Wednesday, January 13, 2010

Diskriminimi digjital

Më kujtohet televizori i parë në shtëpinë time, me ekran të madh, bardh e zi, prodhim i atëhershëm jugosllav. Ishte ndër më të mirët që ekzistonin te ne. Gjithë ditën na e shpërlante trupin programi i RTV Shkupit të atëhershëm (tash RTV Maqedonas). Kanali i parë ishte si zakonisht 100% maqedonisht. Në kanalin e dytë kishte diku një orë e gjysmë program në gjuhën shqipe, që ofronte për popullatën shqiptare redaksia e kësaj shtëpie informative. Pastaj na këputke pagesa mujore, nëse nuk e paguan, vinit dhe i vënin “blomb” televizorit. Televizionin e Prishtinës rrallë kush e zinte, ata që kishin antena më të mira, por edhe ata që ishin më afër kufirit më Kosovën. Ishin këta të privilegjuarit.
Përkundër moshës së re, më kujtohet kur prezantueset e lajmeve në gjuhën shqipe në TV Shkupin e atëhershëm gjatë dhënies së lajmeve lexonin: “Sot në Skopje (Shkup) ishte për vizitë...”, “Në qytetin e Debarit (Dibrës) sot u bë...”, “Në Kiçevë (Kërçovë), moti ishte...”, “Në fshatin Çerkezko Sello (Çerkez), u bë kjo e kjo”. Pas një kohe, këto toponime filluan të lexohen në gjuhën shqipe, sikur edhe fjalët tjera që prezantoheshin në lajme, apo programet tjera radio televizive. Ishte një gëzim i madh, së paku lajmet kishin një artikulim më të mirë në aspektin gjuhësorë, nëse hiç më tepër.
Kaloi ajo kohë e dhimbshme. Kaloi koha e bardh e zi(së) kur një muaj më parë e pritnin të luante një film i mirë, apo një program cilësorë.
Një kohë ishin në modë antenat satelitore, që kushtonin me mijëra marka të atëhershme dhe nuk kishe çka të shikoje, ose Turqinë ose Gjermaninë. Së paku hapën dritaren e botës me ngjyra.
Erdhi pluralizmi, u hapën edhe media të tëra në gjuhën shqipe. Sot falë Zotit nuk kemi një problem të tillë. Ndoshta pak me kualitetin jemi mbrapa, por edhe këtë do ta tejkalojmë. Sa për informim kemi edhe ne disa “superbrend-e” tona mediatike, me të cilat po ju tregojmë të tjerëve se nuk jemi gjenetikisht të paaftë.
U mundësuan edhe TV kablovike, e tash edhe ato digjitale. Përkundër një numri madh të kanaleve që mund t’i ndjekim me antenë të thjeshtë, të parezitueshme janë bërë ofertat kablovike të kompanive që në shumicën e qyteteve të Maqedonisë ushtrojnë monopol. Ta marrim si shembull ne si qytetarë të Kumanovës, nëse duam që t’i përcjellim disa programe të Kosovës dhe Shqipërisë duhet ta lidhim TV ofertën kablovike të Cabeltel-it e cila përkundër një numri të konsiderueshëm të programeve në gjuhën shqipe na ofron edhe dhjetëra kanale serbe dhe bullgare. Na “kënaqën” me muzikë dhe videoklipe gati se pornografike. Ndoshta kjo ofertë do të ishte ndryshe sikur të kishte një operator tjetër, në këtë rast kompani shqiptare, që neve si shqiptarë do të na ofronte me tepër programe në gjuhën shqipe. Mirëpo biznesmenët tanë nuk kanë kohë për biznese të tilla. Zakonisht në këtë aspekt kopjohen kolegët, nëse dikush hap një biznes, pas një kohe të shkurtër do të kesh edhe dhjetëra apo qindra biznese të tillë, e pastaj për asnjërin nuk ka punë. Mungon kreativiteti, rroftë kopjimi. Për disa biznese që zhvillohen në Maqedoni, ne shqiptarët, akoma nuk kemi idenë se si zhvillohen. Fatkeqësisht!
Por edhe përkundër kësaj mangësive, kjo ofertë është “lule” në krahasim me ofertën digjitale të cilët po na e ofron teknologjia aktuale.
Dy operatorët telefonik, “T-home” dhe “One”, dolën me ofertat e tyre edhe për programe digjitale. Pa dyshim se me të sofistikuarat në tregun tonë, duke ofruar mundësi të shumta dhe programe me cilësi të lartë fotografie.
Në ofertën e tyre të prezantuar edhe në internet, por edhe pas drejtimin tonë deri te këta operatorë, se sa programe në gjuhën shqipe janë në ofertën e tyre, në të parin T-home, në ofertën e tyre Max TV prej 80 kanaleve, kemi vetëm Tv Alsat-M dhe TVM 2 dhe TV Era, pastaj edhe dy programe lokale ( TV Koha në rajonin e Tetovës dhe TV Hana në rajonin e Kumanovës), kurse për kontraktuesit shqiptarë nëse duan ata mund t’u bashkëngjitet në paketën e tyre edhe 3 programe tjera (Vizion plus dhe Alsat-i i Shqipërisë si dhe RTV 21 nga Kosova, plus edhe TVD në gjuhën turke për qytetarët turq).
Kurse operatori tjetër “One”, nëpërmjet ofertës së saj BOOM TV, përveç Alsat-M, Tv Era dhe MTV 2, nuk ka asnjë tjetër program shqip
Më të vërtetë kjo që po ndodh nuk është në rregull. Ne përveç se po diskriminohemi nga institucionet shtetërore, kanë filluar të njëjtën të na e bëjnë edhe këta privat. Sikur nuk dinë se shqiptarët janë konsumatorë të rregull të shërbimeve të tyre telefonike dhe internetit. Po të shikohet proporcionalisht, ndoshta edhe ua tejkalojnë bashkëqytetarëve tjerë të RM-së. Nëse pak do të kishin pasur shpirt biznesi dhe shpirt real, do të kishin qenë transparent edhe në sferën e ofertës televizive. Besoj se mundësitë e tyre teknologjike ua lejojnë një gjë të tillë. Nevojitet vetëm vullneti për t’u ofruar edhe qytetarëve shqiptarë programe në gjuhën e tyre.
Edhe pse fillimisht kërkova të funksionojë ndërgjegjja e tyre dhe filozofia e tregut të lirë ekonomik, me qëllim që t’u dalin në shërbim të gjithë konsumatorëve të vet në mënyrën sa më të mirë të mundshme, prapë se prapë nga realiteti që ekziston, shihet se punët që lihen në ndërgjegje, zakonisht dinë mos të jenë funksionale, andaj, kërkoj që kjo punë të analizohet mirë nga institucionet kompetente, por edhe nga faktori jonë politik (nëse akoma mund t’i themi faktor) të ngritin zërin, sepse një gjë e tillë nuk duhet toleruar.

No comments: