Debati për rishikimin e historisë ka prekur si djalli disa intelektual dhe
historianë shqiptarë. Disi krejt i çuditshëm më duket i gjithë ky pluhur që po
ngritet nga kjo iniciatëve që mendoj se bile do të duhej të mirëpritet. Nuk
shoh hapësirë frike apo tjetërisimi të historisë sonë kombëtare. Derisa ne
pretentojmë dhe mendojmë se jemi në të drejtë, atëherë, t'ua hedhin për fytyre
të gjitha ato "pseudofakte" historianëve turq edhe t'u themi njëherë
e përgjithmonë që kjo temë të mbyllet.
Por, këtu synohet diçka tjetër përveç shkencës. I gjithë ky pezmatim i
historianëve shqiptarë dhe disa intelektualëve tjerë që bile edhe lëshuan një
peticion kundër rishkimit të historisë apo më mirë të themi ballafaqimit të
fakteve shkencore në historinë tonë kombëtare, dëshmon për bagazhin e tyre shkencor
dhe objektivitetin në profesionin e tyre.
Pasi se në këtë debat u kyçën intelektual dhe personalitete të lëmenjëve të
ndryshme, vendosa edhe unë të paraqes një fakt që nuk e kam dëgjuar/lexuar deri
më tani. Kërkesa për “rishikimin e historisë” që po bëhet nga ana e Turqisë në
lidhje me periudhën osmane, nuk është e para. Në vitin 2003, ishte Serbia, po
bash kjo Serbia më të cilën gjatë gjithë shekullit 20 kemi pasur luftëra dhe
gjitha të këqijat, që kishte kërkuar që të hiqen fjalë e fjali dhe çka është më
e keqja edhe ndryshim të fakteve, të cilat të bëjnë të ndihesh i tradhëtuar.
Ndaj kësaj kërkese kishte intevenuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës së
Kosovës dhe pa u ngitur aspak pluhur u bëri intervenime në librat e historisë. U
hoqën gjërat që nuk i dëshironin serbët dhe Serbia. U hoq dhe tjetërsua fakti i
pushtimit serb të Kosovës. Tanimë fëmijët tanë do të mësojnë se Serbia nuk e ka
pushtuar Kosovën. Nuk di çfarë komenti kanë nënshkruesit e peticionit ndaj
këtij fakti?
Ku ishin atëherë këta historianë dhe intelektualët e peticionit kur u bë
kjo tradhëti e madhe ndaj kombit dhe të vërtetës?? Apo ndoshta nuk e keni ditur
këtë fakt!? Sikur që shumë gjëra tjera ia keni lënë “shkencës” së harresës!? Ku
ishte Kadareja që prej “skajit të dunjasë” deponoi nënshkrimin e tij për
peticionin kundër rishikimit të historisë. Nëse do të duhej ngurtësi në
qëndrime duhej të bëheshin në vitin 2003 të nderuar, sepse edhe vet me sytë
tuaj keni parë se ç’na ka bërë Serbia, hiç më larg se katër vite para “heshtjes
suaj”. Nuk është dashur të heshtni para agresorit të vërtetë që përpos
masakrave dhe gjenocidit, na detyroi që edhe “historinë ta ndryshojmë” dhe ju
atëherë heshtët.
Por, si duket historianët tanë e kanë bezdi që të dalin nga shabllonet e
tyre sllavo-komuniste, me të cilat përralla kanë ndërtuar studimet dhe
karrierën e tyre. Studjues që shumë lehtë e kanë pasur t’i mbushin punimet e
tyre duke përdorë terminologjinë që gjuha e shkencës nuk e toleron. Këtë e them
me përgjegjësinë më të madhe, normalisht me shumë përjashtime për studjues të
guximshëm dhe objektiv, që përkundër gjitha sakrficave u munduan që faktet qofshin
edhe të hidhura të dalin në shesh. Kjo është detyrë e një studjuesi të
mirëfilltë. Fatkeqësisht, shtresa e këtyre të fundit akoma janë larg institucioneve
dhe qendrave relevante si në trojet tona ashtu edhe jashtë tyre. Nëpër
institucionet tona të gjithë jemi duke e parë se ç’po ndodhë. Për historinë dhe
gjithë gjërat tjera vendosin “studjues të internetit” që për mësues kanë “Prof
Wikipedia-n” dhe “Akademik Google-n”. Ata që kur lexon shkrimet dhe analizat e
tyre të duken si ato të përrallave të gjysheve, pa asnjë referencë, pa asnjë
citim edhe pse ndoshta bëhet fjalë edhe për histori ku akoma janë gjallë burimet
e dorës së parë.
Një dritë në fund të tunelit na e paraqet shtresa e re e historianëve dhe
studjuesve që kanë nisur t’i rreken shkencës ashtu siç e kërkon vet ajo.
Fatmirësisht edhe studjues të huaj që njohin mirë çështjet e Ballkanit, me
studimet e tyre mos më shumë t’i këndjellin këta tanët, që përkundër titullit
magjistër e profesor të historisë, nuk dinë çka është arkivi dhe çfarë thesari
fshihet në to.
Për mua rishikimi i historisë është një hap tepër i rëndësishëm për kombin
tonë, për shkencën e historisë dhe në rend të parë për të vërtetën. Turqit kanë
në dorë një minierë ari që për ne është thuajse e paprekur. Pse po ngurrojmë që
edhe ne të marrim hisen tonë aty?