Thursday, June 26, 2008

SHQIPTARËT E MAQEDONISË DHE FORCA E TË RINJËVE

SHQIPTARËT E MAQEDONISË DHE FORCA E TË RINJËVE

Milazim MUSTAFA

- reagim pas emisionit Top Show në Top channel me po të njëjtin titull

Shqiptarët e Maqedonisë, kohëve të fundit janë duke u sulmuar me një dozë të madhe të Islamofobisë që dita ditës është gjithnjë në rritje edhe atë kryesisht nga vet shqiptarët. Edhe përkundër faktit se shumica dërmuese e pjesëtarëve të kombit shqiptarë duke i llogaritur globalisht, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore, Çamëri dhe diasporë janë të përkatësisë fetare islame, prap se prap me të madhe sidomos në media çështja e besimit islam paraqitet si problem për shqiptarët.

Për t’ia vërë kulmin kësaj, pas debateve të nxehta që i zhvilluan dy kolosët e letërsisë shqipe Qosja dhe Kadareja i cili debat vazhdoi edhe me inkuadrime të tjera, të enjtën mbrëma, në emisionin TOP Show të realizuar në kanalin prestigjioz shqiptarë Top Channel, haptazi në mënyrë direkte u sulmuan myslimanët dhe besimi islam ndër shqiptarët. Udhëheqësi i emisionit në mënyrë shumë direkte ua bëri me dije studentëve mysafirë nga Maqedonia dhe shqiptarëve anë e mbanë, se problem për ta janë xhamitë dhe feja islame.
Edhe pse nuk besoj se rastësisht në emision ishin të ftuar persona që bartnin emra arab apo turk, që përgatitësit e këtij emisioni t’i përcjellin mesazhet e tyre cinike dhe nënçmues, prap se prap mendoj se situata me shqiptarët e Maqedonisë është shumë më ndryshe se si u paraqit në Top SHOW.
Kryesisht dua të lidhem me pjesën e fundit të këtij emisioni, kur udhëheqësi Alban Dudushi, paralajmëroi diskutimet në lidhje me xhamitë dhe “problemin e fesë islame”.
Si pikë e parë për të cilën dua ta njoftoj dhe t’ia tërheq vërejtjen z. Albanit dhe Z. Nazarko-s si udhëheqës të këtij emisioni, por edhe gjithë atyre që mendojnë njëjtë, publikisht, me bindje të plotë u them se feja islame nuk është problem të shqiptarët. Por, përkundrazi, ka qenë është dhe gjithmonë do të mbetet si mjeti më i mirë për ruajtjen, kultivimin dhe avansimin e vlerave tona kombëtare dhe integruese.
Për këtë kemi edhe shumë argumente.
Si pikë e parë nga vet studiuesit e shumtë si historian, si etnolog apo diçka tjetër është vërtetuar, se feja islame ka qenë ajo që ka mbrojtur asimilimin dhe zhdukjen e elementit shqiptarë në trojet ballkanike, e sidomos atyre jashtë kufinjëve të Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Për këtë kemi edhe rastin ku vet udhëheqësi, z.Dudushi, ceku se në Maqedoni ka pasur shqiptarë të konfesioneve tjera përveç atij Islam, e që sot më nuk janë.
Unë shumë herë në kontaktet e mia me vëllezërit shqiptarë nga Shqipëria, jam ndier keq nga konkluzionet e tyre se shqiptarët e Maqedonisë, janë të pashkolluar, të paarsimuar, të pakulturuar etj. Ndoshta ky mendim është edhe në pjesën dërmuese të shqiptarëve të Shqipërisë. Mendimi im është se krejt kjo është si rezultat i ndryshimit të sistemit të vlerave dhe i ndikimit të shthurjeve që i solli postmodernizmi i parakohshëm në shoqëritë shqiptare. Sepse në Shqipëri një person që nuk pin alkool mund të ndihet i prapambetur, ndërsa po i njëjti në Maqedoni do të llogaritet, si person i mirë, apo mos të them edhe i moralshëm ( edhe pse kjo gjë ka të bëjë shumë pak me moralin), apo ndoshta edhe virgjiniteti për dikë mund të llogaritet përparim e diku tjetër prapambeturi, apo moral dhe amoralitet, ndoshta ky është edhe shembull banal pak, por ata që e kanë përcjellur emisionin e kanë të qartë pasi në kuadër të emisionit u cek edhe kjo çështje. Kjo punë duhet të kuptohet kështu të nderuar/a vëllezër dhe motra.
Nga ana tjetër, në lidhje me çështjen e arsimimit, është më tepër se evidente se ne jemi mbrapa edhe atë jo si rezultat i islamit që na paska lënë mbrapa, por si rezultat i pozitës gjeografike, apo pushtetit sllav që këtë çështje na e ka pamundësuar me metodat më barbare dhe të fëlliqura. Ne shumë mirë e dimë se kur është hapur universiteti i Prishtinës, por edhe më mirë e dimë se kur është hapur edhe universiteti i Tetovës (tash Universiteti Shtetëror i Tetovës). Këtë edhe më mirë do ta kuptonim nëse kthehemi në pjesë e dytë të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, për parullat dhe thirrjet e rinisë maqedone – sllave për “dhoma gazi” për shqiptarët, me rastin e hapjes së Akademisë pedagogjike në gjuhën shqipe në Kuadër të universitetit shtetërorë maqedon. Këtu shumë mirë do të shihet se sa vështirë e kanë pasur që prindërit e tanë ta mbarojnë një shkollë të mesme e lëre më një fakultet, ku shteti amë i kishte mbyllur kufijtë për ne, ku disa vite pas themelimit të Universitetit të Prishtinës pasuan demonstratat e 81’ e të gjitha ato tjerat pas tyre që nuk dua të ndalem e që shpien në destabilizimin e Kosovës, po ashtu edhe me hapjen e Universitetit të Tetovës, u desht që të bien dëshmorë dhe të derdhet gjak për ta hapur këtë universitet, pastaj u desht të bëhet një luftë e 2001 që ky universitet të legalizohet dhe të pranohet nga shteti e kështu me radhë.
Sot është e vërtetë se kemi dy universitete shqiptare në Maqedoni, kemi edhe disa të tjerë që sot mundësojnë studimin në gjuhën shqipe, si rezultat i ndryshimit të klimës politike dhe ekonomike në Maqedoni, kemi pra mbi 25000 student shqiptarë në Maqedoni. Por ata që marrin vesh në zhvillimin demografik, këtë që po dua ta them unë më së miri e kuptojnë, sepse shumica prej këtyre studentëve, sikur që kam qenë edhe unë e që janë edhe vëllezërit dhe motrat e mia, jemi gjenerata e parë që po mbarojmë arsimin e lartë në një numër të tillë. Prandaj për tu arritur kjo duhet kohë dhe punë, por edhe më tepër përkrahje në të gjitha aspektet.
Prandaj, ajo që ne shqiptarët e Maqedonisë sipas shqiptarëve të Shqipërisë, jemi mbrapa aspak nuk mund të llogaritet si rezultat i asaj se neve feja na ka lënë mbrapa. Përkundrazi, feja gjithmonë ka qenë ajo që u ka dhënë shtytje përpara proceseve të avancimit intelektual të njerëzimit. Nëse do dikush të dijë më tepër në lidhje me këtë çështje le të interesohet për historinë dhe shumë lehtë mund t’i gjen burimet të cilat sot më gjinden veç të shkruara, për periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e deri në periudhën ta quaj “rilindjen e vonshme të shqiptarëve jashtë shtetit amë” e cila ishte diku kah vitet e 70 të shekullit të kaluar. Do të shohin shumë mirë se kush kanë qenë ata mësuesit e popullit të cilët kanë rrezikuar edhe jetën e tyre, për t’iu mësuar fëmijëve shkrim-leximin në gjuhën amtare, por edhe për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare jashtë kufinjëve politik të Shqipërisë.
Të bazuarit në thëniet e disa personave nga Maqedonia, për çështjen se “feja islame është problem të shqiptarët (e posaçërisht neve të Maqedonisë)” është tepër e pa bazë. Besoj se deklaratat e tilla që jipen në mediat e Shqipërisë janë kryesisht me qëllim politik dhe cinik, që aspak nuk kanë të bëjnë me realitetin. Nëse dikush do të dijë më tepër rreth kësaj çështje le të urdhërojë të bëj hulumtime dhe studime, e jo të marrim informata me qëllim të caktuar politik nga persona dhe personalitete të përkushtuar në zhveshjen e petkut tradicional por edhe fetar shqiptarë.
Sot si gjithandej edhe në Maqedoni, kanë filluar punët të rrjedhin më ndryshe. Periudha e demokracisë iu dha hapësirë më të madhe edhe pse fatkeqësisht jo të mjaftueshëm të gjithë të shprehin atë që mendojnë dhe ndjejnë, normalisht me raste gjithnjë e më të potencuara kohëve të fundit të pengesës së shprehjes së mendimit të lirë dhe disa lirive elementare njerëzore, por prap se prap, shumë më mirë sesa kemi qenë ca kohë më parë. Sot ndoshta kemi një zbehje të elementit tradicional islam te shqiptarët e Maqedonisë, por kemi një shtim të madh të atyre që islamin e kanë bindje dhe e ndërtojnë jetën e tyre në bazë të dispozitave islame. Sot ke një numër të madh të studentëve, bile bile edhe student të dalluar që me mburrje deklarojnë dhe janë praktikues të rregullt të normave fetare islame, si puna e namazit, apo agjërimit. Edhe për ata edhe për mua aspak nuk është problem të jemi intelektual, por edhe të jemi mysliman. Të jemi familjarë por të jemi mysliman, të jemi pro integrimeve ne EU dhe NATO, por edhe të jemi mysliman të devotshëm, të luftojmë për të drejtat e njeriut, por edhe të jemi mysliman. Prandaj për mos të e zgjatur më tej, kisha dashur ta përfundoj me atë që edhe e ceka më lartë, se islami ka qenë arma më e fortë e jona që na ka ruajtur nga asimilimi dhe shkrirja jonë nga këto troje, islami është gjithashtu arma më e fortë që na mbron nga sëmundjet e kohës dhe devijimet sociale që i sjell postmodernizmi dhe globalizmi, islami do të jetë një nga faktorët kryesorë për integrimin me vlerat e mirëfillta shqiptare, vlera këto që do ta mbrojë çiltërsinë dhe pastërtinë tonë kombëtare në tregun pakufinjë të vlerave dhe antivlerave.

No comments: