA NGA HAGA?



Derisa pjesa më e madhe e popullatës në Maqedonisë ishte e koncentruar rreth themelimit të qeverisë së re, çmimeve të larta të naftës, inflacionit dhe problemeve tjera, një pjesë e konsiderueshme e popullatës si asaj maqedone ashtu edhe asaj shqiptare në ankth e prisnin verdiktin përfundimtar të Gjykatës së Hagës në lidhje me gjykimin e dy të akuzuarve për krime lufte mbi popullatën shqiptare të Maqedonisë me rastin e Lubotenit.

Atë botë më 12 gusht të vitit 2001 ndodhi një masakër i vërtetë mbi popullatën shqiptare. Lubetenasit po edhe gjithë shqiptarët e Maqedonisë gjithmonë do t’i kujtojnë dhjetë të vrarët e kësaj ditë, por edhe mbi 100 të tjerë të malltretuar e të rrahur që edhe sot e kësaj dite i vuajnë pasojat.

Lajmi për ngritjen e akt padisë nga ana e Gjykatës së Hagës ishte një lehtësim për ata që më së tepërmi e ndjejnë dhimbjen e kësaj dite. Të gjithë ne, por në veçanti familjarët e atyre burrave që sot më nuk janë në mesin tonë, prisnin me padurim, gati shtatë vite të plota, që drejtësia të vij në vend, e së paku ata që shkaktuan këto dhimbje, ata që i bënë dhe i urdhëruan ato masakra ta marrin dënimin e merituar.

Shtatë vite shpresë dhe më në fund arriti edhe aktgjykimi. Gjykata e Hagës më 10.07.2008 në orët e pasdites solli vendimin e shumë pritur. Por ky vendim edhe më tepër ua shtoi dhimbjet shqiptarëve, e posaçërisht familjarëve të dëshmorëve të Lubetenit.

Ishim dëshmitarë të transmetimeve televizive të mediave në Maqedoni. Te të gjithë ata vëreheshin shenjat e mërzisë dhe pikëllimit dhe me lot në sy e komentonin vendimin e Gjykatës dhe ditën e paharruar të vrasjes së 10 bashkëfshatarëve të tyre, por edhe lirimin e kriminelit të luftës Lube Boshkovski, i cili si ministër i punëve të brendshme të Republikës së Maqedonisë e kishte urdhëruar aksionin policor në Lubeten më 12 gusht të vitit 2001, duke lënë pas dhjetë të vrarë dhe mbi njëqind të malltretuar.

Për tua lënë gëzimin në gjysmë palës maqedone, e njëjta Gjykatë vetëm disa sekonda më vonë shqiptoi aktgjykimin dënues për të akuzuarin e dytë në rastin “Luboten”, udhëheqësin e aksionit policor në Lubeten, Johan Tarçullovskin edhe atë me dënim prej 12 vjet burg, për vepër penale vrasje dhe maltretim sipas nenit 3 të Statutit të Gjykatës së Hagës.

Edhe pas kësaj publiku maqedonas kishte akoma fytyrë e të thirret në luftën e drejtë të popullit maqedon të 2001-shit. Sikur donin t’i bëjnë qejf vetes së tyre dhe para opinionit të fshehin të vërtetën e kësaj lufte.

Normalisht, nuk besoj se ka shqiptarë në Maqedoni apo edhe në të gjitha trojet që është gëzuar me lirimin e Boshkovskit. Por edhe nuk besoj se dikush është gëzuar me dënimin e Tarçullovksit. Sepse për njohësit e ligjit, akuza për vrasje të dhjetë vetave dhe maltretimit të njëqind të tjerëve dhe dënimi me 12 vjet burg është tepër i butë.

Kritikuesit e Gjykatës së Hagës do të kenë edhe një mundësi plus për të hedhur gurë mbi këtë institucion ndërkombëtar të themeluar në vitin 1993 enkas për t’i nxjerr në dritë krimet e bëra në luftërat që u zhvilluan në territorin e ish-Jugosllavisë. Mos nxjerrja para drejtësisë e kriminelëve të tjerë të luftërave në ish-Jugosllavi si: Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, mos arritja e shqiptimit të dënimit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit, por edhe lirimi i Boshkovskit janë edhe një dëshmi plus që kjo Gjykatë nuk e ka kryer punën si duhet.

Ana pozitive e këtij gjykimi, respektivisht sjellja e aktgjykimit dënues për njërin nga të akuzuarit dëshmon se në lutën e 2001-shit ka pasur vrasje të civilëve dhe personave të paarmatosur nga ana e “forcave të sigurisë” të RM-së dhe ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut rregullave të luftës, me ç’rast shihet edhe përgjegjësia e Republikës së Maqedonisë në këtë rast. Mundësi kjo që iu jep rast familjeve të të rënëve të asaj dite, por edhe atyre që kanë përjetuar maltretime të llojit të ndryshëm që para organeve kompetente gjyqësore të Maqedonisë të kërkojnë kompensim material dhe jomaterial.

Boshkovski edhe pse kaloi i padënuar nga Haga, për të dalë drejtësia në vend, duhet të përgjigjet edhe për një krim tjetër, konkretisht për rastin “Vreshtat e Rashtakut” për vrasjen e shtatë emigrantëve pakistanezë, rast ky i cili duhet të fillojë në gjykatat kompetente të Kroacisë, por pas amin-it të prokurorisë së Maqedonisë.

Shpresojmë drejtësia të vij në vend dhe kriminelët do të marrin dënimin e merituar për veprat e bëra.

Dënimi i Gjykatës së Hagës edhe njëherë dëshmon luftën dhe rezistencën e drejtë të shqiptarë të Maqedonisë në vitin 2001...

No comments: