Saturday, December 12, 2009

Nëntori i krenarisë kombëtare

Jemi ndër popujt më të vjetër në Ballkan. Lashtësia, krenaria por edhe vuajtjet e shumta na kanë lënë një histori të ngjeshur dhe shumë të pasur. Edhe pse ndoshta një histori herë pas here e mjegulluar, por në të shumtën e rasteve e qartë dhe shumë e vleshme.
Kemi pasur fatkeqësi që në të shumtën e rasteve në shkruarjen e historisë sonë të fusin dorë të tjerët, si rezultat i parimit se gjithmonë më i forti e ka shkruar historinë. Ne kemi pasur Caktim që gjithmonë të jemi të pushtuar, por kurrë të robëruar. Sepse secilin pushtues që e kemi pasur mbi kokë na ka bërë më të fortë e asnjëri nuk ka arritur të na thyejë. Pushtues pas pushtuesi, ndoshta kemi dalur më të dëmtuar, por sigurt se kemi dalur më të fortë.
Si shqiptarë denbabaden në këto troje, nuk e mohojmë as edhe një çast të vetëm të së kaluarës sonë, çdo çast i kaluar ka qenë është dhe do të mbetet mësim për neve sot e për mot. Çdo germë të saj e marrim si mësim dhe urtësi pa marrë parasysh qe e ëmbël apo e hidhur. Çdo çast të saj duam ta dimë ashtu siç ka qenë edhe po të qe e hidhur, gjithmonë me tendencë për njohje të heroit si hero, trimit si trim, luftën si luftë, tradhtinë për tradhti, dhe tradhtarin si tradhtarë.
Koha në të cilën jetojmë na e ka dhënë një rast të volitshëm. Na e ka mundësuar që fatin tonë së paku të argumentuar pasardhësve tanë tua lëmë vetë ne e jo historinë dhe ëndrrat tona të vendosin të tjerët apo si në raste të caktuara vetë armiqtë tanë.
Ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kanë ndodhur po në muajin nëntor. Muaj ky që në vete ngërthen dhe përfshin shumë data të rëndësishme, data që na bëjnë të krenohemi dhe na paraqesin një dritë në tunelin e historisë sonë kombëtare, duke filluar në atë më madhoren, pavarësisë së Shqipërisë. Është ky një akt që vendosi themelet e shtetit shqiptar që për afër një shekull të gjithë neve, pa marrë parasysh se ku jetojmë na bëri ta ndjejmë ngrohtësinë e atdheut, dashurinë ndaj flamurit, emocioneve të himnit dhe krenarinë e të pasurit shtet. Deshi Zoti na u bë edhe Republika e Kosovës, shteti i dytë shqiptarë në botë. Shtet ky që kurorëzoi ëndrrat dhe shpresat e gjithë shqiptarëve anë e kënd botës. Akt ky që qetësoi shpirtrat e gjitha dëshmorëve që derdhën gjakun e tyre të shenjtë për liri të atdheut të tyre. Akt ky që lotin e dhimbjes në syrin e lokeve e shndërroi në lot gëzimi dhe fitoreje, dhimbjen e tyre për djemtë e tyre e shndërroi në lule dhe dritë, ardhmërinë e shndërroi në shpresë për nipat dhe mbesat e tyre, ëndrrën e shndërroi në realitet. Nëntori na i përkujton gjakun e gjithë dëshmorëve të rënë për tokën e shtrenjtë të Kosovës. Nëntori na e përkujton lindjen, rritjen dhe jetësimin e ëndrrave dhe realiteteve tona ndër shekuj. Nëntori na e përkujton edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jasharit, simbolit të qëndresës, sakrificës, guximit, personalitet që dha shembullin më të mirë se si duhet të mbrohet pragu i shtëpisë, si duhet të vdiqët për lirinë e atdheut dhe si duhet të vendosen prioritetet në jetën e një njeriu.
Deri sa mosha ime nuk ma ka mundësuar të jetësojë veprën madhore të komandantit legjendarë, pishtarit të lirisë së Kosovës, kurbanit të pavarësisë së vatanit, vepra e tij madhështore ma mundëson ta jetësojë ëndrrën e tij për një Kosovë të lirë, për një Kosovë të pavarur, për një Kosovë që frymon lirshëm, për një Kosovë pjesë e ombrellës që bashkon gjithë bijtë e saj të gjuhës e gjakut në një vend.
Le të jetë ky shkrim një përkujtim për lindjen e tij në këtë “muaj të kuq”. Le të jetë ky shkrim një përshëndetje për gjakun e tij të dëshmorit, le të jetë ky shkrim një akt nderimi për prindërit e tij bujarë që sollën në jetë djalin e tyre mu në ditën e flamurit, rritën dhe edukuan e bashkë me te u bënë dëshmorë të lirisë së atdheut. Le të jetë ky shkrim një nderim për gjithë dëshmorët e kësaj familje legjendare dhe gjithë familjet shqiptare që lindën burra, rritën trima dhe falën dëshmorë. Le të jetë një lëvdatë për ata djepa të praruar, që mbjellën dashuri ndaj atdheut, që përkundën vullnetin për liri, që shkulën ndjenjën e robërisë dhe ngulitën gatishmërinë e sakrificës dhe flijimit.
Le të jetë edhe një përkujtim për gjithë ata që ranë për liri dhe të ardhme më të mirë, le të jetë ky një përkujtim për gjakun e tyre të pastër që solli këtë ditë që na bëri ta dimë se kush jemi, ku jemi duke jetuar e ku do të jemi nesër. Falë Zotit për burrat e tillë që më të shtrenjtën e tyre ia dhanë nderit të atdheut dhe të ardhmes më të mirë për vëllezërit e tyre të gjakut e idealit.
Le të jetë ky një përkujtim për gjithë neve. Të ndalemi së paku një çast të vetëm, e ti përkujtojmë shpirtrat që sollën lirinë, ata shpirtra që nuk janë në mesin tonë deri sa ne kënaqemi me lirinë, kënaqemi me të mirat e kësaj bote duke i shijuar frytet e lirisë.
Për udhëheqësit tanë, le të jetë ky shkrim një nxitje për përkujtim sa më të shpeshtë për bashkëmendimtarin dhe bashkëveprimtarin tyre besnik, komandantin legjendar, e për gjithë komandantët dhe ushtarët e të gjitha ushtrive çlirimtare. Le të pyesim sa më shpesh kush ishin ata, pse ata morën pushkën, pse ata flijuan më të shtrenjtën e tyre, për çka ata ranë...? Se me përkujtimin për ta nderojmë së pari veten, qetësojmë shpirtrat tanë, kthjellojmë të tashmen dhe të ardhmen, vizionin dhe misionin tonë dhe të atyre që ranë.
Secila punë e mirë kërkon kurban e secili kurban sjell bereqet. Kurban i Kosovës u bë komandanti legjendar Adem Jashari, familja e tij e ndershme dhe fisnike si dhe gjithë familjet shqiptare që dhanë bijtë dhe bijat e tyre për lirinë e atdheut, me të vetmin qëllim, një të ardhme më të mirë në të cilën po jetojmë.
Zoti i shpërbleftë me gradat më të larta të dëshmorëve në botën e përhershme.