Friday, March 19, 2010

Nëpër mjegulla...

1.
Loja e futbollit ka marr një kohë shumë të madhe të jetës time. Tash këtë luks ia kam zvogëluar, por edhe përkundër kësaj, ndeshjet e Ligës së Kampionëve i përcjelli me vëmendjen më të madhe. Edhe pse parapëlqej që ndeshjet t’i përcjelli në ambient familjar, aty ku ndihem shumë më i lirë, kësaj radhe ndeshjen e të mërkurës në këtë nivel garues vendosa ta përcjelli në lokalin afër lagjes time. Atmosfera ishte shumë e mirë. Komentet, provokimet, “tifozllëqet”, për njërën dhe ekipin tjetër, ma kujtonin kohën e karrierës time si tifoz i klubit tim të zemrës Bashkimit, që fatkeqësisht, “fantazmat” e zhdukën nga skena e futbollit. Ajo që shumë më brengosi, ishin tiketat e shumta të basteve që i shihja nëpër duart e këtyre të rinjve. Shpresonin e shpresonin, se parashikimet e tyre, të dalin të sakta e të marrin ndonjë “pare”. Pasi mbaroi ndeshja, të shumtë ishin ata që, të revoltuar, hidhnin e shqyenin tiketat e tyre për tokë, duke sharë dhe fyer këto ekipe për “trukimin” e ndeshjeve e kështu me radhë. Fakt tjetër që hasa në këtë rreth ishin informatat e shumta që dispononin mbi ngjarjet dhe aktorët e futbollit. Dinin se me çfarë rezultati ka mbaruar edhe një ndeshje e ligës së dytë apo të tretë të Skocisë, apo Norvegjisë, sa vëllezër i ka filan lojtari, sa herë ka qenë e martuar nëna e vet e kështu me radhë... Sikur ta shfrytëzonin këtë kohë për gjëra tjera më të dobishme, me siguri se punët shumë më mirë do t’i kishin. Edhe këtë po ua bëjnë “bastoret” e shumta që janë hapur në çdo kënd të rrugës. Po i vjelin edhe ato pak para që gjinden nëpër xhepat e tyre, duke i mashtruar, nëpërmjet shpresës për të fituar diçka. Të nderuar, pronarët e këtyre lojërave të “fatkeqësisë”, këtë biznes e udhëheqin duke fituar para të majme. Po të ishit ju ata që fitoni nga këto “lojëra”, të gjitha lokalet e basteve do të mbylleshin, andaj, mos shpresoni të fitoni diçka që paraprakisht e keni humbur. Biznesi i tyre lulëzon duke ua marrë paratë juve, andaj, si mendoni, t’i fitoni, logjikë shumë e thjeshtë, apo?

2.
Iniciativa për “hapjen e kutisë së Pandorës”, apo për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni ishte ndër lajmet që më së shumti më tërhoqën. Kërkesa e shqiptarëve, për ndryshime në kodin zgjedhorë, gjithashtu ishte për t’u përshëndetur. Ndryshimi i sistemit zgjedhorë, sipas të mirinformuarve, do të jetë mundësi për daljen nga krimi zgjedhorë (nëse nuk futemi në ndonjë më të madh), por edhe dalje nga ky kurth në të cilin gjendemi ne shqiptarët. Ekzistimi i një zone të vetme, ku nuk do të humbet asnjë votë, është një opsion që në njëfarë mënyre i frikon bashkëqytetarët tanë maqedonas. Pastaj edhe ekzistimi i listave të hapura, do kontribuojë për forcimin e demokracisë në vend. Në këtë sistem proporcional, zvogëlohet e drejta e qytetarit për zgjedhjen e kandidatit për të cilin ai dëshiron të voton, kështu që listat e hapura do ta mundësojnë këtë. Më e mira e këtyre ndryshimeve do të jetë, se do të përmirësohet, kualiteti i të zgjedhurve tanë. Mendoj se në këtë rast, partitë do ta kthejnë besimin te elektorati, por edhe ne, votuesit do të kemi rastin të zgjedhim atë për të cilin mendojmë se ia vlen të na përfaqësojë në parlament. Jo të votojë listën ku paraprakisht dihet se kush fiton, që zakonisht janë “të fortit” e partisë, që shpesh herë nuk posedojnë kualitete për vende të tilla, e më vonë, të njëjtit kalojnë mandatin e tyre katërvjeçar si i zgjedhur i popullit, pa asnjë fjalë të thënë atë ku duhet. Mos të harroj edhe atë muhabetin e 200 mijë votave në pjesën lindore të Maqedonisë, që më është bërë varrë, që nëse nxirrej në dritë do të shëronte shumë gjëra. Nëse e bëni këtë, hallall ju qoftë.
3.
Kur përmenden shërbimet sekrete, neve na ngjallet frika. Me siguri se këtë e kemi nga përvoja jonë e hidhur e me këto organeve të sigurisë. Para disa ditëve, nga po këto shërbime, disa familjarëve të disa miqve të mi të rinj (minoren), nëpërmjet telefonave fiks u është lajmëruar, se fëmijët e tyre janë të ftuar në biseda informative. Paramendojeni se si do të reagonim ne, nëse diçka e ngjashme do të ndodhte me fëmijët tanë. Shkaku i thirrjes në biseda informative kishte qenë se këta shkollarë të mesëm, shqiptarë, kohëve të fundit kanë qenë aktiv në organizimet nëpër shkollat e tyre, sidomos me rastin e 7 marsit, por edhe pse janë aktivistë në organizata joqeveritare të regjistruara në shtet. Përfaqësuesit e këtyre organeve, fatkeqësisht i mbyllin sytë përballë kriminalitetit që ndodh në shtet, e merren me fëmijë që janë shembullor dhe dëshirojnë të kontribuojnë për shoqërinë. Pse e bëjnë këtë, veç ata e dinë.

4.
Javën që shkoi, në vendin tonë u mbajt manifestimi poetik i radhës “Takimet e Karadakut”. Ky manifestim i poezisë shqipe është një rast i mirë i takimit dhe kultivimit të fjalës së shkruar në këtë rajon. Fatkeqësisht, të rralla janë manifestimet e tilla. Përkundër vlerës së madhe, ky aktivitet duhet të shndërrohet në një eveniment të madh ashtu siç meriton të jetë. Me plot zemër i uroj organizatorët për vazhdimësinë e këtij takimi, duke sjell emra të poezisë nga të gjitha trojet shqiptare, por sot, besoj se janë të plotësuar kushtet që ky aktivitet të dalë prej “gjysmë legalitetit” dhe të bëhet një manifestim mbarëkombëtarë i poezisë shqipe. Si një poet në shpirt, me plot dëshirë do ta përcjellja këtë manifestim, sikur që e kam përcjellë edhe disa vite më parë në cilësinë e një vizitori, po të kisha informata për mbajtjen e këtij manifestimi. Besoj se zëri i këtij manifestimi duhet të jehojë më tepër, ashtu siç është edhe emri i organizatorit. Gjithçka ishte me qëllimin më të mirë të mundshëm.

(Botuar në Gazetën KOHA të 19 marsit 2010)

No comments: