Tuesday, October 24, 2017

Recenzion i librit "Qasja ime" të autorit Bajram Ramadani

Në kohën kur gjithçka po ngutet, bota ka nevojë për gjëra të shkruta të qarta dhe të dobishme. Një “qasje” e tillë e prezantuar nga autori Bajram Ramadani është më se e nevojshme për t’u thënë, shkruar dhe bartur me vete në çdo çast. Me plot bindje e them se lexuesi brenda këtyre kopertinave do të arrij të gjej thesare shumë të çmuara që kanë nevojë për lexim e rilexim të vazhdueshëm me qëllim që të vihet në praktikë edhe mesazhi që gjendet i formuluar me anë të këtyre shkronjave.
Veç kësaj, për fat të keq, koha kur po jetojmë po theksohet me mungesë të leximit, pamundësi për të gjetur kohën për t’u ulur dhe zhytur në thellësitë e dijes dhe librit. Ndoshta këto forma të tilla të të shprehurit të urtësisë, dijes dhe nxitjes do të jenë motiv për përthellim dhe gjetje të rrugës për kah libri dhe dituria e nepërmjet kësaj edhe deri te suksesi.Me këtë përmbledhje me thënieve të shkurta, të thella dhe praktike, autori Bajram Ramadani kësaj radhe na paraqitet me diçka që është shumë e përafërt me karakterin e tij. Për këtë ata që e njohin personalisht, besoj se ndajnë të njëjtin mendim me mua dhe veçmë e kanë parasysh se e kam fjalën për thellësinë e mendimeve të tij, ngrohtësinë që rrezaton në fjalët e tij, metaforën dhe humorin e tij të këndshëm, si dhe tentativat për zgjidhjet e problemeve dhe çështjeve të rëndësishme që tangojnë shoqërinë. Andaj kësaj radhe autori para nesh shfaq një pjesë nga thesari i tij i çmuar, e që besojmë se nuk do të shterret kurr në ofrimin e margaritarëve të çmuar në dobi të lexuesve dhe njerëzimit në përgjithësi.Ajo që vlen të theksohet gjatë shfletimit të këtij libri janë fjalët e urta që thirrin në moral, në dije, në mirësi, në ndalimin e së keqes e kështu me radhë. Këto pjesë përmbajtësore ia rrisin edhe më tepër peshën këtij libri duke e bërë edhe më të dashur, por edhe shumë të nevojshëm për të qenë pjesë e pandashme e secilit prej neve në rrugëtimit tonë. Ky libër është i mbushur me fjalë që meritojnë të merren si moto jetësore, meritojnë që të jenë statuset e përdithsme të jetës sonë dhe pikë orientuese për t’i drejtuar veprimet tona. Librat e tillë arrijnë të tejkalojnë kohën kur janë bërë. Ato tejkalojnë kornizat kohore dhe gjeografike duke mos njohur për asnjëfarë lloj barrierash.Eruditi i madh shqiptar, rilindasi i njohur Sami Frashëri thotë “Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtra”, andaj urojmë që këto fjalë të shkurtëra të marrin edhe vendin e lartë për atje ku janë synuar, ashtu siç janë të mbushura me mendime të larta dhe në të njëjtën kohë edhe me mendime të thella, mendime nxitëse, mendime që stimulojnë dhe hapin shtigje dhe dyer të reja për të gjithë ata që dëshirojnë të sfidojnë veten e tyre me gjëra të reja si dhe për ata të cilët dëshirojnë që e nesërmja e tyre të jetë më e mirë se e sotmja.


No comments: