Thursday, June 26, 2008

PSE PO VEPROHET KËSHTU…

PSE PO VEPROHET KËSHTU…

Maqedonia si një shtet multietnik akoma nuk e ka kuptuar esencën e kohabitacionit ndëretnik si shtyllë kryesore e mbijetesës dhe zhvillimit të saj.

Derisa të gjithë mendonim se pas periudhës së 2001-shit dhe reformave kushtetuese të 2002-shit, shumica e problemeve që ekzistonin më parë janë shuar dhe se nuk do të përsëriten. Së paku mundoheshim të mendonim se pala maqedone e ka kuptuar leksionin e 2001-shit dhe se nuk do të gabojë që t’i përsërit hapat që sollën deri te konflikti i armatosur.

Mirëpo nuk po del ashtu.

Të gjithë e dimë se një ndër çështjet esenciale për zhvillimin e një shteti është arsimimi i popullatës së vet. Problemi dhe pengesa e arsimimit të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni është një histori më vete. Ne gjithmonë është dashur që të jemi kurbetçarë të dijes. Gjithmonë vendi në të cilin jetojmë ka qenë njerkë për neve në aspektin e furnizimit me dituri. Ne është dashur të përjetojmë sakrifica të mëdha deri sa ta mbarojmë një shkollë të mesme e për fakultete, kjo ishte një luks që shteti vet e dinte dhe kontrollonte se kush duhet ta kishte në shumicën e rasteve.

Pengesa për hapjen e paraleleve shqipe në shkollat e mesme solli demonstrata dhe pakënaqësi në anën e shqiptarëve, e pastaj burgosje të panumërta e shumë vjeçare për shqiptarët e Maqedonisë. E gjithë kjo për të drejta elementare – shkollim në gjuhë amtare. Hapja e Akademisë pedagogjike solli protesta masive nga pala maqedone, që mes tjerash kërkonte edhe “dhoma gazi për shqiptarët”. Neve akoma na rrinë para syve kur në shkollat tona ku ne mbanim mësimet jashtë dëgjoheshin parullat “vdekje për shqiptarët”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “vetëm shqiptari i vdekur është shqiptarë i mirë”, mandej edhe karikaturat ku vizatoheshin “ikse” të mëdha para shqiptarit me libër në dorë, demek nuk duam shqiptarë të arsimuar. Këto ishin në të kaluarën tonë të afërt. Në nuk duam që t’i ngjallim këto kujtime, por veç deshëm t’i përmendim sa për të arritur deri te esenca e këtij shkrimi. Edhe kjo kaloi. Erdhi koha e Universitetit të Tetovës. Forca të mëdha të armatosura penguan me dhunë hapjen e një universiteti i cili buronte nga nevoja elementare e një kombi për edukim dhe arsimim në gjuhën e vet. U deshtë të bien dëshmorë edhe për këtë rast. Sikur për secilën kërkesë tjetër të shqiptarëve në Maqedoni, fillimisht të derdhet gjaku, të sakrifikohet e pastaj ajo të arrihet në mënyrë gjysmake apo jo të plotë.

Këto të gjitha ishin të kaluara.

Falë Zotit në sot kemi shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën tonë amtare. Kemi edhe Universitete në gjuhën shqipe, mirëpo pala maqedone akoma vuan nga komplekse të cilat nuk duhet t’i ketë pasur kurrë. Edhe në ditë të sodit, kur qytetarët e vet, kërkojnë që të shkollohen nëpër shkolla të cilat po ky shtet ia u ka bërë obligim, këta privohen duke kufizuar hapjen apo shtimin e një apo dy paraleleve shqipe për mësim në disa prej shkollave të mesme profesionale. Rasti i vendimeve që po i sjelli komuna e Shkupit si dhe Ministria e Arsimit kur akoma kemi ministrin shqiptarë është një shembull i paparë. Diçka që askush nuk e ka pritur. Sikur dikush akoma po frikohet nga arsimimi i shqiptarëve.

Në vend se ky interesim i madh i semi-maturantëve të përshëndetet dhe stimulohet nga institucionet përkatëse dhe të merren iniciativa për përmirësimin e kushteve të tyre nëpër shkollat e mesme që në shumë vende janë në kushte katastrofave, në ditë të sodit sillen vendime për mos hapjen apo edhe mbylljen e paraleleve ekzistuese në gjuhën shqipe. Kjo me të vërtetë është brengosëse dhe çështje shumë e ndjeshme. Në po këto paralele shqipe, nxënësit shqiptarët janë të grumbulluar nga 40 deri në 50 nxënës vetëm për t’i ikur këtij problemi (numrit të kufizuar të paraleleve) dhe mos mbetjes në rrugë të nxënësve që meritojnë shkollim dhe arsimim, në të njëjtën kohë paralelet maqedone edhe pse me nga 15 e 20 nxënës mbesin të tilla dhe në mënyrë shumë komode vazhdojnë punën e tyre.

Kjo arsimofobi apo shqiptarofobi e palës maqedone edhe njëherë po tregon se sa vizionarë dhe sa transparentë janë në udhëheqjen e shtetit.

Të gjorët akoma mendojnë se të drejtat që u jepen shqiptarëve donë të thotë zvogëlim i të drejtave dhe privilegjeve të tyre. Apo më falni, të drejtat që i marrin shqiptarët, se fjala jepen apo jap, te këta nuk ekziston, se neve asnjë e drejtë nuk na është dhënë si rezultat i vullnetit të mirë, por të gjitha janë arritur me sakrifica shumë të shtrenjta.

Kjo edhe njëherë, pa dashjen tonë na e rikujton të kaluarën. Na e rikujton periudhën e shekullit të kaluar, edhe përkundër asaj që ne po mundohemi sa më shumë që mos ta kujtojmë. Kjo edhe njëherë na dëshmon se inteligjenca dhe udhëheqësia maqedone aspak nuk ka evoluar në aspektin e zhvillimit të një shteti multietnik.

No comments: