Thursday, June 26, 2008

ALSAT-i DHE BLOCK OUT-i

Deri sa reklamat për fillimin e kampionatit Evropian në futboll kapluan çdo qoshe të vendit tonë, shumë aktiv ishin edhe udhëheqësia e TV Alsat, duke bërë njoftime dhe reklama për sensibilizimin e popullatës për një eveniment të tillë mjaft interesant, duke njoftuar se po ky medium do të bëjë transmetimin e të gjitha ndeshjeve që do të zhvillohen në këtë kampionat një mbahet njëherë në katër vjet.

Për neve të gjithëve kjo ishte e mirëpritur, se për herë të parë në historinë e këtij shteti një eveniment shumë të rëndësishëm sportiv po e merr në organizim një medium privat, por edhe që ishte edhe me e këndshme televizion me udhëheqësi dhe program kryesisht në gjuhën shqipe.

Për vete kisha një ndjenjë të veçantë për këtë gjest. Normalisht se mu bëhej qefi që një medium shqiptar ka një strategji dhe menaxhment të mirë dhe arriti që të merr licencë për të emituar një manifestim të tillë sportiv, por nga ana tjetër ishte edhe kjo një goditje e fortë për televizion shtetërorë të Maqedonisë RTVM-në që është një dëshmi plus për mos arsyetimin e beneficioneve dhe kushteve që i posedon.

Si një dashamirë dhe simpatizues i sportit e prisja fillimin e kampionatit me padurim, sepse besoj të gjithë jemi të mendimit se për momentin futbolli që luhet në Evropë është i cilësisë më të lartë në botë, ndoshta jo për nga atraktiviteti, por nga qasja ndaj lojës, dëshira për fitore, organizimi i mirë, referimi i nivelit të lartë, e normalisht se kjo ka ardhur si rezultat i investimeve të mëdha që bëhen për futboll në kontinentin e vjetër.

Duke mos qenë bash në rrjedhë me arritjet teknike, si një laik i vërtetë në lëmin e mediave dhe teknikës që disponojnë sot, mendoja me vete, sa interesant do të jetë komentimi shqip i ndeshjeve për maqedonët. Edhe pse kisha njohuri se kampionati i rregullt gjerman në futboll i njohur si Bundesliga që transmetohet në televizionin Alsat gjatë sezonit të rregullt është transmetuar edhe nëpërmjet një radioje sportive këtu në Maqedoni në gjuhën maqedone. Kështu që, ata që nuk e kanë kuptuar komentin e ndeshjeve në gjuhën shqipe, kanë pasur mundësi fotografinë ta shohin nga televizori kurse komentin ta dëgjojnë nga radioja. Mendoja se kështu do të rrjedh edhe kampionati evropian në futboll. Por, para fillimit të kampionatit, njoftuan se do të ketë transmetim të kampionatit në dy gjuhë. Edhe kjo ishte mjaft interesante dhe dëshmi e mirë për efikasitetin dhe cilësinë e lartë të mediumit Alsat, që për momentin është ndër mediumet më cilësore në Maqedoni.

Filloi kampionati, që tash më është veç në mbarim, dhe ndeshjet në televizorët e shumë shqiptarëve, në televizionin e tyre që mori koncesion nacional për emitim të programit në gjuhën shqipe mbetën në gjuhën maqedone. Për mua personalisht ishte një zhgënjim dhe një hap jo korrekt i udhëheqsisë së televizionit Alsat. Edhe pse Alsat-i ofronte frekuenca dhe mundësi për përcjellje të ndeshjeve me komentim edhe në gjuhën shqipe, por për këtë duheshte edhe televizor i një cilësie pak më të lartë që mund të them se shumica e familjeve shqiptare këtë nuk e kishin.

Normalisht edhe ne jemi dëshmitarë të shumë faktorëve dhe rrethanave të cilat mund të kenë ndikuar në këtë hap, e posaçërisht çështja ekonomike që është shtylla kryesore për të mbajtur një medium të tillë me harxhime shumë të mëdha, por veç një pyetje kisha dashur ta bëj në këtë rast, a do të ishte më mirë që ndeshjet në “kanalin e parë” atë që e përcjellim çdo ditë të televizionit Alsat të komentoheshin në gjuhën shqipe, e “në kanalet” apo frekuencat tjera të ishin jo vetëm në gjuhën maqedone por edhe në gjuhët e secilit komunitet tjetër po të jetë mundësia të bëhet.? Besoj se kjo do të ishte mënyra më e mirë dhe më korrekte.

Por sidoqoftë, kjo ishte vetëm një nga vërejtjet e mia për televizionin mjaft të respektuar Alsat. Unë u bashkangjitem lëvdatave të shumë personave tjerë që ishin prononcuar në lidhje me realizimin e shkëlqyeshëm të kampionatit nga ana e Alsat-it, ju dëshiroj sukses dhe gjitha të mirat sepse vërtetë janë tepër profesional në punën e tyre, por normalisht duhet ia bashkangjitur edhe këto vërejtje me qëllim që për të ardhmen mos të përsëriten.

Rast që vlen të përmendet gjatë këtij kampionati, përveç befasive të shumta që i solli me eliminim e shumë reprezentacioneve favorite dhe me ndeshjet e mira të disa skuadrave “outside-ra” ishte edhe block out – i që sipas të dhënave shkaktoi ndërprerje të sinjalit televiziv, e që nuk ishte gabim i Alsat-it apo ndonjë mediumi tjetër, por ishte një difekt akoma i pa qartësuar nga qendra në Bazel të Zvicrës prej ku edhe vinte sinjali, e që i kaploi të gjitha mediumet Evropës. Bëhet fjalë për ndeshjen në mes Turqisë dhe Gjermanisë, ku pati ndërprerje të sinjalit disa herë. Ndoshta edhe kjo do të mbetet në analet e historisë së këtij kampionati mjaft interesant. Kjo është vetëm një argument i asaj që thuhet se teknika nuk ka besë, por edhe një goditje e rëndë për precizitetin dhe efikasitetin e famshëm zviceran që kësaj radhe ranë nga provimi.

PSE PO VEPROHET KËSHTU…

PSE PO VEPROHET KËSHTU…

Maqedonia si një shtet multietnik akoma nuk e ka kuptuar esencën e kohabitacionit ndëretnik si shtyllë kryesore e mbijetesës dhe zhvillimit të saj.

Derisa të gjithë mendonim se pas periudhës së 2001-shit dhe reformave kushtetuese të 2002-shit, shumica e problemeve që ekzistonin më parë janë shuar dhe se nuk do të përsëriten. Së paku mundoheshim të mendonim se pala maqedone e ka kuptuar leksionin e 2001-shit dhe se nuk do të gabojë që t’i përsërit hapat që sollën deri te konflikti i armatosur.

Mirëpo nuk po del ashtu.

Të gjithë e dimë se një ndër çështjet esenciale për zhvillimin e një shteti është arsimimi i popullatës së vet. Problemi dhe pengesa e arsimimit të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni është një histori më vete. Ne gjithmonë është dashur që të jemi kurbetçarë të dijes. Gjithmonë vendi në të cilin jetojmë ka qenë njerkë për neve në aspektin e furnizimit me dituri. Ne është dashur të përjetojmë sakrifica të mëdha deri sa ta mbarojmë një shkollë të mesme e për fakultete, kjo ishte një luks që shteti vet e dinte dhe kontrollonte se kush duhet ta kishte në shumicën e rasteve.

Pengesa për hapjen e paraleleve shqipe në shkollat e mesme solli demonstrata dhe pakënaqësi në anën e shqiptarëve, e pastaj burgosje të panumërta e shumë vjeçare për shqiptarët e Maqedonisë. E gjithë kjo për të drejta elementare – shkollim në gjuhë amtare. Hapja e Akademisë pedagogjike solli protesta masive nga pala maqedone, që mes tjerash kërkonte edhe “dhoma gazi për shqiptarët”. Neve akoma na rrinë para syve kur në shkollat tona ku ne mbanim mësimet jashtë dëgjoheshin parullat “vdekje për shqiptarët”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “vetëm shqiptari i vdekur është shqiptarë i mirë”, mandej edhe karikaturat ku vizatoheshin “ikse” të mëdha para shqiptarit me libër në dorë, demek nuk duam shqiptarë të arsimuar. Këto ishin në të kaluarën tonë të afërt. Në nuk duam që t’i ngjallim këto kujtime, por veç deshëm t’i përmendim sa për të arritur deri te esenca e këtij shkrimi. Edhe kjo kaloi. Erdhi koha e Universitetit të Tetovës. Forca të mëdha të armatosura penguan me dhunë hapjen e një universiteti i cili buronte nga nevoja elementare e një kombi për edukim dhe arsimim në gjuhën e vet. U deshtë të bien dëshmorë edhe për këtë rast. Sikur për secilën kërkesë tjetër të shqiptarëve në Maqedoni, fillimisht të derdhet gjaku, të sakrifikohet e pastaj ajo të arrihet në mënyrë gjysmake apo jo të plotë.

Këto të gjitha ishin të kaluara.

Falë Zotit në sot kemi shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën tonë amtare. Kemi edhe Universitete në gjuhën shqipe, mirëpo pala maqedone akoma vuan nga komplekse të cilat nuk duhet t’i ketë pasur kurrë. Edhe në ditë të sodit, kur qytetarët e vet, kërkojnë që të shkollohen nëpër shkolla të cilat po ky shtet ia u ka bërë obligim, këta privohen duke kufizuar hapjen apo shtimin e një apo dy paraleleve shqipe për mësim në disa prej shkollave të mesme profesionale. Rasti i vendimeve që po i sjelli komuna e Shkupit si dhe Ministria e Arsimit kur akoma kemi ministrin shqiptarë është një shembull i paparë. Diçka që askush nuk e ka pritur. Sikur dikush akoma po frikohet nga arsimimi i shqiptarëve.

Në vend se ky interesim i madh i semi-maturantëve të përshëndetet dhe stimulohet nga institucionet përkatëse dhe të merren iniciativa për përmirësimin e kushteve të tyre nëpër shkollat e mesme që në shumë vende janë në kushte katastrofave, në ditë të sodit sillen vendime për mos hapjen apo edhe mbylljen e paraleleve ekzistuese në gjuhën shqipe. Kjo me të vërtetë është brengosëse dhe çështje shumë e ndjeshme. Në po këto paralele shqipe, nxënësit shqiptarët janë të grumbulluar nga 40 deri në 50 nxënës vetëm për t’i ikur këtij problemi (numrit të kufizuar të paraleleve) dhe mos mbetjes në rrugë të nxënësve që meritojnë shkollim dhe arsimim, në të njëjtën kohë paralelet maqedone edhe pse me nga 15 e 20 nxënës mbesin të tilla dhe në mënyrë shumë komode vazhdojnë punën e tyre.

Kjo arsimofobi apo shqiptarofobi e palës maqedone edhe njëherë po tregon se sa vizionarë dhe sa transparentë janë në udhëheqjen e shtetit.

Të gjorët akoma mendojnë se të drejtat që u jepen shqiptarëve donë të thotë zvogëlim i të drejtave dhe privilegjeve të tyre. Apo më falni, të drejtat që i marrin shqiptarët, se fjala jepen apo jap, te këta nuk ekziston, se neve asnjë e drejtë nuk na është dhënë si rezultat i vullnetit të mirë, por të gjitha janë arritur me sakrifica shumë të shtrenjta.

Kjo edhe njëherë, pa dashjen tonë na e rikujton të kaluarën. Na e rikujton periudhën e shekullit të kaluar, edhe përkundër asaj që ne po mundohemi sa më shumë që mos ta kujtojmë. Kjo edhe njëherë na dëshmon se inteligjenca dhe udhëheqësia maqedone aspak nuk ka evoluar në aspektin e zhvillimit të një shteti multietnik.

SHQIPTARËT E MAQEDONISË DHE FORCA E TË RINJËVE

SHQIPTARËT E MAQEDONISË DHE FORCA E TË RINJËVE

Milazim MUSTAFA

- reagim pas emisionit Top Show në Top channel me po të njëjtin titull

Shqiptarët e Maqedonisë, kohëve të fundit janë duke u sulmuar me një dozë të madhe të Islamofobisë që dita ditës është gjithnjë në rritje edhe atë kryesisht nga vet shqiptarët. Edhe përkundër faktit se shumica dërmuese e pjesëtarëve të kombit shqiptarë duke i llogaritur globalisht, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore, Çamëri dhe diasporë janë të përkatësisë fetare islame, prap se prap me të madhe sidomos në media çështja e besimit islam paraqitet si problem për shqiptarët.

Për t’ia vërë kulmin kësaj, pas debateve të nxehta që i zhvilluan dy kolosët e letërsisë shqipe Qosja dhe Kadareja i cili debat vazhdoi edhe me inkuadrime të tjera, të enjtën mbrëma, në emisionin TOP Show të realizuar në kanalin prestigjioz shqiptarë Top Channel, haptazi në mënyrë direkte u sulmuan myslimanët dhe besimi islam ndër shqiptarët. Udhëheqësi i emisionit në mënyrë shumë direkte ua bëri me dije studentëve mysafirë nga Maqedonia dhe shqiptarëve anë e mbanë, se problem për ta janë xhamitë dhe feja islame.
Edhe pse nuk besoj se rastësisht në emision ishin të ftuar persona që bartnin emra arab apo turk, që përgatitësit e këtij emisioni t’i përcjellin mesazhet e tyre cinike dhe nënçmues, prap se prap mendoj se situata me shqiptarët e Maqedonisë është shumë më ndryshe se si u paraqit në Top SHOW.
Kryesisht dua të lidhem me pjesën e fundit të këtij emisioni, kur udhëheqësi Alban Dudushi, paralajmëroi diskutimet në lidhje me xhamitë dhe “problemin e fesë islame”.
Si pikë e parë për të cilën dua ta njoftoj dhe t’ia tërheq vërejtjen z. Albanit dhe Z. Nazarko-s si udhëheqës të këtij emisioni, por edhe gjithë atyre që mendojnë njëjtë, publikisht, me bindje të plotë u them se feja islame nuk është problem të shqiptarët. Por, përkundrazi, ka qenë është dhe gjithmonë do të mbetet si mjeti më i mirë për ruajtjen, kultivimin dhe avansimin e vlerave tona kombëtare dhe integruese.
Për këtë kemi edhe shumë argumente.
Si pikë e parë nga vet studiuesit e shumtë si historian, si etnolog apo diçka tjetër është vërtetuar, se feja islame ka qenë ajo që ka mbrojtur asimilimin dhe zhdukjen e elementit shqiptarë në trojet ballkanike, e sidomos atyre jashtë kufinjëve të Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Për këtë kemi edhe rastin ku vet udhëheqësi, z.Dudushi, ceku se në Maqedoni ka pasur shqiptarë të konfesioneve tjera përveç atij Islam, e që sot më nuk janë.
Unë shumë herë në kontaktet e mia me vëllezërit shqiptarë nga Shqipëria, jam ndier keq nga konkluzionet e tyre se shqiptarët e Maqedonisë, janë të pashkolluar, të paarsimuar, të pakulturuar etj. Ndoshta ky mendim është edhe në pjesën dërmuese të shqiptarëve të Shqipërisë. Mendimi im është se krejt kjo është si rezultat i ndryshimit të sistemit të vlerave dhe i ndikimit të shthurjeve që i solli postmodernizmi i parakohshëm në shoqëritë shqiptare. Sepse në Shqipëri një person që nuk pin alkool mund të ndihet i prapambetur, ndërsa po i njëjti në Maqedoni do të llogaritet, si person i mirë, apo mos të them edhe i moralshëm ( edhe pse kjo gjë ka të bëjë shumë pak me moralin), apo ndoshta edhe virgjiniteti për dikë mund të llogaritet përparim e diku tjetër prapambeturi, apo moral dhe amoralitet, ndoshta ky është edhe shembull banal pak, por ata që e kanë përcjellur emisionin e kanë të qartë pasi në kuadër të emisionit u cek edhe kjo çështje. Kjo punë duhet të kuptohet kështu të nderuar/a vëllezër dhe motra.
Nga ana tjetër, në lidhje me çështjen e arsimimit, është më tepër se evidente se ne jemi mbrapa edhe atë jo si rezultat i islamit që na paska lënë mbrapa, por si rezultat i pozitës gjeografike, apo pushtetit sllav që këtë çështje na e ka pamundësuar me metodat më barbare dhe të fëlliqura. Ne shumë mirë e dimë se kur është hapur universiteti i Prishtinës, por edhe më mirë e dimë se kur është hapur edhe universiteti i Tetovës (tash Universiteti Shtetëror i Tetovës). Këtë edhe më mirë do ta kuptonim nëse kthehemi në pjesë e dytë të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, për parullat dhe thirrjet e rinisë maqedone – sllave për “dhoma gazi” për shqiptarët, me rastin e hapjes së Akademisë pedagogjike në gjuhën shqipe në Kuadër të universitetit shtetërorë maqedon. Këtu shumë mirë do të shihet se sa vështirë e kanë pasur që prindërit e tanë ta mbarojnë një shkollë të mesme e lëre më një fakultet, ku shteti amë i kishte mbyllur kufijtë për ne, ku disa vite pas themelimit të Universitetit të Prishtinës pasuan demonstratat e 81’ e të gjitha ato tjerat pas tyre që nuk dua të ndalem e që shpien në destabilizimin e Kosovës, po ashtu edhe me hapjen e Universitetit të Tetovës, u desht që të bien dëshmorë dhe të derdhet gjak për ta hapur këtë universitet, pastaj u desht të bëhet një luftë e 2001 që ky universitet të legalizohet dhe të pranohet nga shteti e kështu me radhë.
Sot është e vërtetë se kemi dy universitete shqiptare në Maqedoni, kemi edhe disa të tjerë që sot mundësojnë studimin në gjuhën shqipe, si rezultat i ndryshimit të klimës politike dhe ekonomike në Maqedoni, kemi pra mbi 25000 student shqiptarë në Maqedoni. Por ata që marrin vesh në zhvillimin demografik, këtë që po dua ta them unë më së miri e kuptojnë, sepse shumica prej këtyre studentëve, sikur që kam qenë edhe unë e që janë edhe vëllezërit dhe motrat e mia, jemi gjenerata e parë që po mbarojmë arsimin e lartë në një numër të tillë. Prandaj për tu arritur kjo duhet kohë dhe punë, por edhe më tepër përkrahje në të gjitha aspektet.
Prandaj, ajo që ne shqiptarët e Maqedonisë sipas shqiptarëve të Shqipërisë, jemi mbrapa aspak nuk mund të llogaritet si rezultat i asaj se neve feja na ka lënë mbrapa. Përkundrazi, feja gjithmonë ka qenë ajo që u ka dhënë shtytje përpara proceseve të avancimit intelektual të njerëzimit. Nëse do dikush të dijë më tepër në lidhje me këtë çështje le të interesohet për historinë dhe shumë lehtë mund t’i gjen burimet të cilat sot më gjinden veç të shkruara, për periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e deri në periudhën ta quaj “rilindjen e vonshme të shqiptarëve jashtë shtetit amë” e cila ishte diku kah vitet e 70 të shekullit të kaluar. Do të shohin shumë mirë se kush kanë qenë ata mësuesit e popullit të cilët kanë rrezikuar edhe jetën e tyre, për t’iu mësuar fëmijëve shkrim-leximin në gjuhën amtare, por edhe për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare jashtë kufinjëve politik të Shqipërisë.
Të bazuarit në thëniet e disa personave nga Maqedonia, për çështjen se “feja islame është problem të shqiptarët (e posaçërisht neve të Maqedonisë)” është tepër e pa bazë. Besoj se deklaratat e tilla që jipen në mediat e Shqipërisë janë kryesisht me qëllim politik dhe cinik, që aspak nuk kanë të bëjnë me realitetin. Nëse dikush do të dijë më tepër rreth kësaj çështje le të urdhërojë të bëj hulumtime dhe studime, e jo të marrim informata me qëllim të caktuar politik nga persona dhe personalitete të përkushtuar në zhveshjen e petkut tradicional por edhe fetar shqiptarë.
Sot si gjithandej edhe në Maqedoni, kanë filluar punët të rrjedhin më ndryshe. Periudha e demokracisë iu dha hapësirë më të madhe edhe pse fatkeqësisht jo të mjaftueshëm të gjithë të shprehin atë që mendojnë dhe ndjejnë, normalisht me raste gjithnjë e më të potencuara kohëve të fundit të pengesës së shprehjes së mendimit të lirë dhe disa lirive elementare njerëzore, por prap se prap, shumë më mirë sesa kemi qenë ca kohë më parë. Sot ndoshta kemi një zbehje të elementit tradicional islam te shqiptarët e Maqedonisë, por kemi një shtim të madh të atyre që islamin e kanë bindje dhe e ndërtojnë jetën e tyre në bazë të dispozitave islame. Sot ke një numër të madh të studentëve, bile bile edhe student të dalluar që me mburrje deklarojnë dhe janë praktikues të rregullt të normave fetare islame, si puna e namazit, apo agjërimit. Edhe për ata edhe për mua aspak nuk është problem të jemi intelektual, por edhe të jemi mysliman. Të jemi familjarë por të jemi mysliman, të jemi pro integrimeve ne EU dhe NATO, por edhe të jemi mysliman të devotshëm, të luftojmë për të drejtat e njeriut, por edhe të jemi mysliman. Prandaj për mos të e zgjatur më tej, kisha dashur ta përfundoj me atë që edhe e ceka më lartë, se islami ka qenë arma më e fortë e jona që na ka ruajtur nga asimilimi dhe shkrirja jonë nga këto troje, islami është gjithashtu arma më e fortë që na mbron nga sëmundjet e kohës dhe devijimet sociale që i sjell postmodernizmi dhe globalizmi, islami do të jetë një nga faktorët kryesorë për integrimin me vlerat e mirëfillta shqiptare, vlera këto që do ta mbrojë çiltërsinë dhe pastërtinë tonë kombëtare në tregun pakufinjë të vlerave dhe antivlerave.