Thursday, December 11, 2014

“Nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullativës zgjedhore dhe krijimi i supozimeve për realizimin e pandërprerë të së drejtës së votës për të gjithë personat që nuk janë në gjendje të votojnë në vendvotime (kategoritë e ndjeshme-personat e pastrehë, personat e vendosur në institucionet shëndetësore, entet për rehabilitim, shtëpitë e pleqve etj)” *)

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinjë!
Fillimisht më lejoni që të shpreh nderin tim të posaçëm dhe kënaqësinë që gjindem në këtë panel tepër të rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë dhe sundimin e së drejtës në vendin tonë, që jam i sigurtë se konkluza të këtij paneli do të jetë një hap i vogël por i sigurt për ecurinë e vendit tonë drejt proceseve të demokratizimit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm në respektivmin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ku padyshim se një ndër të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe të vlerave demokratike është e drejta e votës dhe shprehjes së vullnetit të lirë për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur.
Kodi zgjedhor që është në fuqi në Republikën e Maqedonisë është sjellë në vititn 2006 dhe prej atëherë ka përjetuar disa ndryshime që mund të nënkuptojmë edhe si përkushtim të vendit tonë për të plotësuar dhe ndjekur standardet dhe vlerat demokratike e që shpiejnë drejt synimit për organizimin dhe realizimin sa më cilësorë të proceseve të votimit.
Në të gjitha ndryshimet e deritashme, faktorë të rëndësishëm në përcjelljen dhe propozimin e ndryshimeve kanë qenë edhe faktorët ndërkomëtarë, kryesisht ato të spacializuar për fushën e proceseve zgjedhore si OSBE/ODIHR dhe subjekte tjera të ngjashme.
 Ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhorë janë të po këtij viti, respektivisht të 12 shkurtit 2014 (Gazeta zyrtare nr. 32/2014) ku të njëjtat poashtu janë realizuar në frymën e rekomandimeve të dhëna nga raportet paraprake të OBSE/ODHR-së dhe të Komisionit të Venedikut për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe të njëjtat kishin të bënin me disa dispozita që janë detektuar si dobësi dhe mangësi në plotësimin e standardeve demokratike dhe evropiane.
Nevoja për ndryshim të Kodit zgjedhor është rezultat i një procesi më të gjatë konsultimi në mes të partive politike si pjesëmarrës direkt në procesin zgjedhor.
Me Kodin zgjedhor rregullohet mënyra, kushtet dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të shtetit, për zgjedhjen e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, për anëtarë në Këshillet e Komunave dhe Këshillin e qytetit të Shkupit, për zgjedhjen e kryetarëve tëkomunave dhe kryetarit të qytetit të Shkupit, mënyra dhe procedura e evindetimit të së drejtës së votës dhe pëcaktimit, ndryshimit dhe publikimit të vendvotimeve si dhe kushtet dhe funkcionimin e vendvotimeve.
Në kontekst të kësaj tryeze për nevojat e ndryshimit dhe plotësimit të Kodit zgjedhor për përfshirjen e të gjithë personave që nuk kanë mundësi të votojnë në vendvotimet e caktuara (kategoritë e goditura si: personat e pastrehë, personat e vendosur në institucionet shëndetësore, ente për rehabilitim, shtëpitë e pleqve etj),  në përputhje me Kodin zgjedhor zgjidhje janë të parapara në nenin 111 ku është parapare e drejta e votimit të personit të pafuqishëm apo të  sëmurë, në nenin 112-a është ligjësuar votimi i  person me nevoja të posaçme, kurse në nenin 113 është caktuar votimi i votuesve të cilët në ditën e votimit janë duke vuajtur dënimin me burg ose janë në paraburgim, respektivisht në arrest shtëpiak.
Mendoj se në nenin 111 është rregulluar çështja e personave që nuk janë në gjendje të votojnë në vendvotime (kategori të ndjeshme si – personat e pastrehë, personat e vendosur në institucione shëndetësore, ente të rehabilitimit, shtëpitë e pleqve e të ngjashme).
Në këtë nen parashihen kategoritë të cilat janë të cekuara në këtë temë, se në çfarë mënyre mund ta sigurojnë të drejtën e votës. Respektivisht këtyre kategorive të qytetarëve ju mundësohet realizimi i të drejtës së votimit nëpër shtëpitë, e tyre, spitalet, apo vendqëndrimet e tyre, duke i paraqitur arsyet apo pengesat që paraqesin pamundësinë e tyre për të votuar në vendvotimin e caktuar konform adresës ku jetojnë.
Votimi i personit të pafuqishëm ose personit të sëmurë
Neni 111
(1)   Personi që nuk është në gjendje të votojë në vendvotim (person i pafuqishëm, person i sëmurë sipas rekomandimit të Komisionit Shtetërorë Zgjedhorë), dhe i njëjti dëshiron të votojë, për atë duhet ta njoftojë Komisionin zgjedhor Komunal, respektivisht Komisionin zgjedhor të qytetit të Shkupit së paku shtatë ditë para ditës së caktuar për votime.
(2)   Ky njoftim nga paragrafi (1) i këtij neni ka të bëjë edhe për rrethin e parë edhe të dytë të votimit.
(3)   Njoftimi i paragrafit (1) të këtij neni mund të jepet edhe nëpërmjet personit të autorizuar.
(4)   Këshilli zgjedhor personit të paragrafit (1) të këtij neni do t’i mundësojë që të votojë në shtëpi të tij një ditë para mbajtjes së votimeve në mënyrë që të sigurohet fshehtësia e votimeve.
(5)   Këshilli zgjedhor për votimin nga paragrafi (3) i këtij neni siguron kuti të posaçme votimi e cila dërgohet e zbrazët në shtëpi ku gjendet votuesi.
(6)   Votimin nga paragrafi (3) i këtij neni këshilli zgjedhor e shënon në procesverbal.
(7)   Për ditën orën dhe votimin nga paragrafi (3) i këtij neni kryetari i Komisioni komunal zgjedhor respektivisht Komisioni zgjedhor i qytetit të Shkupit i njofton me shkrim përfaqësuesit të parashtruesve të listave.

Veç kësaj, ligji parasheh edhe lehtësime edhe për personat analfabet, apo personat që për shkaqe të tjera nuk kanë mundësi ta realizojnë vet vullnetin e tyre, të drejtën e votës. Në këtë rast, në mënyrë të qartë në nenin 112 parashihen mundësitë dhe lehtësimet për kategoritë e tilla të personave me qëllim të realizimit të së drejtës së tyre kushtetuese të votës.
Poashtu, Kodi zgjedhor parasheh edhe votimet e personave që janë në vuajtje të dënimit nëpër institucionet penalo-përmirësuese, të gjitha detajet për votimin e kësaj kategorie të qytetarëve janë të cekura në nenin 113 të Kodit zgjedhor, ku normalisht edhe u sigurohet fshehtësia dhe e drejta e pacenueshme e votës.
Në kuadër të Ministrisë së drejtësisë thuajse vazhdimisht është aktiv grupi punues që punon në ndryshimet dhe plotësimet e Kodit zgjedhor, ku përveç ekspertëve nga ministria jonë, marrin pjesë edhe përfaqësues të partive politike, sektorit civil si dhe faktorit ndërkombëtarë në vend. Me këtë rast ju njoftojmë se veç më është duke u punuar konform rekomandimeve të fundit të OSBE-OHIHR që u vërejtën gjatë cikleve të fundit zgjedhore.
Ministria e drejtësisë me Konkluzë numër 2 nga Procesverbali i senancë së 23 të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë të mbajtur më 23.09.2014 është obliguar që ta informojë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për aktivitetet e grupit punues për ndryshime të legjislaturës zgjedhore dhe njëkohësisht të dërgojë edhe propozim plan aksional për punën e mëtejshme të këtij grupi.
Duke venpruar konform konkluzës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Drejtësisë deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë u dërgua plani aksional për aktivitetet e ardhëshme për ndryshimin e legjislaturës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 13 dhe 27 prill 2014.
Duke e pasur parasysh faktin se janë në rrjedhë aktivitete për ndryshimin e legjislaturës zgjedhore në qoftë se ka propozime eventuale për këto kategori të personave, apo edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet, të njëjtat mund të dërgohen deri te Ministria e Drejtësisë ku do të shqyrtohen dhe do të kihen parasysh në Propozim ndryshimet e reja për ndryshim dhe plotësim të Kodit zgjedhorë.
Mes tjerash, në këtë panel të nderuar dëshiroj të ndajë edhe një problem serioz me të cilin ballafaqohet shoqëria jonë, e që është ekzistimi i personave që nuk gëzojnë të drejtën e qytetarisë, respektivisht personave që nuk janë të evidentuar nëpër librat amë të të lindurve. Numri i kësaj kategoria njerëzish nuk është edhe aq i vogël, për të cilin fenomen edhe vet organizatori, Avokati i popullit disa herë nga ngitur zërin, por edhe në kuadër të institucioneve relevante është duke u punuar intenzivisht për t’u gjetur zgjidhje që të evidentohen të gjithë personat që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, ku më pas besojmë se një numër i madh i tyre edhe do ta gëzojnë të drejtën e votës. Për këtë, në grupin punues ku merr pjesë edhe Ministria e Drejtësisë, së bashku me Ministrinë për punë dhe politikë sociale, Drejtoria për Administrim me Librat Amë, si dhe përfaqësues të sektorit civil, shpresojmë në përkrahje më të madhe edhe të organeve tjera por edhe të faktorit ndërkombëtar në vend me qëllim që njëherë e përgjithmonë të eliminohet ky problem, i cili është shumë i padëshirueshëm edhe për personat të cilët janë të privuar nga gëzimi i kësaj të drejte, por edhe për vet shoqërinë dhe shtetin ku jetojnë.
Të nderuar të pranishëm, më lejoni që edhe njëherë në fund të shpreh kënaqësinë time që kisha mundësi t’i drejtohem këtij paneli tepër të rëndësishëm dhe të ju ftoj që të gjithëve së bashku të japim një kontribut kreativ për aktivitetet e ardhshme për ndryshimin e kornizës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe faktorëve tjerë relevant.

Ju dëshiroj gjitha të mirat dhe punë të mbarë.


*) Prezantim në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Ambasada e Amerikës në Shkup dhe Zyra e Avokatit të Popullit të Maqedonisë e mbajtur në Hotel Metropol në Ohër më 24-25 nëntor 2014

No comments: