Friday, January 8, 2010

MINARET, ZVICRA DHE MYSLIMANËT

Zvicra, njihet si shtet neutral që aplikon demokracinë e drejtpërdrejtë, që, dmth njeh referendumin si formë të zakonshme për marrjen e vendimeve demokratike. Është një konfederatë kushtetuese, preambula e së cilës fillon me “Në emër të Zotit të Plotëfuqishëm”, pastaj edhe me marrëdhënie jo qartë të ndara në mes të kishës dhe shtetit, duke e lënë këtë si çështje të hapur kantonale .
Më 29 nëntor të këtij viti Zvicra doli në referendum në nivel federal. Në këtë referendum ishin të parapara tri pyetje për të cilat duhet të vendosnin qytetarët e këtij vendi. Dy prej këtyre kaluan, kurse njëra ra. Prej atyre që kaluan ishte edhe pjesa më e diskutueshme e këtij referendumi, ajo e ndalesës për ndërtim të minareve në xhamitë e myslimanëve. Ky referendum ishte i iniciuar nga një grup i vogël qytetarësh dhe i përkrahur vetëm nga një parti djathtiste, Partia popullore e Zvicrës (SVP), parti kjo që ishte bartëse kryesore e kampanjës për kalimin e referendumit, me qëllim të ndaljes së “islamizimit” të Zvicrës . Sipas rezultateve zyrtare 57,5%, votuan pro, propozimit për ndalimin e minareve , ndërsa në nivel kantonal, vetëm katër prej njëzet e gjashtë kantoneve votuan kundër këtij propozimi (respektivisht 3 ½ , duke e ditur se kantoni Bâle-Ville, posedon vetëm gjysëm vote ).
Sipas deklaratave të zyrtarëve që ishin përkrahës të referendumit qëllimi i inicimit të këtij referendumi nuk ishte vetëm ndalimi i ndërtimit të minareve, por edhe vënia e një vije të kuqe për të drejtën e sheriatit dhe islamit politik që në njëfarë mënyre ka filluar të jetohet (lideri i grupit iniciues Walter Wobmann prej partisë SVP, në këtë shtet evropian.
Qeveria e Zvicrës, shumica e partive politike, bile edhe kishat si dhe bashkësia e biznesit në Zvicër ishin kundër daljes në referendum. Rasti tjetër plotësues ishte se të gjitha anketat paraprake flitnin për një dështim të këtij referendumi, duke u bazuar në faktin se i cenon të drejtat dhe liritë elementare të njeriut, konkretisht, të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit.
Me këtë hap, shumica e analistëve deklarojnë se ky referendum do të kontribuojë në rritjen e ekstremizmit në Zvicër, por edhe dëmtimin e imazhit të Zvicrës në botë, sidomos në vendet myslimane, por në masë të madhe edhe dëmtimin e ekonomisë së Zvicrës fakt ky që vërtetohet me disa iniciativa të filluara për bojkotim të produkteve zvicerane, si tërheqjen e parave nga bankat e Zvicrës e kështu me radhë.
Edhe pse në Zvicër deri më tani nuk ka pasur probleme ndërfetare, sipas shumicës së analistëve shkak kryesor i kalimit të këtij referendumi janë imamët radikal, çështja e femrës myslimane, kryesisht të drejtat e femrës dhe veshja e saj (ferexheja). Po ashtu edhe kampanja shumë e nxehtë që zhvillua nga bartësit e këtij referendumi, duke paraqitur minaret si raketa të zeza që mbijnë mbi flamurin e Zvicrës, por edhe një femër të mbuluar me ferexhe të zezë, që vërtetë ishte një provokim i rëndë, hap ky që u dënua si akt racist nga organizatat joqeveritare dhe bashkësia ndërkombëtare.

Myslimanët në Zvicër

Në Zvicër, momentalisht jetojnë diku mbi 400000 myslimanë. Kryesisht vijnë nga vendet e Ballkanit (pjesa më e madhe e tyre shqiptarë më së shumti nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, por edhe turq e boshnjak). Në Zvicër, ekzistojnë mbi 200 faltore myslimane, ku vetëm katër prej tyre janë xhami me minare. Kryesisht këto faltore të myslimanëve janë larg vendeve të urbane, konkretisht, në zonat industriale, nëpër fabrika të lëshuara, nëpër bodrume të ndryshme e kështu me radhë.
Sa i përket integrimit të myslimanëve në shoqërinë zvicerane, kemi një shkallë të ulët të integrimit (nëse flasim për integrim me vlera islame). Edhe përkundër imamëve të shumtë dhe goxha të përgatitur në aspektin fetarë, një numër shumë i vogël prej tyre njeh mirë gjuhën e vendit dhe është i aftë t’i prezantojë, respektivisht t’i mbrojë tezat dhe qëndrimet islame veta në publikë (si pasojë e mos njohjes së gjuhës). Përveç kësaj shkak tjetër i rëndësishëm është edhe mungesa e një institucioni të fuqishëm që do t’i përfaqësonte interesat e myslimanëve në nivel shtetërorë. Zakonisht bashkësitë myslimane janë të ndara në aspekt nacional, kështu që kemi bashkësi islame të shqiptarëve, turqve, bosnjakëve, arabëve, pastaj, bashkësitë shqiptare ndahen në ato të Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë e të luginës së Preshevës. Akoma në katastrofale se edhe këto ndarje shkojnë edhe me nënndarje tjera në nivel lokal, si për shembull, xhamia e prishtinasve, tetovarëve, kumanovarve, mëhallës së epërme e mëhallës së poshtme. Krejt këto me interesa të cektë dhe të dëmshëm. Pas krejt kësaj, shumica hoxhallarëve që shërbejnë në Zvicër, gjatë kampanjës së referendumit, janë marrur me organizimin e haxhit, respektivisht me çështjet materiale të këtij obligimi fetarë.
Përveç këtyre faktorëve hasim edhe frikën që ekziston në këtë vend, se në rast të ngritjes së zërit për reagim, apo kërkim të ndonjë drejte të caktuar, mund të vie edhe të përzënia nga Zvicra, pasi se pjesa e madhe, diku mbi 80% të popullatës myslimane nuk kanë shtetësi por vetëm status të rezidentit në Konfederatën e Zvicrës.
Myslimanët në Zvicër më parë organizoheshin nëpër klube, tash më tepër organizohen nëpër xhamitë lokale, pa mos ekzistuar ndonjë organizatë serioze joqeveritare, që do ta ngriste zërin e myslimanëve nëpërmjet sektorit civil. Kjo duhet të jetë një mësim për bashkëfetarët tanë në Zvicër, sepse në një vend demokratik siç është Zvicra, zëri i sektorit civil, ka goxha peshë të madhe. Andaj, duhet një angazhim më i madh dhe pjesëmarrje më aktive në sektorin civil duke u bërë pjesë përbërës e këtij sektori me peshë. Gjithashtu edhe kyçje të drejtpërdrejtë dhe përkrahje aktive të partive politike të cilat kanë qëndrim më liberal në lidhje me fenë por edhe me çështjen e imigracionit, me çrast mundësia e përkrahjes nga subjektet e tilla në rastet që kanë të bëjnë me interesat tona të përgjithshme fetare dhe kombëtare do të jetë më e madhe.

Dëm i madh për imazhin dhe të ardhmen e Evropës

Si rezultat i mos gjetjes së formës përfundimtare të organizimit juridiko-politik të Evropës (BE-së), kohëve të fundit nëpër shumë vende Evropiane, po lansohen projekte dhe ide të ndryshme. Jehonë të madhe po marrin projektet që me vete po bartin kryesisht provokime fetare. Gjitha këto më së shumti e pengojnë Evropën dhe BE-në si një projekt që si parim themelorë parasheh, integrimin, të drejtat e njeriut, ushtrimin e lirë të fesë, profesionit e kështu me radhë.
Shembulli i Zvicrës nuk është problem i izoluar i këtij vendi, por i gjithë Evropës dhe botën perëndimore. Me kalimin e referendumit në Zvicër, i njëjti ka gjasa të kërkohet nga forcat që janë kundër imigrimit edhe në vendet tjera, si psh, në Holandë, Danimarkë e gjetiu. Në Francë menjëherë filluan të bëhen anketime në lidhje me çështje të ngjashme ku vërehet disponim i ngjashëm sikur se ai i popullit zviceran, hapa këto që e shpijnë Evropën drejt shkeljes së parimeve dhe akteve të saja bazë, si psh. Deklaratës së përgjithshme të së drejtave të njeriut, Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut, e shumë e shumë akte tjera bazë garantojnë të drejtat themelore të njeriut e me këtë edhe të drejtën e ushtrimit të lirë të fesë.
Shpresojmë që këto probleme ndërkomunitare dhe ndërkonfesionale në Evropë të evitohen me akte juridike supranacionale. Sepse krerët e shteteve Evropiane më mirë se ne e dinë disponimin e popujve të Evropës, andaj, veprimet e tilla ku cenohen të drejtat e komunitetit mysliman në Evropë pas vete fshehin, racizëm, ksenofobi, por edhe urrejtje ndërfetare.

A ka fat në fatkeqësi pas përfundimit të këtij referendumi

Për dallim nga rasti i karikaturave për Muhammedin a.s., në Danimarkë ku reagimet ishin të ndara duke u arsyetuar se “liria e të shprehurit nuk kufizohet”, pastaj, ndalesa e shamisë në Francë, kinse si ndalesë për të gjitha simbolet fetare, sepse Franca mbron karakterin sekullarist, në rastin e Zvicrës, të gjitha reagimet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, si dhe organeve kompetente të BE-së ishin të qëndrimit se ky referendum nuk duhej të lejohen ngase njëra nga pyetjet në bazë të cilës duhej të deklarohej popullata e Zvicrës është në kundërshtim me aktet bazë në të cilat është e ndërtuar e drejta pozitive Evropian, ku në shumicën prej tyre nënshkruese është edhe Zvicra. Gëzon fakti se në këtë rast, të gjithë e drejtuan gishtin kah Strasburgu, respektivisht Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut.
Fakt tjetër që na gëzon në këtë fatkeqësi dhe këtë turp të ri të Evropës, është edhe reagimi i moderuar dhe i përmbajtur i myslimanëve, në Zvicër dhe vende tjera të Evropës. Myslimanët në këtë rast dëshmuan nivelin dhe pjekurinë e tyre demokratike dhe civilizuese, duke e shprehur revoltën e tyre në mënyrë paqësore dhe me forma demokratike. Njashtu edhe porositë e faktorëve relevant në botën islame, thërrisnin në përmbajte, ruajtje të gjakftohtësisë dhe veprim me mjete juridike.
Shpresojmë që rezultatet e këtij referendumi të bien sa më shpejt, ose nga Gjykata kushtetuese e Zvicrës, ose nga Gjyqi i Strasburgut, por më së shumti kishim dashur që të bie nga zemrat e banorëve të Zvicrës dhe pjesës më të madhe të Evropës, të cilët fatkeqësisht akoma nuk janë shëruar nga sëmundja e nazizmit dhe ksenofobisë.

(Ky shkrim është botuar në nr. 98 të Revistës VEPRA)

No comments: