Tuesday, July 29, 2008

VIZA EDHE PËR NË PRESHEVË


Arrestimi i njërit nga kriminelët e Bosnjës dhe Ballkanit ishte top lajm gati se në të gjitha mediumet botërore. Misteri i mbijetesës së Karaxhiqit, u bë më se i qartë. U zbulua se pas tij qëndron shërbimi sekret serb e pas tij edhe i gjithë shteti serb, por normalisht edhe aleatët e saj, gjë që dëshmon se sa Serbia ka bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës deri tani. Për të qenë edhe më i habitshëm ky rast, njëri ndër kriminelët më të kërkuar në botë kishte shëtitur gati se gjithë botën me misionin e tij të famshëm të mjekut alternativ me identitetin e ri të tij të krijuar dhe ndërtuar mjaft mirë.

Pazari i mirë që po e bën Serbia edhe njëherë dëshmon për diplomacinë e fortë serbo-ruse, në nxjerrjen e këtij shteti nga kriza e thellë që gjendej. Serbia përjetoi disa lufta brenda më pak se 10 viteve, ku të gjitha i humbi, por sot prap se prap ka arritur të mbaj një stabilitet ekonomik por edhe një avancim të shpejtë në aspektin diplomatik dhe politik.

Liderët serb në krye me akademinë e shkencave serbe dhe kishën ortodokse serbe mjaft mirë po i menaxhojnë punët e tyre. Po i bëjnë hapat e duhur në momentin duhur. Normalisht me nacionalizmin dhe shovinizmin e tyre, po arrisin që dalëngadalë t’i realizojnë qëllimet e tyre. Arrestimi dhe dorëzimi i Karaxhiqit ishte një përgjegjësi e madhe për partinë e presidentit Tadiq i cili mori kërcënime edhe nga më të rëndat si ajo se do ta pësojë fatin e ish kryeministrit Zoran Gjingjiq. Por, me siguri vetëdija e lartë kombëtarë dhe fetare si dhe vënia e interesave të shtetit në rend të parë po i bëjnë që këta liderë të vazhdojnë me proceset politike edhe përkundër kërcënimeve me jetërat e tyre.

Normalisht këtu rol të madh luan edhe “zonja e vjetër” e cila për interesat e veta gjeostrategjike po i shkel parimet e saja dhe gjithnjë e më shpesh po vien në shprehje standardet e saja të dyfishta. Në këtë rast, interesi më i madh i Evropës është zbutja dhe dobësimi i faktorit radikal dhe nacionalist në Serbi i cili vite me radhë ka pasur fuqinë dominonte në këtë vend të Ballkanit.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, popullit serb iu premtua statusi i kandidatit për në Unionin Evropian nëse heq dorë nga partia radikale e si stimulim për këtë ishte nënshkrimi i marrëveshjes për stabilizim asocim. Arrestimi i Karaxhiqit solli përgëzime të qarta nga Brukseli, duke e përgëzuar Serbinë për të arriturat e saja demokratike, si dhe përparimin e saj në plotësimin e standardeve për integrim në UE, bile edhe duke e krahasuar në nivel të njëjtë me Kroacinë si vend me status të kandidatit për në UE, duke i lënë mbrapa Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Normalisht, stimulimi i popullit serb për ta kthyer kah Evropa është dashur të jetë më i madh, mirëpo jo edhe në atë masë, sa për t’i kaluar fazat e paracaktuara që duhet t’i kaloj një shtet në procesin e integrimit të plotë për në UE si dhe për t’i harruar masakrat dhe gjenocidet e kryera brenda periudhës së shformimit të ish Jugosllavisë. Këto edhe pse ishin të kryera në kohën e fashistit Millosheviq, ishte po ky lider që me bekimin e kishës së tij dhe popullit të tij i kreu ato dhe vazhdon akoma të mbetet hero i këtij populli. Populli serb dhe Republika e Serbisë duhet të kërkojë falje për aktet e kryera në Ballkan në dekadën e fundit të shekullit të kaluar e pastaj të fillojnë proceset euroaltantike.

Ajo që vlen të mirret si shembull në gjithë këtë është loja e fortë diplomatike e Serbisë, që për momentin vlerësohet me notë maksimale. Kjo dëshmon për vetëdije të lartë të udhëheqësisë serbe në menaxhimin e shtetit të tyre, të cilët çdo hap të bërë po e shpaguajnë me çmim shumë të lartë për vendin e tyre. Fitore në zgjedhjet për demokratët, nënshkrim i marrëveshjes për stabilizim asocim, dorëzim i Karaxhiqit, status të kandidatit për në UE, pastaj me siguri dorëzim edhe të Ratko Mlladiqit për anëtarësim të plotë në UE, e krejt për në fund edhe pranim dhe njohja e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO.

Kjo ndoshta ishte e thënë me ironi të tepruar, por vlen pak të analizohet nga liderët e vendeve për rreth Serbisë, se në diplomaci poltronizmi rrallë herë ka kryer punë.

Ajo që më së shumti po më tangon për momentin është ngecja e Maqedonisë në proceset e lartcekura, ku Republikës së Maqedonisë çdo ditë e më shumë po i zgjatet rruga për në UE. Problemet e mëdha, e që janë gjithnjë në rritje me Greqinë në lidhje me emrin dhe identitetin maqedon, pastaj mos funksionimi i një opozite konstruktive si dhe ngecja e dialogut politik në proceset vendimtare për shtetin me dhjetëra herë janë të cekura si vërejtje nga Brukseli, raste këto për të cilat blloku maqedon bëhet shurdh.

Shqiptarët e Maqedonisë deri para pak kohe llogariteshin si të parët nga pjesa tjetër e kombit, që do ta shijojnë anëtarësimin e plotë në UE, por me ngjarjet e fundit që po rrjedhin në këtë vend e veçanërisht pas Samitit të Bukureshtit, ku politika maqedone u bind se ajo që bënte Greqia në lidhje me emrin nuk ishte një blef por një problem shumë serioz. Në këtë rast, politikanët shqiptarë në Maqedoni, si dhe faktorët tjerë relevant në vend si ata të sektorit qeveritarë dhe joqeveritarë duhet t’ia bëjnë me dije Gruevskit dhe lidershipit maqedonas se shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të jenë peng i çështjeve të tyre historike dhe problemeve të identitetit me Greqinë, problem ky që po e shpie Maqedoninë drejt një izolimi total. Duhet të kërkohet një afat për zgjidhjen e problemit me Greqinë, pasi se sipas asaj që po ndodh, as era zgjidhje nuk është duke ardhur, pas të cilit afat, normalisht nëse nuk ka zgjidhje duhet të ndërrohet kahja e politikës shqiptare në Maqedoni.

1 comment:

Unknown said...

ngadale, ngadale po krijohesh si KOLUMNIST i vertete. URIME - Armendi