Saturday, January 15, 2011

Fundi i erës së diktatorëve

Kanë kaluar vite kur demokracia liberale është bërë sistem dominues në botë. Ky sistem i solli shumë mirësi botës dhe me të drejtë mund ta llogarisim si njëri nga sistemet më të mira të shpikura nga mendja njerëzore. Një filozof i pyetur për demokracinë thotë se, sistemi demokrat nuk është sistem i mirë, por është më i miri nga sistemet tjera ekzistuese. Shumica e dijetarëve dhe filozofëve suksesin e botës perëndimore e shohin mu në aplikimin e këtij sistemi. Përkundër këtij fakti, kemi edhe shumë shtete në botë me sisteme diktatoriale ku mungojnë liritë dhe të drejtat elementare njerëzore, mes tjerash edhe zgjedhjet e lira, liria e të shprehurit, dënimi dhe likuidimi pa procese adekuate gjyqësore e kështu me radhë. Fuqia absolute që këta “pronarë të shteteve të tëra” e disponojnë, ka bërë që këta të ndihen si pronarë edhe të jetës së qytetarëve të tyre, duke luajtur me fatin e popullatës së tërë.
Ne si komb nuk e kemi shumë larg një histori të tillë. Popullata shqiptare ka hequr të zitë e ullirit për dekada të tëra nga një sistem i tillë. Andaj e kemi për borxh t’u dalim në krah, apo së paku t’u japim përkrahje morale forcave progresiste në këto shtete që mundohen të shohin dritë sikur të gjithë popujt e lirë në botë. Ndoshta nga ajo që kemi kaluar, më së miri ua dimë atyre që mundohen të mbijetojnë në këto sisteme. Vlerën e lirisë më së mirë ia din robi. Kështu që lusim Zotin që sa më shpejtë sistemet e tilla jonjerëzore të mbesin eksponate historike.

Nëpër mediat botërore është aktualizuar çështja e Tunizisë. Në këtë shtet të Afrikës Veriore, plasën trazirat e mëdha popullore, që e detyruan diktatorin e këtij shteti të lëshojë vendin. I turpëruar dhe në mënyrën më së paku të dëshiruar për të, u detyrua të kërkojë azil në vend të huaj. Ky shtet, përkundër hapjes dhe zhvillimit të tij të theksuar (për dallim nga shtetet tjera Afrikane), dallohet edhe me nivel të lartë të korrupsionit, nepotizmit, parregullsive zgjedhore dhe thyerjes së të drejtave elementare njerëzore. Republika e Tunizisë llogaritet si njëri ndër shtetet me GDP-në më të lartë (për kokë të banorit) në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, por në anën tjetër janë të shënuara raste të shumta të keqpërdorimit të pozitave shtetërore nga presidenti, familjarët e tij dhe rrethi i ngushtë i tyre. Politika e tyre shpeshherë është titulluar si kleptokrate dhe me dozë të lartë të nepotizmit, por edhe të keqpërdorimit të pandërprerë të pasurive shtetërore. Edhe pse de jure llogaritet si shtet që parasheh media të lira, në asnjë rast nuk është toleruar kritika për lidershipin e këtij shteti, apo politikave që i aplikon jo strukturë. Presidenti i deridjeshëm Ben Ali, që mori arratinë, ushtroi këtë detyrë si president i Tunizisë në 23 vitet e kaluar. Diçka që për sistemet moderne është absurde. Mirëpo, sikur çdo gjë që ka fund edhe ky gjeti fundin e vet.

Nga lajmet që vijnë nga mediat botërore shihet një dozë e madhe e frikës edhe në vendet për rreth Tunisit. “Kolegët” e Ben Ali-s, frikohen nga një skenar i ngjashëm që mund të bartet edhe në shtetet e tyre. Kjo është një shenjë e mirë për popullatën e këtyre vendeve që të dalin nga zgjedha e gjakpirësve dhe tagutëve që e mbijetuar shekullin 20.

Herët apo vonë, fundi do t’i gjejë. Fundi i tyre do të vijë, edhe për skaj tentativave të tyre për mbajtjen e popullatës të shtypur. Të kota janë tentativat për shkeljen e popullatës, bllokimin e lirisë së të shprehurit, falsifikimin e tërësishëm të proceseve zgjedhore, likuidimin, burgosjen dhe largimin nga shteti i oponentëve politik (nëse ekzistojnë). Jam shumë i bindur se do t’u vijë fundi, jo për diçka tjetër, por veç për hir të faktit se u ka kaluar koha. Dhe se të kota do t’u jenë edhe përkrahjet e hapura apo të fshehura të miqve të tyre perëndimorë, që u sigurojnë përkrahje deri sa kanë leverdinë dhe vjelin të mirat e këtyre shteteve, e kur të vijë momenti i fundit do t’ua kthejnë shpinën sikur që i ndodhi këtij të Tunizisë. Fakt tjetër plotësues është edhe ngitja e shkallës së edukimit të përgjithshëm të popullatës në këto vende. Për dallim nga e kaluara, ku niveli i edukimit në shtetet diktatoriale ka qenë shumë i dobët, kohëve të fundit këto të dhëna kanë ndryshuar. Po ashtu, kemi edhe raste të ngritjes dhe zhvillimit të sektorit civil, që dita ditës është gjithnjë e më shumë aktiv nëpër këto shtete. Ndikim të madh për këtë gjendje ka edhe diaspora mjaft e zhvilluar e këtyre vendeve e koncentruar kryesisht nëpër vendet evropiane, që luan një rol të rëndësishëm dhe mjaft e fortë dhe shumë mirë e konsoliduar. Diasporë kjo që në të shumtën e rasteve, përbëhet nga persona dhe grupe të larguar nga vendet e tyre si rezultat i dhunës, përndjekjeve dhe kërcënimeve që ua bën sistemi i atjeshëm.
Miqtë e Çausheskut dhe Sadam Huseinit, kanë rastin e fundit që të shpëtojnë veten, duke reformuar sistemet e tyre, sepse do të kenë një fund, ose si i këtyre dyve të përmendur, ose si ai që i ndodhi sot Zejn el Abidin Ben Ali-s nga Tunizia.

Friday, January 14, 2011

PANORAMA

Pashë qiellin e Stambollit të vitit 1453
Isha pranë ushtrisë më të mirë
E pashë edhe prijësin më të mirë
Edhe dëshmorin
që i pari ngriti flamurin e dritës
mbi kalanë e territ
në gjoks kishte dy shigjeta
por flamuri nuk binte dot

I dëgjova edhe gjëmimet e topat
që dridhnin tokën
edhe marshin e asaj ushtrie të lavdishme
që përkëdhelte dheun
pash drejtësinë
në sytë e ushtarëve drangoj
që shikonin përtej horizontit

Sa e mirë ishte ajo ushtri...

Më rrodhën lotët e ngrohtë
të mërzisë dhe shpresës

njëkohësisht.



Muzeu Panorama në Stamboll

Stamboll 13.01.2011