Thursday, May 20, 2010

A duhet të ekzistojë koordinim mbarëshqiptar

Në Ballkanin e trazuar, mjafton një incident i vetëm dhe sado i vogël për të plasur një sherr i madh. Para së gjithash kjo vjen si pasojë e mos zgjidhjes së çështjeve kombëtare në këtë pjesë të Evropës. Përveç kësaj, jemi në dijeni për pretendimet territoriale të disa shteteve ndaj fqinjëve të tyre, qofshin këto publikisht, apo fshehurazi. Se sa është e volitshme situata në Ballkan, mjafton vetëm të përcjellim procesin e integrimeve, si në NATO ashtu edhe në BE. Greqia i bën problem Maqedonisë e Turqisë, Sllovenia - Kroacisë, nesër mund të vijë, Serbia - Kosovës apo anasjelltas. Këto raste janë vetëm një dëshmi e situatës reale që mbizotëron në Ballkan.
Ajo që më së shumti na intereson është pozita jonë si shqiptarë, e normalisht pastaj edhe paqja dhe siguria në Ballkan e më gjerë. Falë Zotit, prej ardhjes së demokracisë në këto troje, kemi një avancim të dukshëm të çështjes sonë kombëtare. Dalja e Shqipërisë nga terri komunist, prishja e krijesës së quajtur Jugosllavi, avancimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, pavarësimi i Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e kështu me radhë, janë këto rezultate që nuk duhet mohuar aktorëve dhe arkitektëve të çështjes shqiptare. Mirëpo, askush nuk duhet të na gënjejë se me pavarësinë e Kosovës dhe me të arriturat tjera, çështja shqiptare është mbyllur. Kemi edhe shumë çështje të nxehta që dita ditës po dalin në shesh.
Javëve që shkuan, pati disa tronditje reale në Maqedoni. Nuk do të ndalemi për të shtuar asgjë, sepse gjithçka u pa dhe u tha. Ajo që më së shumti më ka habitur ka qenë reagimi i faktorit shqiptarë nga jashtë kufijve të Maqedonisë (në Shqipëri dhe Kosovë). Deri sa ne shqiptarët e Maqedonisë, vazhdimisht sytë i kemi të kthyer kah këto dy shtete tona, në reagimet zyrtare dhe gjysmëzyrtare, më së shumti u përmend ruajtja e interesave të shteti të Maqedonisë sesa interesat e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Kjo po duket sikur Berisha më shumë të brengoset për Maqedoninë sesa vet Gruevski. Kjo ishte një nga vërejtjet e mia në lidhje me situatën e para disa ditëve.
Problem real, të cilën edhe para disa kohëve e pata potencuar në një shkrim është mungesa e koordinimit shqiptarë brenda në Maqedoni. Pas prishjes së këshillit koordinativ, që u themelua me mbarimin e luftës së 2001-shit, jemi dëshmitarë të ekzistimit të një nevoje të madhe për një koordinim të mirëfilltë brenda faktorit shqiptarë në Maqedoni. Po të bëhej fjalë për një koordinim për çështje dytësore apo diçka të ngjashme, do ua bënim hallall, por nga situata faktike shihet se mungon koordinimi për çështjet jetike. Mungesa e një koordinimi të tillë, e bie në pozitë popullatën shqiptare që mos të dijë se çka dëshiron dhe çka synon. Njëra forcë tërheq litarin këndej e tjetra andej. Ose një hap para e një apo dy hapa mbrapa. Si rezultat i kësaj neve na paraqiten 2001-tat, 2006-tat e.....
Për ta përshëndetur është edhe iniciativa, apo thirrja për koordinim mbarë shqiptarë. Ekzistimi i një trupi të tillë, duhej të ekzistonte prej shumë kohësh. Edhe pse jemi të vetëdijshëm për ekzistimin e diçka të ngjashme në forma dhe koordinime jozyrtare, ku janë gatuar e diskutuar çështjet kombëtare, mendoj se edhe kurorëzimi zyrtar i një trupi të tillë nuk do të ishte përzierje në çështjet e brendshme të shteteve fqinje, apo diçka të ngjashme. Një vërejtje të madhe për kundërshtarët e një iniciative të tillë. Fatkeqësisht, nuk po shohin më larg se interesat partiake, duke shfrytëzuar çdo moment dhe mundësi për ngritjen e rejtingut partiak, apo duke prezantuar justifikime banale, që nuk kanë asnjë bazë.
Një trup i tillë normalisht, nuk do të përbëhej vetëm nga përfaqësuesit e pozitës, por nga të gjithë faktorët relevant që veprojnë në mbarë trojet shqiptare. Gjithashtu do të ndihmonte në avancimin dhe mbarëvajtjen e agjendës kombëtare. Dobi tjetër do të ishte koordinimi dhe tërheqja e veshit, aventurierëve që për interesa të ngushta kthejnë prapa proceset e fituara me gjak. A është kjo që po i frikon udhëheqësit e partive politike në Maqedoni, apo sindromi “nëse ti e prezanton një ide, për inati unë jam kundërt”, mbetet të shihet.

(Ky shkrim eshte botuar ne gazeten Koha te dates 20 maj 2010)

Wednesday, April 21, 2010

Të uritur përballë (pa)drejtësisë

Greva e urisë është një nga metodat më të dhimbshme nëpërmjet së cilës një individ apo një grup i caktuar shprehë revoltën e vet, për ndonjë çështje apo për ndonjë gjë të caktuar. Historia njeh shumë raste të tilla, ku popuj dhe grupe të ndryshëm kanë aplikuar këtë metodë për tërheqjen e vëmendjes së pushtetit, opinionit publik, faktorit ndërkombëtarë e kështu me radhë, në lidhje me pakënaqësinë për ndonjë vendin, veprim, heshtje, apo ndonjë akt tjetër. Edhe historia jonë si shqiptarë në këto troje njeh raste të tilla. Bile, bile, kur përmendet greva gjëja e parë që më bie ndërmend është rezistenca e vëllezërve tanë në Kosovë në kohën e represalieve të papara serbe. Më kujtohet rezistenca e paparë e minatorëve, arsimtarëve, nxënësve punëtorëve etj. Kjo kishte një jehonë shumë pozitive për procesin në të cilin ishte përcaktuar të ec popullata e Kosovës. Ishte një tullë shumë e fortë dhe e madhe në “murin” e pavarësisë.
Nëpërmjet këtij shkrimi dëshiroj që unë si shkrues i këtyre rreshtave, gazeta që e boton dhe ju si lexues, të gjithë të kontribuojmë e të solidarizohemi me ata vëllezër tanë nga i njëjti gjak, gjuhë, komb e fe. Me ata që, kur ne sot i mbushim barqet tona me ushqime të llojllojshme, ata në qelitë e burgjeve me grevë urie shprehin revoltën kundër padrejtësisë që u bëhet. Zaten, këtë e kanë mjetin e fundit, që mund ta aplikojnë prapa grilave të burgut. Vëllezërit tanë, zgjodhën këtë rrugëtim të rëndë, për t’i treguar popullatës dhe udhëheqësisë së këtij shteti se dikush është duke vuajtur pa faj, dikush është bërë viktimë e lojërave të fëlliqura të një politike të papjekur dhe mediokre, dikush është bërë lodër e marketingjeve politike para dhe pas zgjedhore, dikush vuan nga drejtësia e “killavt”, dikush vuan si rezultat se dikush tjetër është qyqe dhe shikon ta ruan veç prapanicën e vet. Pra, dikush po vuan me të vërtetë.....
Ata po vuajnë, se edhe të gjithë ne, nuk jemi si duhet. Ata po vuajnë jo vetëm se politika dhe institucionet nuk dëshirojnë të kenë ndjenjë për drejtësi, por ata po vuajnë se edhe ne si qytetarë jemi bërë njëjtë, sikur institucionet, të “killavt”. Kam një bindje se ne si shoqëri kemi mungesë të vetëdijes kolektive. Këtë po e them pa përjashtuar as veten si pjesë e kësaj shoqërie.
Nuk e di deri kur do të zgjasë kështu? Ku mbeti “burrëria” jonë? Ku mbeti solidarizimi që me shekuj jemi krenuar se e kemi? A po e provojmë që ditën e nesërme ta bojkotojmë ushqimin tonë, e ta shohim sa e vështirë qenka një rrugë e tillë? Si do të ndiheshim kur baballarët tanë t’i kishim nëpër burgje, të sëmurë dhe të molisur? Si do të ndiheshim, kur fëmijët tanë, mos t’i kishim pranë? Realisht, si do të ndiheshim, po të ishim në një rast të tillë, qoftë brenda apo jashtë burgut?
Janë këto veç disa përkujtime që dua t’ia bëj vetes dhe gjithë juve, se gjërat po nuk i përjetuam në lëkurën tonë, vështirë është tua dish të tjerëve.
Për pushtetin, nuk kemi çka të flasim. Është folur e përfolur. Gjithçka që thuhet më është bërë bajate. Gjitha atributet e këqija që do t’ua ngjisim u përshtaten për mrekulli. Ajo që ka mbetur akoma pa e dhënë kontributin e vet është shoqëria civile. Besoni se, nëse vërtetë e ngrit zërin do të ketë jehonë të paparë. Për këtë, duhet të kemi vetëm vendosmëri dhe durim. Vetëm duhet të vendosim që ta arsyetojmë emrin që e bartim. Vetëm duhet të sakrifikojmë pak dhe ju garantoj se qëllimi do të arrihet. Kuptojeni këtë shkrim si të doni, vetëm se u kisha lutur që të kuptohet edhe si thirrje për sektorin civil që t’i jap hakun fushës së vet të veprimit. Për momentin sektori civil duhet të jetë arma më e fortë e veprimit. Duhet që shoqatat civile, lëvizjet qytetare, organizatat e ndryshme, të dalin prej petkut politik, së paku kësaj here, por edhe prej faqeve të internetit, të bëhen një zë i përbashkët, e t’i mbushim plot e përplot rrugët e Shkupit. Të mblidhmi të gjithë para Gjyqit Suprem edhe aty, së bashku me familjarët e viktimave të “Rastit të Sopotit” t’i vendosim tendat e të përgatitemi të qëndrojmë deri në sjelljen e vendimit pozitiv për lirimin e të burgosurve të pafajshëm dhe gjetjen e fajtorit të vërtetë.
Si individ, përshëndes zërat e disa subjekteve që paralajmëruan ngritjen e një iniciative të tillë. Lus Zotin të ketë jehonë dhe sa më parë iniciativa e tillë të dalë në veprim konkret. Kisha lutur që kësaj radhe të heqim dorë nga bajraktarizmi dhe afirmimi personal. T’u bëhet ftesë të gjitha subjekteve civile. Të formohet një grup koordinues dhe punët të menaxhohet me gjakftohtësi dhe maturi. Mos të bëjmë sikur për shumë punë tjera deri tash. Një protestë sado e madhe të jetë dhe puna të mbarojë me kaq. Të bëhet një front i përbashkët qytetar, për t’i thënë një NDAL të madhe të gjitha vendimeve ksenofobe dhe antinjerëzore që i bën “drejtësia” maqedonase e zhytur deri në fyt në fëlliqësinë politike.

(Ky shkrim u botua në Gazetën Koha të datës 22 prill 2010)

Tuesday, April 6, 2010

A ka opozitë në këtë vend?

Republika e Maqedonisë u pavarësua nga RSF e Jugosllavisë në vitin 1991. Për herë të parë në histori, populli me origjinë sllave, që mori emrin nga krahina antike e Maqedonisë, fi toi shtetin e vet. Për këtë, falënderim I veçantë i takon ish liderit socialist të RSFJ-së Titos, pasi se Maqedonia e Vardarit, që pas Luftërave Ballkanike i takoi Serbisë, arriti të marrë statusin e Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave në vitin 1945, që me shpërbërjen e Jugosllavisë, populli maqedonas nëpërmjet referendumit, shprehu vullnetin e tij për shtet të pavarur dhe sovran. Procesin e mëvetësimit kryesisht e udhëhoqën liderët ishkomunistë të “kthyer” në socialdemokratë, me në krye kryetarin e parë të Maqedonisë së pavarur Kiro Gligorovin, që në sistemin shumëpartiak garonin nëpërmjet Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM-së). Edhe përkundër faktit, se kjo parti i ka humbur gati të gjitha zgjedhjet direkte me partinë nacionaliste maqedonase VMRO–DPMNE (Organizata e brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar Maqedonas), mirëpo nëpërmjet koalicioneve të gjëra me partitë më të vogla majtiste dhe të qendrës, kjo parti, ka arritur që në proceset vendimtare të ecjes së Maqedonisë, të jetë bartës i proceseve.

Situata politike në bllokun maqedonas

Me Maqedoninë, gati se dy mandate po udhëheqin nacionalistët e djathtë. Fillimisht si bashkëpjesëmarrës në qeveri e kishin Partinë Demokratike Shqiptare, e më pas edhe Bashkimin Demokratik për Integrim. VMRO-DPMNE-ja, besimin e popullatës maqedonase e fi toi duke ofruar një platformë ekonomike të titulluar si “Rilindja në 100 hapa”. Për ta ngritur rejtingun dhe besimin e vet te popullata, padyshim se ishte edhe zhargitja dhe ngadalësimi i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe tentimet e pandërprera për anashkalimin e saj. Kjo shumë qartë u pa me marrjen në pushtet Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, pas zgjedhjeve të vitit 2006 edhe pse kjo parti nuk i kishte fi tuar zgjedhjet në bllokun shqiptar. Pas reagimeve të ashpra të faktorit shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar, erdhi deri te zgjedhjet e parakohshme, ku VMRO-DPMNE-ja e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, arriti jo vetëm të fitojë, por edhe ta rrisë pushtetin e vet, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë edhe pa ndonjë parti shqiptare. Por, duke u nisur nga rregulli i pashkruar, se në qeveri duhet të ketë edhe një parti shqiptare, kësaj radhe, Gruevski u detyrua, që si partner koalicioni ta marrë BDI-në e Ali Ahmetit.

A ka shpresë për bllokun opozitar në Maqedoni

Opozita maqedonase sot është e tkurrur më shumë se çdo here tjetër. Tentativat e liderit të LSDM-së, për formimin e një blloku të vetëm opozitar, hasi në mospajtim me partnerin strategjik të kësaj partie, Partinë Liberal Demokrate të drejtuar nga Jovan Manasievski. Sipas këtij të fundit, opsioni i të pozicionuarit të gjithë nën ombrellën e Cërvenkovskit, është i dëmshëm sepse me këtë hap, do t’i jepet rasti Gruevskit të gjithë t’i sulmojë njëherazi. Përveç kësaj, një numër i madh i partive që më parë ishin të afërta me bllokun e majtë, veçse kanë krijuar marrëdhënie të ngushta me kryeministrin aktual. Fakt tjetër janë edhe partitë e grupeve tjera etnike në Maqedoni, si romët, turqit, boshnjakët dhe serbët, të cilët, të gjithë veçmas po i jetojnë privilegjet e të qenit në qeveri. Kështu që disa mijëra vota të sigurta që blloku opozitar i kishte paramenduar t’i marrë nga këto bashkësi, ato vështirë se do t’i ketë. Për momentin, blloku opozitar maqedonas, shpresën më të madhe për kthimin në pushtet e ka tek partitë shqiptare, që gjithnjë e më shumë po dëshprohen nga politika që po udhëheq kryeministri aktual. Partitë shqiptare, mund të llogariten si kontribuuesit më të mëdhenj për rënien e rejtingut të partisë kryesore opozitare maqedonase, duke ia hedhur fajin për gjithë fatkeqësitë që u kishin ndodhur shqiptarëve prej mëvetësimit të Maqedonisë. Në të shumtën e rasteve, drejtimi i akuzave kah krerët e LSDM-së, ishin më tepër për interesa partiake, sesa kombëtare. Qëllimi i disa nga partive shqiptare që vepronin kështu, ishte që të afrohen më tepër me liderët nacionalistë si Lubço Georgievski dhe më vonë Nikolla Gruevski, me qëllim të bashkëqeverisjes me ta. Kjo në njëfarë mënyre ndikoi në dobësimin e opozitës së sotme dhe arritjen e pushtetit gati se absolut të forcave të djathta nacionaliste. Tentativa për afrimin e shqiptarëve, ka bërë që kohëve të fundit disa nga udhëheqësit e vjetër të shtetit, të po kësaj partie, që karrierën e tyre politike e ndërtuan duke keqtrajtuar shqiptarë, sidomos në rastet e Bit Pazarit, Ladorishtës, Gostivarit, Universitetit të Tetovës e kështu me radhë, sot janë kthyer në shqiptarofilët më të mëdhenj, duke kërkuar të drejta për shqiptarët, në disa raste edhe më shumë se vet partitë shqiptare. Aspak nuk na habit kjo retorikë e tyre. Këta të fundit, që në të shumtën e rasteve janë nga qarqet akademike, por edhe funksionarë të mëparshëm, akoma nuk i kanë pastruar duart e tyre nga “gjaku” shqiptar, e sot kërkojnë jetësimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit. Ajo që i bën të deklarohen në këtë mënyrë padyshim se është vizioni i tyre për shtetin, duke i kuptuar shqiptarët si faktorë në rritje në rajon, por në të njëjtën kohë edhe afrimi me faktorin politik shqiptar, si mundësi e vetme për të ardhur në pushtet.

Përkrahës i origjinës sllave për maqedonasit e sotëm

Për dallim nga partia aktuale në pushtet, LSDM-ja pranon realitetin sllav për Maqedoninë dhe maqedonasit. Bile, kohëve të fundit nga mediat pro-qeveritare u aktualizua edhe deklarata e kryetarit të parë të Maqedonisë, Gligorovit, se “ne jemi sllavë, dhe se ne nuk kemi asnjë farë lidhjeje me Aleksandërin e Madh”. Kjo deklaratë në esencë dallon nga koncepti që promovohet nga VMRO-ja se kinse, maqedonasit e sotëm janë trashëgimtarët e atyre antikë, në të njëjtën kohë edhe trashëgimtarët e Aleksandrit, të birit të Filipit të II. Koncept ky që është shkaktari kryesor për bllokimin e Maqedonisë në proceset euro-atlantike, si orientime strategjike të këtij vendi. Me rritjen e retorikës për origjinën antike të maqedonasve të sotëm, Greqia që disponon me të drejtën e vetos, gjithnjë e më ashpër po reagon duke bllokuar dy herë integrimin e Maqedonisë për në NATO dhe BE. Çështja e antikitetit për Greqinë është shumë e ndjeshme, sepse Greqia llogarit veten si trashëgimtari kryesorë i këtij civilizimi.

Maqedonia dhe proceset euroatlantike

Viteve të fundit Maqedonia gjendet në një pozitë teje të pavolitshme, sa i përket proceseve euroatlantike. Kjo sidomos vërehet pas vetos greke në Bukuresht, për pranimin në NATO dhe asaj për fi llimin e negociatave me BE-në. Kjo erdhi si rezultat i acarimit të marrëdhënieve me Greqinë për problemin me emrin. Për këto dështime, si zakonisht faji u hodh mbi partinë qeveritare dhe liderin e saj Gruevski, kinse për aktualizimin e procesit të antikitetit, por edhe mos-shprehjen e interesimit të nevojshëm për zgjidhjen e problemit me fqinjin jugor, sa i përket emrit të shtetit, por edhe mos angazhimin e nevojshëm për proceset euroatlantike si orientime strategjike për Maqedoninë. Përveç kësaj, edhe për kokëfortësinë dhe mos lëshimin pe, për këto tema kaq të rëndësishme për vendin.Garnitura qeveritare, frikohet se kompromisi eventual për emrin me Greqinë, do të sjellë edhe rënien e popullaritetit të kryeministrit aktual dhe parties së tij, kështu që, si rezultat i kësaj po mbahet peng i gjithë shteti. Opozitarët e sotëm janë dëshmuar si më të vendosur dhe më të pjekur në aspektin diplomatik, sa u përket marrëdhënieve me Greqinë. Edhe pse paralelisht udhëhiqnin bisedimet për emrin, me mjaft mjeshtri avanconin proceset integruese, ku si rezultat i kësaj Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për në BE.

Pozita e shqiptarëve në gjithë këtë lëmsh

Shqiptarët tradicionalisht kanë qenë partner të njërës apo tjetrës parti maqedonase. Gjendja aktuale në bllokun maqedonas, ku njëra parti disponon shumicën absolute, dhe tjetra qëndron shumë dobët, kërkon një strategji më të mençur të faktorit politik shqiptar. Momentalisht, kur VMRO-ja disponon me shumicë absolute në të gjitha sferat e pushtetit (63 deputetë prej 120 sa ka i gjithë parlamenti i RM-së, qeverinë edhe kryetarin e shtetit), fuqia e faktorit shqiptar është gati se e pandikueshme. Për shqiptarët e Maqedonisë, është më se i dobishëm kur në bllokun maqedonas kemi një raport më të balancuar të forcave politike. Sepse në raste të tilla, faktori politik shqiptar do të jetë vendimtar për themelimin e qeverisë, si në njërin, ashtu edhe në bllokun tjetër. Vetëm për këtë arsye shqiptarët duhet të kontribuojnë për balancimin e forcave në bllokun politik maqedonas, sepse, në raste të tilla, pazari politik për ne shqiptarët do të jetë më i volitshëm. Kurse, sa i përket dallimeve ndërmjet ideve të Cërvenkovskit dhe Gruevskit në raport me shqiptarët,këta i dallojnë vetëm ngjyrat partiake.

(Ky shkrim është botuar në numrin 9 të Gazetës Impakt - Tiranë)

Friday, March 19, 2010

Nëpër mjegulla...

1.
Loja e futbollit ka marr një kohë shumë të madhe të jetës time. Tash këtë luks ia kam zvogëluar, por edhe përkundër kësaj, ndeshjet e Ligës së Kampionëve i përcjelli me vëmendjen më të madhe. Edhe pse parapëlqej që ndeshjet t’i përcjelli në ambient familjar, aty ku ndihem shumë më i lirë, kësaj radhe ndeshjen e të mërkurës në këtë nivel garues vendosa ta përcjelli në lokalin afër lagjes time. Atmosfera ishte shumë e mirë. Komentet, provokimet, “tifozllëqet”, për njërën dhe ekipin tjetër, ma kujtonin kohën e karrierës time si tifoz i klubit tim të zemrës Bashkimit, që fatkeqësisht, “fantazmat” e zhdukën nga skena e futbollit. Ajo që shumë më brengosi, ishin tiketat e shumta të basteve që i shihja nëpër duart e këtyre të rinjve. Shpresonin e shpresonin, se parashikimet e tyre, të dalin të sakta e të marrin ndonjë “pare”. Pasi mbaroi ndeshja, të shumtë ishin ata që, të revoltuar, hidhnin e shqyenin tiketat e tyre për tokë, duke sharë dhe fyer këto ekipe për “trukimin” e ndeshjeve e kështu me radhë. Fakt tjetër që hasa në këtë rreth ishin informatat e shumta që dispononin mbi ngjarjet dhe aktorët e futbollit. Dinin se me çfarë rezultati ka mbaruar edhe një ndeshje e ligës së dytë apo të tretë të Skocisë, apo Norvegjisë, sa vëllezër i ka filan lojtari, sa herë ka qenë e martuar nëna e vet e kështu me radhë... Sikur ta shfrytëzonin këtë kohë për gjëra tjera më të dobishme, me siguri se punët shumë më mirë do t’i kishin. Edhe këtë po ua bëjnë “bastoret” e shumta që janë hapur në çdo kënd të rrugës. Po i vjelin edhe ato pak para që gjinden nëpër xhepat e tyre, duke i mashtruar, nëpërmjet shpresës për të fituar diçka. Të nderuar, pronarët e këtyre lojërave të “fatkeqësisë”, këtë biznes e udhëheqin duke fituar para të majme. Po të ishit ju ata që fitoni nga këto “lojëra”, të gjitha lokalet e basteve do të mbylleshin, andaj, mos shpresoni të fitoni diçka që paraprakisht e keni humbur. Biznesi i tyre lulëzon duke ua marrë paratë juve, andaj, si mendoni, t’i fitoni, logjikë shumë e thjeshtë, apo?

2.
Iniciativa për “hapjen e kutisë së Pandorës”, apo për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni ishte ndër lajmet që më së shumti më tërhoqën. Kërkesa e shqiptarëve, për ndryshime në kodin zgjedhorë, gjithashtu ishte për t’u përshëndetur. Ndryshimi i sistemit zgjedhorë, sipas të mirinformuarve, do të jetë mundësi për daljen nga krimi zgjedhorë (nëse nuk futemi në ndonjë më të madh), por edhe dalje nga ky kurth në të cilin gjendemi ne shqiptarët. Ekzistimi i një zone të vetme, ku nuk do të humbet asnjë votë, është një opsion që në njëfarë mënyre i frikon bashkëqytetarët tanë maqedonas. Pastaj edhe ekzistimi i listave të hapura, do kontribuojë për forcimin e demokracisë në vend. Në këtë sistem proporcional, zvogëlohet e drejta e qytetarit për zgjedhjen e kandidatit për të cilin ai dëshiron të voton, kështu që listat e hapura do ta mundësojnë këtë. Më e mira e këtyre ndryshimeve do të jetë, se do të përmirësohet, kualiteti i të zgjedhurve tanë. Mendoj se në këtë rast, partitë do ta kthejnë besimin te elektorati, por edhe ne, votuesit do të kemi rastin të zgjedhim atë për të cilin mendojmë se ia vlen të na përfaqësojë në parlament. Jo të votojë listën ku paraprakisht dihet se kush fiton, që zakonisht janë “të fortit” e partisë, që shpesh herë nuk posedojnë kualitete për vende të tilla, e më vonë, të njëjtit kalojnë mandatin e tyre katërvjeçar si i zgjedhur i popullit, pa asnjë fjalë të thënë atë ku duhet. Mos të harroj edhe atë muhabetin e 200 mijë votave në pjesën lindore të Maqedonisë, që më është bërë varrë, që nëse nxirrej në dritë do të shëronte shumë gjëra. Nëse e bëni këtë, hallall ju qoftë.
3.
Kur përmenden shërbimet sekrete, neve na ngjallet frika. Me siguri se këtë e kemi nga përvoja jonë e hidhur e me këto organeve të sigurisë. Para disa ditëve, nga po këto shërbime, disa familjarëve të disa miqve të mi të rinj (minoren), nëpërmjet telefonave fiks u është lajmëruar, se fëmijët e tyre janë të ftuar në biseda informative. Paramendojeni se si do të reagonim ne, nëse diçka e ngjashme do të ndodhte me fëmijët tanë. Shkaku i thirrjes në biseda informative kishte qenë se këta shkollarë të mesëm, shqiptarë, kohëve të fundit kanë qenë aktiv në organizimet nëpër shkollat e tyre, sidomos me rastin e 7 marsit, por edhe pse janë aktivistë në organizata joqeveritare të regjistruara në shtet. Përfaqësuesit e këtyre organeve, fatkeqësisht i mbyllin sytë përballë kriminalitetit që ndodh në shtet, e merren me fëmijë që janë shembullor dhe dëshirojnë të kontribuojnë për shoqërinë. Pse e bëjnë këtë, veç ata e dinë.

4.
Javën që shkoi, në vendin tonë u mbajt manifestimi poetik i radhës “Takimet e Karadakut”. Ky manifestim i poezisë shqipe është një rast i mirë i takimit dhe kultivimit të fjalës së shkruar në këtë rajon. Fatkeqësisht, të rralla janë manifestimet e tilla. Përkundër vlerës së madhe, ky aktivitet duhet të shndërrohet në një eveniment të madh ashtu siç meriton të jetë. Me plot zemër i uroj organizatorët për vazhdimësinë e këtij takimi, duke sjell emra të poezisë nga të gjitha trojet shqiptare, por sot, besoj se janë të plotësuar kushtet që ky aktivitet të dalë prej “gjysmë legalitetit” dhe të bëhet një manifestim mbarëkombëtarë i poezisë shqipe. Si një poet në shpirt, me plot dëshirë do ta përcjellja këtë manifestim, sikur që e kam përcjellë edhe disa vite më parë në cilësinë e një vizitori, po të kisha informata për mbajtjen e këtij manifestimi. Besoj se zëri i këtij manifestimi duhet të jehojë më tepër, ashtu siç është edhe emri i organizatorit. Gjithçka ishte me qëllimin më të mirë të mundshëm.

(Botuar në Gazetën KOHA të 19 marsit 2010)

Thursday, March 18, 2010

BILETA NJËDREJTIMSHE DREJT EVROPËS PËR SHQIPTARËT E KARADAKUT TË KUMANOVËS

Migrimi është një proces i zakonshëm për vendet që paraprakisht kanë qenë nën regjim të vizave. Nga përvoja e vendeve fqinje, si Bulgaria dhe Rumania, kishim informata se bëhet fjalë për shifra tmerruese, mirëpo, deri sa nuk e përjetuam në lëkurën tonë, gjithçka na u dukej ëndërr. Ishim optimist, se leja e qëndrimit për në BE prej tre muajsh, shpejt do të kalojë, do të shkojnë të shohin se nuk mund të gjejnë punë dhe do të kthehen, për shkak se edhe në BE papunësia është në rritje. Por lajmi i kërkimit të azilit ishin diçka ndryshe. Edhe pse me kohë reaguan organet kompetente duke njoftuar se Belgjika, apo Franca nuk japin azil, ndoshta çmimi jo shumë i lartë i biletave të autobusit, që pas liberalizimit të vizave u ul për 50 %, ua lejonte këtyre “kërkimtarëve të fatit” që të shkojnë deri atje dhe të binden se një gjë është e vërtetë apo jo. Për t’i siguruar të hollat e udhëtimit, shitën gjithçka që kishin, bagëtinë nëpër ahur, arin e martesës dhe ato pak gjëra të vlefshme që i posedonin.
Askush nuk din të thotë, se ku ka dëgjuar se Belgjika po jep azil. Përpos disa raste pas luftës së 2001 që kishin fituan të drejtën e azilit në këtë vend. Ishin këto të gjithë kuadro të kualifikuar që kishin mësyer perëndimin dhe kishin rregulluar statusin e tyre, tashmë edhe si qytetarë të Belgjikës.
Edhe më parë kjo zonë ka qenë shumë e goditur nga migrimi. Por për dallim nga herët tjera, kur burrat mësynin kurbetin, që të përfitojnë ndonjë “dinarë” e të kthehen në familje, kësaj radhe, ata së bashku me gratë dhe fëmijët e vet, vërshuan autobusët e agjencive që ishin shtuar për t’iu dalë në ndihmë “azilantave të rinj”. Edhe pse nuk ekzistojnë të dhëna zyrtare për numrin e të ikurve, por supozohet që vetëm nga kjo zonë të jenë larguar diku mbi 6 mijë persona, ndërsa statusin e azilit vetëm në Belgjikë, brenda dy muajve të parë të këtij viti e kërkuan mbi 500 veta. Iknin persona të të gjitha kategorive, si të arsimuarit ashtu edhe të paarsimuarit, por dominonin ata të shtresës së ulët dhe të paarsimuar. Numri më i madh, ishin bujq sepse profesioni kryesorë në këtë komunë është bujqësia. Bujq që moti kohë kanë hequr dorë nga profesioni i tyre, duke i lënë tokat të djerra si rezultat i mungesës së plasmanit dhe stimulimit ekonomik nga ana e shtetit.

Po ikin si mungesë e perspektivës dhe kushteve të rënda socio – ekonomike

Më parë situata ka qenë ndryshe, thotë një banorë i fshatit Hotël, fshat i njohur për prodhimin e duhanit kualitativ. Nga duhani që prodhonim në fund të vitit me ato të holla jo vetëm që kalonim vitin, por edhe kishin mundësi investimi në tokë, apo edhe në rregullimin e kushteve jetësore. Tash kjo është pamundësuar, për shkak se kombinati që mblidhte duhanin nuk funksionon dhe subvencionet janë minimale që nuk ia vlen të merremi me këtë bimë industriale. Toka jonë i bën të gjitha produktet bujqësore, kështu që kemi provuar edhe me kopshtari por sado që të mundohemi e të prodhojmë, kur të vjen koha e produkteve tona për në treg, me atë çmim të shitjes, as harxhimet nuk mund t’i mbulojmë, shprehet i njëjti.

Përveç kësaj, produktet e kësaj zone, më parë plasmanin kryesor e kishin në Kosovë, si specat, domatet, preshtë, lakrat dhe produktet tjera bujqësore. Pas pavarësimit të Maqedonisë edhe kjo rrugë u mbyll. Është gati se i pamundur edhe shfrytëzimi i fondeve të huaja që janë të dedikuara për bujqësi dhe blegtori, (kryesisht IPARD fondet nga BE-ja) për arsye se ka probleme të shumta për pronësinë e tokës. Shqiptarët e kësaj anë janë të njohur për mos rregullimin e çështjeve pronësoro-juridike. Çdo i dyti banorë ka probleme të tilla. Si rezultat i mos posedimit të letër pronësisë nuk mund edhe të dëshmohen pronarët e vërtetë të tokës. Zakonisht tokat barten në emër të gjyshërve dhe stërgjyshërve të vdekur, ndërsa si dokument pronësie, akoma i llogarisin tapitë e lëna qysh nga “koha e turkut”.

Ekonomia në kolaps, kushtet jetësore në minimum

Në komunën e Likovës jetojnë mbi 30 mijë banorë, ndërsa nuk ekziston asnjë fabrikë funksionale. Janë vetëm dy-tre mullinj dhe disa restorante të vogël. Të gjitha ndërmarrjet e vogla që ekzistojnë janë “joligjore”. Asnjëra prej tyre nuk posedon dokumente për kryerjen e veprimtarisë në fjalë. Që do të thotë se mundësia më e mirë për pasurimin e arkës komunale është e pamundësuar. Shtëpitë të pa urbanizuara, të pa legalizuara, për shkak se nuk ekziston as plan urbanistik, po as legalizim të atyre ekzistuese. Edhe pse mbi fshatin Likovë janë të ngritura dy penda, nga uji i të cilave furnizohet e gjitha komuna e Kumanovës, por jo edhe ajo e Likovës. Me ujësjellësin kanë probleme të gjitha fshatrat e kësaj komune.
Të gjitha taksat që paguhet prej banorëve të kësaj komunë shkojnë dhe alokohen në komunën e Kumanovës, ku në pjesën maqedonase ke gjithçka duke filluar prej sallave sportive, parqe të ndryshme, fabrika, infrastrukturë moderne rrugore dhe gjëra tjera që i përkasin përparimtares, deklaroi ekonomisti Iljasa Salihu që vjen nga kjo komunë, të flasësh për çështje ekonomike në këtë komunë, është sikur të pohosh se në drurin e thatë ka ujë, ne jemi si ajo pema që na gjuajnë me gurë e ne u japim fryte, gjithmonë kemi qenë kurban, si duket i pa pranuar për pjesën tjetër të shqiptarisë tha ai.
Investime në këtë zonë nuk ka pasur kurrë, sidomos në Komunën e Likovës. Ndërsa Kumanova në kohën e ish Jugosllavisë është llogaritur si qytet industrial, me industri mjaft të zhvilluar. Ekzistonin disa fabrika të mëdha (për standardin e asaj kohe) si ajo e veshmbathjes, përpunimit të lëkurave, përpunimit të drurit, metalurgjisë gjysmë të rëndë, pajisjeve elektronike e kështu me radhë. Mirëpo, pas pavarësimit të shtetit dhe procesit të privatizimit, të njëjtat, u vodhën, zhvlerësuan që menjëherë më pas të blihen nga ish drejtorët e tyre. Sot disa prej tyre funksionojnë në reparte më të vogla ku gati se asnjë shqiptarë nuk është i punësuar aty.

Më mirë i pari në katund sesa i fundit në qytet

Arsye tjetër që bëri këta qytetarë të synojnë Belgjikën, ishte edhe tejngopja me premtimet boshe të liderëve partiak. Ishin të ngopur nga kampanjat plot premtime dhe të mbetura veç premtime në letër. Nuk dëshironin që fatkeqësinë që ata e kishin përjetuar ta përjetojnë edhe fëmijët e tyre. Nëpër shkolla gati se duke u rrënuar, pa nxehje, pa ujë të pijshëm, pa rrugë të asfaltuar, pa asnjëfarë kushti që i përket kohës në të cilën po jetojmë.
Rajoni i Likovës dhe Kumanovës gjendet në pjesën veriore të Republikës së Maqedonisë, e cila kufizohet në zonën kufitare me Republikën e Kosovës dhe me Serbinë. Më herët të dy komunat ishin nën juridiksionin e komunës së Kumanovës. Me procesin e decentralizimit komuna e Likovës u nda si komunë në veti. Dëshira për pushtet e liderëve lokal, bëri që kërkesa e tyre për komunë të Likovës të miratohet dhe përkrahet nga liderët partiak, të cilët, dorën në zemër, ishin që komuna e Likovës të mbetet e bashkuar me Kumanovën. Shkaqet ishin të shumta, sidomos ato ekonomike. Kjo komunë etnikisht e pastër me shqiptarë, nuk kishte asnjë të ardhur që i mundësonte vet ekzistimin. Pastaj të gjithë të dhënat dhe taksat e qytetarëve të komunës së Likovës shkojnë në komunën e Kumanovës.
Gjithashtu edhe në aspektin politik do të ishte ndryshe kjo komunë po të ishte e bashkuar me Kumanovën. Në qytetin e Kumanovës, si njëri ndër qytetet më të mëdha në Maqedoni (pas Shkupit) do të rritej përqindja e shqiptarëve, e bile edhe me gjasë të marrjes së kryesisë së kësaj komune, nëse hartohej ndonjë strategji i mirë.

Edhe më tej “zonë e krizës”

Kjo zonë e mbarti edhe barrën kryesore të vitit 2001. Mbi kokat e banorëve të kësaj zone ranë me dhjetëra mijëra granata. Deri sa dhuna me tanke e topa nuk arriti t’i largojë nga vatrat e tyre, sot situata ekonomike këtë po e bën në mënyrë shumë të heshtur dhe perfide. Që nga viti 2001, përveç shtëpive që ishin të rrënuara nga kjo luftë, asgjë tjetër nuk është investuar. Shkaktarë kryesorë mund ta llogarisim edhe epitetin e trashëguar nga kjo luftë si zonë e krizës, ku normalisht se askush nuk do t’i fusë investimet e veta në një vend jo të sigurt. Përveç kësaj, prej pas 2001 kjo zonë është lënë anësh dhe në njëfarë mënyre ka mbetur si “zorrë qorre” e këtij shteti. Lëre që nuk interesohet për investime, por gjithnjë më pak përkujdeset për mbajtjen e rendit dhe qetësisë, fakt ky që vërtetohet me rritjen e shkallës së kriminalitetit në këtë anë. Kohëve të fundit gjithnjë e më shpesh hasim në lajme aksione ku zihet droga të prodhuara dhe kultivuara në këtë zonë, por edhe në qytetin e Kumanovës që deri para ca kohe llogaritej si qytet ku komandojnë bandat.

(Ky shkrim u botua ne numrin 8 te Gazetes Impakt)

Wednesday, February 10, 2010

ËNDRRA E GRUEVSKIT PËR SHKUPIN NË VITIN 2014

Do ta hiqja vetëm periudhën e 2001-shit. Do kërkoja nga secili lexues i këtij shkrimi që të bëj një retrospektivë dhe nëse mund të gjej një çast të ndritshëm të historisë sonë kombëtare në Republikën e Maqedonisë, e kisha lutur publikisht le të më qortojë dhe të më thotë se nuk jam në rregull. Unë në këtë shkrim do t’i paraqes qasjet e mia si një qytetar i thjeshtë, por edhe si një studiues i ri.
Ajo që më ka bërë që shumica e gjërave para syve të më duken vetëm zi, janë hapat e fundit të realitetit politiko-juridik dhe kulturorë në shtetin në të cilin mezi po mbijetojmë.
Prej 1991-shit e këndej, çdo e keqe që na ndodhte, pas saj kishim një shpresë për një të nesërme më të mirë dhe se gjërat do të ndryshohen në të mirën tonë.
Me projektin e fundit të prezentuar nëpër media si “Shkupi 2014”, iu dha fund shpresave të shqiptarëve se diçka e jona mund të paraqitet dhe ruhet si argument i prezencës, kulturës dhe historisë tonë në këtë vend. E gjithë kjo u vulos me projektin e ri qeveritar për dhënien e ngjyrës se re të sheshit të qytetit të Shkupit, kryeqytetit të dikurshëm të Dardanisë Ilire dhe vilajetit të Kosovës.
Deri sa të gjitha aktet tjera të diskriminimit që i përjetuam në lëkurën tonë, ishin të një natyre që na bënin të themi me vete, “të durojmë edhe kësaj radhe se ndoshta nesër do të jetë më mirë”, ose, ndoshta pas kësaj fshihet diçka që të ashtuquajturit udhëheqës tanë shqiptarë në Maqedoni, qëllimisht po e tolerojnë si rezultat i pazarit politik, apo për ndonjë plani tjetër strategjik. E gjithë kjo kishte qenë vetëm shpresë e kotë! E gjithë kjo do të jetë, edhe më e kotë pas vënies së skulpturave dhe realizimit arkitektonik në sheshin e Shkupit. Ato objekte që veç kanë filluar të vendosen janë dhe do të jenë gurë-themel i diskriminimit dhe përjashtimit të çdo gjëje tjetër që është jomaqedonase dhe joortodokse. Me këtë projekt, politika e re maqedonase i vuri themel shtetit një etnik dhe diskriminimit të pashoq në Maqedoni.
Të gjitha prioritetet e politikës shqiptare në Maqedoni, si ligji për gjuhën shqipe, ligji për dëshmorët, familjarët e tyre dhe veteranët, përfaqësimi adekuat në organet shtetërore, të gjitha këto janë kalimtare, të gjitha në kohëra më të mira kanë mundësi të realizohen. Ajo që kurrë nuk do të mund ta kthejmë është sheshi i Shkupit! Kurrë më nuk do të mund të vendosim as edhe një fakt material që dëshmon se këtu kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët dhe muslimanët.
Stërngarkimi dhe kiçizimi i sheshit të kryeqytetit të dikurshëm të Dardanisë dhe Vilajetit të Kosovës, me çdo lloj figure dhe kastraveci e spiuni maqedonas, mes tjerash edhe objekt të kultit maqedono-ortodoks, por nuk gjeti dot, as edhe një vend më të vogël për ndonjë element të ngjashëm që përfaqëson grupin tjetër etnik apo konfesional të këtij vendi.
Me këtë gjest, që shumë mirë u pa me prezantimin vizual të projektit qeveritar, për renovimin e sheshit të Shkupit, përfundimisht iu vë këmba në fyt shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Gruevski dhe politika e tij shoviniste i vulosi dhe betonoi themelet e njëetnicitetit në Maqedoni, si dhe minoi çdo shpresë që ky shtet ndonjëherë do të marrë formën e një shteti shumetnik. Këto investime dhe ndërtime, janë themele që vërtetojnë se në këtë shtet ka vetëm një histori, ka figura vetëm të një kombi e feje. Kësisoj, gjithçka tjetër që nuk është maqedono-ortodokse është e huaj dhe jo relevante. Duke e njohur politikën e kësaj garniture qeveritare (maqedonase) dhe misionin e tyre, nuk habitem aspak. Ata janë duke i dalë zot, historisë, kombit, gjuhës, kishës dhe shtetit të tyre. Por çka janë duke bërë politikanët tanë? Duhet të gjithë të dalim në Urën e Gurit, e t’i qajmë politikanët tanë dhe të gjithë udhëheqësit e politikës shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni. Me të vërtetë habitem, se si akoma kanë fytyrë të dalin para popullatës dhe të krenohen se kanë bërë diçka. Habitem me demagogjinë dhe pafytyrësinë e tyre! Të lejosh që të përdhoset gjithçka që është e jotja dhe që ndërlidhet me tënden, e pastaj të dalësh para popullit dhe t’i kërkosh besimin, kjo është më tepër se idiotësi.
Me heshtjen e tyre, që do të thotë miratim i projektit gjithçka bie në ujë. Kësaj radhe ju ra nga dora edhe xholi i fundit, vetëm nëse kanë fshehur ndonjë nën pelenat e tyre. Pas kësaj gjithçka që ata premtojnë është e kotë! Shqiptarët e humbën luftën ndaj maqedonasve, edhe pse në atë frontale i mposhtëm, por politikisht, historikisht dhe kulturalisht e humbën.
Me çka unë nesër do t’ua argumentoj fëmijëve të mi, apo ndonjë ndërkombëtari se në Shkup, jetojnë dhe kanë jetuar shqiptarët? Kur në çdo kënd të tij kemi figura të Aleksandërit, Samuilit, Karposhit, Karevit, Dellçevit, Gruevit, Shenjtërorëve si Kirili, Metodi, Klimenti e Naumi, si dhe të gjitha elementet dhe figurat e tyre historike do të bëjnë roje në afërsi të sheshit të Shkupit.
Çka të bëjnë këta tanët? Të gjorit!!!
Më së miri të japë dorëheqje kolektive i gjithë kreu shqiptar në Maqedoni, të gjitha partitë politike shqiptare të pushojnë së ekzistuari, të gjithë funksionarët shqiptarë si ata në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësi të japin dorëheqje.
Por, para se ta bëjnë këtë, të shkojnë dhe t’ua japin dorën kolegëve të tyre maqedonas dhe t’u thonë pirolla ju qoftë bre burra, se nuk ishim në gjendje të matemi me ju. Kjo do të ishte një dëshmi se në zemrat e tyre akoma ka pak burrni. Me këtë do të dëshmojnë se, kolegët e tyre maqedonas nuk ua kanë marrë edhe burrninë.
Pse po them që të japin dorëheqje? Sepse, së paku, do të jemi më të lirë, dhe do ta dimë se të gjitha marrëzirat dhe poshtërsitë që do të na bëhen në të ardhmen, janë duke na i bërë të huajt, dhe se pjesë e saj nuk janë tanët. Besoj se do ta kemi më lehtë, së paku arsyetohemi se nuk ka kush të na mbroj neve dhe interesat tona.
Do ta kenë më lehtë edhe ato nëna kur bijtë e tyre të dënohen me burg të përjetshëm për ndonjë vepër penale pa mos ekzistuar as edhe një fakt dhe dëshmi, ta dimë se na ka dënuar shkau, dhe se s’kemi pasur askënd tonin që të na mbrojë neve dhe interesin tonë.
Që kur t’i shohim familjet e dëshmorëve që edhe më tej jetojnë në mizori do ta dimë se reagimi i Organizatës së veteranëve si organizatë joqeveritare nuk përfillen, e jo si tash, kur kryetari i saj është pjesë e pushtetit.
Që kur nëpunësit shtetërorë të dalin në pension si referentë të rinj, e dimë se shefat e tyre maqedonas nuk i kanë avancuar dhe nuk u kanë dhënë hapësirë për t’i treguar kualitetet e tyre.
Që kur të përdhoset kultura jonë, e dimë se kulturën tonë, nuk ka kush që e mbron dhe afirmon.
Kur të gjitha këto do t’i dimë, atëherë do të jemi ndoshta më keq, por më të lirë dhe më të qetë. Do ta dimë se së paku armiku ynë nuk është vëllai jonë, që vazhdimisht luan me ndjenjat tona, por armiku i vërtet është ai, që gjendet përball dhe kundër nesh, si dhe ai me të cilin nuk na lidh as gjuhë e as fe.
Vëllezër dhe motra, e kemi rastin që ditëve në vijim, për herë të fundit të dalim në sheshin e Shkupit tonë deri diku shumetnik. Sepse, muajve që vijnë, do të jemi të privuar prej një kënaqësie të atillë. Do të kemi mundësi veç të shëtisim në Shkupin maqedonas dhe ortodoks.
Ndërkaq, liderëve tanë do t’u thosha, për hajr ju qoftë, e humbët betejën për Shkupin!!!

Monday, January 25, 2010

NË SERBI ASGJË TË RE

Shumë bujë dhe hapësirë mediatike iu dha zgjedhjeve në Kishën ortodokse serbe (KOS).
Ky lajm, në mediat maqedonase ishte i një rëndësie të veçantë, duke u radhitur ndër lajmet kryesore të ditës. Mund të supozojmë se problemi që ka kisha maqedonase me (mos)njohjen nga ajo serbe, e bëri të veten. Maqedonasit shpresonin se do të ketë freski në KOS, duke u “lutur” që të fiton “krahu më liberal” (që në realitet nuk ekzistonte fare), me ç’rast do të vinte edhe deri te njohja e Kishës ortodokse maqedonase nga ajo serbe. Përkundër problemit kishtar që kanë maqedonasit me kishën serbe, ne shqiptarët me këtë institucion famëkeq, kemi probleme të natyrës tjetër, fakt ky që kampanjës së zgjedhjes së patriarkut të ri serb, t’i bëjë vend edhe në mediat shqipe.
Shekuj me radhë, ne shqiptarët kemi pasur problemin e ekzistencës në trojet tona etnike, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë, në këtë çështje, ka pasur ndikim kisha ortodokse serbe. Konvertime të dhunshme fetare, si dhe terrorizimet e papara ndaj popullatës shqiptare, janë vetëm një fazë në planin e tyre për krijimin e shtetit të tyre të madh. Pastaj, metoda e shumë njohur e spastrimit etnik dhe kulturorë, kanë qenë akte që vazhdimisht janë ndjekur, praktikuar dhe përkrahur nga klerikët ortodoks serb. Për këtë kemi fakte të pamohueshme historike. Në territore të tëra etnike shqiptare, sot nuk vërehet asnjë element i tillë. Gjithçka është zhdukur dhe tjetërsuar. Në vend të tyre janë vendosur koloni nga pjesë të ndryshme të Serbisë, si dhe të njëjtit janë shoqëruar me prona të mëdha dhe të mira tjera materiale, por edhe kisha serbe në çdo qosh. Gjitha këto akte kanë pasur bekimin dhe përkrahjen e këtij institucioni famëkeq.
Mediat serbe e kanë pasur borxh t’i japin hapësirën që ia dhanë këtyre zgjedhjeve. Sepse nga zgjedhjet kishtare në mënyrë (in)direkte varet edhe politika e vet Serbisë, ku shumë mirë dihet se sa është ndikimi i kishës në politikën shtetërore serbe.
Kisha në Serbi llogaritet si frymëzuesi më i madh i shovinizmit dhe nacionalizmit serb. Të gjitha aktet e kryera gjatë dy dekadave të fundit në luftërat e ish Jugosllavisë, që i iniciuan dhe zhvilluan serbët, ishin drejtpërdrejtë të frymëzuara dhe përkrahura nga kjo kishë famëkeqe. Kjo në vete ngërthen edhe përkrahjen e dhënë për gjenocidin, kulturocidin dhe spastrimin etnik të popujve të tërë, si shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Në shumë raste kemi parë, në mënyrë vizuale kriminelët e dënuar për krime lufte duke u bekuar nga prifti serb, bile edhe duke i lavdëruar për masakrat e kryera mbi popullatat civile të popujve fqinjë, duke i llogaritur si bijtë më të mirë të kombit por edhe si martirë të rënë për mbrojtjen e atdheut. E gjithë kjo është kryer nën patronatin e patriarkut të vdekur Pavle, si njëri nga baballarët e kombit serb. Person ky që ka qenë përkrahësi dhe justifikuesi më i madh i politikës së Millosheviqit dhe radikalëve tjerë serb.
Patriarku i sapo zgjedhur serb Irineji, (që zëvendësoi patriarkun e vdekur Pavle) përkundër pritjeve të disave se do të sjellë freski në KOS, nga deklaratat e tij fillestare, këtë nuk patëm mundësi që ta dëgjojmë. Fjalimi i tij i ndjekur dhe duartrokitur nga kreu i politikës serbe duke u nisur prej kryeministrit, trashëgimtarit të fronit mbretërorë serb, funksionarë dhe personalitete me peshë në jetën politike, ekonomike dhe kulturore serbe, dëshmon edhe më shumë peshën që e ka kisha, por edhe përkrahjen që ia japin këtij institucioni në deklaratat dhe politikën e tyre shoviniste. Fjalimi i parë i Irinejit, ishte se do të kërkojë gjak, prej serbëve për mbrojtjen e “tërësisë territoriale të tokës serbe”, duke kërkuar kthimin e Kosovës nën juridiksionin serb.
I njëjti person, me ide të tilla, u urua nga një numër i konsiderueshëm i shteteve evropiane, por edhe prej atyre të lindjes sllave, duke përfshirë këtu edhe presidentin rus Medvedev, por edhe papën e Romës, Benediktin e 16-të.
Me bindje të plotë them se raste të tilla nuk duhet të kalohen ashtu heshtazi. Duhet reagim i ashpër nga faktori politik shqiptarë por edhe nga ai ndërkombëtarë ndaj pretendimeve të tilla, sepse retorikat e tilla, nuk sjellin qetësi në Ballkan. Nëse Irineji kërkon “viktima dhe sakrifica”, një gjë e tillë nuk guxon të përshëndetet, por duhet të dënohet ashpër.
Pa asnjë mëdyshje them se feja nuk guxon të përdoret për nxitjen e së keqes, sepse në atë rast nuk bëhet fjalë për fe. E kemi shumë të qartë se sa gjak është derdhur, gjatë historisë së njerëzimit, e që akoma derdhet nga konfliktet fetare në pjesë të ndryshme të botës.
A i përket kjo një institucioni që thirret në Zot, apo një udhëheqësi të një institucioni zyrtarë, të thërret për derdhje gjaku dhe sakrificë? Kjo është në kundërshtim me të gjitha konditat njerëzore dhe morale. Kjo del jashtë petkut të fesë dhe religjionit që në esencë thërrasin për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim.
Në këtë rast, kisha dashur të bëj një krahasim të vogël. Po të kishte dalë një udhëheqës fetar shqiptar dhe të kishte kërkuar, dëshmorë dhe sakrificë për kthimin e trojeve tona etnike shqiptare, do ta kishim parë reagimin serb, por besa edhe atë ndërkombëtarë. Kushedi sa herë do ta kishin titulluar, si ekstremist, fundamentalist, terrorist,dhe me të gjitha ista-t tjerë.
Kësaj radhe të gjithë u bënë të shurdhët.