Saturday, May 10, 2008

Lojërat e cekëta të diplomacisë maqedone

Lojërat e cekëta të diplomacisë maqedone


Shkruar nga Milazim Mustafa
Lajmi për çështjen e vizave që fatmirësisht sipas të gjitha gjasave do të ketë fundin e mirë, me shpejtësi të madhe mori jehonë dhe arriti deri te çdo shqiptarë pamarrë parasysh shtetit dhe vendit ku jeton. Më të zëshëm ishin mediat në Shqipëri pasi se bashkatdhetarët tanë atje në mënyrë direkte ishin të prekur nga ky vendin i qeverisë së Maqedonisë, sepse në masë të madhe vështirësohej lëvizja e tyre me Maqedoninë. Deri para pak kohe edhe ajo përvoja jo fer dhe jo e ndershme që dikush të paguajë vizë, apo për dikend të duhet viza e për dikend jo u duk opsion i mirë, por ata që dinë pak t’i shohin gjërat në mes gishtërinjve apo që i njohin trendet e politikës dhe diplomacisë së mirëfilltë, prej fillimit e panë se fundi i kësaj loje jo të ndershme nga ana Maqedoni do të thotë dështim për vet inicuesit. Ashtu edhe ndodhi.
Para pak kohe edhe zyrtarisht nga funksionarët e lartë të Ministrisë së punëve të jashtme u mor vesh se kjo krizë, është tejkaluar, por pritet që të përfundojë me nënshkrimin zyrtarë të aktit nga ana e instancave më të larta shtetërore me të cilin do të hiqet tërësisht vizat për qytetarët e të dy shteteve fqinje. Ky lajm normalisht se edhe na gëzoi, sepse ishte dhe do të jetë mundësia më e mirë e mundshme për momentin, ku secili qytetarë pa marrë parasysh, nacionalitetin e tij apo shtetin se prej cili vjen, pa pasur nevojë vize, apo pagese të ndonjë depoziti mund të kaloj kufirin vetëm me pasaportë valide, e pastaj normalisht vlejnë standardet e përgjithshme evropiane për qëndrimin e të huajve. Kjo gjë edhe u arrit falë Zotit.
Ajo që po dua ta cek në këtë shkrim është dështimi i diplomacisë maqedone dhe jo serioziteti i konsiderueshëm që i dëshmua në këtë rast. Për këtë faji duhet të vihet mbi gjithë qeverinë e Republikës së Maqedonisë, të cilët ia lejuan vetes një luks të tillë që të bëjnë një gafë të tillë që mund edhe të binte në përkeqësimin e marrëdhënieve shumë të mira me Republikën e Shqipërisë. Mendimi i diplomacisë se kanë arritur në nivel i cili ia obligon vendosjen e vizave për vendet të cilat janë më ulët në nivelin e integrimeve në Unionin Evropian u demantua edhe nga përfaqësuesit e zyrës së UE-së në Shkup duke thënë se ky ndryshim në sistemin e vizave për qytetarët shqiptarë të Republikës së Shqipërisë nuk është kusht i kërkuar nga Unioni Evropian, me këtë edhe iu bë me dije se diplomacia maqedone kishte bërë një hop para se të kërcente kështu që erdhi edhe te dështimi i tyre në aspekt diplomatik, por edhe në zbehje të marrëdhënieve ndër fqinjësore.
Moment tjetër që meriton të ceket në këtë rast është edhe fajësimet e partive politike shqiptare në Maqedoni duke e akuzuar njëra tjetrën se jo ju e keni sjell ligjin, jo në kohën e juaj ka hyrë në fuqi, e kështu me radhë, sikur që edhe jemi mësuar me zhvendosjen e fajit gjithmonë të oponenti politik, sipas të gjitha gjasave ishte një ngritje pluhuri nga partia shqiptare në pushtet me qëllim të përmirësimit të rejtingut të tyre edhe ashtu të dobët. Mirëpo zgjedhja e metodave të tilla për përmirësim të rejtingut nuk është e hijshme të bëhet kur dihet se ishte në pyetje fati dhe vështirësimi i lëvizjes për miliona e miliona njerëz.
Por sidoqoftë “fundi ishte i hajrit” si thotë populli, sepse u arrit që të bëhet ashtu sikur që të gjithë do të dëshironim për momentin e ajo është lëvizja e lirë dhe pa viza për qytetarët e të dy shteteve.
Ajo që mbetet pas gjithë kësaj situate është loja jo e hijshme dhe shumë e cekët diplomatike e Republikës së Maqedonisë e cila totalisht doli e nënçmuar dhe dështuar nga mediat dhe publiku në të dy vendet. Kjo edhe njëherë dëshmon jo seriozitetin dhe kapacitetin e cekët diplomatik të Republikës së Maqedonisë që dëshmojnë edhe me përgjigjet dhe supozimet e fundit në lidhje me pranimin e ftesës për anëtarësim në NATO si rezultat i problemit me fqiun jugor për çështjen më veç të njohur të emrit.
Hapat e tillë diletante për një vend me status kandidati për anëtarësim të plotë në Union Evropian nuk guxojnë të tolerohen.

No comments: